English
Scroll top

Preportr fiton vendin e parë në konkursin e AGK-së “Tregu i Punës dhe Punësimi”

24 Qershor 2016

Gazetarët e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese – PREPORTR, Besnik Boletini dhe Leonida Molliqaj, kanë fituar vendin e parë në konkursin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) për punimin më të mirë me temën “Tregu i Punës dhe Punësimi. 

Ky aktivitet vjen në kuadër të projektit të AGK-së dhe përkrahjes nga projekti Enhancing Youth Employment (EYE) i organizatës zvicerane Helvetas. Qëllimi i projektit ka qenë që të ndihmohet në avancimin e raportimit mbi aspektet e punësimit dhe tregut të punës në vendin tonë, si një dukuri me rëndësi të veçantë.

Hulumtimi fitues “Sot Punon Sot Han”, ka trajtuar përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në mbledhjen e skrapit (mbeturinave të riciklueshme).  Ekipi i Preportr për disa ditë me radhë ka përcjellë punën që bëjnë mbledhësit individualë me fokus në rajonin e Prishtinës, Fushë Kosovës si dhe në deponinë e Gjilanit, duke pasur parasysh që në këto vende është i koncentruar një numër i madh i tyre.

Hulumtimi tregon se si biznesi me skrap është shumë fitimprurës, ndonëse joproporcional për palët e përfshira në këtë punë, pasi që kompanitë që merren me grumbullimin dhe eksportimin e mbeturinave fitojnë miliona euro, ndërsa një pjesë e qytetarëve të Kosovës që i mbledhin ato mbeturina mezi arrijnë që të sigurojnë mbijetesën. Ata që mbledhin skrap, si fuqi punëtore, nuk kanë ndonjë marrëveshje zyrtare me kompanitë dhe si pasojë, kompanitë mbledhëse i ndryshojnë shpesh çmimet dhe për këtë arsye mbledhësit individual i shesin materialet e skrapit me çmimet minimale tek pikat grumbulluese.

Hulumtimi tregon edhe për përfshirjen e fëmijëve në këtë punë, pasi që ata e kanë ndërprerë shkollimin në mënyrë që gjatë gjithë ditës të mbledhin mbeturina nëpër kontejnerë. Nga kjo punë ata fitojnë 5 deri në 7 euro në ditë. Puna e fëmijëve është e ndaluar me ligj në Kosovë.

Hulumtimi tregon se pjesa e më e madhe e pikave grumbulluese punojnë ilegalisht, pra nuk janë të licencuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Janë vizituar edhe disa nga pikat grumbulluese (legale dhe jo legale) për të parë procesin e punës që nga grumbullimi, klasifikimi presimi përkatësisht blerja e metaleve dhe përgatitja për eksport. Ky cikël i punës është vizualizuar edhe me video dhe fotostorie që nga mbledhja nëpër kontejnerë e deri tek faza finale përgatitja për eksport.

Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve janë ndarë edhe dy çmimet tjera. Vendin e dytë e ka fituar Florina Ujupi nga BIRN dhe vendin e  tretë e ka fituar Nexhat Toverlani nga “Koha Ditore”.