Radikalizimi i Islamit, rrezik apo fobi? - Pjesa e IV-të

Në fillim të 90-ve, një djalë i ri nga Kosova, derisa studionte në Riad të Arabisë Saudite, ka pyetur vetën, nëse në Iran revulucioni Islamik ishte i suksesshëm, a do kishte mundësi që e njejta gjë të realizohej edhe në Kosovë apo Ballkan?

Prishtinë, 21 Gusht 2012

AKEA e do tërë Kosovën

Pas më shumë se 20 vjetëve, Husamedin Abazi që sipas bashkëpunëtorëve të tij e ka menduar këtë gjë, e udhëheqë një prej organizatave më të fuqishme joqeveritare në Kosovë, më saktë Asociacionin për Kulturë, Edukim dhe Arsimim (AKEA) e regjistruar më 2004. Organizata ka nisur punë saktw në kohën  kur shefi i qeverisë së Kosovës, (2003 2004), Bajram Rexhepi, thotë se nuk e kanë lejuar që të dërgojw në Kuvend një projektligj i cili do tw ndalonte veprimtarinë e organizatave të dyshimta.

Zyrtarisht Abazi thotë se kjo organizatë ishte ideja e një grupi të studentëve të Universitetit të Prishtinës, prej të cilëve përmend  Behar Avdiun, Nhari Toskën, Bashkim Mehanin, Ilir Xhoxhajn, Ilir Gashin. Sipas të dhënave të QKGH-sw me 700 veprimtarë dhe mbi 80 anëtarë me të drejta të plota, logoja e AKEA-s, këtyre ditëve shihet pothuajse çdo kund, në aktivitete kulturore, aktivitete të përbashkëta me ministri të qeverisë së Kosovës etj… Ata që e njohin, dhe të tjerët (agjentë të shtetit) që e kanë përcjellur, janë të bindur se Abazi është lidhja kryesore e Vëllazërisë Myslimane në Kosovë.

“Vëllazëria Muslimane” ka si synim krijimin e Halifatit Islam në Botë, një ide e ngjashme kjo me ‘Rendin e Ri Botëror”, ku bota do të kontrollohej nga një qendër të cilen e drejton shefi i “Vëllazërisë Muslimane”.

QKGH ka siguruar disa dokumente që pjesëtarë të kësaj organizate thonë se janë planet e brendshme të AKEA-s për marrjen e kontrollit të tërë Kosovës. Në këto dokumente shkruan në detaje se si planifikohet rekrutimi i sa më shumë njerzwve, kryesisht persona me status të mirë në shoqëri, ngritja profesionale e stafit, krijimi i Bankës së parë Islame në Kosovë derisa punohet intensivisht në “qartësimin e mendimit pozitiv dhe universal të Islamit në mbi 50% të qytetarëve të Kosovës” apo dhe “ngritje e vetëdijës kulturore islame te jo më pak se 1000 studentëve në vit”..etj.

QKGH i është bërë e qartë se biseda me tre pjesëtarë të kësaj organizate duhet të bëhet në vendin ku e caktojnë ata, pa të drejtë pyetje, në fakt pa asnjë të drejtë…”vetëm atë që ju tregojmë ne..ndryshe s’kemi marrëveshje”. Ata thonë se kanë vendosur të shkelin betimin që e jep cdo anëtar i AKEA-s për të mos folur në publik, njëherë për njëherë, pasi janë të zhgënjyer me sic thonë dështimet e organizatës e pak më shumë drejtorit Husamedin Abazi.

Në një dhomë të errët të zyres në një prej degëve të kësaj organizate në Kosovë, QKGH ka pasur mundësi të shoh deri diku vetëm njërin prej personave që thotë se është anëtar i AKEA-s me të drejta të plota.

Ata thonë se qëllimi i AKEA-s nuk është radikalizimi i Islamit, por udhëheqja e shtetit nga parimet e Islamit të vërtetë, kryesisht atij që është praktikuar deri më tash në Kosovë.. Pas pak vjetësh ata mund t’i paraqiten opinionit edhe si forcë alternative politike. Për këtë, një nga rregullat që respektohet në mënyrë strikte momentalisht nga të gjithë pjesëtarët e saj është që opinionit në vend t’i bëhet e qartë se ata nuk kanë lidhje me asnjë parti politike në Kosovë.

“Pse të përzihemi me partitë aktuale, të zhytura në korrupcion kur vet po punojmë për dicka aq të madhe, sa kur të dalim në opinion, askush, po e përsëris, ASKUSH të mos ketë mundësi të na dal para”, thotë një prej pjesëtarëve të kësaj organizate. Ky pjesëtar thotë se dëshiron të flas publikisht pasi nuk pajtohet me disa gjëra që po bëhen brenda AKEA-s dhe mbi të gjitha me vonesat që po shkaktohen brenda organizatës për realizimin e këtij plani….

“Të gjitha, shpifje” i quan Husamedin Abazi këto vlerësime derisa flet me Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese në xhaminë në lagjen Dodona, ku ai është Imam, ndonëse nuk e mohon se AKEA e tij ka shumë dëshirë të përhap sa më shumë fjalën e Allahut nëpër Kosovë.

“Ne nuk jemi organizatë fetare…por ne jemi organizatë e shoqërisë civile e cila referencë e ka Islamin…”, thotë Hoxhë Abazi dhe sqaron se “Islami mesatar” është më sakt referenca që e ka AKEA.

Këtë vijë fetare në fakt e ndjekin edhe Vëllazëria Myslimane dhe partia turke AKP që pas viteve tw konsideruara tw jashtëligjshme, tashmë është në pushtet dhe udhëhiqet nga kryeministri Recep Taip Erdogan.

“Qëllimet afatgjata të Organizatës (12 vjecare 2006 – 2017)” është titulli i njërit prej dokumenteve që tregon për qëllimet dhe afatet kohore të planit, ndërsa ajo është e ndarë në “Fusha e Brendshme” dhe “Fusha e Shoqërisë”.  Ky plan është i ndarë në tri etapa kohore. E para që tashmë është realizuar, ka filluar në vitin 2006 dhe ka zgjatur deri më 2009. Gjatë kësaj periudhe janë bërë përgatitjet fillestare të organizatës, ndërsa janë rekrutuar mbi 50 veta në të. Momentalisht AKEA është në realizim të etapës së dytë e cila ka nisur në vitin 2010, fazë kjo që do përfundojë më 2013-ën. Derisa rekrutimi i anëtarëve me të drejta të plota ka tejkaluar numrin 80, në këtë etapë po bëhet edhe ngritja profesionale e tyre. Rekrutimi, një term që nuk i pëlqen aspak kreut të AKEA-s, Husamedin Abazi, ndonëse ai thotë se ata bëjnë përpjekje për sa më shumë anëtarë, është një proces i gjatë dhe mjaft i sofistikuar.

Sipas tre pjesëtarëve të kësaj organizate, anëtarësimi i pjesëtarëve të rinj nuk bëhet pa ju testuar thellësisht lojaliteti personave që AKEA dëshiron t’i ketë pjesë të anëtarësisë së saj.

Pjesa më interesante e anëtarësimit megjithatë nuk është me personat e rëndësishëm, por me kosovarët e rinj në moshë. AKEA gjithëmonë sipas tre pjesëtarëve të saj fillimisht piketon të rinj që sapo e kanë kryer shkollën e mesme, kryesisht nga familje të varfëra. Këtyre familjeve ju bëhet një ofertë e mirë ekonomike, duke ju marrë fëmijët në Prishtinë për kurse, shkollim apo dhe duke ju dhënë edhe bursa për studime…

Ndërkohë, AKEA organizon ligjerata me këta të rinj dhe takime të ndryshme, prej nga fillohet të verifikohen edhe qëndrimet që kanë këta të rinj. Në fakt, rregullorja e organizatës thotë që secili anëtar me të drejta të plota duhet rregullisht që të ketë nën vëzhgim deri në tre kandidatë të mundshëm për tu bërë pjesë e AKEA-s…Kjo nënkupton që nëse AKEA momentalisht ka 81 anëtarë, atëherë numri i atyre që po testohen momentalisht për tu bërë anëtarë të saj është pak a shumë 200 veta. “Testuesit” e AKEA-s në fund të vëzhgimit duhet të mbushin formularin ku japin vlerësimet e tyre me nota për secilin kandidatë, duke treguar se kujt duhet edhe zyrtarisht t’i afrohet mundësia për tu bërë anëtarë me të drejta të plota në AKEA. Gjatë kohës sa bëhet vëzhgimi i kandidatëve nëse janë të denjë dhe të besueshmë për t’iu bërë oferta finale për anëtarësi, kandidatët nuk e kanë idenë se ata në fakt po testohen.

Drejtori i AKEA-s, nuk ka pranuar se ka një procedurë të vecantë të anëtarësimit e aq më tepër, anëtarësinë me të drejta të plota e quan “anëtarë vullnetarë”.

QKGH e ka të siguruar formularin e vlerësimit të një personi, B.Z. 22 vjecar i cili ishte vlerësuar i denj për “fillimin e ndjekjes së trajnimit të ngritjes (Takimi i Ngritjes). Në këtë formulë, ky student është vlerësuar për treguesit pozitiv rreth njohurive dhe respektimit të Islamit. Pjesa II e emërtuar “DEVOTSHMERIA/IBADETI” person ii testuar është vlerësuar në “Leximin e Kuranit, Sa din Kuran hifz, faljen e namazit me xhemat, kujdesi dhe ruajtja nga Harami dhe kërkimi i Hallallit, Devotshmëria në familje dhe roli i tij në këtë si dhe raporti me prindërit”.

Ndërsa pak më poshtë vlerësimet bëhen në lidhje me “dashurinë dhe respektin ndaj organizatës” me të mirë, mesatare dhe jo të qartë. Formulari i siguruar nga QKGH vë në pah se si person ii vlerësuar nëse është i denj për të proceduar deri në “Takimin e Ngritjes” është përcjellur në cdo detaj, përfshi edhe jetën private.

Pyetjet që i bëhen vlerësuesit te pjesa e emërtuar “Lidhjet e Përgjithshme” janë

1)      Shoqëria jashtë organizatës

2)      Jeta private

3)      A kemi dyshime rreth lidhjeve të tij

Anëtarët e AKEA-s që kanë folur me QKGH thonë se pjesa më e bukur e gjithë këtij procesi është betimi që e bëjnë anëtarët e rinj. Ky betim zyrtarisht në AKEA quhet “takimi i ngritjes”.

“Nata e ‘takimit të ngritjes’ zgjat deri në mëngjes, më sakt deri pas faljës së ‘sabahit”, ndërsa vendi duhet të jetë tërësisht i errët. Komisioni i kësaj nate zakonisht përbehet prej udhëheqësisë së AKEA-s dhe disa anëtarëve. Përgjatë marrjës në pyetje, kandidatit i flitet për mundësinë e dekonspirimit nga pushteti dhe se ata duhet të jenë të durueshëm, në emër të Zotit, që të mos tregojnë asgjë para hetuesve..nëse vjen puna të futet edhe në burg e të mos pranojnë asgjë për organizatën. Në të gjithë këtë procedurë, pjesa më e bukur e cila sipas tre pjesëtarëve të AKEA-s të rrënqethë mishin, është kur jepet “verdikti” se kandidati e ka kaluar me sukses “takimin e ngritjes”, i tërë komisioni fillon e qan nga gëzimi.

“Ai moment kur sheh burrat e komisionit, kryesisht të vjetër në moshë, duke qajtur nga gëzimi, të krijohet ndjenja sikur je bërë pjesë e një familje që të don më shumë se familja jote e vërtetë dhe për të cilën t’i je në gjendje gjithcka me bo”…thotë një prej anëtarëve të AKEA-s derisa lotët i shkojnë rrëke mbi mjekërr.

“Koha për vepra është TANI”

Thyerja e heshtjes nga këta pjesëtarë të AKEA-s është bërë me arsyetimin se sipas tyre AKEA po e humb rrugën për të cilën është krijuar.

“Është dal rrogë në emër temin, e unë se kam marrë atë rrogë hiq”….thotë ky pjesëtar i AKEA-s duke e sqaruar se paratë sipas të gjitha gjasave kanë ardhë nga jashtë (Zoti e di ka kanë ardhe ato) ndërsa ato më pas janë dorëzuar në shtabin kryesor të organizatës. Kjo punë zgjatë që disa vjet. AKEA ka buxhet i cili mbledhet nga donacionet, të brendshme e jashtme, por një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve mbulohet nga përqindja që ju ndalet nga rrogat e anëtarëve. Në fakt , pjesa më e madhe e anëtarësisë së AKEA ka një vend pune që ska të bëjë me organizatën apo fenë, dhe që të gjithë e kanë obligim të ndajnë nga 3 – 5 % për t’ia dhënë AKEA-s. Pra, organizata nga anëtarët e vet përfiton një rrogë të plotë, para që vijnë nga jashtë dhe 3 deri në 5 % të rrogave që anëtarësia i merr nga vendet e rregullta të punës. Kjo është dhe arsyeja pse këta tre pjesëtarë kanë vendosur të flasin pasi ata vlerësojnë që udhëheqësia e organizatës po e komprometon idealin e qëllimin final të AKEA-s me cështje financash. Përpos kësaj, ata thonë që udhëheqësit e organizatës po e vonojnë realizimin e qëllimit final…duke i vonuar realizimin e disa prej planeve sic është për shembull fillimi i punës së bankës së parë islame.

Në dokumentët që i ka QKGH, gjatë etapës së dytë 2010 – 2013 pritet “hapja e dy bizneseve prodhuese nga i cili do të mbulonin 30 % të aktiviteteve të tyre”.

Etapa e tretë, koha kur nuk ka më kthim prapa

Sipas informacioneve të siguruara nga QKGH, deri më tash janë 30 imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës që i janë bashkuar AKEA-s. Pa përmendur numër, Drejtori i AKEA-s, Husamedin Abazi, e ka pranuar se ka Imamë që janë “anëtarë vullnetarë” të organizatës. Ndërkaq, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava ka pasur raste kur ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga AKEA, si p.sh. promovim librash.

Përpos Tërnavës, dhe Ministri i Arsimit ka marrë pjesë në aktivitete të organizatës që udhëhiqet nga imam Husamedin Abazi. Një nga aktivitetet e fundit të mëdha të AKEA-s është koncertti që e ka bashkëorganizuar me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Kulturës, Drejtorinë për Kulturë të Komunës së Prishtinës për ndër të të rënëve të familjës Jashari. Aktiviteti është mbajtur më 3 mars të këtij viti në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë.

Sidoqoftë, AKEA ka aq shumë kujdesë kur thërret anëtarësinë e saj në takim, sa që gjatë bisedave telefonike nuk thuhet ejani në takim, por “po shkojmë në caj”. Ky është kodi i ftesës për takim në AKEA, gjithëmonë sipas personave që e kanë kontaktuar QKGH.

Në takime vlerësohet suksesi i etapës së parë, të përfunduar më 2009, suksesët e deritashme të etapës së dytë e cila përfundon më 2013 si dhe diskutohet për etapën e tretë e cila do fillojë nga 2014 dhe pritet të zgjas deri më 2017.

Dokumenti i siguruar nga QKGH, “Qëllimet afatgjata të organizatës (12 vjecare 2006 – 2017) tregon se të tri etapat janë të ndara në Edukim, Administrim, Ekonomi, Vlera, Zhvillim, Informim, Politikë.

Pjesë e agjendës është dhe hapja e grupeve punuese në cdo fakultet, që gjendet te pjesa e titulluar “Administrim”. Te pjesa “Vlera” flitet se si duhet punuar për ngritjen e vetëdijës fetare islame deri në 1000 mijë studentë në vit dhe deri në 3000 mijë të rinj e të reja në përgjithësi në Kosovë.

AKEA planifikonj hapjen e gazetës, portalit dhe televizionit të cilat thonë se duhet punuar që të bëhen ndër më të mirat në tërë Kosovën. Organizata kërkon krijimin prej institucioneve parashkolore e deri te “themelimi i një institute për shkenca humane dhe shoqërore”. Te pjesa ku shkruan Politika, thuhet:

“Kujdesi që aktiviteti i organizatës (deri më 2017) të jetë i zhveshur nga të gjitha ngjyrimet politike.

FUND