English
Scroll top

Shkencë. Politikë. Analfabetizëm

Shkollimi i lartë në Kosovë nuk shërben për dije, përparime shkencore apo emancipim të shoqërisë. Ky shkollim shërben për diploma, avancime, mashtrime, biznes dhe interesa të tjera partikulare. Më poshtë do të flasim për shpërfilljen institucionale e shoqërore të kritereve, dhe për pengesat kryesore në funksionimin e sistemit universitar që po e mirëmbajnë një terr të madh intelektual

Prishtinë, 21 Korrik 2015

Tradita e shpërfilljes së kritereve në UP

Që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës është përballur me probleme të mëdha në funksionimin e tij. Është evidente që në vitet shtatëdhjetë (kur u themelua) nuk ekzistonin kuadrot e mjaftueshme akademike për hapjen e tij andaj u shpërfillën kriteret në të mirë të krijimit të UP-së, të vetmit universitet shqiptar në ish-Jugosllavi.

Në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta kemi pasur misionin e krijimit të kuadrit tonë, prandaj edhe shumë shpesh, i kemi mbyllur sytë kur është dashur të vlerësohet puna e dikujt, për të mos i dëmtuar proceset, shkruan Ramadan Zejnullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës.

Kjo lindje e komplikuar dhe e vështirë e UP-së kushtëzoi rrugën e saj të mëpastajme. Universiteti u shpërngul thuajse krejtësisht nga horizonti akademik në drejtim të një horizonti politiko-patriotik (që pas luftës, u shndërrua në një horizont analfabetik). Shpesh, me krenari naive, pranohej që universiteti ishte bërë vegël e rezistencës kombëtare ndaj pushtetit të asaj kohe. Një rezistencë që në fund rezultoi e suksesshme. Sidoqoftë, pak-kush doli nga entuziazmi i suksesit që të fliste me rigorozitet për dëmin serioz që iu shkaktua Universitetit. Kjo heshtje e çuditshme bëri që Universiteti (e më pas universitetet) të vazhdonte ecjen në të njëjtën rrugë, të gabuar. Ndërkohë, fryma akademike u kontaminua edhe më shumë. Universiteti vazhdonte avancimin e profesorëve që nuk i meritonin thirrjet akademike që merrnin.  Ky proces,  duke u përsëritur vazhdimisht, u konvertua nga krimi në një akt mëse moral, mirëdashës, bamirës. Meqenëse ishin mbyllë sytë e autoriteteve më parë, pse duhej të hapeshin tash? Në vend të një rendi që çonte kah dija, në të cilin plagjiaturat e punimet e dobëta nuk mund të kalonin, vetëvetiu u lind dhe u përforcua një rend i ri, ku plagjiaturat dhe punimet e dobëta kalonin ndërsa ato punime që kishin vlerë, ngaqë nuk kuptoheshin, merrnin të njëjtën vlerë me punimet e dobëta.

Në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta kemi pasur misionin e krijimit të kuadrit tonë, prandaj edhe shumë shpesh, i kemi mbyllur sytë kur është dashur të vlerësohet puna e dikujt, për të mos i dëmtuar proceset

Ramadan Zejnullahu, rektor i UP-së

Prandaj, intensifikimi i shpërfilljes së kritereve vetëm sa e forcoi traditën e keq-funksionimit të sistemit universitar në Kosovë.

“Kriteret janë saktësuar edhe më shumë me statutin e vitit 2012, por ja që ne nuk e kemi respektuar as statutin e vitit 2004 as atë të vitit 2012”,  shkruan rektori Zejnullahu.

Nëse ekzaminojmë gjendjen aktuale të universiteteve, lehtë mund të shohim një kulturë pune që e ka paralizuar përparimin e tyre. Në një hulumtim të vitit 2013 të bërë nga gazeta Preportr del se shumica e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës kanë probleme serioze me literaturë. Shumë libra bazik të lëndëve të caktuara nuk janë të përkthyer. Por, edhe librat e përkthyer në shqip kryesisht nuk përdoren. Studentët zgjedhin të mësojnë përmes skriptave, shënimeve nga ligjëratat dhe testeve të vjedhura. Ky lloj “studimi” pranohet nga profesorët, kjo është e gjitha që kërkohet nga ata. Madje, në disa raste edhe testet përpilohen nga përmbajtja e skriptave. Shumica e studentëve të skriptave kalojnë dhe me raste marrin nota më të larta se studentët që lexojnë librat. Në gjendje edhe më të keqe janë universitetet private, gjë që pasqyrohet nga rangimet ndërkombtare. Ato stimulojnë mos-punën, mos-angazhimin, përmendësimin.

Një tjetër praktikë e këtij rendi banal është edhe ajo e intervenimit. Është mëse evidente që shumë individë të shoqërisë tonë intervenojnë për regjistrimin e të afërmve në universitet (kjo vetëm për universitete publike). Kjo gjë ka çuar drejt krijimit të rrjeteve kriminale të cilat përfitojnë financiarisht prej kësaj kulture. Një regjistrim në fakultet thuhet se kushton deri në katër mijë euro. Policia e Kosovës në janar të vitit të kaluar arrestoi disa individë të lidhur direkt me disa organizata studentore dhe tërthorazi me disa parti politike. Kaç nga policia. Hetimi nuk u vazhdua dhe për të gjithë është e qartë se procesi i përvitshëm i intervenimit në regjistrime vazhdon si normalisht.

Një mënyrë tjetër  intervenimi ishte edhe “memorandumi i mirëkuptimit” për regjistrimin automatik të një-mijë studentëve prej shoqatave të luftës. Përmes këtij memorandumi u legjitimua një shpërfillje krejt e hapur e kritereve. S’kishin rëndësi notat e studentëve, pikët në provimin pranues dhe në fund të fundit madje as lidhja e tyre me veteranët (e cila nuk sqarohej siç tregon një tjetër hulumtim i Preportr). Por, memorandumi u ndalua nga rektori aktual dhe kështu hapësira e pamatë për keqpërdorime humbi një pjesë të saj.

Ky lloj funksionimi tregon shumë për kërkesën që fakultetet në praktikë e parashtrojnë për studentët. Kjo kërkesë joserioze e dëfton vlerën reale të ligjëratave, notave dhe vetë diplomës në këto universitete. Sidoqoftë, ka një kërkesë serioze që universitetet i parashtrojnë studentit. Ajo është pagesa e semestrit (seriozitet edhe më të theksuar kanë universitetet private). Ndërkohë që edhe studenti ka një kërkesë serioze për universitetin ku studion: diplomën. Është e qartë se mungon komunikimi kolegial ndërmjet profesorëve dhe studentëve. Komunikimi i tyre i përngjanë komunikimit teatral ndërmjet aktorëve, në ndonjë shfaqje të realizuar keq. Profesorët kinse ligjërojnë e vlerësojnë dhe studentët kinse studiojnë.

Sidoqoftë, në këto universitete ka edhe profesorë të mirë e të përgatitur. Por, këta të fundit nuk po angazhohen në problematizimin e situatës së arsimit të lartë në Kosovë. Janë në një ‘mpirje të këndshme’, duke i shërbyer forcimit të heshtjes.

Sytë dhe gojët e secilit qëndrojnë të mbyllur, ndërkohë që llogaritë e tyre bankare vijojnë të mbushen. Disa prej tyre (në fakultetet e mbipopulluara) përmes honorareve arrijnë të mbledhin deri në 3000 euro  për një muaj (rroga e tyrë bazë është 1145), që është më e madhe sesa paga e presidentes dhe kryeministrit. Të mos flasim pastaj për angazhimet e tyre në kolegjet universitare private. Padyshim që kjo është një mpirje e këndshme.

Ky sistem, në vend se të shërbejë për dije, shërben për akomodim pagash e prestigji për edukatorët e tij

Lumir Abdixhiku, analist

“Ky sistem, në vend se të shërbejë për dije, shërben për akomodim pagash e prestigji për edukatorët e tij”, shkruan Lumir Abdixhiku.

Kolegialiteti mungon, sepse studimi nuk ekziston. UP-ja i ka 80 departamente por vetëm 6 revista shkencore. Aasnjëra nga to nuk ka arritë që të fitoj kod ndërkombëtar. Kjo mjafton për të treguar se në UP (universiteti më së miri i ranguar në Kosovë) pothuajse nuk bëhet shkencë, lëre më në universitetet e tjera publike dhe private. Le të kujtojmë poashtu edhe revistat ‘shkencore’ ku publikuan shumë profesorë të UP-së, madje edhe ish-rektori, rektori aktual dhe personazhi fiktiv, Filan Fisteku.

UP-ja është universiteti me rangimin më të mirë në Kosovë, megjithëse edhe pozita e saj është tmerrësisht e ulët në relacion me universitetet e rajonit (duke përjashtuar Shqipërinë).

Shtrirja e barbaritetit të shoqërisë

Shoqëritë gjysmë-analfabete (ose thjesht analfabete) janë të vrazhda, naive dhe priren drejt radikalizimit të dëshirave që kanë. Nuk i shtrojnë kërkesa vetes sepse vetë-konsiderohen ‘të përkryera’, pa asnjë të metë, të mrekullueshme. Kjo shoqëri ‘e përkryer dhe gjysmë-analfabete’ lakmoi secilën pozitë privilegjuese, pa marrë parasysh detyrën dhe përgjegjësitë specifike. Ndër shumë pozita që ranë pre e barbaritetit të saj, ishin edhe ato ku duheshin gradat akademike. I fituan edhe ato, me punime e studime të dobëta. Është blasfemi të kërkosh hetim për plagjiatura sepse veç përfytyrimi i rezultatit nga hetimi ndjellë shumë frikë. Andaj, shoqëria jonë e kaloi në heshtje skandalin e profesorëve që i kishin publikuar punimet në revista fiktive. Nuk u hetua askush, siç u kërkua përgjatë protestës për shkarkimin e rektorit Gashi.

Rangimi sipas webometrics

4987 – Universiteti i Prishtinës,

12206 – UBT(Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë),

12734 – AUK(American University in Kosovo),

14849 – AAB,

17441 – Universum,

22433 – Kolegji Riinvest,

23179 – Universiteti i Prizrenit.

Në të këtilla mënyra jomeritorët u bënë edhe profesorë universitarë. Specifika e detyrës dhe përgjegjësia për kryerjen e saj i lëshuan vend vjeljes së privilegjeve dhe rritjes së tyre. Askush nuk përgjigjet për asgjë. Nëse njëherë bëhesh profesor universitar, nuk largohesh më. Këtë e thotë edhe vetë rektori Zejnullahu. Pozita e profesorit ngjason me titujt hierarkik ose vlerësimet preferenciale në shoqëritë para-moderne evropiane. Të jesh profesor universitar është afërsisht si të jesh lord. Është e nevojshme të sillesh e vishesh mirë, por jo edhe të kryesh me përgjegjësi detyrat specifike.

Padyshim që tradita e shpërfilljes së kritereve nga e kaluara mundësoi që vrazhdësia e shoqërisë të shtrihej me gjithë gjatësinë dhe rëndesën e saj në hapësirën universitare. Shumica dërrmuese e studentëve nuk kanë interes që në universitete të lidhen seriozisht me dijen e shkencën, por me tregun e punës dhe sidomos pozitat e mira privilegjuese.

Edhe poqëse Kosova do të kishte koncentrim të jashtëzakonshëm të profesorëve, nuk do të mund të ofronte mjaftueshëm përkrahje për të gjithë këta studentë të rinj. Gjë që shpjegon kualitetin e dobët të arsimit të lartë

Besa Shahini, njohëse e çështjeve të arsimit

“Edhe poqëse Kosova do të kishte koncentrim të jashtëzakonshëm të profesorëve, nuk do të mund të ofronte mjaftueshëm përkrahje për të gjithë këta studentë të rinj. Gjë që shpjegon kualitetin e dobët të arsimit të lartë”, thotë Besa Shahini, njohëse e çështjeve të arsimit

Tashmë edhe qeveria ka ndërtuar një diskurs më racional, i ka ulë pritshmëritë për këto universitete. Kërkon që ato të lidhen me të mbërritshmen, tregun e punës. Pra, kërkojnë haptas që universitetet të bëhen instrumente të të papunëve dhe vazhdimisht iu bëjnë thirrje studentëve që të zgjedhin drejtimet që nuk janë zgjedhur deri tash. Megjithëkëtë, studentët vazhdojnë të zgjedhin po të njëjtat fakultete, vit pas viti.

Praktika e zgjedhjes në masë të fakulteteve të njëjta tregon obsesionin kolektiv për diplomën. Pra, nuk fshihet kurrëfarë kalkulimi prapa zgjedhjes së fakulteteve madje, as ndonjë dashuri e madhe për ekonomikun dhe juridikun (si fakultetet më të zgjedhura). Aty shkojnë qorrazi, pa ndonjë arsye që lidhet me atë që ofrojnë fakultetet. Ekonomiku iu asocion në paratë ndërsa juridiku në avokatët.

Shkojmë më tej. Njerëzit e paformuar turmëzohen. Kudo që ka më shumë studentë, ka më shumë ngrohtësi. Duke u bërë pjesë e grupeve të mëdha, e fashisin ‘marren’ e tyre për mangësitë bazike në edukimin shkollor. Kështu, veprojnë pa komplekse e me empati për situatën e njëri-tjetrit: ngritet si vlerë mos-dija e përbashkët, ngritet si vlerë kopjimi në provime, mashtrimi i profesorëve, përçmohet si vlerë leximi e studimi. Padyshim që ngritjen e cilësisë e pamundëson edhe fryma midis studentëve në fakultetet e “mbi-populluara”. Organizatat studentore në UP vazhdimisht bëjnë presion për mbajtjen e afateve të parregullta të provimeve dhe deri tash ky presion rezultoi i suksesshëm. Këto afate të parregullta provimesh – në sytë e një pjese të studentëve – shihen si mundësi shtesë për kopjim. Kjo sepse ka raste kur kopjimet dështojnë si rrjedhojë e vigjilencës së profesorëve, apo edhe si rrjedhojë e skriptave të pasakta, e përmendësimeve që ngatërrojnë informatat e të tjera, e të tjera.

Afatet e parregullta (në praktikë të rregullta) tregojnë që UP-ja funksionon nën ndikimin e vazhdueshëm të ‘kopjuesve’. Madje, siç treguam më lart, në këtë lojë u përfshinë edhe profesorët të cilët përfitojnë financiarisht për çdo provim të paraqitur në afate të rregullta e të parregullta. Edhe pas kaq shumë vitesh, askush nuk merr të paktën një hap konkret kundër barbaritetit shoqëror ndaj universitetit.

Shtrirja e politikës

Është e nevojshme të shtjellojmë shkurtimisht konceptin e politizimit i cili në përdorimin e zakontë mediatik ka një shtrirje kuptimore shumë të ngushtë. Zakonisht kur e permendim termin në fjalë, në mendje na vijnë fytyrat e politikanëve që punojnë si profesorë në Universitetin publik dhe që mbajnë pozita të larta në partitë e tyre politike. Shembull: Arsim Bajrami, Hajredin Kuqi, Sabri Hamiti... Poashtu, në mendje mund të kemi edhe ndikimin e tyre në universitet.

Ky tog-fjalësh në fakt ka një kuptim shumë më të gjerë. Prandaj, në rreshtat e mëposhtëm do t’a përdorim me kujdes të shtuar, duke specifikuar mënyrën e politizimit.

Paraprakisht duhet t’a kemi të qartë se nuk kemi të bëjmë me një politizim institucional e profesional që sistemon e vë kritere, ose që përpiqet të formësoj dije të caktuara, por me një politizim që i mohon kriteret duke i ngurtësuar si formalitete. Me një politizim që ka lejuar dyert e hapura për shoqërinë dhe interesat e saj. Me një politizim që garanton mos-ndërhyrje në lëmshin e krijuar.

Gjendja në arsimin e lartë të Kosovës vijon të mbetet e rëndë. Megjithë krizën mëse evidente, politik-bërësit vazhdojnë që të mos e konsiderojnë arsimin e lartë si një problem politik. Sistemi universitar është bërë i lirë nga ndikimi i institucioneve të Kosovës.

Përveçse një pozitë privilegjesh, pozita e profesorit universitar është bërë tashmë në një masë edhe politike. Shumë profesorë janë anëtarë dhe zyrtarë të lartë të partive politike. Këto parti e mirëmbajnë vetveten, e zgjatojnë pushtetin dhe e rrisin forcën e tyre duke siguruar poste privilegjuese për njerëzit e saj. Si përforcim për këtë mund të shërbej qeveria grandioze e shtetit tonë: shihni sa shumë ministra, zëvendës-ministra dhe këshilltarë ka kjo qeveri. Pra, krijimi i universiteteve të reja publike dhe licensimi i privateve është në kuadrin e nevojës së partive politike. E para, zyrtarët e partive fitojnë privilegjet e pozitës; e dyta, zgjerimi i hapsirës universitare bën që të kënaqet apetiti i shoqërisë; e treta, në sytë e qytetarëve të rëndomtë forcohet kredibiliteti intelektual i partive; e katërta, sigurohet një qetësi sociale nga ndonjë revoltë e mundshme e të papunëve dhe e pesta, një pjesë e lojës politike bartet brenda universiteteve...

Politika e ktheu në favor të sajin, gjendjen e keqe në UP. Universitetet private dhe publike që u krijuan pas lufte janë thjesht kopje të shëmtuara të gërmadhës akademike, të quajtur UP. Shtrirja e kësi-llojtë e politikës në hapësirat universitare nuk mund të thuhet se përbën problemin themelor të sistemit universitar. Kjo shtrirje është vetëm një shpërfaqje edhe më e theksuar e sjelljes banale të shoqërisë tonë ndaj dijes. Padyshim që në një masë, pozita e profesorit universitar (dhe pozitat e tjera poshtë tij) është futur në orbitën e politikës; dhe padyshim se, për t’a pasur më të lehtë gradimin duhet të gravitosh kah partitë politike (partitë më të mëdha, gravitacion më të lartë). Megjithatë, në çdo moment kur autoritetet kredibile akademike do të dilnin nga mpirja për të ngritur zërin, dhe nëse në po të njëjtin moment shoqëria do të fitonte më shumë dashuri për shkencën, filozofinë e dijen, atëherë gjërat do të ndryshonin.

Në këtë mes, politika del të jetë thjesht një shfrytëzuese vulgare e gjendjes së keqe në universitet, e cila, për më tepër, nuk është aspak e aftë për të fshehur vetveten.

“Që kjo është çështje politike, ka qenë e qartë gjatë fushatës zgjedhore 2014 kur PDK-ja e ka përmendur vazhdimisht ‘suksesin’ e madh që ka arritur në krijimin e universiteteve publike dhe në rritjen e numrit të studentëve që në proporcion me numër të banorëve është më i madhi në rajon”, shprehet Besa Shahini, njohëse e çështjeve të arsimit.

Padyshim se kapja e UP-së dhe në një masë edhe e universiteteve tjera publike e private nga politika është vulgare (pra jo e mirë-menduar, e fshehtë) dhe prandaj, e qartë dhe e dukshme. Nuk duhen shumë mend për t’a parë atë. Ish-rektori, Mujë Rugova, është drejtpërdrejt i lidhur me PDK-në përderisa ish-rektori tjetër, Ibrahim Gashi, u emërua rektor sepse partia e tij (AKR) kërkonte një post më shumë në qeveri ndërsa ish-kryeministri Thaçi, në fushatën elektorale të zgjedhjeve të shkuara uli pagesën e semestrave për studentët. Këto e të tjera tregojnë që sistemi universitar është i kapur nga vulgariteti i hapur i shoqërisë dhe politikës.

Diploma si instrument pune (e në raste më të veçanta, si instrument për mburrje) është treguesi më i mirë për këtë.

Instrumentalizimi i diplomës

Megjithëse nuk bëhet shkencë, e rrjedhimisht nuk studiohet.,megjithëse universitetet tona nuk kanë kredibilitet dhe ofrojnë një letër diplome me vlerën e letrës së thjeshtë higjienike, prapseprapë, ajo letër është bërë ndër instrumentet bazike për të gjetur punë.

Kjo mendësi është injektuar kryesisht prej institucioneve publike, që gjenerojnë mijëra vende pune  me rroga shumë më të larta se në sektorin privat.

Kjo ka çuar drejt një mendësie ku nuk matet performanca, ku nuk ka ndërhyrje në përmbajtjen e punës që bëjnë punonjësit dhe çon drejt formalizimit të marrëdhënieve të punës. Ky formalizim e përngritë diplomën si një instrument bazik për gjetje dhe mbajtje të punës. Pra, diploma mbulon në tërësi anën formale të kësaj marrëdhënieje e ajo që bëhet pastaj, nuk ka shumë rëndësi. Kjo shkon në dobi të grupeve të caktuara që punësojnë njerëz e që thuhet të jenë njerëz të fuqishëm të politikës. Kultura e “punësimit me të njohur” dhe me “pagesë” është e mirë-njohur në shoqërinë tonë. Kjo kulturë merr forcë edhe në cilësinë e dobët të universiteteve tona përmes instrumentalizimit të diplomës. Përmes cilësisë së dobët, lehtohet marrja e diplomës e me diplomë çelet hapësira e intervenuesve (të njohurve ose atyre që paguhen për këto punë).

Në dekadën e fundit, interesi për diplomë është stër-rritur ndërkohë që paralelisht edhe gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë ka vijuar të rëndohet. Njerëzit nuk regjistrohen në universitete të nxitur nga dëshirat dhe prirjet, por nga nevojat e tyre dhe mundësitë që ofron tregu.

Kjo shpjegon apetitin e madh të kësaj shoqërie për një diplomë universitare që ka çuar drejt krijimit të një mendësie kolektive që diplomën e sheh vetëm si materializim të një investimi ekonomik. Punët më të mira janë të qasshme vetëm përmes një diplome.

Në këtë pikë, gjejmë të përbashkëtën e migrimeve ilegale dhe regjistrimeve në universitete: të dyja fenomenet janë në fund të fundit thjesht investime të dëshpëruara ekonomike në të cilat shumica pëson. Shumë prej atyre që migruan do të kthehen të përzënë. Shumica e të diplomuarve do të mbeten të pa-angazhuar.