English
Scroll top

Projektligj për mbrojtje të politikës

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve dhe me këtë i ka siguruar vetës mbrojtje nga përgjimet. Ky projektligj nuk u garanton qytetarëve mbrojtje nga shantazhi që mund t’u bëhet nga përgjimet. Në hulumtimet e publikuara viteve të fundit nuk përjashtohet mundësia që me përgjimet të jetë abuzuar në kurriz të qytetarëve.

Prishtinë, 27 Dhjetor 2012

Siç ndodhë rëndom në Kosovë, temat e ndjeshme dhe të cilat prekin spektrin e gjerë shoqëror, hyjnë në diskursin publik dhe bëhen çështje kontradiktash atëherë kur kryesisht me to ballafaqohen ata që përfaqësojnë pushtetin. E ashtu siç ndodhë si me rregull, kur synohet të rregullohet një çështje publike e karakterit të ndjeshëm, lavjerrësi synon favorizimin e përfaqësuesve të pushtetit.

Kështu ndodhi edhe me draft-ligjin e përgjimeve, aprovimi i të cilit erdhi pas publikimeve të përgjimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit ku protagonisti kryesor, ‘shefi i shefave’ ishte shefi i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Adem Grabovci.

Askush nga pushteti nuk u mor seriozisht me këtë temë deri në momentin që pushtetarët u zunë vetë në “grackë”, nga publikimi i përgjimeve që ishin bërë nga EULEX-i ndaj Adem Grabovcit, rreth hetimeve që bëheshin në kuadër të rastit të ish-Ministrisë së Transportit.

Vetëm tri ditë pas publikimit të këtyre përgjimeve, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt miratoi projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve. Ky projektligj u kundërshtua nga ekspertët e sigurisë, por edhe nga shoqëria civile duke qenë se projekt-ligji vendosë si autoritet kyç që do të posedojë regjistrin unik të përgjimeve Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Por edhe për faktin që ky projektligj cenon Kodin e Procedurës Penale të Kosovës (KPPK), si dhe tenton që ta anashkalojë prokurorinë si organ themelor në çështjen e përgjimeve.

Për më shumë, një çështje shumë sensitive që prekë projekt-ligji i përgjimeve ka të bëjë me asgjësimin e përgjimeve të kryera para hyrjes në fuqi të projekt-ligjit. Sipas pjesëtarëve të shoqërisë civile, dispozitat e projekt-ligjit që e rregullojnë asgjësimin e përgjimeve të bëra para miratimit të ligjit, bëhet me qëllim që të zhduken të gjitha provat që mund të përdoren kundër njerëzve të pushtetit.

Në anën tjetër, prokuroria që bën kërkesat për përgjimet dhe e merr miratimin nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, kurse avokatët nuk hezitojnë ta quajnë Kosovën shtet të përgjimeve. Më herët i shqetësuar me lejimin e masës së përgjimit në shumë raste ku personat janë të dyshuar është shprehur edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ky Këshill u ka bërë kërkesë gjyqtarëve të procedurës paraprake, që jo në të gjitha rastet të lejojnë masën e përgjimit dhe atë paraburgimit dhe të merren në mënyrë më serioze me kërkesat e prokurorëve në aprovimin e këtyre masave.

Qeveria fut përgjimet nën kontroll

Skandali i përgjimeve në të cilin ishin të përfshirë krerët më të lartë të shtetit, përfshirë këtu edhe ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin e bëri Qeverinë të reagojë menjëherë me aprovimin e projektligjit për përgjimet e telekomunikimeve. Këtë ngutje të Qeverisë me miratimin e projektligjit, shoqëria civile e ka parë si mundësi që ekzekutivi njërin prej aspekteve më të ndjeshme në rastet e hetimeve penale, atë të përgjimeve, ta fus nën kontrollin e saj direkt.

Ky veprim sipas Organizatës ÇOHU! do të dërmojë integritetin dhe pavarësinë e institucioneve tashmë të cenuara të drejtësisë.

Sipas Arton Demhasajt këshilltar ligjor nga ÇOHU! janë disa aspekte themelore që e bëjnë këtë projekt-ligj të kontestueshëm: ai i çështjes se përgjimet i përkasin sferës penale dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me institucionet e inteligjencës, shkelja e KPPK-së duke tentuar që të anashkalohet prokuroria, asgjësimi i përgjimeve të bëra para hyrjes në fuqi të këtij projekt-ligji, si dhe paraqitja e konfliktit të interesit në mes AKI-së dhe Qeverisë.

“Ky veprim i  Qeverisë paraqet shkelje flagrante të Kodit të Procedurës Penale duke qenë se ky Kod parasheh procedura shumë të qarta për sa i përket çështjes së përgjimeve”, thotë Arton Demhasaj nga ÇOHU!.

Sipas tij, projekt-ligji i përgjimeve cenon KPPK-në, duke qenë se Neni 4 paragrafi 1, dhe neni 11 paragrafi 1, i projekt-ligjit të përgjimeve shprehë se qendra e përgjimeve duhet të vendoset në AKI, dhe se inspektorati i përgjithshëm i AKI-së e kontrollon dhe heton funksionimin e kësaj Qendre.

Në nenin 86 paragrafi 2 i Projekt Kodit të Procedurës Penale thuhet se, përgjimet lejohen, autorizohen: "pas fillimit të procedurës penale, ose në të njëjtën kohë me aktvendimin e prokurorit të shtetit për të filluar procedurën paraprake, prokurori i shtetit mund të autorizojë ose të kërkojë nga gjyqtari i procedurës paraprake që të autorizoj masa të fshehta dhe teknike të hetimit ".

Çështja e përgjimeve është organikisht e lidhur me aspektin e hetimeve penale dhe se ky projekt-ligj përzien kompetencat ekzekutive të AKI-së me ato gjyqësore

Arton Demhasajt këshilltar ligjor në ÇOHU!

Siç shihet, thekson Demhasaj, “ligji për përgjimet atakon direkt Projekt Kodin Penal të Kosovës duke qenë se anashkalon krejtësisht prokurorinë si institucion kyç në çështjen e përgjimeve”.

Demhasaj thekson që çështja e përgjimeve është organikisht e lidhur me aspektin e hetimeve penale dhe se ky projekt-ligj përzien kompetencat ekzekutive të AKI-së me ato gjyqësore.

Sipas nenit 3 të projektligjit, si institucione të autorizuara për të bërë kërkesë për përgjim janë: Policia e Kosovës, AKI-ja, Doganat e Kosovës dhe EULEX-i. Këtu, nuk përmenden fare prokuroria, e cila sipas KPPK-së, është organi kryesor dhe i vetëm që bënë kërkesë tek gjyqtari i procedurës paraprake për lejimin  e masës së përgjimit. Prokurori vetëm kur merr pëlqimin e gjykatësit të procedurë paraprake për përgjim, atëherë e autorizon policinë të bëj ekzekutimin e përgjimeve.

Në këtë kuadër, “autorizimi për të bërë përgjime i institucioneve që as me ligj, e rrjedhimisht as me mandat nuk iu lejohet hetimi penal, paraqet në një anë shkelje të ligjit, por në anën tjetër edhe decentralizm të rrezikshëm që institucionit të përgjimit”, thotë Demhasaj.

Por, sipas tij, institucione si AKI-ja, por edhe Doganat, nuk kanë të drejtë që të bëjnë në asnjë formë apo përmbajtje hetime penale dhe si pasojë, neni i tillë bie në kundërshtim me normat ligjore në fuqi. “Posaçërisht, në këtë rast, neni 3 i Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, vendosë shumë qartë se AKI-ja nuk ka funksione ekzekutive, dhe se i ndalohet mundësia të iniciojë procedura penale”, shprehet Demhasaj.

Aspekti i tretë i këtij projekt-ligji, sipas Demhasajt ka të bëjë edhe mos përcaktimin e qartë të ‘përgjimeve për çështje penale’ dhe ‘përgjimeve për çështje inteligjente’.

Sipas legjislacionit penal në fuqi, qëllimi i përgjimeve prerazi ndërlidhet me çështje penale. Përgjimet, sipas legjislacionit në fuqi, bëhen me qëllim të lehtësimit të organeve të ndjekjes, (prokurorisë dhe policisë nën autorizimin e prokurorisë), që sa më shpejtë të identifikojnë kryesit e veprave penale, të gjejnë prova dhe fakte që i faksojnë personat kryes të veprave penale, dhe në fund dërgimin e provave në gjykatë për dënimin e kryesve të veprave penale.

Sipas tij, tentimi i Qeverisë që vendosja e Qendrës Administrative Elektronike të Përgjimeve ta vendos në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës paraqet konflikt të qartë të interesit dhe tendencë të shfaqur të Qeverisë për futjen nën kontroll direkt të saj çështjen e përgjimeve.

“Tendenca për kontrollin e përgjimeve nga AKI-ja është e papranueshme, për arsye se potencialisht mund të shkaktohet konflikti i interesit në mes të Kryeministrit dhe Drejtorit të AKI-së. Kjo duke qenë se drejtori i AKI-së emërohet nga Kryeministri dhe i jep llogari drejtpërdrejtë atij  duke e humbur kështu tërësisht çështjen e paanësinë në çështjet e përgjimeve”, thotë Demhasaj.

Si elementi me kontestues i këtij projektligji, sipas Demhasajt është që me anë të dispozitave të nenit 17, të quajtur periudha transitore, është paraparë që operatoret telefonik t’i zhdukin të gjitha të dhënat e grumbulluara para hyrjes në fuqi të këtij projekt-ligji brenda një afati maksimal prej 6 muajsh.

“Kjo dispozitë e projekt-ligjit na tregon tendencën e qartë të pushtetarëve që në mënyrë të shpejt dhe të efektshme t’i asgjësojnë të gjitha përgjimet më të vjetra se gjashtë muaj”, thotë Demhasaj.

Ndërsa, sipas Florian Qehajës, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, themelimi i një Qendre të Përbashkët Operative është veprim i duhur. “Megjithatë neni i cili centralizon kontrollimin dhe menaxhimin e përgjimeve në AKI, nuk përbën praktikë të mirë. Kjo nuk do të përbente praktikë të mirë nëse po ashtu do të centralizohej në ndonjë institucion tjetër për shembull në polici”, thotë ai.

Ai i quan jo racionale dhe në shpërputhje me sigurinë nacionale kërkesat e Komisionit Evropian dhe EULEX-it për decentralizimin e plotë të përgjimeve.

“Në këtë rast do të vazhdonim të kishim një mishmash kompetencash ku nuk do të dihej një adresë e saktë e përgjegjësive në rast të keqpërdorimeve”, thotë Qehaja.

Kjo tregon që Qeveria merr vendime mbi bazën e inercionit e jo mbi bazë të nevojës

Florian Qehaja, QKSS

Përderisa veprimin e Qeverisë për ta miratuar ligjin, menjëherë pas skandalit të përgjimeve Qehaja e ka quajtur reagim jo të pjekur.

“Kjo tregon që Qeveria merr vendime mbi bazën e inercionit e jo mbi bazë të nevojës. Sepse përpjekjet kryesore për hartimin e këtij ligji kanë qenë gati se të finalizuar në vitin 2011 dhe Qeveria nuk shprehte interesim që t’i jepte prioritet këtij ligji. Mendoj që ende ka hapësirë që, sidomos, neni për centralizimin e përgjimeve të modifikohet në fazën kur ligji të kalojë në Komisionet Parlamentare”, thotë ai.

“Shtet i përgjimeve”

Prokuroria e Shtetit nuk ka shifra se për sa persona në vit jepet urdhri për përgjim. Sipas Liridona Kozmaqit, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit ,“përgjimi i telefonave nuk është klasifikim i veprës, por është masë e fshehtë teknike që kryhet gjatë një procesi hetimor. Pra prokuroria nuk mund t’i regjistrojë lëndët në bazë të masave të ndryshme që ndërmerren gjatë proceseve hetimore, por bazuar në klasifikimin e veprës penale apo civile”, thotë ajo.

Më herët këtë vit në një hulumtim që e ka financuar fondacioni danez për gazetari hulumtuese SCOOP, është thënë se mesatarisht në muaj bëhen 700 deri në 1000 përgjime. Kjo shifër është marrë nga burime brenda operatorëve telefonik por kjo e dhënë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga askush.

Të dhëna për numrin e përgjimeve nuk jep as EULEX-i. Autoritete në gjyqësorin e Kosovës, thonë se EULEX-i për asgjë nuk i njofton ata e rrjedhimisht as për numrin e përgjimeve.

Mungesën e një  bashkëpunimi në këtë aspekt e ka përmendur Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një raport të publikuar vitin e kaluar.

“Shpërndarja e autoritetit i cili mund të urdhërojë këtë masë të hetimit në organe të ndryshme mund të jetë e nevojshme, mirëpo mungesa e bashkëpunimit të duhur dhe mungesa e mekanizmave për  shkëmbimin e informatave në mes të autoriteteve të ndryshme mund ta afektoj negativisht kualitetin  dhe shpejtësinë e hetimeve. Duket se nuk ekzistojnë rregulla të qarta sa i përket bashkëpunimit  ndërmjet institucioneve të drejtësisë she sigurisë përbrenda strukturës vendore të sigurisë (p.sh. përbrenda Policisë së Kosovës apo në  mes të Policisë së Kosovës dhe AKI-së), si dhe në mes të IDS-ve vendore dhe atyre ndërkombëtare  (p.sh. në mes të AKI-së dhe EULEX-it)”, thuhet në raport.

Në këtë raport thuhet se marrëveshjet me operatorët e telekomunikacionit, institucionet e drejtësisë ato vendore dhe ndërkombëtare i kanë arritur ndaras.

Për këtë EULEX-i e ka pasur më të lehtë t’ua prish rehatinë zyrtarëve institucional, të cilët duket se nuk e kishin marrë seriozisht ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepin i cili vitin e kaluar pati deklaruar se po përgjohej nga EULEX-i.

Avokati Arianit Koci, shprehet i shqetësuar me faktin se shumë aktakuza ngritën mbi bazën e përgjimeve, duke anashkaluar provat tjera që do të duhej të ishin më bindëse për dënimin e një personi. Koci nuk ka folur me shifra por nga përvoja e tij, thotë se ka pasur klientë që janë dënuar me aktakuzë që është mbështetur vetëm në përgjimet.

Ka pasur klientë që janë dënuar me aktakuzë që është mbështetur vetëm në përgjimet

Arianit Koci, avokat

“Përgjimi është një provë rrethanore assesi nuk mund të jetë provë për dënimin e një personi, ajo duhet të mbështetet në ndonjë provë të fuqishme materiale”, thotë ai.

Duke mos u pajtuar me faktin që masa e përgjimit aplikohet shumë në Kosovë, Koci thotë se kjo masë duhet të bëhet në raport me liritë dhe të drejtat të njeriut, madje duhet të bëhet në masa të rrepta të sigurisë.

Në një rast kur të akuzuarit janë dënuar në bazë të përgjimeve përveç të akuzuarit kryesor, është ai i vrasjes së policit Triumf Riza.

Për vrasjen e Rizës si i akuzuari kryesorë është dënuar Arben Berisha me 40 vjet heqje lirie, dënim ky që iu zvogëlua nga Gjykata Supreme për pesë vjet.

Dy të bashkakuzuarit e tjerë në këtë rast, që janë dënuar ekskluzivisht bazuar në përgjime  janë Fitim Avdiu me 10 vjet burgim, si dhe Agron Emini i cili u dënua me gjobë prej 2000 eurosh,

Fitimi, sipas prokurorisë kishte dërguar një mesazh me përmbajtje  “Kojshia e paska dramën para Grandit”, tek Ilir Abdullahu.  Ilir Abdullahu ishte arratisur ndërsa dyshohej që bashkë me Enver Sekiraqen kishin përgatitur vrasjen e Triumf Rizës.