English
Scroll top

Qemajl Mustafa hetohet për tenderë

Kryetari i Gjilanit është edhe një tjetër udhëheqës i PDK-së që po hetohet për korrupsion në lidhje me tenderin që iu dha kompanisë “ARI Trading”, pronë e Asllan Asllanit, që është axha i Ridvan Asllanit, të cilit Mustafa sipas deklaratës së tij të pasurisë, ende ia ka 80 mijë euro borxh. Ndaj Mustafës dhe shefes së prokurimit në këtë komunë, EULEX kishte nisur një hetim, po ashtu për shpërdorim të detyrës edhe në vitin 2011, por për fatin e të...

Prishtinë, 25 Qershor 2012

Partia e “xhabirëve”, siç ka filluar të etiketohet PDK, ka edhe një zyrtar të lartë publik nën hetime për korrupsion. Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe të autorizimit, e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës.

Rasti është nisur nga Prokuroria e Qarkut në Gjilan në fillim të këtij viti, dhe në mars kaloi në duart e sektorit për hetime speciale në kuadër të Prokurorisë Speciale. Nisjen e hetime dhe marrjen më pastaj të rastit prej kompetencës së Prokurorisë së Qarkut në Gjilan nga PSK-ja e ka konfirmuar për “Preportr” edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, Jetish Musliu.

Ai ka thënë se nga Prokuroria Speciale ende nuk kanë ndonjë informatë zyrtare se deri ku kanë shkuar hetimet. Zëdhënësi i misionit të EULEX-it nuk ka dhënë informacion në lidhje me këtë rast, duke thënë se nuk mund të mohojë e as të pohojë hetimet ndaj një rasti.  “EULEX-i nuk konfirmon apo mohon nëse një individ apo institucion është apo nuk është nën hetime”, ka thënë Krasniqi për “Preportr”.

Për çka po hetohet Qemajl Mustafa?

Sipas burimeve të “Preportr”, Prokuroria e Qarkut në Gjilan kishte nisur një rast që tani po e heton Prokuroria Speciale, në të cilin kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa dyshohet se ka shpërdorur detyrën dhe autorizimin në tenderin me përfitime shumë milionëshe të zhvilluar nëpërmjet Partneritetit Publiko-Privat (PPP) për ndërtimin e objektit të ri të komunës së Gjilanit.

Tenderi ishte për ndërtimin e objektit afarist-banesor , vlera e të cilit, sipas rekomandimit për draft-marrëveshjen të bërë nga komisioni negociues i komunës, është përafërsisht 1.8 milionë euro. Ky tender i ishte dhënë vitin e kaluar  familjarit të personit që Qemal Mustafa i ka borxh dhe ky fakt konfirmohet në deklaratën e tij të pasurisë.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion (AKK), Qemajl Mustafa ka bërë të ditur se i ka borxh 80 mijë euro Ridvan Asllanit. Vetëm pak kohë pasi që u publikua ky formular, Mustafa nënshkroi kontratë milionëshe me kompaninë “ARI Trading”, pronë e Asllan Asllanit, që është axha i përfituesit të këtij tenderi.

Mustafa atë kohë pati deklaruar se në këtë rast nuk sheh asnjë shkelje e as konflikt të interesit si dhe ka mohuar të ketë pasur ndikim në komision që tenderi në fjalë t’i jepet familjarit të borxhliut të tij.

“Asnjëherë, asnjë ndikim nga Qemajl Mustafa. Ligji ka përcaktuar”, pati thënë Mustafa, për këtë rast.

Ky tender qe shpallur nga Departamenti i Prokurimit i Komunës së Gjilanit në prill të viti 2010. Fituesi u shpall pas më shumë se një viti, më 24 maj 2011. Në njoftimin publik për dhënien e kësaj kontrate thuhet se krejt procedurat ishin zhvilluar me vetëm një kompani në garë, pra “ARI Trading”, që në fund edhe u shpërblye me kontratë.

Për këtë kontratë kishte pasur edhe negociata në mes të komunës dhe kompanisë, dhe ato i kishte bërë Komisioni Komunal për negocimin e kontratave në Partneritetin Publiko Privat - PPP, që përbëhej nga Veton Nevzadi, Ilmi Limoni e Islam Rashiti.

Në raportin që i kanë dërguar kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa, që edhe e ka nënshkruar kontratën, ai është njoftuar se ka pasur tri çështje për të cilat është negociuar, e investitori ka “lëshuar pe”, kurse për 8 të tjera është pajtuar para negociatave.

Në këtë raport dhe kontratën për këtë punë, bëhet me dije se ky objekt mund të ndërtohet brenda dy vjetësh, do të ketë 6 kate, ku komunës do t’i takojnë 13 % e bodrumeve, 29 % e hapësirës afariste të objektit dhe 23 % e banesave.

Për më shumë, në kontratën 23 faqesh, mes të Komunë së Gjilanit dhe kompanisë private “ARI Trading”, e nënshkruar nga Qemajl Mustafa e Asllan Asllani, bëhet me dije se vetë komuna do të jetë ajo që do të përcaktojë se kush do t’i mbikëqyrë punimet, ani pse është pjesë e kontratës.

Hetimet “sekret” të EULEX-it kundër Qemjal Mustafës

Në janar të vitit 2011 ndaj Qemajl Mustafës dhe shefes së prokurimit në këtë komunë, Hatixhe Daku, misioni EULEX pati filluar një hetim, fati i të cilit ende nuk dihet.

EULEX-i nuk konfirmon apo mohon nëse një individ apo institucion është apo nuk është nën hetime.

Blerim Krasniqi, Eulex

As kryeprokurori i Qarkut në Gjilan, Jetish Musliu,  nuk e din se çka ka ndodhur me këtë hetim, që po ashtu ishte nisur mbi dyshimin që Mustafa e Daku kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimit,

Ai ka thënë për “Preportr” se hetimet bëra në janar të 2011, ku ishin bastisur zyrat e kompanive “Tali” e “Maxhistralja” janë zhvilluar drejtpërsëdrejti nga EULEX-i dhe se prokuroria e Qarkut në Gjilan ka marrë vesh për këto hetime nëpërmjet medieve.

EULEX-i vazhdon të mos ofrojë asnjë të dhënë mbi proceset e hetimeve që zhvillon dhe ka një përgjigje gati standarde.“EULEX-i nuk konfirmon apo mohon nëse një individ apo institucion është apo nuk është nën hetime”.

Ndryshe, më 18 janar 2011 ishte bërë publik lajmi se Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka kryer bastisje në dy kompani në Gjilan kompanitë "Tali" dhe "Magjistralja".

Këto bastisje, sipas urdhrit që ka siguruar “Preportr” ishte bërë në kuadër të hetimeve që EULEX po zhvillonte kundër Qemajl Mustafës e Hatixhe Dakut, të dyshuar si të përfshirë në keqpërdorime me së paku dy tenderë, ku sipas dyshimeve fillestare të Prokurorisë, u janë dhënë kompanive me çmim më të shtrenjtë.

Mustafa krenar për tenderin që po hetohet

Që nga fillimi i 2011, Qemjal Mustafa dyshohet si i përfshirë në keqpërdorime me tenderë, por ai thotë që asnjëherë nuk është intervistuar as nga prokurorët vendorë e as ata ndërkombëtarë.

Ai thotë që nuk është intervistuar as për hetimet e bëra kur u bastisën kompanitë “Tali” e Magjistralja”, e as tash në hetimet ë janë duke u bërë për tenderin që i është dhënë kompanisë “ARI Trading.

Asnjëherë nuk jam intervistuar nga askush. Kurrë.

Qemajl Mustafa, Kryetar i Gjilanit

“Asnjëherë nuk jam intervistuar nga askush. Kurrë”, ka thënë Qemajl Mustafa për “Preportr”.

Por, shefja e prokurimit në këtë komunë nuk e pati fatin e Mustafës. Ajo konfirmon se një herë është intervistuar nga hetuesit policorë, dhe është pyetur për tenderë.

“...kjo ka qen moti, diku në fillim të vitit të kaluar. Më nuk jam thirrur nga askush për intervistim”, ka thënë Daku për “Preportr.

Qemjal Mustafa, si i dyshuar në këtë rast, thotë se ndihet krenar me këtë investim.

“Mixha i “ARI-Trading” është rast i ndarë nga investitori dhe borxhin e kam marrë së paku dy vite më parë. Atë borxh e kam deklaruar dhe me biznesin familjar që e kam po e kthej. Situata është plotësisht e qartë dhe e pastër. Jam krenar qe kam arrite me i binde investitorët me ardh në komunë. Askush nuk ka miliona me gjuajtë në baltë. Ato i sjellin investitoret vetëm atje ku ka ambient të sigurte për investime”, thotë Mustafa për “Preportr”