English
Scroll top

Të fortit e artit

Në Fakultetin e Artit në degën e grafikës, është zgjedhur profesor asistent Bardhyl Bejtullahu i cili për nga veprimtaria artistike ishte i treti në konkurrencën që ka qenë. Atij janë nevojitur 11 vjet për të magjistruar. Në favor të tij kanë vendosur dy anëtarët e komisionit, të cilët në recensionet vlerësuese kanë shkruar në superlativ për kandidatin në fjalë, ndërsa dy kandidatëve të tjerë nuk ua kanë shkruar gjithë veprimtarinë artistike edhe pse e kanë pasur në dosje të aplikimit. Dy kandidatët...

Prishtinë, 05 Maj 2014

Bardhyl Bejtullahut iu nevojitën 11 vjet për magjistruar, por disa muaj pasi diplomoi u angazhua fillimisht si ligjërues, e pastaj si profesor asistent në Fakultetin e Arteve, në degën e Grafikës. Bejtullahu ka filluar studimet e magjistraturës në vitin akademik 2001/2002, ndërsa i ka mbaruar me 13 prill të vitit 2012. Gjashtë muaj pasi ka magjistruar, Bejtullahu është punësuar si ligjërues në Fakultetin e Artit. Ai ka pasur një kontratë pune nga 01.10.2012 deri me 30.06.2013. Zgjedhja e tij si profesor asistent dyshohet se është bërë me favorizime nga dy anëtarët e komisionit vlerësues, të cilët e kanë vlerësuar atë në superlativ edhe pse në fakt ky kandidat ishte larg dy kandidatëve tjerë sa i përket veprimtarisë artistike dhe sukseseve në fushën e artit grafik.

Në komisionin vlerësues për këtë konkurs kanë qenë prof.asistent Mirsad Lushtaku, i cili ishte edhe kryetar i komisionit, Hajrush Fazliu profesor në degën e artit dhe Basri Mekolli profesor i rregullt në degën e grafikës. Dy të parët kanë dhënë vlerësime të njëjta për secilin kandidatë, duke i shkruar vlerësimet në një recension, kurse vlerësimi i Basri Mekollit ka qenë i ndryshëm nga vlerësimi i dy anëtarëve të tjerë. Pra ka pasur vlerësime kontradiktore sa i përket vlerësimit të numrit të ekspozitave dhe të arriturave artistike të tre kandidatëve kryesor në këtë konkurs, duke mos ua cekur ekspozitat personale dhe kolektive në të cilat kanë marrë pjesë, e të cilat i kanë pasur të dëshmuara në dosjet e aplikimit.

Preportr ka marrë në rektorat recensionet dhe dosjet e të gjithë kandidatëve që kanë konkurruar në këtë konkurs dhe ka verifikuar të gjitha dëshmitë e paraqitura në këto dosje. Këto dosje tregojnë se ka pasur manipulime në vlerësimin e veprimtarisë artistike.

Vlerësimi i favorizuar

Për kandidatin e pranuar Bardhyl Bejtullahu, Mirsad Lustaku dhe Hajrush Fazliu kanë vlerësuar se të gjitha aktivitetet artistike personale dhe kolektive të cekura nga ai, dëshmohen me katalogë dhe referate përkatëse. Në vlerësimin  e këtyre dy anëtarëve të komisionit recensues, ceket aktiviteti i kandidatit Bejtullahu në fushën  dizajnit, menaxhimit të artit dhe organizmit të kampanjave të ndryshme, kapaciteteve të OJQ-ve si dhe pjesëmarrës në një workshop për një nga teknikat e grafikës. Duke marrë parasysh këto, dy anëtarët e komisionit recensues e kanë propozuar Bejtullahun për profesor asistent në Fakultetin e Artit, në degën e grafikës.

Por, anëtari tjetër i komisionit Basri Mekolli e ka cekur se kandidati Bejtullahu nuk i ka dy dëshmi për dy ekspozita, që do të thotë se dy anëtarët e tjerë apriori i kanë pranuar të gjitha ato që i ka shkruar kandidati pa i verifikuar fare. Mekolli në vlerësimin e tij  ka shkruar se Bejtullahu ka paraqitur gjashtë ekspozita personale tri ekspozita në vend, dy në Gostivar, Tetovë dhe një në Fier, trembëdhjetë ekspozita kolektive vendore, tri ekspozita mbarëkombëtare dhe një ekspozitë kolektive ndërkombëtare. Në bazë të kësaj veprimtarie, Mekolli e renditë Bejtullahun të tretin në këtë konkurrencë.

Si rezyme e gjithë punës së prezantimit të paraqitur, kandidati Bardhyl Bejtullahu renditet si i treti në renditjen e kandidatëve sa i përket numrit të aktiviteteve artistike

Basri Mekolli, profesor në Fakultein e Arteve

“Portofolio e tij dominon me material për fushën e dizajnit, se sa atë në fushën e grafikës, në të cilën konkurron kandidati. Si rezyme e gjithë punës së prezantimit të paraqitur, kandidati Bardhyl Bejtullahu renditet si i treti në renditjen e kandidatëve sa i përket numrit të aktiviteteve artistike”, ka vlerësuar Mekolli.

Por nga verifikimi i dosjeve zyrtare që i ka marrë Preportr në rektorat për të gjithë kandidatët, rezulton se kandidati Bejtullahu, nuk i ka të dokumentuara në total 22 ekspozita personale siç i ka shkruar vetë dhe siç ia kanë pranuar dy anëtarët e komisionit vlerësues. Në këtë dosje ai nuk i ka as 20 ekspozita siç i ka cekur anëtari tjetër i komisionit Basri Mekolli, por i ka tri ekspozita personal, pesë ekspozita kolektive, përfshirë këtu edhe bienalen e artit në Argjentinë.

Bardhyl Bejtullahu brenda dy muajve ka hapur tri ekspozita personale, 8 deri 20 shkurt 2013 ekspozitë e paraqitur si personale në Fier. Ekspozite personale prej 1 deri me 15 mars 2013 “Kult Gallery” – Gostivar dhe ekspozita tjetër 26 mars deri 06 prill 2013 në galerinë e arteve Tetovë. Kjo tregon që këto ekspozita janë bërë për një kohë të shkurtër dhe mund të jenë bartur të njëjtat punime, prej një galeria në tjetrën, pa pasur fare punime të tjera të pa prezantuara.

Ndërsa sa i përket ekspozitës në Fier, Preportr ka gjetur se kjo ekspozite nuk ishte personale siç  e kishte prezantuar Bejtullahu në dosjen e tij kur ka aplikuar, por ekspozita ishte kolektive.  Në ftesën  që e ka siguruar Preportr, por edhe në njoftimin e Bashkisë së Fierit  në lidhje me këtë ekspozitë, shkruan se në atë ekspozitë ekspozojnë tre grafistë nga Kosova.

Ndërsa Bejtullahu në lidhje me këtë çështje ka thënë për Prportr, se ekspozita ka qenë personale edhe pse kanë marrë pjesë tre grafistë, sepse sipas tij secili e ka pasur pjesën e vetë brenda galerisë.

Bejtullahu nuk ka asnjë pjesëmarrje në bienale të grafikës, që është shumë e rëndësishme dhe tregon arritjen më të madhe profesionale të çdo artisti në këtë fushë. Por ai ka marrë pjesë në një bienale ndërkombëtare të artit që është mbajtur në Argjentinë.

Kundërkandatët në këtë konkurs, thonë se kjo zgjedhje është bërë me favorizime, ndërsa hedhin edhe dyshime për lidhjet miqësore që ka kandidati i pranuar me dy prej anëtarëve të komisionit recensues. Se mund të ketë pasur favorizime në vlerësim dhe afërsi në mes kandidatit dhe komisionit vlerësues tregon edhe fakti se Bardhyl Bajtullahu ka marrë pjesë bashkë me njërin nga anëtarët e komisionit Mirsad Lushtaku në dy ekspozita. Praportr pas verifikimit të dëshmive mbi ekspozitat e kandidatëve ka gjetur se Bejtullahu dhe Lushtaku kanë marrë pjesë bashkë në bienalen e artit në Argjentinë  dhe në ekspozitën e përbashkët  që është hapur në galerinë e artit në Fier.

Në lidhje me këtë konkurs dhe zgjedhjen e tij, veprimtarinë artistike dhe konkurrencën, Bejtullahu ka thënë për Preportr se ai ka konkurruar si të gjithë kandidatët e tjerë dhe se komisioni vlerësues ka vendosur që ai të zgjidhet profesor asistent për lëndën grafikë – B.

Preportr ka kontaktuar edhe me tre anëtarët e komisionit vlerësues, Lushtakun, Fazliun dhe Mekollin. Ata kanë thënë se nuk kanë çfarë të shtojnë më shumë se ajo që kanë shkuar në recensione, ku kanë shprehur vlerësimet e tyre për të gjithë kandidatët.

I diskriminuari në konkurs

Anëtarët e komisionit vlerësues në lidhje me kandidatin Tafil Peci kanë dhënë vlerësime krejtësisht të kundërta. Basri Mekolli e ka vlerësuar Tafil Pecin, si kandidatin me më së shumti veprimtari artistike ndër kandidatët tjerë, si për nga numri i ekspozitave kolektive dhe personale, pjesëmarrje në bienale ndërkombëtare të grafikës si dhe për nga çmimet e fituara. Mekolli në vlerësimin e tij  ka shkruar se këto çmime janë të vërtetuar me dokumentacionin e dorëzuar, ndërsa një bienal ndërkombëtar është i padëshmuar me dokumentacion.

“Përveç pesë ekspozitave personale në vend, ka dy ekspozita personale jashtë vendit, njërën në Francë dhe një në Shqipëri. Ka 13 pjesëmarrje në bienale të ndryshme ndërkombëtare të grafikës që janë barometri më i mirë i matjes së vlerave të një artisti grafik. Ndërsa i ka 30 ekspozita mbarëkombëtare dhe është kandidati me më së shumti pjesëmarrje në ekspozita si në vend, ashtu edhe jashtë vendit”, ka shkruar në vlerësimin e tij Mekolli.

Gjithashtu në këtë recension Mekolli ka shkruar edhe për dhjetëra vizita studimore artistike në të cilat ka marrë pjesë ky kandidat.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto karakteristika, sipas këtij anëtari të komisionit vlerësues, kandidati Tafil Peci i plotëson më së shumti kriteret artistike dhe e propozon atë për profesor asistent.

Por vlerësim  të kundërt kanë dhënë dy anëtarët tjerë, Mirsad Lushtaku dhe Hajrush Fazliu. Ata nuk e kanë cekur gjithë veprimtarinë e tij artistike, duke shkruar se ato nuk janë të dëshmuara në dosje.

“Kandidati Tafil Peci ka prezantuar në CV disa ekspozita personale dhe shumë nga ato kolektive brenda dhe jashtë shtetit. Mirëpo ekspozitat personale të tij, nuk kanë burimin e informatës në të cilën mund të mbështetemi dhe mund të verifikohen, pa ndonjë shënim (katalog), apo referat relevant. Evidenton se është pjesëmarrës në disa ekspozita kolektive, koloni brenda dhe jashtë vendit, por të cilat nuk i ka të kategorizuara”, thuhet në vlerësimin e dy anëtarëve të komisionit, të cilët nuk e kanë propozuar kandidatin Peci për t’u zgjedhur profesor asistent.

Por verifikimi dëshmive të dosjes së Tafil Pecit  tregon diçka tjetër. Ai në dosjen e tij i ka të dëshmuara gjashtë ekspozita personale në vend, dy jashtë vendit dhe 13 pjesëmarrje në bienale ndërkombëtare të grafikës. Në total ky kandidat ka 35 ekspozita, veprimtari këto që nuk i ka pasur asnjeri nga kandidatët tjerë. Por këto të dhëna nuk janë cekur në recensionin vlerësues nga nga ana e dy anëtarëve të komisionit.

Tafil Peci ka thënë për Preportr se kjo i është bërë me qëllim për ta favorizuar kandidatin tjetër. Ai thotë se në përzgjedhjen e kandidatit për profesor asistent, ka pasur disa shkelje ligjore. Sipas tij, shkeljet kanë të bëjnë me komisionin recensues, pasi që një nga anëtarët nuk i takon fushës së grafikës dhe mendimi i tij në këtë rast është joprofesional.

“Komisioni recensues është dashtë të jetë nga katedra e grafikës, pikërisht këtu janë bërë manipulimet, e gjithë kjo ka ndodh për ta mbështet kundërkanditatin, pasi që po të ishin tre anëtarë të katedrës së grafikës, ai nuk do të mund të kalonte, duke e ditur nivelin e ultë teknik dhe artistikë tij”, thotë Peci.

“Një gjë më rëndësi është se komisioni recensues është dashtë t’i ftojnë kandidatët që t’i sjellin krijimet e tyre, siç ka ndodhur në konkurset e mëparshme për ta parë dhe vlerësuar krijimtarinë e secilit kandidat”.

Ai thotë se komentet që i kanë bërë dy anëtarët e komisionit recensues se nuk ka dëshmi për ekspozitat e paraqitura në dosje, nuk qëndrojnë, sepse të gjitha i ka të dokumentuara.

“Bienalet ndërkombëtare të grafikës ku unë jam prezent si në Bullgari, Rumani, Maqedoni, dy anëtarët në fjalë nuk i kanë cekur fare, e të cilat unë i kam dëshmuar në dosjen e aplikimit”, u shpreh Peci.

Rektorati dinte për dyshimet manipuluese

Peci thotë se për të gjitha këto pretendime e ka njoftuar rektoratin, por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë. Ai thotë se rektorati nuk e ka njoftuar se nuk është pranuar dhe se njoftimi i ka ardhur pas insistimit për të marrë përgjigje zyrtare se cili kandidat është zgjedhur.

Ai thotë se është njoftuar nga rektorati tre muaj pasi që ka filluar punën kundërkandidati i tij, duke i thënë se nuk i plotëson kushtet.

“Unë jam njoftuar nga (ish) prorektori për mësim Nuri Bexheti, i cili më ka njoftuar se e ka kthyer lëndën tri herë në Fakultetin e Arteve, si lëndë të dyshimtë, mirëpo fakulteti kishte insistuar me këmbëngulje për kundërkanditatin”, thotë ai.

Në lidhje me këtë çështje, Peci ka bërë ankesë në rektorat  dhe thotë se është në pritje të përgjigjes. Ai shpreson që menaxhmenti i ri i rektoratit do ta shqyrtojë me profesionalizëm këtë ҫështje, ndërsa shton se nëse i kthehet përgjigja negativ do t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

“Nëse menaxhmenti më kthen përgjigje negative, atëherë unë do ta praqes si kallëzim penal, pasi kam prova të mjaftueshme”, u shpreh Peci.

Zyra për informim e rektoratit të UP-së, përmes përgjigjes me e-mail ka thënë se Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa, ka shqyrtuar kërkesën e Tafil Pecit, por ka konstatuar se është e pabazë. Por edhe pas disa tentimeve të Preportr që të marrë përgjigje për arsyet pse është konsideruar si e pabazë kjo ankesë, zyra për informim e rektoratit nuk ka kthyer fare përgjigje.

Konkursi ishte hapur vetëm për Bejtullahun

Edhe kandidatja tjetër Afrora Blakҫori – Uka thotë se kandidati i pranuar ka qenë i favorizuar nga dy anëtarët e komisionit dhe se asaj i është bërë e padrejtë në këtë konkurs.

Ajo ka thënë për Preportr se ky konkurs siç po duket ka qenë nga fillimi i organizuar që të pranohet Bardhyl Bejtullahu, pavarësisht se dy kandidatët tjerë kanë qenë më të përgatitur. Ajo thotë se askush nuk e ka lajmëruar zyrtarisht se nuk është pranuar dhe se mosnjoftimi se nuk është pranuar, nuk i ka lënë as mundësi për të bërë ankesë.

Dhjetë vite e kam pritur për këtë konkurs dhe si duket konkursi është vonuar deri sa ka diplomuar kandidati që tashmë është pranuar

Afrore Blakçori-Uka

“Dhjetë vite e kam pritur për këtë konkurs dhe si duket konkursi është vonuar deri sa ka diplomuar kandidati që tashmë është pranuar. I pranuari në këtë konkurs është marrë më shumë me dizajn, se sa me grafikë, e të mos flasim për metodat më specifike të grafikës. Gjithashtu votat që kanë marrë kandidatët tjerë, në mesin e tyre edhe unë nuk kanë shkuar fare në senat, por ka shkuar vetëm emri i Bardhyl Bejtullahut”, ka thënë Blakçori - Uka.

Sipas anëtarit të komisionit Basri Mekolli, edhe Afrora Blakçori, ishte më e mirë në këtë konkurs sesa Bardhyl Bejtullahu.  Ai në vlerësimin që i ka bërë kësaj kandidateje, ka shkruar se sa i përket veprimtarisë artistike, ajo renditët e dyta në këtë konkurrencë.

“Kandidatja Afrora Blakqori – Uka, është prej magjistrave të para femra në drejtimin e grafikës. Kjo artiste grafiste me opusin e saj grafik dëshmon arritje të lartë profesionale me teknika të ndryshme grafike. Kandidatja Afrora Blakqori – Uka, ka 8 ekspozita personale dhe 29 ekspozita vendore dhe mbarëkombëtare dhe renditet e dyta ndër kandidatët sa i përket pjesëmarrjeve në ekspozita. Kandidatja ka dy shpërblime në “Sallonin e Nëntorit” 1995 dhe 1997 në Prishtinë për vendin e parë për grafikë”, ka vlerësuar Mekolli, duke cekur edhe faktin se ajo kishte marrë mirënjohje nga Fakulteti i Arteve si studente e dalluar, përvojën e saj arsimore në disa shkolla dhe përvojën menaxheriale në disa organizata. Duke marrë parasysh këto prof. Mekolli e ka propozuar këtë kandidate për prof.asistente për lëndën grafikë – B.

Por, edhe si te kandidati tjetër, dy anëtarët e tjerë kanë shkruar  të dhëna tjera në lidhje me veprimtarinë artistike, duke thënë se nuk i ka të dëshmuara. “Përveç ekspozitës personale në Galerinë e Arteve të Kosovës, Prishtinë 2011, “Yll Galleri” në Turqi dhe “Kunst Galeri”- Zyrich, nuk është dëshmuar asnjë ekspozitë tjetër me katalogë. Për aktivitetet tjera të lartshënuar nuk posedojmë dokumentacion relevant si dëshmi”, kishin shkruar Lushtaku dhe Fazliu.

Preportr ka verifikuar dëshmitë e prezantuara  nga kjo kandidate. Në dosjen e saj ka dëshmi se ajo ka pesë ekspozita personale dhe 19 ekspozita kolektive. Por dy anëtarët e komisionit vlerësues Lushtaku dhe Fazliu, nuk i kanë cekur fare këto ekspozita në recesionin vlerësues për këtë kandidate. “Fshehja” e aktiviteteve artistike të dy kandidatëve, ka krijuar dyshime se konkursi ka qenë i përgatitur enkas për ta zgjedhur Bardhyl Bejtullahun.