English
Scroll top

TV – borxhlinj të Shtetit

Televizionet nacionale kosovare por edhe një nga ato kabllore janë borxhlinj të Administratës Tatimore, madje në vlera milionëshe. Një hulumtim i Preportr i bërë për televizionet nacionale dhe kabllore që konkurrojnë e përfitojnë tenderë publik për reklama të kompanive publike, nxjerr se : RTK-ja ka mbi 700 mijë euro borxh, por nuk ofron shpjegim për këtë, RTV21 ka afro 1.8 milionë euro borxh, por këtë borxh e ka kontestuar, “Klan Kosova” i ka borxh ATK-së, së paku deri në korrik...

Prishtinë, 25 Tetor 2012

Korporatën Energjetike të Kosovës, Post-Telekomin, Aeroportin dhe Doganat, televizionet nacionale kosovare, por edhe një nga ato publike i kanë në thumb të kritikave të tyre gati sa edhe Qeverinë. Por, në këto televizionet  nuk shihen shpesh storie kritike për Administratën Tatimore të Kosovës, përderisa mbulimi i ngjarjeve promovuese mbi të arriturat e këtij institucioni nuk mungon.

Por këto televizione kanë një të përbashkët karshi këtij institucioni. Sipas burimeve të Preportr, të gjitha televizionet nacionale, por edhe një nga ato kabllore, kanë borxhe ndaj ATK-së. Sipas përllogaritjeve, borxhet e këtyre televizioneve karshi ATK-së, arrijnë shumën deri në 3 milionë euro.

Preportr ka provuar të kontaktojw me menaxhmentet e katër televizioneve kosovare, nacionale dhe kabllore, për të parë arsyet e këtyre borxheve, por që të gjitha ose ofrojnë ndonjë arsyetim mbi akumulimin e borxhit, ose heshtin dhe nuk i tregojnë arsyet e borxheve që i kanë ndaj ATK-së.

RTK-ja borxhli, prapë nuk përgjigjet

Sipas burimeve të Preportr, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK)  deri në muajin e kaluar i ka pasur borxh Administratës Tatimore të Kosovës, për të gjitha llojet e tatimeve që obligohet t’i kryej, mbi 700 mijë euro.

Preportr ka pritur për afro një muaj një përgjigje nga menaxhmenti i televizionit publik kosovar, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Menaxhmenti aktual i RTK-së nuk ka lejuar edhe herëve të tjera qasje në dokumente publike, të kërkuara në hulumtimet e Preportr, por as  nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

RTV 21 konteston borxhin mbi 1 milionësh

Sipas burimeve të Preportr, nga televizionet private që konkurrojnë e marrin kontrata publike për marketing nga kompanitë publike, RTV 21 prinë me borxhe ndaj ATK-së.

Ky biznes ka një borxh aktual të akumuluar prej afro 1.8 milionë eurosh. Këtë gjë nuk e mohon as Afërdita Saraçini nga menaxhmenti i RTV 21, por se thotë që janë në kontest administrativ me ATK-në.

Ajo ka thënë se ATK-ja kundërligjshëm ka kthyer një borxh të vitit 2001-2004, ani pse legjislacioni i aplikueshëm në këtë fushë nuk i lejon ATK-sw, që t’u kthehet borxheve me të vjetra se 6 vite.

Derisa Saraçini thotë se ka një shpjegim edhe pse nuk e regjistroi TVSH-në për ato vite, shpreh habi se si është dënuar biznesi i saj që një herë ishte futur në listën e ATK-sw për 10 tatimpaguesit më të mirë kosovar.

Preportr për hir korrektesës e boton të plote përgjigjen  e Afërdita Saraçinit për këtë çështje  .

“Grupi Koha”: Nuk kemi borxhe

Burime të Preportr kanë bërë me dije se edhe biznesi Grupi Koha, në kuadër të të cilit funksionon Kohavisioni (KTV), ka një borxh mbi njëqindmijë euro në Administratën Tatimore të Kosovës.

Preportr ka kërkuar arsyen e këtij borxhi nga menaxhmenti i këtij televizioni dhe ka marr si përgjigje një vërtetim tatimor se ky televizion nuk ka fare borxhe .

“Preportr” gjatë hulumtimi për borxhet e televizioneve ndaj Administratës Tatimore ka dërguar në vazhdimësi pyetje në këtë institucion, i cili nuk ka qenë i gatshëm të jap përgjigje  për rastet konkrete. Në ATK kanë kthyer si përgjigje vetëm citim ligjesh . "Ne si Administratë Tatimore, duke u bazuar në nenin e lartë cituar jemi të obliguar të japim informata vetëm për institucionet, të cilat janë të parapara me Ligjin Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat", thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Klani, borxhe në ATK, borxhe në Trust

Nisjen e punës e lidhi me njëvjetorin e pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë, por tash shtetit i ka mbetur borxh. Të dhënat tregojnë se deri në korrik të këtij viti, Klan Kosova i ka borxh shtetit mbi 400 mijë euro. Është ky biznesi i drejtuar nga biznesmeni dhe gazetari Baton Haxhiu, i paraqitur në publik edhe si analist.

Burime të Preportr kanë bërë me dije se këto borxhe të këtij biznesi, që në regjistrat e biznesit ka për pronar shtetasin shqiptar, Aleksandër Frangaj, pronar edhe i “Klan TV” në Shqipëri, janë grumbulluar që nga nisja e punës në vitin 2009 e deri në qershor të vitit 2012.

“Minusat” e Klan Kosovës në regjistrat e Administratës Tatimore të Kosovës figurojnë, në tatime të ndryshme, që nga viti 2009, kur edhe zyrtarisht kishte filluar puna e këtij televizioni.

Këtë gjendje e pranojnë edhe menaxhmenti i Klan Kosova, që në faqen zyrtare dalin të jenë, pos biznesmenit Baton Haxhiu si Drejtor i Përgjithshëm, edhe Armand Shkullaku - Drejtor Ekzekutiv, Alaudin Hamiti - Drejtor i Programacionit, Gazmend Syla e Blerim Xhemajli -Kryeredaktorë të lajmeve etj.

“Për shkak të kostos së lartë në ofrimin e programit deri më tash, dhe vështirësive tjera në kuptim të mbledhjes së borxheve nga klientët,  menaxhmentit të Klan Kosova i është dashur të bëjë prioritizim të shpenzimeve. Këto vendime kanë shpjerë në akumulim të përkohshëm të borxhit tatimor”, thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të këtij biznesi për Preportr .

Në këtë përgjigje të dërguar vetëm nëpërmjet postes elektronike, pasi që askush nga menaxhmenti nuk ka pranuar takim me “Preportr” për këtë çështje, thuhet se “Klan Kosova” nuk po ikën nga borxhet ndaj Administratës Tatimore.

“Sidoqoftë, akumulimi i borxhit tatimor nuk do të thotë ikje nga obligimet, përkundrazi! Klan Kosova ka bërë deklarim të rregullt të të gjitha obligimeve tatimore”, thuhet në këto përgjigje.

Të dhënat tregojnë se televizioni Klan Kosova, ka bërë deklarim të rregullt të qarkullimit në ATK, dhe mbi bazën e këtij deklarimi edhe figuron borxhi i këtij televizioni ndaj shtetit.

Megjithëse funksionojnë që nga viti 2009, menaxhmenti i këtij televizioni e shohin vetën si biznes i ri. “Pamundësia e kthimit të borxhit përnjëherë përbën një situatë krejt normale, sidomos për një biznes të ri, siç është rasti me Klan Kosova”, thuhet në përgjigjet e tyre.

“Ua trus” te Trusti

Sipas burimeve të Preportr, Klan Kosova i ka punët “pick” me punëtorë. Prej pagave të tyre ka marrë pjesën që obligohet për tatim në pagë dhe kontribute pensionale, por të njëjtën nuk e ka dorëzuar në Administratën Tatimore dhe në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës-Trust.

Preportr ka siguruar edhe gjendjen e punëtorëve të Klan Kosova në Trust , të cilat dëshmojnë se kontributet nga paga e tyre bazë janë ndalur nga kompania Klan Kosova e drejtuar nga biznesmeni Baton Haxhiu, por që nuk janë derdhur në llogarinë e tyre. Ato ende figurojnë “me minus”.

Menaxhmenti i  “Klan Kosova” nuk ka përgjigje se çka ka ndodhur me fondin pensional që iu është ndarë punëtorëve nga paga e nuk është derdhur në Trust.

Sipas burimeve të “Preportr”, ky borxh, duke llogaritur që nga krijimi i “Klan Kosovës” si biznes e deri në qershor të këtij viti ka arritur mbi 170 mijë euro.

ATK i ik përgjigjes, bënë marrëveshje me Klan Kosovën

“Preportr” ka kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës përgjigje nëse janë kryer ndonjëherë nga ky institucion vizita te “Klan Kosova” si borxhli me qindra-mijëra euro që është.

ATK-ja, sipas praktikës së deri tanishme bënë vizita te bizneset edhe me borxhe shumë më të vogla se “Klan Kosova”. Madje, për këtë praktikë të intervenimit te bizneset që paguajnë por që për shkaqe të ndryshme janë vonuar me pagesat, Oda Ekonomike e Kosovës i pati cilësuar si haraç i ATK-së ndaj bizneseve.

Megjithëse Administrata Tatimore nuk pranon të jep arsye se si është lejuar grumbullimi i krejt borxhit që ka tash Klan Kosova, menaxhmenti i këtij biznesi konfirmon një marrëveshje me ATK-në.

“Për të përshpejtuar pagesën e borxheve të mbetura, ATK ka bërë marrëveshje me Klan Kosova, ashtu siç bën përditë marrëveshje me subjekte të tjera, për kryerjen e borxhit tatimor”, thuhet në përgjigjet e menaxhmentit të biznesit Klan Kosova për Preportr.

Biznesi që drejton gazetari Baton Haxhiu është zhytur në borxhe ndaj ATK-së e Trustit, por edhe për ta “shpresa vdes e fundit”.

“Menaxhmenti i Klan Kosovës shpreson se në të ardhmen e afërt këto rrethana do të ndryshojnë, qoftë për shkak të lehtësimit tatimor (heqja e TVSH-së për medie) qoftë për shkak të përmirësimit të performancës financiare, rrethana këto të cilat menjëherë do të shpijnë në normalizim të shpenzimeve dhe dinamikë të shpejtuar të pagesës së borxhit tatimor”, thotë menaxhmenti i këtij televizioni.

Batoni me  3 kompani

Biznesmeni dhe gazetari Baton Haxhiu, që aktualisht drejton “Klan Kosovën”,  ka në pronësi edhe tri biznese të tjera.

Preportr ka gjetur se në emër të Haxhiut janë regjistruar edhe kompanitë: “VATRA DESIGN CONSULTANCY” , “Univers Reklama”  dhe “Source-Kosova Group Inc”.  Kjo e fundit është edhe kompania që mbanë marketingun e Klan Kosova.

“Source-Kosova Group Inc” ka për aktivitet kryesor “Kërkime dhe aplikime eksperimentale në shkencat shoqërore dhe humanitare”, kurse tek “Univers Reklama”,  për aktivitet kryesor del të jetë “Publiciteti (reklamat dhe propaganda)”, njëjtë sikurse te biznesi tjetër i Haxhiut “VATRA DESIGN CONSULTANCY”.

Derisa te “Source-Kosova Group Inc,” Baton Haxhiu është pronar i vetëm, te dy bizneset tjera ka edhe ortakë.

Haxhiu në biznesin "VATRA DESIGN CONSULTANCY", i konstituuar për herë të fundit në vitin 2009 ka për ortak Gerton Bejon e Rezeart Shehun, kurse si person fizik në këtë biznes ka regjistruar edhe Jonader Bejon.

Te kompania "Univers Reklama", biznesmeni Haxhiu duhet ta ndaj fitimin përsëri me biznesmenin Gerton Bejo, por edhe me Flamur Salijan.