English
Scroll top

Sa për sy e faqe

Së paku 25 zyrtarë të lartë publik ndër të cilët një zv-kryeministër, dy ministra, katër zv-ministra, pesë kryetarë të komunave, një sekretar i përgjithshëm, katër drejtorë të prokurimit si dhe tetë anëtarë/drejtorë të bordeve të kompanive publike nuk i kanë deklaruar të gjitha bizneset apo aktivitetet në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Këta zyrtarë që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë nuk janë hetuar fare nga AKK dhe nuk figurojnë në raportin vjetor të vitit 2011, i cili është bërë publik...

Prishtinë, 25 Prill 2012

Së paku 25 zyrtarë të lartë publik, ndër ta ministra, zëvendësministra, kryetarë të komunave, drejtorë të prokurimeve si dhe drejtorë dhe anëtarë të bordeve të kompanive publike nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Për më tepër ky fakt nuk ka gjetur vend as në Raportin Vjetor të AKK-së.

Gjetja e këtyre bizneseve të padeklaruara është bërë përmes krahasimit të formularit për deklarimin e pasurisë të AKK-së, të cilin e kanë plotësuar zyrtarët e lartë (të cilin e kanë pranuar zyrtarët e AKK-së) dhe databazes së ARBK-së, ku bizneset e këtyre zyrtarëve janë gjetur përmes numrit personal të letërnjoftimit. Bizneset e gjetura në ARBK në të cilat këta zyrtarë janë pronarë apo persona të autorizuar nuk figurojnë në formularin e deklarimit të pasurisë, që do të thotë se këto biznese nuk janë deklaruar fare.

Preportr po ashtu nga burime në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) ka gjetur që nga 25 biznese të zyrtarëve të lartë publik që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë, 5 prej tyre kanë pasur qarkullim financiar ndër vite, përderisa 20 nga ta, të paktën zyrtarisht, nuk kanë pasur qarkullime financiare të deklaruara në ATK.

Sidoqoftë, me këtë veprim këta zyrtarë të lartë publik kanë shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë duke shkaktuar kundërvajtje. Ligji për Deklarimin e Pasurisë i miratuar në vitin 2010 në nenin 4 – pika 3 thotë se: “Deklarimi në lidhje me gjendjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe familjarët e tyre, përmban informacione rreth pasurisë dhe të të ardhurave të tyre, siç është: zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri komerciale; Këtë obligim të deklarimit e precizon edhe më qartë Ligji i për Deklarimin e Pasurisë i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2011. Në Kreun e IV - neni 13, të këtij ligji  mes të tjerave, thuhet se “personi publik duhet të deklarojë edhe funksionet apo aktivitetet tjera që i ushtron zyrtari krahas funksionit publik”. Këtë përgjigje e ka dhënë edhe drejtori i AKK-së Hasan Preteni. Kur ai është pyetur se a duhet që zyrtarët e lartë publik të deklarojnë edhe bizneset nëse nuk kanë qarkullime financiare dhe në të cilat mund të jenë pronarë apo persona të autorizuar, ka thënë se “Zyrtarët e lartë publik në pajtim me nenin 13 të Ligjit nr. 04/L-050, kanë për  obligim të deklarojnë në formularin për deklarim të pasurisë të gjitha funksionet ose aktivitete tjera krahas funksionit të lartë publik.

Ky obligim ligjor vlen për të gjithë zyrtarët publik derisa të ç’regjistrojnë bizneset apo të shuajnë funksionin në bizneset përkatëse, e kjo duhet të bëhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK). Përfaqësuesit e ARBK-së thonë se një biznes shuhet kur ai fshihet nga Regjistri i Biznesit dhe mbyll obligimet tatimore.

Një ty, një mua...

Agjencia Kundër Korrupionit e ka një konflikt të thellë me vetë rolin e tij. Ai duhet të kontrollojë zyrtarët nga të cilët drejtori i saj në vazhdimësi kërkon rritje të rrogave. Duket se kjo është arsyeja themelore pse AKK nuk dënon shkelësit e ligjit, por i mbron ata. Disi kjo marrëdhënie është bërë si njëra dorë që kruan tjetrën, apo një ty, një mua.

Shiko Gazetën #5

Bizneset e gjetura në ARBK në të cilat këta zyrtarë janë pronarë apo persona të autorizuar nuk figurojnë në formularin e deklarimit të pasurisë, që do të thotë se këto biznese nuk janë deklaruar fare. Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, gjatë prezantimit të Raportit vjetor për vitin 2011 nuk i ka përmendur fare zyrtarët e lartpërmendur, për më tepër ai ka thënë se “nuk ka zyrtarë qeveritarë të nivelit të lartë për të cilët ka nisur ndonjë procedurë hetimore për shkak të mosdeklarimit të pasurisë”.

Kur në të kaluarën janë gjetur biznese të padeklaruara brenda afatit të rregullt ligjor, AKK nuk i ka dërguar ato në Gjykatën për Kundërvajtje, por i kontakton zyrtarët që nuk i kanë deklaruar bizneset dhe ua mundëson atyre që t’i deklarojnë, duke ua shtuar këto biznese apo funksione në regjistrin për deklarimin e pasurisë edhe pas afatit të paraparë ligjor.

Zyrtarët e AKK-së,  jozyrtarisht kanë deklaruar se nëse nuk bëhet deklarimi i plotë nuk mund të merren masa ndëshkuese, sepse, sipas tyre, “Ligji për Deklarimin e Pasurisë nuk e parasheh një gjë të tillë dhe se ligji në fjalë krijon hapësira në këtë aspekt dhe nuk sanksionon deklarimin e pjesshëm”. Ky fakt vërtetohet edhe në raportin e punës së vitit 2011 të AKK-së, pasi që 10 deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk i kanë deklaruar bizneset e tyre dhe pasi që Çohu dhe Preportr i ka dërguar në AKK, kjo e fundit vetëm i ka kontaktuar këta deputetë dhe tetë muaj pas afatit ligjor për deklarim, Agjencioni ua ka shtuar atyre bizneset që nuk i kanë deklaruar në formularët e deklarimit. Ata, pra,  kanë pasur obligim t’i deklarojnë, por i kanë fshehur dhe AKK duke e konsideruar këtë si deklarim sipas kërkesës nuk i ka çuar në Gjykatën për Kundërvajtje, përveç njërit që nuk i është përgjigjur shkresës së AKK-së për të dhënë informata shtesë. Kjo do të thotë se një zyrtar i lartë publik mund t’i fshehë bizneset e tij dhe deklarimin e tyre ka mundësi ta bëjë vetëm nëse i zbulohen bizneset dhe për këtë mosdeklarim, sipas AKK-së, nuk merret asnjë masë ndëshkuese ndaj tij.

E kam ditur, se kam ditur

Preportr, ka kontaktuar me të gjithë zyrtarët e lartpërmendur (përveç Ilir Tolajt, i cili gjendet në paraburgim), dhe i ka pyetur për mos-deklarimin e kompanive përkatëse. Një pjesë e madhe e tyre thonë se këto biznese nuk janë aktive dhe se kanë menduar se nuk duhet që t’i deklarojnë, pasi që pretendojnë se nuk kanë qarkullime financiare. Por Ligji për Deklarimin e Pasurisë i obligon këta zyrtarë që të deklarojnë çdo aktivitet biznesor, pavarësisht faktit se a janë këto biznese profitabile apo joprofitabile, konkretisht edhe nëse bilanci i qarkullimit të tyre është zero, apo edhe negativ. Ky obligim praktikisht lidhet me faktin se edhe nëse sot bizneset e zyrtarëve në fjalë nuk kanë qarkullime financiare ato nesër mund të fillojnë aktivitetin pasi që janë të regjistruara në ARBK, pra janë aktive.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli nuk e ka deklaruar kompaninë “Tempore”, në të cilën është pronar, ndërsa person i autorizuar është Rrustem Pacolli. Pacolli ka thënë se nuk e ka deklaruar këtë kompani në vitin 2011 për shkak se, sipas tij, ajo nuk ka veprimtari biznesore.  “Kompania ’Tempore’ është pasive, është në procedurë të shuarjes dhe është në menaxhim të Rrustem Pacollit. Për gjithçka është e informuar AKK”, ka thënë Pacolli. Por të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës tregojnë se Kompania e Pacollit ka pasur qarkullim dhe nuk është vlera e saj zero. Kompania “Tempore” në të cilën Pacolli është pronar, në vitin 2002 ka pasur 9 mijë e 290 euro qarkullim financiar, në vitin 2003 ka pasur 10 mijë e 612 euro dhe në vitin 2004 ka pasur 133 mijë e 450 euro.

Ministri për Komunitete dhe Kthim Radoica Tomiç nuk e ka deklaruar fare kompaninë “STR Fan” në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Ministri Tomiç përmes zyrës për informim ka deklaruar se nuk ka asnjë qarkullim financiar në këtë kompani dhe se kjo kompani për më shumë se 8 vjet është pasive, ndërsa ka deklaruar se do ta shuajë këtë biznes në ARBK. “....në xhirollogarinë e kësaj kompanie nuk ka të ardhura, gjë e cila mund edhe të verifikohet. Kjo kompani është regjistruar në emër të ministrit Tomiç, ndërsa është udhëhequr nga motra e tij. Gjatë ditëve në vijim do të iniciojë procedurat për marrjen e dokumentacionit përcjellës nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për mos funksionimin e kompanisë në fjalë”, thuhet në përgjigjen që ministri ka dhënë përmes zyrës për informim.

Ministri i Forcës së Sigurisë Agim Çeku nuk e ka deklaruar në AKK kompaninë "ATM Group” Sh.p.k., në të cilën është bashkëpronar me Tomislav Kaçiç –Alesiç dhe Mark Shalaj. Ministri Çeku thotë se këtë kompani nuk e ka deklaruar, sepse sipas tij, ajo nuk ka funksionuar asnjëherë dhe nuk ka pasur asnjë qarkullim financiar. Ai thotë se duke e marrë parasysh këtë, ka menduar që ajo vetvetiu është shuar dhe nuk është e regjistruar në ARBK. “Ka qenë thjesht një përpjekje dhe ide e një shokut im kroat kur atëherë kam qenë pa punë. Pasi që më keni kontaktuar dhe ju falënderoj që ma keni qit ndërmend menjëherë i kam marr masat për t’u hequr nga aty”, thotë Çeku.

Zëvendësministri në Ministrinë e Administratës Publike, Nexhmedin Kastrati, nuk e ka deklaruar kompaninë "Qendra e Marketingut". Cyneyd Usaibo, zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk e ka deklaruar në AKK kompaninë "A.G.O.-AL." - Dega në Kosovë, në të cilën është person i autorizuar.  Hajdin Abazi, zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, nuk e ka deklaruar kompaninë "Conn - Con", në të cilën është bashkëpronar me Ismet Bajramin. Të tre këta zëvendësministra tentojnë të japin arsyetime të njëjta, duke thënë se bizneset e tyre kanë aktivitete biznesore. Ata thonë se kanë menduar se pasi që nuk kanë qarkullime financiare nuk duhet që t’i deklarojnë.

Ndërsa, Rifat Krasniç, zëvendësministër në Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, nuk e ka deklaruar kompaninë “Mutlu”.  Krasniç është dënuar më datën 31.12.2011 nga gjykata komunale për kundërvajtje në Prishtinë për shkak se nuk e ka deklaruar fare pasurinë në AKK. Ai e ka deklaruar pasurinë me datën 01.11.2011, por nuk e ka deklaruar fare kompaninë “Mutlu”. Ai thotë se ka harruar që ta deklarojë këtë biznes. “Këtë kompani e kam funksionale që 20 vjet. Unë e kam pranuar detyrën më 27 mars të vitit 2011 dhe nuk kam  mundur me deklarua pasurinë dhe gjykata më ka dënuar me 200 euro. Ndërsa pas deklarimit të pasurisë që e kam bërë paskam harruar për ta deklaruar”, thotë Krasniç. Krasniç në këtë kompani ka pasur qarkullim për shumë vite dhe vazhdon të ketë ende. Kompania e tij në vitin 2000 ka pasur 1 mijë e 273 euro qarkullim financiarë, në vitin 2001 ka pasur 4 mijë euro, në vitin 2003 ka pasur 4 mijë e 150 euro, në vitin 2004 ka pasur 5 mijë e 233 euro, në vitin 2006 ka pasur 12 mijë e 484 euro, në vitin 2007 ka pasur 20 mijë e 828 euro, në vitin 2008 ka pasur 18 mijë e 666 euro, në vitin 2009 ka pasur 33 mijë e 982 euro, në vitin 2010 ka pasur 26 mijë e 920 euro dhe në vitin 2011 ka pasur 15 mijë e 541 euro qarkullim financiar.

Ndërsa, Ilir Tolaj, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk e ka deklaruar kompaninë "I M C", në të cilën është bashkëpronar me Gazmend Pruthin. Ai momentalisht është i arrestuar nën dyshimet për përfshirje në korrupsion.

Edhe disa kryetarë të komunave nuk i kanë deklaruar në AKK bizneset e tyre. Kryetari i Suharekës Blerim Kuçi nuk e ka deklaruar kompaninë “Universal Group”, të cilën e ka në bashkëpronësi me Blerim Graincën. Kryetari i komunës së Parteshit Nenad Svetkoviç nuk i ka deklaruar kompanitë "Mlp - Com" dhe “M & L – Com”. (Svetkovic në vitin 2007 në kompaninë e parë ka pasur qarkullim financiar prej 3 mijë e 125 euro, edhe në kompaninë e dytë po këtë vit ai ka pasur 3 mijë e 125 euro qarkullim financiar). Ndërsa kryetari i komunës së Lipjanit Shukri Buja nuk e ka deklaruare biznesin D.p.h “Bulevardi”. Edhe kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, nuk e ka deklaruar kompaninë "Vision Oil " Sh.p.k. në të cilën është bashkëpronar me Selatin Mehmetin, Begator Hilën dhe Alban Shehrin. Ndërsa, kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, nuk i ka deklaruar tri kompani në AKK: “Oil Trade”,  “Eko-Kosva” , në të cilat është pronar dhe kompaninë "Amar", e cila është e djalit të tij, ndërsa ai është person i autorizuar. (Kastrati në firmën “Oli Trade”, ka pasur qarkullime financiare për disa vite. Në vitin 2000 ka pasur 33 mijë e 372 euro, në vitin 2001 ka pasur 1 milion e 261 mijë e 300 euro, në vitin 2002 ka pasur 321 mijë e 360 euro qarkullim financiarë).

Arsyetimet e mos deklarimit të këtyre kompanive nga ana kryetarëve të komunave janë të paqëndrueshme. Ata thonë se nuk janë duke punuar me këto biznese, thonë se ato nuk kanë qarkullime financiare dhe se nuk e kanë ditur që janë të regjistruara ende në ARBK, pasi që kanë menduar se nëse bizneset nuk kanë qarkullime financiare dhe nuk kanë aktivitete biznesore ato shuhen vetvetiu!

Edhe disa drejtorë të prokurimeve nuk i kanë deklaruar në AKK bizneset e tyre, të cilat janë në emër të tyre dhe janë të regjistruara në ARBK, ashtu siç janë të gjitha bizneset e këtyre 25 zyrtarëve.

Afrim Maxhuni drejtor i prokurimit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, nuk e ka deklaruar në AKK kompaninë "AA - HD", e cila është në pronësi të tij. Feti Ibishi drejtor i prokurimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk e ka deklaruar biznesin Kooperativa bujqësore “Malësia” në të cilën është bashkëpronarë. Edhe Adem Krasniqi , drejtor i prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nuk e ka deklaruar kompaninë Ndërmarrja Tregtare “Rrjeta”.  Ndërsa, Arben Loshi drejtor i prokurimit në Ministrinë e Jashtme, nuk e ka deklaruar kompaninë "Beni - Keramikë", në të cilën është pronar.  Edhe këta zyrtarë tentojnë të japin arsyetimet e njëjta, se gjoja nuk kanë pasur aktivitete biznesore në vitet e fundit dhe se kanë menduar se nuk duhet që t’i deklarojnë në AKK këto biznese.

Edhe disa drejtorë dhe anëtarë të bordeve të kompanive publike nuk i kanë deklaruar bizneset në AKK. Gani Syla drejtor i bordit në Postën dhe Telekomin e Kosovës, nuk e ka deklaruar kompaninë  "Dreni", në të cilën është bashkëpronar. Edhe Nuhi Ahmeti drejtor i bordit në Postën dhe Telekomin e Kosovës nuk e ka deklaruar në AKK kompaninë "Natyra”. Ndërsa, Fadil Ismajli, drejtor në KOSST nuk e ka deklaruar kompaninë “Arting”, në të cilën është bashkëpronar me Mehmet Ahmetajn dhe Misin Vocin. Flamur Keqa anëtar i Bordit KEK nuk e ka deklaruar kompaninë “IBF consulting training”. Këta zyrtarë thonë se bizneset e tyre janë pasive dhe nuk kanë ditur që duhet të deklarohen dhe se Ligji për Deklarimin e Pasurisë i obligon ata që pavarësisht aktivitetit biznesor, bizneset që janë të regjistruara në emër të tyre duhet të deklarohen.

Ndërsa Asllan Vitaku kryesues i bordit në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, nuk e ka deklaruar kompaninë "Asllan & Sons", në të cilën është pronar. Ai thotë se nuk e ka deklaruar këtë kompani, me arsyetimin se nuk e ka ditur se duhet të deklarohet. “Në këtë kompani djali është menaxher dhe nuk e di pse nuk është deklaruar. Kjo nuk ka punë shumë, bëjmë punë të vogël..”, ka thënë Vitaku. Ai përmes kësaj kompanie ka pasur qarkullime financiare për vite të tëra dhe vazhdon të ketë ende. Kompania e Vitakut "Asllan & Sons", në vitin 2005 ka pasur 1 mijë e 757 euro, në vitin 2006 ka pasur 4 mijë e 142 euro, në vitin 2007 ka pasur 5 mijë e 393 euro, në vitin 2008 ka pasur 16 mijë e 365 euro, në vitin 2009 ka pasur 13 mijë e 650 euro, në vitin 2010 ka pasur 16 mijë e 610 euro dhe në vitin 2011 ka pasur qarkullim financiarë 3 mijë e 455 euro.

Edhe Hanefi Muharremi anëtar i bordit në ANP nuk e ka deklaruar biznesin “Zyra e Shërbimeve Eksperti Muharremi”.  Ai nuk jep ndonjë arsye konkrete pse nuk e ka deklaruar këtë biznes. “Unë këtë biznes e kam prej vitit 2007 dhe nuk e di si është puna. Duhet me qenë aktive disa lëndë i bëjmë në gjykata. Por do ta shikoj se çka është puna”, ka thënë Muharremi.

Aleksandër Janjiçeviç anëtar i bordit në RTK-së nuk e ka deklaruar në AKK kompaninë P.P. "Inter - Comerce", në të cilën është pronar. Edhe Rrahman Paçarizi ish-kryetar i bordit të RTK-së nuk e ka deklaruar biznesin e tij Instituti për Cilësi "ARAC ". Këta zyrtarë thonë se këto kompani i kanë joprofitabile dhe se nuk e kanë ditur që duhet të deklarohen edhe kur janë joprofitabile.

Aktiv apo pasiv?

Bizneset që janë të regjistruara në ARBK janë aktive dhe e kanë këtë status derisa pronarët të ndjekin procedurat përkatëse për shuarjen e bizneseve. Këtë e konfirmon edhe kryeshefi ekzekutiv i ARBK-së Gazmend Mejzini. “Një biznes konsiderohet aktiv derisa figuron si i regjistruar në databazën e ARBK-së. Nëse biznesi vendos të shuhet atëherë duhet të respektohen procedurat për shuarje, varësisht nga tipi i biznesit. Në ueb-faqen e ARBK-së mund gjenden procedurat dhe dokumentet e nevojshme për shuarje të bizneseve”, thotë Mejzini.

Praktikisht çdo biznes i regjistruar në ARBK mund të fillojë që të ketë qarkullime financiare në çdo moment apo edhe të konkurrojë në tenderë të ndryshëm për të fituar projekte. Gjithashtu, këto kompani nëse janë edhe fiktive, mund të konkurrojnë në tenderë të ndryshëm për të ndikuar tek “loja” me oferta. Kjo është njëra nga arsyet që Ligji për Deklarimin e Pasurisë obligon zyrtarët e lartë që t’i deklarojnë bizneset e tyre apo funksionet që kanë në ato biznese për të shmangur edhe konfliktin e mundshëm të interesit.

Dokumentet që janë të nevojshme për shuarje të biznesit individual ose ortakërisë së përgjithshme janë: Plotësimi i formularit përkatës, kopja e letërnjoftimit të pronarit (pronarëve), certifikata  origjinale e biznesit, vërtetimi prej Administratës Tatimore të Kosovës, për shuarjen e biznesit. Ndërsa, dokumentet që janë të nevojshme për shuarjen e korporatave janë: Plotësimi i formularit përkatës, shpallja në gazetë ditore të likuidimit në tri Gjuhë ½ e faqes, vërtetimi  nga Administrata Tatimore e Kosovës për shuarje të biznesit, vërtetimi nga Gjykata  Ekonomike, certifikata  origjinale e biznesit, ID-të kopje të pronarit ose  pasaportat kopje , nëse është pronari i huaj, vendimin për Likuidim i Korporatës, vendimin për emërimin e Likuidatorit, raporti  mbi mjetet e kapitalit.

Pra vetëm përmes ndjekjes së këtyre proceduarve mund të shuhen bizneset dhe derisa nuk shuhet biznesi në ARBK, ai duhet të deklarohet, pavarësisht se a është profitabil apo joprofitabil.