English
Scroll top

Të varfrit e luksit

Qytetarët e Kosovës kanë prirje që të shpenzojnë shumë para në produkte të luksit, e ky tejkalim i shpenzimeve vërehet sidomos gjatë festave të fundvitit. Por ky harxhim nuk është në proporcion me të hyrat financiare të familjeve kosovare në përgjithësi dhe me gjendjen e rëndë socio-ekonomike në të cilën gjendet një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve dhe familjeve kosovare. Sipas ekonomistëve nga këto shpenzime enorme, nuk rritet zhvillimi ekonomik, pasi që Kosova nuk e ka të zhvilluar ekonominë...

Prishtinë, 02 Shkurt 2012

Një numër i madh i qytetarëve të Kosovës jetojnë në gjendje të rëndë socio-ekonomike, disa në varfëri skajshme e disa në varfëri relative, ndërsa numri i të papunëve gjithnjë e më shumë po rritet. Por çuditërisht edhe në këtë gjendje të rëndë sociale, kosovarët gjejnë para për të blerë produkte të luksit apo për festuar festat e fundvitit, duke bërë shpenzime shumë më të mëdha sesa të hyrat financiare që i kanë. Ky fakt krijon shumë dilema, si në aspektin kulturor, sistemin e vlerave dhe mënyrën e organizmit të jetës. Shikuar në aspektin sociologjik një dukuri e tillë ka të bëjë edhe me stratifikimin social të shoqërisë tonë, ku një pjesë e shoqërisë i përket klasës së lartë në renditjen e hierarkisë shoqërore, pjesa më e madhe i përkasin shtresës së ulët, ndërsa shtresa e mesme në bazë të rrethanave aktuale shoqërore po shkon duke u zvogëluar. Por pavarësisht kësaj, shpenzimet e qytetarëve të Kosovës janë të mëdha dhe në disproporcion me të hyrat financiare që ata kanë. Ka disa indikacione se këto shpenzime bëhen për t’u përshtatur me grupin apo rrethin shoqërorë, apo edhe si tendencë e klasës së ulët për t’u përshtatur apo për t’i takuar një klase më të lartë. Gjithashtu, këtu nuk duhet harruar as tendencat që kanë një pjesë e qytetarëve për të imituar mënyrat e festimit të festave në vendet e Evropës, e që ky ndikim bëhet përmes medieve, apo kontaktit me bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit. Por kjo tendencë për t’u përshtatur ka edhe pasojat e veta ekonomike, për shkak se për mënyra të tilla festimi duhet kursyer, apo për të blerë produkte të luksit duhet hequr dorë nga prioritetet tjera familjare që shpesh mund të jenë edhe elementare.

Salltanati i popullit

Në tabelën e mëposhtme do të paraqiten sasia dhe vlera e disa  produkteve të luksit që kanë hyrë në Kosovë në vitin 2010 dhe 2011. Në këto të dhëna nuk janë edhe disa produkte të luksit që janë shumë të kërkuara, ndër të cilat edhe mjetet piroteknike, pasi që doganat ende nuk i kanë mbledhur të dhënat për këto produkte.

Në vitin 2010 Kosova ka importuar mbi 775 mijë litra birra, që në euro i bie 8 milionë e 273 mijë e 444 euro. Ndërsa në vitin 2011 janë importuar mbi 689 mijë litra, vlera e të cilave kapë shumën 7 milionë e 921 mijë e 791 euro. Edhe Alkooli është produkt i kërkuar nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës. Në vitin 2010 kanë hyrë mbi 542 mijë litra alkool, sasi kjo që kapë vlerën 5 milionë e 68 mijë e 650 euro. Edhe në vitin 2011 ky produkt ka qenë mjaft i kërkuar, pasi që kanë hyrë mbi 403 mijë litra me vlerë prej 5 milionë e 239 mijë e 590 euro.

Edhe cigarja si produkt i luksit ka shënuar rritje të importit në dy vitet e fundit. Në vitin 2010 kanë hyrë mbi 3 milionë kilogramë cigare, vlera e të cilave është e barabartë me 47 milionë e 71 mijë e 38 euro. Ndërsa ky import është rritur në vitin 2011, ku janë importuar 3 milionë e 343 mijë e 128 kg cigare, të cilat në para peshojnë hiq më pakë se 57 milionë e 67 mijë euro.  E dashuria e për veturat tashmë është e njohur për kosovarët, disa qytetarë më parë dëshirojnë që të kenë një veturë luksoze dhe të kushtueshme se sa një shtëpi të mirë apo produkte që mund të jenë më të domosdoshme apo edhe elementare. Në vitin 2010 në Kosovë janë importuar 1108 vetura që nëse i shndërrojmë në para, janë 16 milionë e 355 mijë e 393 euro. Ndërsa në vitin 2011 janë importuar 1356 makina dhe vlera e tyre është 19 milionë e 802 mijë e 213 euro. Edhe numri i veturave të tjetra ka shënuar rritje. Në vitin 2010 janë importuar  12 mijë e 465 vetura, vlera e të cilave është 74 milionë e 366 mijë e 379 euro. Ndërsa në vitin 2011 kanë hyrë 3 mijë e 242 makina, që kanë vlerën e 10 milionë se 795 mijë e 373 euro. Duhet cekur se këto makina të paraqitura kanë hyrë si import dhe këtu nuk llogaritën edhe sa makina tjera vijnë nga bashkatdhetarët, të cilat i lënë në Kosovë.  Një pjesë të parave kosovarët i ruajnë edhe për kafe, produkt i cili është shumë i kërkuar. Duke marrë parasysh kërkesat për këtë produkt, vetëm në vitin 2010 janë importuar 722 mijë kg. kafe të pjekur, që kanë vlerën e 3 milionë e 254 mijë e 679 euro. Ndërsa në vitin 2011është importuar kafe të pjekur 857 mijë e 433 kg. që kapin vlerën e 4 milionë e 205 mijë e 457 euro. Kafe e papjekur më 2010 është importuar milionë e 242 milionë e 242 mijë e 230 kg që kanë vlerën e 3 milionë e 308 mijë e 109 eurove. Ndërsa në vitin 2011 është importuar 3 milionë e 162 mijë e 18 kg. që kanë vlerën e 5 milionë e 747 mijë e 333 euro.

Shpenzohet shumë edhe për hotele

Sipas një raporti të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2011, thuhet se në këtë vit ka pasur rritje të numrit të vizitorëve nëpër hotele. Sipas të dhënave që janë publikuar në këtë raport, numri i vizitorëve vendas  për vitin 2011,  nëpër  objekte rekreative është rritur për 8.52 për qind.

Në raport thuhet se familjet urbane dhe ato me arsim të lartë, janë ato që po rrisin pjesën e buxhetit edhe për rekreacion, hotele dhe restorante. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011, numri i vizitorëve në këto hotele ka qenë 16.055, prej të cilëve 48.62 për qind janë vizitorë vendorë  dhe 51,38 për qind vizitorë të jashtëm.

E këtu krahasuar me tremujorin e dytë të 2011, vërehet një ulje në numrin e vizitoreve vendorë dhe të jashtëm për 32,63 për qind. “Por, krahasuar me vitin 2010, ka pasur rritje të numrit të vizitorëve. Në raport me tremujorin e kaluar të 2011, kemi ulje të numrit të vizitorëve 32.63 për qind, por në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2010, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011 kemi rritje për 8.52 për qind të numrit të vizitorëve”, thuhet në të dhënat e ASK-së.

Numrin më të madh të vizitorëve sipas këtij raporti e ka Prishtina me gjithsej 6.720 vizitorë, i dyti Ferizaji me 1.807 vizitorë dhe Istogu radhitet i treti me 1.178 vizitorë.

ASK ka vrojtuar vetëm 170 hotele dhe jo të gjithë sipas raportit i janë përgjigjur kërkesës për të marrë shënime nga ta. “Po ashtu, në këto anketa nuk janë të përfshira edhe hotelet dhe motelet e palicencuara, të cilat e ushtrojnë këtë veprimtari, por që janë në procedurë e sipër për marrjen e licencës e në të ardhmen pritet të jenë pjesë e këtij hulumtimi”, thuhet në raport.

Por, kosovarët dinë të shpenzojnë edhe për kategori tjera luksi. Vetëm gjatë vitit 2010 shpenzimet për produkte si alkooli, duhani, veshmbathjet dhe rekreacioni kanë shënuar rritje të dukshme. Kështu, pas ushqimit, kosovarët konsumojnë alkool dhe duhan më të madhe. Për këto dy kategori u shpenzuan afër 300 euro dhe 440 euro të tjera veshmbathje prej 7.655 eurove, sa i pati mesatarisht në dispozicion një familje kosovare brenda vitit 2010.

”Është evidente rritja e shpenzimeve për konsum të alkoolit dhe duhanit në krahasim me vitet 2009 dhe 2008. Rritja në vitin 2010 ka qenë 21 për qind në Kosovë në vendbanime urbane 19 për qind, kurse në rurale është më e theksuar 23 për qind”, thuhet në anketën e ekonomive familjare për vitin 2010.

Është evidente rritja e shpenzimeve për konsum të alkoolit dhe duhanit në krahasim me vitet 2009 dhe 2008. Rritja në vitin 2010 ka qenë 21 për qind në Kosovë në vendbanime urbane 19 për qind, kurse në rurale është më e theksuar 23 për qind.

Agjencia e Statistikave e Kosovës

Në bazë të këtij raporti, mbi buxhetin e ekonomive familjare për vitin 2010, në kategoritë si ushqimi, banimi, transporti, veshmbathjet si dhe alkooli e duhani është shpenzuar më së shumti.

Derisa kosovarët shpenzojnë shumë në artikuj të luksit, papunësia po shënon rritje në Kosovë. Raportet e organizatave ndërkombëtare i kanë rekomanduar Qeverisë që të angazhohet në uljen e papunësisë. Raporti i Progresit i publikuar në fund të  vitit 2011 e potencon faktin se Kosova është vendi i vetëm që nuk ka shënuar ulje të papunësisë. Përveç kësaj, të papunëve thuhet se po iu shtohen edhe ata me diploma universitare.

 

 

 

Më shumë konsumues sesa investues

Ekonomisti Lumir Abdixhiku, thotë se kosovarët aktualisht kanë më shumë prirje të jenë konsumues sesa investues. Sipas tij, shpenzimet e festave të ndryshme, p.sh e Vitit të Ri, ndikojnë që të ketë qarkullime të mëdha financiare. Ai thotë se duke marrë parasysh faktin se Kosova është vend importues, nuk përfiton asgjë nga ky qarkullim i parasë, pasi që nuk ka ekonomi të prodhimit, por vetëm bëhet një kanal që paratë e shpenzuara në Kosovë të dalin në vendet tjera.

“Shikuar në aspektin ekonomik, këto shpenzime janë të mirëseardhura për bizneset, por sidomos në rastet kur prodhimi është vendas, pra krijohet qarkullim i madh financiar dhe rrjedhimisht edhe zhvillim ekonomik. Por fatkeqësisht çdo shpenzim që bëhet në Kosovë del jashtë. Nëse do të kishim një ekonomi prodhuese shpenzimi i këtyre parave për festat e fundvitit do ta kishte rritur qarkullimin e firmave kosovare dhe do të kishte pasur ndikim pozitiv për ekonominë kosovare”, thotë Abdixhiku.

Tendenca për t’u përshtatur me trendin

Sociologu Ibrahim Berisha thotë se edhe në Kosovë pavarësisht që është më e dobët funksionon ekonomia e tregut dhe në këtë dinamikë edhe individi apo familja merr disa premisa të reja.  Ai thotë se aktualisht mundësitë për të fituar janë shumë më të mëdha dhe e dyta më nuk ekziston  frika e mbijetesës se njeriu vdes nëse e shpenzon centin e fundit. “Çështje tjetër është trendi. Nëse ju shihni se në gjithë botën shpenzohet në manifestime, ceremoni të ndryshme atëherë domosdoshëm që një lloj viktime bie edhe qytetari ynë që të jetë në trend me të tjerët. Një element tjetër është se sot vlerësohet diku 800 mijë shqiptarë qëndrojnë jashtë Kosovës dhe ata kur vijnë këtu sjellin konceptin apo filozofinë e konsumit edhe ata duan të tregojnë se nuk janë të varfër, por janë në gjendje të shpenzojnë për familjen dhe të shpenzojnë shumë më shumë sesa realisht fitojnë”, thotë Berisha.

Ai thotë se çështja tjetër është humbja e sensit për kursim, pasi që qytetarët tanë kanë qenë shumë kursimtarë dhe nuk është shfrytëzuar ajo që ka qenë e domosdoshme, përkundrazi shpesh është kursyer ajo që ka qenë e domosdoshme të shpenzohet. Sipas tij, kjo vlerë ka filluar të humbet në tendencën e imitimit të ndërkombëtarëve.

“Me ndërkombëtarët kanë punuar shumë të rinj e të reja dhe kanë fituar disa shprehi të shpenzimit. Kjo e ka shtuar atë filozofinë e shpenzimit”, mendon Berisha.

Ka humbur sensi për punë

Berisha mendon se element tjetër i rëndësishëm në këtë aspekt është se për një kohë të gjatë është fituar paraja lehtë, kur dhe se familjet kanë marrë para nga familjarët që kanë punuar jashtë vendit.

“Ka qenë një lloj gare kush po blenë vetura më shumë, kush po bën luks apo shpenzime më shumë dhe prestigji i familjes apo i anëtarëve të familjes në perëndim është matur me shpenzimet që i bën ky brenda vendit pa punuar dhe kjo ka humbur sensin për punë. Ne kemi qenë një popull që nuk kemi shpenzuar në luks në gjëra të panevojshme dhe nën ndikimin e këtyre elementeve që i përmenda, e para të parave të sjella nga emigracioni, e dyta nën ndikimin e ndërkombëtarëve dhe e treta edhe nën ndikimin e medias, që ka të bëjë me tendencën e imitimit. Gjithashtu, është humbur edhe vlera e dytë shumë e rëndësishme për të mos shpenzuar në luks, bile bile ne kemi shkuar në ekstrem për arsye se gjërat që funksionojnë në perëndim nuk i hedhin, e ne i hedhim. Në perëndim investojnë në anën formale dhe rrallë ndodhë që diçka që është funksionale të hidhet”, theksoi Berisha.

Ai thotë se e gjithë kjo ka një pasojë, sepse kjo tregon se paraja nuk fitohet vështirë. Sipas tij, këtu kemi para që fitohet lehtë dhe një element mund të jetë korrupsioni, krimi i organizuar dhe ajo para që qarkullon pa u fituar më vështirësi edhe shpenzohet lehtë. Berisha thotë se ka diçka shumë të rëndësishme, hyrja e njerëzve në kredi. Njerëzit edhe për luks dhe shpenzime koti hyjnë në kredi. Edhe kur fillon me e pagua kamatën e sheh që sa e vështirë është. Ishte një analizë që 3 miliardë ishin borxhe të qytetarëve tanë ndaj bankave. Pra të gjithë këta faktorë ndikojnë që ne të humbim nga vlera e kursimit dhe që të shpenzojmë në luks shumë.

Kjo situatë mund të zgjasë shumë

Sociologu Berisha mendon se për këtë çështje ka arsye të shumta, dhe njëra është se ne kemi pasur një ndërprerje të jetës sociale, publike për rreth 15 vjet, d.m.th para viteve ’99, pastaj është shkatërruar një klasë e mesme që ka qenë, administratë dhe shumë elemente të asaj shtrese. Ai thotë se pas viteve të ’90-ta Kosovën e gjen një situatë kaotike sociale në një klasë që është shumë e pasur që është shumë e vogël edhe ata njerëz me pushtet, të krimit  të organizuar, biznesit etj. Kjo e dikton jetën “elite”, ndërsa nuk ka shtresë të mesme të qëndrueshme, pasi që shtresë të mesme nuk mund ta quajmë administratorin që i merr 250 euro apo mësuesin, por nën presionin e faktorëve të ndryshëm shpesh ka tendencë të imitimit të kësaj shtrese. Sipas tij, në gjithë këtë duhet marrë parasysh edhe faktin se shpesh kemi presion të fëmijëve ndaj prindërve “se ne duhet të bëhemi si ata” dhe kjo qon në shpenzime shtesë.

“Kjo situatë mund të zgjasë shumë. Ka një rrezik që ne do të kemi një shtresë shumë të pasur, që këtë pasuri e ka fitua në mënyra të ndryshme, por më së paku me punë dhe kemi një pjesë dërmuese të popullsisë që s’do t’i takojë shtresës së mesme shumë gjatë që do të jetë vazhdimisht në kredi e borxhe, ndjekje të ekzistencës dhe që do të jetë e varfër. Këtu i kemi dy aspekte, ligji nuk vepron, sepse dihet policia duhet të veprojë, ligji, gjykata. E dyta është p.sh mjetet piroteknike që janë të ndaluara. Ato i sjellin njerëzit që kanë monopole, qeveritare. Nuk i sjellin prej Kine njerëzit e zakonshëm, por ata të fuqishëm. Kjo nuk ndërpritet në start, kjo që shitet në treg është e dorës së tretë, katërt dhe kjo flet për modelin ekonomik informal. Ajo që i duhet më së paku këtij vendi është flaka edhe krisma, sepse ne ende kemi trauma prej pasojave të luftës”, u shpreh sociologu Berisha.

Ndërsa, antropologia Nita Luci, thotë se mënyra e festimit dhe e shpenzimit tek qytetarët e vendit tonë është e lidhur me disa faktorë, si tendenca për t’u përshtatur me një klasë të caktuar shoqërore dhe me sistemin ekonomik të konsumit që po ndërtohet në shoqërinë tonë, ndërsa thotë se më pak ndikojnë aspektet kulturore dhe sistemi i vlerave shoqërore.

“Mendoj që është me rëndësi të kuptohet se cilat janë pritjet e njerëzve, cilat janë mundësitë dhe pamundësitë tyre, për antropologë kjo është më rëndësi. Mendoj se edhe mënyra e festimit dhe shpenzimit ka të bëjë me sistemin ekomomik që po ndërtohet tek ne dhe ideja e tregut të hapur të konsumimit që e kemi një treg që është i vërshuar prej mallrave të lira të cilësisë së ulët të cilat i përgjigjen fuqisë së blerësit tonë. Pra është jo vetëm përshtatje, por edhe qëllimi i njerëzve që t’i takojnë shtresave të caktuara shoqërore. Ne më shumë se 20 vjet shpenzojmë më shumë se që kemi dhe të gjithë analistët janë befasuar se ku po i marrin njerëzit paratë dhe një ndikim këtu ka edhe ekonomia joformale dhe diaspora, e kjo e fundit mund edhe të nxitë tendencat për imitim dhe përshtatje”, thotë Luci.