English
Scroll top

Raportet e papërdorshme të Auditorit

Vetëm për dy raste prokuroria ka filluar hetimet bazuar në raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Në disa raste që kanë filluar janë mbyllur për mungesë provash. Nga hulumtimi i Preportr del që raportet e Auditorit të Përgjithshëm nuk i shërbejnë shumë prokurorisë që ex-officio të nisë hetime për keq-përdorime të mundshme të parasë dhe pozitës publike. Prokuroria thotë që i analizon në detaje raportet e Auditorit. Përderisa raportet e...

Prishtinë, 22 Janar 2013

Institucioni i Auditorit të Përgjithshëm “duhet të mbyllet” duke qenë se funksionimi i tij nënkupton vetëm harxhimin e parasë publike dhe asgjë më shumë. Gjykuar mbi efektet e punës së tij, del që për punën e këtij institucioni të lartë të auditimit nuk ia vlen madje as shtypja në letër e raporteve të tij.

Qysh prej themelimit të këtij institucion, që me kompetencë ka auditimin e organizatave buxhetore, të gjeturat e tij thuajse nuk i kanë shërbyet aspak prokurorive  për të filluar ndonjë hetim.

Në të gjitha raportet e Auditorit pothuajse evidentohen parregullsi, por prokurorët në pak raste i fillojnë hetimet. Zyrtar të Prokurorisë së Shtetit, thonë se kryeprokurori i Shtetit i analizon në detaje për çdo vjet raportet e Auditorit të Përgjithshëm.

Vetëm për 2 raste kanë filluar hetimet gjatë viti 2012 bazuar në të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm.

Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive

Por e gjithë kjo vëmendje e kryeprokurorit nuk ka rezultuar më fillim të hetimeve. Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, ka njoftuar se në vitin 2012 kanë filluar hetimet vetëm në dy raste të cilat janë në procedurë e sipër. Përderisa, për vitet paraprake,  ky Njësit nuk ka qenë në gjendje që të ofroj të dhëna se sa raste hetimi janë iniciuar bazuar në raportet e Auditorit të Përgjithshëm.

Pavarësisht që evidentohen parregullësi me bollëk, Auditori me ligj e ka të përcaktuar mos t’i auditojë rastet që janë nën hetime. Në këtë kuptim, shumë projekte të  Ministrisë së Infrastrukturës që e ka një shumë të madhe të buxhetit në dispozicion nuk janë audituar.

Ministri Fehmi Mujota në një mbledhje të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike i mbajtur në fund të vitit të kaluar, ku është diskutuar për të gjeturat e auditorit për këtë ministri, ka thënë se sa i përket projektit më të madh, atij të ndërtimit të autostradës, i cili nuk është audituar nuk është çështje që MI nuk ka ofruar të dhëna “por auditori ka vlerësuar  kështu sipas ligjit”.

Zyrtarë të ZAP-it nëpër konferenca të ndryshme për medie kanë shpjeguar se ZAP nuk i auditon rastet që janë nën hetime, sepse kjo është ndërhyrje në punën e prokurorisë.

Përveç që nuk iniciohen hetimet mbi te gjeturat e Auditorit, as rekomandimet e dala në raporte nuk adresohen gati kurrë ashtu si duhet. Ndodhë shpesh që në raportet e viteve pasuese, ZAP jep rekomandime të njëjta për institucione të caktuara  sikur në vitet e kaluara.

Përgjegjësitë e ndara

Prokuroria e Shtetit, ka bërë të ditur se vitin e kaluar bazuar në raportet e ZAP-it kanë filluar hetimet vetëm në dy raste. Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive ka njoftuar se në bazë të të dhënave që i ka marrë nga prokuroritë del që bazuar në raportet e ZAP-it kanë filluar hetimet në dy raste, që kanë qenë duke u trajtuar në ish- Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Ky njësit nuk ka njoftuar se për cilat raste bëhet fjalë.

Në Prokurorinë e Shtetit, thonë se nuk qëndron fakti që ata nuk i marrin raportet e Auditorit seriozisht.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit, çdo vit shqyrton me vëmendje raportet e publikuara nga Auditori i Përgjithshëm”, thotë Liridonë Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit.

Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit, çdo vit shqyrton me vëmendje raportet e publikuara nga Auditori i Përgjithshëm.

Liridonë Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit

Zyrtarë të Auditorit ndërkaq nuk flasin për hetimet që mund t’i fillojë Prokuroria bazuar në të gjeturat e tyre. Zëdhënësja e ZAP-it Qëndresa Mulaj, thotë se kanë një bashkëpunim shumë të mirë më prokurorinë, mirëpo kanë edhe përgjegjësi të ndara.

“Në nuk mbikëqyrim punën e Prokurorisë. Raportet tona janë publike dhe të gjitha të gjeturat e prezantuara në to mund të përdoren nga secili institucion përgjegjës qoftë për qëllime hetuese apo hulumtuese apo edhe nga vet entitetet e audituara për të përcjellur dhe implementuar rekomandimet e dhëna”, thotë Mulaj.

Me këtë ZAP-i e heq përgjegjësinë për të ndërhyrë në punën e ndonjë institucioni tjetër.

“Qëllimi ynë është që me anë të raporteve dhe rekomandimeve të dhëna të rrisim transparencën dhe të shtojmë vlerën e parasë publike, duke bërë që përdorimi i saj të jetë sa më efikas. Por assesi ne nuk dëshirojmë dhe nuk ndërhyjmë në punën dhe përgjegjësinë e ndonjë institucioni tjetër”, thotë ajo.

Prokurorëve u duhen emra konkret

Një prej përgjigjeve se pse nuk po hetohen rastet e paraqitura gjërsisht në raportet e Auditorit, prokurorët shpesh e kanë përmendur se në ato raporte nuk ka emra. Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ua rikujton prokurorëve se auditori nuk merret me emra konkret por me çështje në sektor të caktuar ku identifikohet keqmenaxhimi dhe prej tij keqpërdorimi i buxhetit.

“Roli i auditorit kudo është të bëjë matjen e perfomancës dhe auditori nuk merret me emrat konkret por me çështje në sektor të caktuar ku identifikohet keqmenaxhimi dhe prej tij keqpërdorimi i buxhetit”, thotë ai. Musliu thotë se, raportet e Auditorit i shërbejnë  hetuesisë për ndjekje penale individuale të përgjegjësve që kanë keqpërdorur.

Raportet e Auditorit i shërbejnë  hetuesisë për ndjekje penale individuale të përgjegjësve që kanë keqpërdorur.

Betim Musliu, Instituti i Kosovës për Drejtësi

Në këtë drejtim, sipas tij këto raporte do të duhej të konsideroheshin pasuri e madhe për hetuesit, “të cilëve ua identifikojnë pistat e hetimeve dhe përgjegjësit për keqmenaxhim të financave dhe pasurive, që lehtësisht të gjithë mund të ndiqen penalisht”.

Megjithëse ZAP-i ua lehtëson kaq shumë punën prokurorëve, këtë të fundit sipas Musliu, kanë  dështuar në vazhdimësi që të shfrytëzojnë brumin e ofruar nga Auditori i Përgjithshëm për të ndjekur penalisht keqpërdoruesit e buxhetit publik.

“Secili raport që publikohet dhe nxjerr në shesh keqmenaxhim të cilin e cilëson auditori duhet të vihet nën llupën e hetuesve të policisë dhe prokurorisë”, thotë ai.

Pak raste nën hetim

Prokuroria e Shtetit përveç që i analizon në detaje të gjitha raportet e ZAP-it, nuk duket që i merr fort seriozisht ato në fillimin e hetimeve.

Një rast ku ZAP kishte konstatuar shkelje të rëndë ishte ai i vitit 2011, ku Komuna e Prishtinës kishte blerë një kamion zjarrfikësish, në vlerë prej 300 mijë eurosh.

“Çmimi i paguar është 27 herë më shumë se sa që ishte vlera e mallit e vlerësuar nga doganat,” thuhet në raportin e ZAP.

“Nuk ishim në gjendje të gjejmë ndonjë shpjegim se si komisioni vlerësues kishte arritur deri në këtë shumë (300,000 euro) në lidhje me dhënien e kontratës”, thuhet në raport.

Prokuroria kishte filluar hetimet në këtë rast, jo pas publikimit të raportit të ZAP-it, por pas raportimit në medie.  Si edhe në rastet e tjera, edhe në këtë rast, prokuroria kishte mbyllur hetimet në mungesë të provave. Vendimi i prokurorisë për pushim të hetimeve i ka mjaftuar Komunës së Prishtinës që kompaninë “All Zone”, që e kishte blerë kamionin në shumë aq të madhe, ta shpërbleje me dy tenderë për ndërtimin e shesheve “Ibrahim Rugova” dhe “Zahir Pajaziti”.

Një rast tjetër që tani po zhvillohen hetime, është ai i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor rreth rregullimit të shtratit të lumit Shushica, Komuna e Istogut.

Për këtë projekt Auditori i Përgjithshëm i kishte dhënë vërejtjet e tij që në vitin 2008. Hetimet filluan nga Prokuroria Speciale jo pas publikimit të raportit të ZAP-it, por pasi që banorët ishin ankuar kundër këtij projekti, vitin e kaluar.

Auditori kishte konstatuar se në këtë rast, Ministria e Mjedisit kishte kryer pagesa përkundër mungesës së raporteve teknike të kryerjes së punëve. Kontraktorit të këtij projekti kompanisë “Albes”, sipas raportit të ZAP-it i ishin paguar një shumë prej 271 mijë eurosh, ndërsa që kontrata ishte lidhur në vlerë prej 249 e 130 eurosh. Më vonë  për këtë projekt ishte lidhur një aneks kontratë në vlerë prej 24 mijë eurosh.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka raportuar se koordinatorja e projektit kishte konstatuar se mbikëqyrja nuk ishte bërë në mënyrë profesionale, pasi nuk ishte ofruar libër pune si dhe kishte pasur vërejtje rreth realizimit të punimeve nga operatori ekonomik.