English
Scroll top

Nafta në duar të politikës

Derisa përplasjet LDK-AKR për kreun e Zyrës për Licencim e Rregullim të Sektorit të Naftës vazhdojnë, një raport intern me plot shkelje në këtë fushë e ka marrë Prokuroria e Shtetit nga Njësia e Krimeve Financiare në Polici. Edhe Auditori i Përgjithshëm kishte alarmuar për parregullsi në këtë sektor, kurse vetë ish-drejtuesi i këtij organi, Ramadan Buzhala i suspenduar thotë se në MTI ka një klan të interesave në sektorin e naftës.

Prishtinë, 27 Shtator 2012

Është zgjedhur në krye të institucionit si asambleist i LDK-së për Malishevën  derisa ministër i Tregtisë ishte Lutfi Zharku, por u largua me të ardhur në pushtet Mimoza Kusari. Ramadan Buzhala , ish-shef i Zyrës për licencim dhe rregullim të sektorit të naftës thotë se nuk ka ardhur në këtë zyre politikisht, por është larguar politikisht. Ai vazhdon të pretendojë se vendimi për ta larguar atë nga puna është politik dhe pa fakte.

Por për udhëheqësit aktual të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) nga radhët  AKR-së, Buzhala, por edhe Valdete Halimaj, anëtare e këtij organi, janë larguar për një sërë shkeljesh, një pjesë të mirë të të cilave i identifikon edhe një Raport i auditimit të brendshëm që ka bërë MTI-ja në këtë zyrë.

Në këtë raport, që  e posedon Preportr , janë evidentuar gjashtë shkelje ligjore, e secila nga to është përsëritur në më shumë sesa një rast.

Krejt këto shkelje auditorët e brendshëm të MTI-së konstatojnë të jenë bërë vetëm për një periudhë afro dy vjeçare, aq sa ka këqyrë dokumentet Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB).

Ramadan Buzhala në një prononcim për Preportr e vlerëson raportin si të njëanshëm. Ai është tashmë i suspenduar  me vendim përfundimtar nga ana e MTI-së, përderisa i ka mbetur edhe një derë për ankesë, në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil (KPMSHC). Përderisa ai pret që ky organ i pavarur ta kthej në krye të sektorit që lëshon licenca për bizneset e naftës, Valdete Halimaj, e suspenduar njëherazi me Buzhalën, ka marrë  një vendim negativ  edhe nga ky komision.

Prokuroria në lëvizje, apo jo?

Qarkullimi financiar në sektorin e naftës në katër vitet e fundit, kur me licencat po udhëhiqte njeriu i LDK-së, vetëm nga importi, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, ka qenë mbi 960 milionë euro. Kjo përllogaritet të jetë vlera financiare e mbi 2 miliardë litrave derivate të naftës që janë importuar në vitet 2008-2011. Vetëm gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë futur derivate të naftës në vlerë prej 320 milionë eurove.

I larguari nga puna nga MTI-ja , Ramadan Buzhala, thotë se edhe në sektorin e naftës do të  dalin skandale si te çimentoja.

“Ngjashëm me aventurat  me ’SharrCemin’, bëhen edhe ne sektorin e karburanteve me disa nga kompanitë, por nevojitet edhe pak kohë derisa te dalin gjerat sheshazi”, thotë Ramadan Buzhala për Preportr.

Ngjashëm me aventurat  me ’SharrCemin’, bëhen edhe ne sektorin e karburanteve me disa nga kompanitë, por nevojitet edhe pak kohë derisa te dalin gjerat sheshazi.

Ramadan Buzhala

Ka qenë praktikë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, personi kyç që jep licenca në sektorin e naftës, të emërohet politikisht. Këtë avaz e kishte nisur para-ardhësi i Lutfi Zharkut, Bujar Dugolli, atë kohë ministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Ramush Haradinajt.

Në sektorin për mbikëqyrjen dhe kontrollin e cilësisë së naftës ministri Dugolli pati vendosur babain e gruas së tij, të cilin pas presioneve publike u detyrua ta largojë.

Tash, derisa përplasjet mes njerëzve, zyrtarisht  të LDK-së dhe drejtuesve të MTI-së nga AKR-ja, vazhdojnë për organin e licencimit të bizneseve të naftës, këta të fundit i janë drejtuar hetuesisë.

“Me datë 18.01.2012 është njoftuar njësia e krimeve ekonomike dhe korrupsion. Në takimin e mbajtur me përfaqësues të njësisë së krimit ishin: Shaip Havolli, Shemsi Igrisha, Fidaim Berbatovci dhe Isak Ejupi të cilët posedojnë edhe kopjen e raportit të auditorit”, ka thënë për Preportr Arta Istrefi, këshilltare politike e Mimoza Kusarit.

Preportr nga Policia e Kosovës është drejtuar në Prokurorinë e Shtetit, të cilët kanë konfirmuar se janë duke u marrë me këtë rast.

Ky raport i është dhënë prokurores së qarkut, e cila merret me lëndë kundër korrupsionit dhe tani prokurorja është duke e shqyrtuar raportin.

Liridona Kozmaqi

“Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, nga Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në Policinë e Kosovës, ka pranuar raportin final të auditimit të brendshëm-Menaxhimi i licensave në zyrën për licencim, rregullim dhe vëzhgim të sektorit të naftës. Ky raport i është dhënë prokurores së qarkut, e cila merret me lëndë kundër korrupsionit dhe tani prokurorja është duke e shqyrtuar raportin”, ka konfirmuar për Preportr, Liridona Kozmaqi nga Prokuroria e Shtetit.

Ramadan Buzhala që po vazhdon betejën me MTI-në , për t’u kthyer në vendin e  tij të punës, thotë se nuk e  di se prokuroria po merret me raportin që ka gjetur shkelje në institucionin që ai e drejtonte.

“Sa i përket intervistimit të mundshëm nga ndonjë organ hetuesie, jo që nuk ka ndodhë asnjëherë deri më tash por as që kam informatë se diçka e tillë do të ndodhë. Megjithatë unë jam shumë i gatshëm... të ballafaqohemi edhe me ata i që janë kënaqur largimit tim nga puna”, thotë Buzhala për Preportr.

Pranoheshin dokumente të paverifikuara

Pranim i dokumenteve të paverifikuara, vendime pa komision e komisione pa procesverbal, protokollim me disa muaj vonesë i dokumenteve, vendime pune pa pasur licencë punë, tejkalim i kompetencave etj. Këto janë disa nga shkeljet të cilat i ka gjetur Njësia e Auditimit të Brendshëm të MTI-së për  punën Zyrës për Licencim, Rregullim dhe Vëzhgim të Sektorit të Naftës gjatë kohës sa kjo udhëhiqej nga Ramadan Buzhala.

Që në fillim të auditimit 2 vjeçar të dokumentacionit të zyrës që udhëhoqi Buzhala për afër tri vite, auditorët e MTI-së gjetën se për së paku 7 biznese kjo zyrë ka pranuar dokumente të pa verifikuara nga gjykata ose organe tjera përkatëse. Auditorët konstatojnë se shumica e dokumenteve në këtë zyrë janë pranuar kësi soji, por kanë përmendur këta shtatë emra kompanishë:  “Standard Benz”, “Biz-Oil-Tim”, Prishtinë-Zona Industriale, “La-Ol” –Prishtinë”, “Pagarusha-EuroPetrol-Gas”-Prizren, NTP “Flamuri” me seli në Suharekë,  NTP “Nera Petrol” – Sojevë e Ferizajt dhe “Esnaf Petrol”-Mamushë.

Unë e them shpesh se Kosova është vend i vogël dhe njihemi me shumicën në mes veti, por kjo njohje është me raporte të përgjegjshme.

Ramadan Buzhala

Megjithëse auditorët nxorën këta emra të kompanive ë, Ramadan Buzhala thotë se ka  pasur raporte korrekte me të gjitha kompanitë që punojnë në sektorin e naftës, por nuk mohon se me ndonjë nga drejtuesit e  këtyre kompanive të njihet.

“Unë e them shpesh se Kosova është vend i vogël dhe njihemi me shumicën në mes veti, por kjo njohje është me raporte të përgjegjshme”, thotë Ramadan Buzhala.

Lëshonin vendime para licencës

Auditorët tutje gjetën se  Zyra për Licensim, Rregullim dhe Vëzhgim të Sektorit të Naftës nën drejtimin e Ramadan Buzhalës nuk ka lëshuar vendime për formimin e komisioneve për shqyrtimin e kërkesave për licensa, por megjithatë komisionet punonin në këtë drejtim.

Këto komisione prej tre anëtarësh, shpjegojnë auditorët, shqyrtonin kërkesat për licensat të cilat më pas i nënshkruante drejtori i zyrës në këtë rast, Ramadan Buzhala, por që çuditërisht, komisionet nuk mbanin procesverbal për punën e tyre.

Si duket në këtë zyre, pos mos-krijimit të dokumenteve që dëshmojnë procesin e punës, siç është procesverbali i shqyrtimit të kërkesave të bizneseve, nuk i jepnin rëndësi as protokollimit të atyre dokumenteve që lëshonin.

Auditorët, sipas raportit që posedon Preportr, gjetën se ka pasur vendime të drejtorit Buzhala që nuk janë protokolluar fare, por edhe një sërë vendimesh që janë protokolluar  me 3-4 muaj vonesë. Në raport janë përmendur 8 vendime të tilla.

“Një praktikë e tillë lë hapësirë për dyshim për manipulim”, konstatojnë auditorët në raportin në fjalë .

Derisa në protokollim të dokumenteve vonoheshin me muaj, në lëshimin e vendimeve që bizneset të afaronin , në Zyrën për Licencim, Rregullim dhe Vëzhgim të Sektorit të Naftës lëshonin vendime edhe para se këtyre bizneseve t’u jepej licenca e punës.

“Kemi konstatuar se menaxhmenti ka lëshuar vendime, Subjekteve afariste para lëshimit të Licencës dhe me këto vendime subjektet kanë zhvilluar aktivitetin e tyre”, konstatohet në këtë raport.

Referentët universal

Auditorët kanë gjetur se stafi i  Zyrës për Licensim, Rregullim dhe Vëzhgim të Sektorit të Naftës po tejkalonte kompetencat. Derisa sipas Ligjit për Naftën ky mekanizëm ka kompetenca të lëshojë, vazhdojë, suspendojë ose revokojë licencat në pajtim me dispozitat e këtij ligji, auditorët gjetën që anëtarët e këtij mekanizimi po bënin edhe vizita në terren dhe po merrnin mostra, punë që u përshkruhet inspektorëve të tregut në MTI.

“Menaxhmenti i kësaj Zyre kohë pas kohe ka urdhëruar zyrtarët që të dalin në teren  për marrjen e mostrave të naftës dhe derivateve të naftës nga rezervuarët e subjekteve afariste me qëllim verifikimi të cilësisë”, thuhet në raport.

Aty auditorët konstatojnë së ky veprim  është në kundërshtim me mandatin që ka   Zyra për Licensim, Rregullim dhe Vëzhgim të Sektorit të Naftës.

Ramadan Buzhala nuk e mohon këtë veprim, pos që shprehet se dalja në terren nga ana e stafit të këtij Organi nuk bënë ta frikësoje askënd.

“Në kohen e ministrit Lutfi Zharku ne edhe kemi pasur presion se duhet te jemi sa me aktiv, sepse ndryshe nuk rregullohet dhe nuk vëzhgohet tregu i karburanteve, si dhe ne këtë organ, si askund tjetër (e as ne inspektorat prej nga buron konflikti), ka Zyrtar për cilësi të karburanteve si dhe Zyrtar për rregullimin e tregut që detyrimisht duhet te jenë sa më të pranishëm në terren sepse nga zyra nuk verifikohen të gjithë ato parregullsi që po na përcjellin në këtë sektor”, arsyeton veprimin Buzhala.

Licencohen rezervuar pa vulë

Bizneset që hyjnë në sektorin e naftës, për t’u pajisur me licencë duhet ndër të tjera të paraqesin te Zyra për Licencim të dhëna për vëllimin e rezervarëve të tyre.

Auditorët gjetën se në disa raste, për disa licenca, bizneset nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme. Disa prej shkeljeve që ishin gjetur, por që auditorët në raport nuk shkruan  emrat e  kompanive ku i gjetën, thuhet se rezervuarët nuk kishin datë verifikimi, datë kadence, por në disa raste nuk kishin vulë të verifikuesit e emër të tij.

Auditorët shpjegojnë se këto të dhëna duhet të jenë pjesë e dokumentacionit pasi që luajnë rol te siguria ndaj klientit,  kur bëhet fjalë për çmimin e naftës.

“Dëshmia e përcaktuar për rezervuarët dhe volumin e tyre përcakton lartësinë e sigurimit të përgjegjësisë ndaj palëve të treta në 1 €/ litra të kapacitetit të rezervuarëve të naftës dhe derivateve të naftës për shitjen me pakicë apo deponim”, thuhet në raportin në fjalë.

Raporti tendencioz

Megjithëse Ramadahn Buzhala i LDK-së, që po vazhdon betejën në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil kundër MTI-së së drejtuar nga Mimoza Kusari e AKR-së, e anëtarja tjetër e Zyrës për Licensim, Rregullim dhe Vëzhgim të Sektorit të Naftës, Valdete Halimaj u larguan me një raport të auditimit të brendshëm që evidenton shkelje me bollëk, Buzhala ka vendosur ta kontestojë krejt raportin.

“Që ne fillim dua të tregoj se largimi im realisht fare nuk ka te beje me raportin e auditimit të brendshëm. Sepse, mua më është konfirmuar pezullimi më 05 nëntor 2011, nga ministrja Kusari-Lila në kabinetin e saj në prezencë edhe të Sekretares së Përgjithshme të MTI-së, Eljana Naka. Nga e njëjta pas këtij konfirmimi është dhënë urdhri për auditim”, thotë Buzhala.

Ai thotë se auditorët kanë qenë duke punuar në këqyrjen e dokumenteve në Zyrën e Prokurimit në MTI, dhe u zhvendosen tek e Zyra për Licensim, Rregullim dhe Vëzhgim të Sektorit të Naftës, që e drejtonte atëkohë Buzhala.

Buzhala thotë se  gjatë auditimit nuk u është dhënë mundësia që të jenë prezent gjatë auditimit, që sipas tij, tregon hapur se ky proces ka qenë i diktuar  dhe nga ai ka dalë një raport i paragjykuar në bazë të vendimit për pezullim.

Raporti  në fjalë, sipas tij është jo-përmbajtjesor. “Pothuajse asnjëra nga konstatimet nuk është e bazuar në fakte domethënëse, asnjë konstatim i vetëm nuk lë as të vetmen shenjë se është bërë me qellim përfitimi apo diçka ngjashëm, por  meqenëse nuk ka pas version tjetër për të krijuar hapësirë të lirë për veprim ne këtë sektor është përdorë NJAB-i me bindjen se nuk do te këtë kërkesa tjera për sqarim situate nga ana e jonë”, thotë Buzhala.

Megjithëse Buzlala i suspenduar thotë se këto konstatime të auditorëve të brendshëm të MTI-së nuk vlejnë, pasi që janë bërë me diktim, konstatime të përafërta për zyrën që ai e drejtoi për 4 vite ka dhënë edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP).

“Ne kemi konstatuar se mangësitë e identifikuara gjatë dhënies së licencave siç ishin: vonesat lidhur me nënshkrimin e licencave, pajisja e subjekteve afariste me licenca dhe dhënia e licencave disa subjekteve afariste pa i plotësuar kriteret ligjore janë si rezultat i mosfunksionimit të mirëfilltë të kontrollit të brendshëm dhe krijon hapësirë për favorizimin e disa subjekteve afariste”, thuhet në raportin e viti 2011  të publikuar në mes të këtij viti.

Edhe në vitin 2010 ishte gjetur si parregullsi regjistrimi i të hyrave nga licencimet në këtë sektor , të hyra që ishin mbi gjysmë milioni euro. Regjistrim i gabuar i të hyrave për sektorin e naftës, në linjat buxhetore në MTI, ishte gjetur nga auditorët edhe në vitin 2008, përderisa ZAP-i nuk e tha asnjë fjalë për këtë sektor në raportin e tij për MTI-në vitin 2009.

Klani i naftës në MTI

I suspenduar tash nga pozita e Drejtorit, nga ku kishte kompetenca për tu dhënë licenca bizneseve të naftës, një sektor, qarkullimi financiar i të cilit vetëm nga importi kalon shifrën 300 milionë euro në vit, Ramadan Buzhala, thotë se në MTI ka një klan të naftës.

Thënë me troç,  as Raporti i NJAB-it e asgjë tjetër nuk e arsyeton largimin tim dhe të koleges sime (Valdete Halimaj) nga puna, por këto janë vetëm orvatje për një lloj justifikimi për këtë largim, i cili në brendi ka pas për qellim krijimin e hapësirës së lirë për veprime të kundërligjshme nga një klan që edhe sot fatkeqësisht vepron në MTI.

Ramadan Buzhala

Ai edhe raportin e auditorëve të brendshëm që u përdor për ta larguar nga pozita e sheh veç si justifikim që ai të mos jetë pengesë në punën këtij klani.

“Thënë me troç,  as Raporti i NJAB-it e asgjë tjetër nuk e arsyeton largimin tim dhe të koleges sime (Valdete Halimaj) nga puna, por këto janë vetëm orvatje për një lloj justifikimi për këtë largim, i cili në brendi ka pas për qellim krijimin e hapësirës së lirë për veprime të kundërligjshme nga një klan që edhe sot fatkeqësisht vepron në MTI”, thotë Buzhala për Preportr.