Radikalizimi i Islamit, rrezik apo fobi?

Disa i thonë problem ideshë apo qasjeje, e disa i thonë “problem i radikalizimit të fesë islame”. Disa të tjerë e quajn problem i nxitur nga Wehabistët, edhe pse nuk ka asnjë besimtar mysliman në Kosovë që thotë se është i tillë, të paktën publikisht.

Prishtinë, 17 Gusht 2012

Kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava nuk i pengon bashkëpunimi i rregullt dhe pranimi i fondeve nga një organizatë arabe që ndër të tjera, shteti amerikan e konsideron përkrahëse të terroristëve. Organizata Al Waqf Al Islami ka kohë që i jep edhe fonde Bashkësisë Islame të Kosovës, për ndërtimin dhe ri-ndërtimin e xhamive. Në kablogramet e ambasadave amerikane në Maqedoni dhe Holandë thuhet se kjo organizatë përkrahë pjesëtarë të organizatave terroriste, ndërsa emri i një prej krijuesve të saj në Holandë ka dalë si pjesë e listës së 20 biznesmenëve arabë që e kanë financuar Al Qaeden. Në Kosovë, kjo organizatë ka zyret e veta pak a shumë 100 metra larg Ambasadës Zcivrane në Prishtinë, ndërsa fondet e saj ndërtojnë e rindërtojnë xhami në Kosovë me kërkesë të BIK.  Al Waqf Al Islami është dhe në listën e oranizatave të dyshuara për përhapje të ideve radikale fetare të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, të cilën e ka parë Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese.

Në kabllogramin e Ambasadës Amerikane në Shkup, me numër reference “09Skopje95” e dërguar në Washington nga Ambasadori Philip Reeker  te pjesa “Terrorizmi Ndërkombëtar” shkruan kështu:

“Në Maqedoni dhe rajon ka OJQ që ofrojnë përkrahje për individë që janë pjesë apo i simpatizojnë disa grupe terroriste. Këto OJQ përfshijnë Al Waqf Al Islami, Al Haramein, Bamirësia dhe të tjera”.

Udhëheqësi i kësaj organizate në Kosovë është mjeku arab Abdur Rozzaq, ndërsa në një kërkim të thjeshtë në internet del se një nga udhëheqësit kryesor të saj, Ahmad Al Hussaini në Eindhoven të Holandës, ku ishte krijuar kjo organizatë, ka qenë një nga 20 biznesmenët më të mëdhenjë arabë që e kanë financuar organizatën më të madhe terroriste në botë, Al Qaeda. Kjo është thënë edhe në raportin e kompanisë amerikane, JCB Concuslting, e cila nga familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA ishte kontraktuar që të gjej ata që financojnë organizatën e cila deri vonë është udhëhequr nga Osama bin Laden. Kështu thuhet në blogun “freerepublic”, duke e cituar raportin e kompanisë amerikane, “JCB Consulting” ku shkruan se emrat e financuesve të Al Qaedes janë hartuar nga vet organizata e Osama bin Laden. Kjo listë është gjetur pas bastisjeve të zyreve të një fondi humanitar “Benevolence International Foundation” në Sarajevë. Këto bastisje janë bërë nga policia boshnjake në vitin 2002 në bashkëpunim me FBI-në amerikane.

Ndërkaq, para dy viteve në Bullgari, udhëheqësi i Al Waqf Al Islami në këtë shtet ishte arrestuar në fshatin Sarnitsa në qytetin jugor Pazardzhik, me dyshimin se aktivitetet e kësaj organizate janë “kërcënim serioz për sigurinë e Bullgarisë”.

Cfarë xhamishë po financon Al Waqf Al Islami

Kjo organizatë arabe nëpër botë ka përkrahur xhami salafiste, që nuk përkojnë me Islamin i cili praktikohet në Kosovë. Sipas kabllogramit të Ambasadës amerikane në Hagë të Holandës, me numër reference: 05THEHAGUE2705, dokument ky që është nisur për State Department nga Ambasadori Blakeman, flet për gjashtë xhami salafiste të cilat monitorohen nga shërbimet e sigurisë së Holandës. Sipas këtij kabllogrami, këto xhami monitorohen për rolin e tyre në radikalizim dhe rekrutim të myslimanëve, ndërsa tri prej ktyre xhamive, al Fourqan, al Mouhadine dhe Fondacioni për Rininë Islame janë të lidhura me misionin saudit, Al Waqf Al Islami.

Dega e kësaj organizate në Kosovë rregullisht i pranon kërkesat e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës që të ndërtojë xhami të reja, apo të rindërtojë ato të dëmtuara. Një prej tyre është dhe xhamia në fshatin Bajqinë të Podujevës për të cilën nga llogaria e Al Waqf Al Islami kanë kaluar 20 mijë euro në llogarinë e BIK në Prishtinë.

Transferi i këtyre mjeteve është konfirmuar zyrtarisht nga përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, por ata nuk e besojnë që kjo organizatë të jetë e tillë cfarë dyshohet edhe nga organe të shtetit të Kosovës.

Ky tregim nuk përfundon me kaq, pasi Hoxha që do ta udhëheqë xhaminë në Bajqinë të Podujevës, për disa hoxhallarë të tjerë të vet Bashkësisë Islame është person që nuk promovon Islamin sipas shkollës hanefite, apo Islamit Tradicional në Kosovë. Fjala është për Fadil Sogojevën, momentalisht Imam i xhamisë në Bregun e Diellit.

Xhamia në Bajqinë të Podujevës ishte ndaluar së ndërtuari nga kreu i Bashkësisë Islame të rajonit të Podujevës, Idriz Bilalli, pikë së pari për dyshimin se xhamia do të përdorej për shtyrjen para të agjendave radikale fetare.

“Për mendimin dhe vlerësimin tim ai (Fadil Sogojeva) praktikon dhe predikon çështje të cilat kanë të bëjnë me islamin, por që nuk përputhen me praktikimin e tyre konform drejtimit juridik Hanefit. Tek ne kjo shkakton huti dhe përçarje. I njëjti person mban takime të vazhdueshme me grupe në xhematin tonë në Podujevë, e të cilat njihen me qëndrimet e tyre ndryshe nga xhemati i rendomtë. Këta njerëz nganjëherë kanë edhe qëndrime destruktive edhe në xhami”, vlerëson Imam Idriz Bilalli.

Mirëpo, këtë pengesë për pranimin e parave nga Al Waqf Al Islami, kreu i BIK e ka mënjajuar pasi personi që nuk lejoi ndërtimin e xhamisë në Bajqinë të Podujvës e suspendon nga pozita që i mundësonte marrjen e vendimeve të tilla. Arsyeja e suspendimit ishte sepse Imam Idriz Bilalli ishte një nga iniciatorët e krijimit të Sindikatës së Parë brenda BIK.

Përpjekjet për të intervistuar këdo nga Al Waqf Al Islami nuk kanë pasur sukses. Pas vizitës së parë në zyret e saj, një nga punonjësit i ka marrë numrat e telefonit të ekipit të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese dhe ju ka premtuar se do i telefonojë për të caktuar një termin. Përpjekjet e bëra përmes telefonit për të aranzhuar intervistë nuk kanë pasur sukses. Jo rrallë herë përgjigja në numrin e telefonit që vet është dhënë për aranzhim të intervistës ka qenë: “Jo ky numër nuk i përket Al Waqf Al Islamit”.

Lidhjet e dyshimta të Al Waqf Al Islami nëpër botë mund të jenë arsye pse ajo në Kosovë nuk është e regjistruar si organizatë. Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese ka siguruar nga Ministria e Administratës Publike listën e të gjitha OJQ-ve që  funksionojnë ligjërisht në Kosovë dhe aty kjo organizatë arabe nuk është e regjistruar. Në fakt, emri Al Waqf Al Islami është fshehur si “person fizik”, në kuadër të Poliklinikës “Meka” në Prishtinë, e cila çuditërisht nga Ministria e Administratës Publike është regjistruar me aktivitet mjekësor, por edhe ndërtimtari.

Sogojeva: s’jam radikal, por zbatues i Islamit të vërtetë

Pas faljës së drekës në xhaminë e tij, në lagjen Bregu i Diellit, Hoxhë Fadil Sogojeva zakonisht i vazhdon bisedat për një kohë me besimtarët, i ulur në gjunjë, ashtu siç falet. “Muhabeti” ndërpritet ndërsa bisedën me ekipin e QKGH që në xhami kishin shkuar pa paralajmëruar, nuk preferon ta bëj i ulur në gjunj…

I ulur në kolltukun e vetëm në sallën e lutjeve, qysh në fillim të bisedës, Hoxhë Fadil Sogojeva të kujton atë që e thonë për disa imamë në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, “oratorë të shkëlqyer”.

“A keni frikë edhe ju nga mjekrra ime” thotë me ironi Imami me origjinë nga Bajqina e Podujevës, duke lënë të kuptohet se e dinte pse ishte zgjedhur për të biseduar lidhur me këtë temë…

“Derisa studioja në Riad, arabët më thonin ‘shiko këtë hanefinë’ (shkolla Islame që praktikohet në Kosovë), ndërsa këtu më thonë ‘ruju prej këtij selefisë’ (Islami që praktikohet në Arabi Saudite)..por unë nuk jam as radikal as i moderuar, por ai që e ka studiuar ‘sheriatin’ apo jurispodencën islame”, thotë hoxhë Sogojeva që pretendon se e njeh Islamin në mënyrën më të saktë. Ai thotë se në Kosovë e praktikon shkollën hanefite.

Duke kujtuar kohën, siç thotë vet, kur gratë shqiptare nuk kanë hyrë në dhomë të flasin me burra të huaj, pa marrë leje nga bashkëshortët, Imami i xhamisë së Bregut të Diellit shprehët, “unë vet nuk ja jap dorën një femre, kurrë, por s’jam as ai që i detyron tjerët të mos ua japin dorën grave”.

“Kjo është faqja zyrtare e hoxhës së nderuar Fadil Sogojeva dhe këtu mund t’i parashtroni pyetje të ndryshme që ju preokupojnë dhe të merrni përgjigje prej tij”, thuhet në grupin zyrtar të këtij Imami në rrjetin social, “Facebook”. Përgjigjet transmetohen në kanalin zyrtar të hoxhës në “Youtube”, ndërsa një prej shumë pyetjeve ishte edhe nëse “motra myslimane mund të mbath sandale me apo pa qorape”?

Përgjigja e hoxhës ishte që as këmba, si një prej pjesëve të trupit prekja e së cilës shkakton emocion, nuk duhet të dal e zbuluar; pra veshja e sandaleve prej femrave duhet bërë vetëm me qorape….

Imami që nga kolegë të tij në Bashkësinë Islame akuzohet për qëndrime radikale fetare, e hedhë poshtë idenë që shqiptarët të detyrohen për të zbatuar fenë ashtu sië e njeh e siç e ka studiuar ai.

“Unë e kam parasysh traditën e popullit tim dhe as që dua ta ndryshojë atë me zor”, thotë ai, megjithëse pak më vonë thotë se për të ndryshuar diçka te një popull duhet kohë.

“Unë s’jam për ndryshime tash, por pas një kohe, pasi të kam punuar me xhematin, për t’ia sqaruar si duhet fenë. Myslimanët shqiptarë në Kosovë momentalisht janë në klasin e parë…dhe çfarëdo përpjekje për ndryshime me urdhër mund të kishte kundër-efekt”, thotë hoxhë Fadil Sogojeva dhe shton, “feja islame është e mishëruar me jetën e njeriut.. ndryshe nuk jetohet”.

“Unë as që kam shkuar te “AL Waqf Al Islami” për të kërkuar para për ndërtimin e Xhamisë në Bajqinë…këtë e ka bërë kryesia e BIK”…Fadil Sogojeva nuk e thotë këtë pse mendon që është gabim pranimi i parave nga kjo organizatë pasi QKGH i thotë se dyshohet për lidhje me Al Qaeda..

“Për të ndërtuar xhami unë do pranoja donacione edhe prej jahudive e të krishterëve, ska asnjë problem prej kësaj”, thotë ai.

BIK, bashkëpunim të rregullt me “Al Waqf Al Islami”

“Mos na thoni neve këto gjëra, por shtetit” është reagimi i zyrtarëve të BIK-ut kur pyetën për këtë transfer bankar dhe organizatën “Al Waqf Al Islami”. Ahmet Sadriu, udhëheqësi i departamentit për media dhe botime në BIK e pranon se kanë bashkëpunim me këtë organizatë dhe se transferi vërtetë është kryer, por habitet me të dhënat tjera.

“Me Al Waqf Al Islami kemi bashkëpunim… Drejtori Abdurezak i ka derdhur ato mjete dhe më pas ato janë dërguar në Këshillin e BIK në Podujevë. Nuk e di për lidhjet me terrorizimin. Këto çështje i përkasin shtetit. Ju jeni të vetëdijshëm se ne kemi qindra shoqata këtu, si nga lindja, por edhe perëndimi”, deklaron Sadriu, dhe pak më vonë shton, “shumë projekte të ndërtimit e rindërtimit të xhamive i kemi bërë me këtë organizatë.

Akuzat ndaj Bashkësisë Islame, e në veçanti ndaj kreut të saj, Naim Tërnava për lidhje me organizata ekstremiste fetare janë bërë edhe më parë. I fundit që e ka akuzuar direkt dhe ashpër Tërnavën për tolerimin e rrymave radikale është gazetari amerikan, Stephen Schwartz, ku në një vlerësim dërguar QKGH kujton se, sado që kreu i BIK-ut të thotë se nuk ka fare të bëjë me rrymat radikale, janë një mori sjelljesh të tij që nuk lejojnë shpjegim tjetër, pos atij që Tërnava është nën ndikimin e radikalëve.

Gazetari Schwartz vlerëson se janë tri pika që verifikojnë teorinë e tij për lidhjet e Tërnavës me rrymat radikale, në mesin e të cilave përmend edhe tolerimin e provokimeve nga radikalët.

Në Kosovë ka pasur raste të sulmeve fizike që u janë bërë Imamëve që njihen si hoxhallarë liberal. Në mesin e tyre është edhe Hoxha i xhamisë së Zabelit, Osman Musliu i cili plot herë ka folur hapur për rrezikun e Vehabizmit në Kosovë, për çka ai beson se edhe është rrahur keq. Imam Musliu thotë se ata që e kanë rrahur para disa vjetësh janë radikalizues të fesë Islame ndaj të cilëve kryesia e BIK nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash.

“Dyshimet e mëdha të miat janë se vehabizmi dhe ekstremizmi, për të cilat disa hoxhallarë ngurrojnë t'i quajnë kështu, se janë njerëz të sëmurë psikopatë, njerëz të cilët mendojnë ta shkatërrojnë Bashkësinë Islame të Kosovës. Asgjë nuk është Bashkësia Islame e Kosovës, por këta kanë qëllime më të mëdha të na shkaktojnë probleme kombëtare,” i kishte thënë Hoxha i Zabelit gazetës Kosova Sot në vitin 2009.

Nga ajo kohë, hoxha i Drenicës i cili thotë se ka marrë pjesë edhe në varrimin e Jasharajve të vrarë nga sulmi i forcave serbe, nuk ka ndryshuar fare qëndrim.

Bashkësia Islame, kritikat të siç e quajnë vet, studiusit e mikut të tyre, Stefan Swchartz i cilëson të pabaza dhe shpifje, ndërsa imamët akuzues, udhëheqësia e Bashkësisë Islame i quan “individë që nuk e përfaqësojnë askënd, përveç ambicieve të zgjeruara të tyre dhe qëllimeve të ulëta karrieriste”.

Në fakt, Imamët e BIK që tani po i kundërshtojnë hapur rrymat fetare që i quajnë në kundërshtim me Islamin tradicional kosovar gjithashtu e kujtojnë me mallë ish myftiun Rexhep Boja. Disa prej tyre e kujtojnë se si gjatë kohës kur Boja ishte në krye të BIK, Imami Mazllam Mazllami, një prej atyre që përmendet për ide radikale, ishte përjashtuar nga Bashkësia Islame për mos bindje, për tu kthyer në organizatë pas marrjes së menaxhimit të BIK-ut nga myftiu aktual, Naim Tërnava.

Ahmet Sadriu nga zyra për media e BIK thotë se në kohën kur Imam Mazllam Mazllami ishte përjashtuar prej Bashkësisë Islame, pjesë e vendimarrjes për përjashtimin e tij ka qenë edhe Naim Tërnava.

Në numrin e ardhshëm mund të lexoni për një raport të Policisë së Kosovës i cili para disa vjete ka paralajmëruar për rrezikun që i kanoset Kosovës nga grupe fetare radikale. “Ata janë të gatshëm edhe të vrasin një mysliman tjetër”.

(Ky hulumtim është bërë nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese i përkrahur nga fondi danez për gazetari hulumtuese, “Scoop).