English
Scroll top

Preportr fiton çmimin e parë kundër korrupsionit

Gazetarët e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr Besnik Boletini dhe Besa Kalaja kanë fituar vendin e parë për storien më të mirë kundër korrupsionit në kategorinë e mediave online, në konkursin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit

09 Dhjetor 2015

Gazetarët e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr Besnik Boletini dhe Besa Kalaja kanë fituar vendin e parë për storien më të mirë kundër korrupsionit në kategorinë e mediave online, në konkursin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kjo storie ka trajtuar kontrabandimin e citostatikëve dhe pasojat që krijohen nga ky kontrabandim. Ekipi i Preportr ka gjetur se citostatikët e kontrabanduar mund të gjenden nëpër barnatore të Prishtinës dhe këtë e ka faktuar me video, ndërsa çmimi i tyre është shumë më i lirë sesa i atyre që nuk janë të kontrabanduar. Gjithashtu është vërtetuar se blerja e citostatikëve të kontrabanduar është shumë e thjeshtë në Kosovë. Këtë Preportr e ka vërtetuar pasi që ka telefonuar një kompani të madhe që importon medikamente dhe ai na ka dhënë një numër tjetër të telefonit ku mund ta porositeshin citostatikë të kontrabanduar.

Preportr gjatë monitorimit të Klinikës së Onkologjisë ka gjetur citostatikë të kontrabanduar me të cilët pacientët trajtoheshin aty. Për njërin nga citostatikët më të shtrenjtë që ishte kontrabanduar është arritur që të vërtetohet me fakte se është blerë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ka përfunduar në tregun ilegal dhe është shitur shumë shtrenjtë.

Në këtë ceremoni u ndanë edhe disa çmime tjera. Për kategorinë e mediave të shkruara kanë fituar Vehbi Kajtazi dhe Saranda Rama nga gazeta e përditshme “Koha Ditore”. Në kategorinë e televizioneve ka fituar Kreshnik Gashi nga “Drejtësia në Kosovë”. Ndërsa Mehdi Mulaj është shpallur fitues në kategorinë Arsimi dhe Korrupsioni.