English
Scroll top

Mujota e “kripë” edhe një tender

Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Fehmi Mujota, ka shpërblyer konzorciumin “Drenica Eurokos”, të familjes Shamolli, me tenderin për furnizimin me kripë industriale duke eliminuar tre ish-kontraktorë të kësaj ministrie edhe pse ata ishin më të lirë dhe kriter i tenderit ishte çmimi më i lirë. Në ministri nuk kanë asnjë përgjigje për këtë tender, kurse kompanitë e eliminuara i kanë bërë gati dy ankesa për në “gjykatën e tenderëve”....

Prishtinë, 30 Nëntor 2011

Duke eliminuar nga gara si të papërgjegjshëm kontraktorët e tri sezoneve të fundit në tenderin për furnizim me kripë industriale, Ministria e Infrastrukturës (MI), e udhëhequr nga Fehmi Mujota ka shpërblyer me këtë tender me mbi gjysmë milioni euro konzorciumin “Drenica-Eurokos”, Ferizaj-Prishtinë.

Edhe në këtë tender, sikurse në tenderin për asfaltimin e rrugës Kuqishtë-Bogë, për të cilin ‘Preportr” ka publikuar një hulumtim javën që shkoi,  MI-ja e ka shpërblyer kompaninë e cila kishte çmim më të shtrenjtë se sa tri kompani tjera që ishin më të lira, përkundër faktit që edhe ky tender kishte si kriter të  vetëm çmimin më të ulët.

Ky konzorcium, është shpërblyer me tender prej 597,511 eurosh, derisa kontraktori që ka kryer këtë punë për MI-në në sezonin e kaluar, kompania “Euroni” nga Fushë Kosova ka ofertuar me afro 20 mijë euro më lirë. Sipas procesverbalit të hapjes së ofertave që ka siguruar “Preportr”, oferta e “Euroni” ishte 576, 339 euro, oferta e “Bes Compani” nga Arllati është 533,525 euro dhe “Pagarusha-N” nga Prizreni ofertoi me 588,101 euro. Edhe këto dy të fundit janë kontraktorë të MI-së për sezonet 2007-2008, respektivisht 2009, derisa për sezonin 2010 kontratën për furnizim me kripë industriale për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve regjionale të Kosovës e ka pasur kompania “Euroni”, kontratë kjo që peshon 816,408 euro.

Menaxheri i konzorciumit “Drenica-Eurokos”, pronë e familjes Shamolli nga Lipjani, Ismet Shamolli ka të punësuar në MI mbesën e tij, Laberie Qeriqi, si asistente personale e ministrit Mujota.

Dy ankesa

“Preportr” ka rritur që të kontaktojë dy nga këto tri kompani që janë edhe më të lira se konzorciumi “Drenica-Eurokos” dhe kontraktorë të kësaj ministrie në periudhat e më hershme, të cilat kanë konfirmuar se këtë tender do ta çojnë në “gjykatën e tenderëve”.

Xhevat Vokshi nga kompania “Euroni” dhe Nuhi Kryeziu nga kompania “Pagarusha-N”, kanë thënë se janë duke i përgatitur ankesat e tyre për t’i dërguar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Këta zyrtarë të këtyre kompanive, ndonëse nuk kanë pranuar që të ofrojnë dokumente mbi shkaqet që janë eliminuar nga gara nga ana e MI-së, kanë thënë se arsyet e eliminimit janë të paqëndrueshme. Sipas tyre, arsyet e eliminimit që u janë dërguar kanë të bëjnë me faktin që, sipas prokurimit të MI-së, tre kontraktorët e saj të deri tanishëm, nuk kanë mundur që të ofrojnë dëshmi mbi kriterin bazë të tenderit.

Ky kriter bazë kërkon që kompanitë të ofrojnë kopjet e kontratave për furnizim me kripë industriale të realizuara në periudhën e shkuar trevjeçare me një qarkullim jo me të vogël se vlera e ofertës (mbi gjysmë milioni euro).

Zyrës për Informim në Ministrinë e Infrastrukturës i janë dërguar pyetjet me shkrim për të marrë vesh arsyet e eliminimit të kontraktorëve të më hershëm të saj si dhe për të pasur qasje në dëshmitë e ofruara nga konzorciumi fitues, “Drenica-Eurokos” mbi nivelin e qarkullimit me kripë industriale, por të njëjtit nuk kanë ofruar përgjigje gjatë dy ditëve.

Zero import nga “Drenica-Eurokos”

Njëri prej kushteve pjesëmarrëse në tender ishte që të dëshmohet se në tri vitet e fundit, niveli i furnizimit me kripë nga kompanitë konkurruese të jetë minimum sa vlera e ofertës në këtë tenderë.  “Dëshmia e kërkuar dokumentare: Kopjet e kontratave për furnizim me kripë industrial të realizuara në periudhën e shkuar trevjeçare, të përcjella me referencat/procesverbalet e pranimit përfundimtar të furnizimeve me kripë duke treguar vlerën, datën, natyrën dhe vend ndodhjen e furnizimeve me kripë jo me e vogël se vlera e ofertës”, thuhet te kriteret mbi kapacitetin ekonomik dhe financiar të tenderit në fjalë.

“Preportr” ka siguruar dokumentin doganor të importit të kripës industriale në Kosovë, në të cilën konzorciumi fitues figuron si kompani që nuk ka importuar asnjë gram kripë industriale. Ky konzorcium ka importuar më së fundi kripë industriale në vitin 2008 dhe atë vetëm 124 tonë.

Shamollët i shesin kripë KFOR-it

Derisa në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë pasur përgjigje për “Preportr”, menaxheri i konzorciumit “Drenica-Eurokos”, Ismet Shamolli, ka një shpjegim se si i ka bërë referencat që ta fitojë këtë tender.

“Kompania jonë, me filialet e saja në Shqipëri, i tejkalon kërkesat që ka parashtruar ministria. Ne kemi furnizuar me kripë industriale në Maqedoni e Gjermani, si dhe kemi qarkullim të brendshëm ku kemi blerë nga kompanitë vendore importuese dhe kemi shitur brenda vendit. Ne nuk kemi importuar por kemi bërë qarkullime në këtë drejtim, madje duke eksportuar nga Shqipëria për në vende evropiane, siç është Gjermania”, thotë Shamolli për “Preportr”.

Edhe pse nuk jep detaje se prej cilave kompani vendore ka blerë kripë industrial, Shamolli thotë se klient e ka pasur edhe KFOR-in. “Kemi blerë nga kompanitë  vendore kripë industrial dhe e kemi shitur edhe këtu brenda vendit. Ne i kemi shitur këtë kripë edhe KFOR-it, por edhe disa komunave”, thotë Shamolli.

Nuk e pengon as dënimi për korrupsion

Ndonëse njëri nga themeluesit e kompanisë “Eurokos”, Zeqir Shamolli është dënuar me katër vjet burgim nga një panel gjyqtarësh në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në maj të këtij viti, për keqpërdorim të fondeve të Bankës Kreditore të Prishtinës, kjo nuk e pengon që të marrë tenderë nga MI-ja. Më herët, kompania  “Eurokos”, ishte shpërblyer me njërin nga llotet e tenderit për sinjalistikën rrugore që peshon afro 150 mijë euro.

Por, për Ismet Shamollin, menaxher i konzorciumut “Drenica-Eurokos”, dënimi nuk paraqet asnjë pengesë për të marrë tender publik. “Këqyreni mirë kush është pronar i kësaj kompanie. Zeqir Shamolli nuk figuron askund si pronar i kompanisë, prandaj pse duhet të paraqes pengesë dënimi i tij për të vazhduar punën kompania?’, thotë Ismet Shamolli.

Ligji i Prokurimit ka paraparë kufizimin në situatën kur bëhet fjalë për aksionarët e kompanive, por nuk ka precizuar nëse e njëjta dispozitë vlen edhe për ish-aksionarët  apo edhe themeluesit e kompanive, siç është Zeqir Shamolli në “Eurokos”.

“Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë (10) viteve të kaluara: është shpallur fajtorë nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, mitosjen, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme... ”, thuhet ndër të tjera në nenin 65 të këtij ligji, te papranueshmëria e kandidatëve ose tenderuesve.

Ndryshe, Zeqir Shamolli, i prononcuar në media si përfaqësues i  “Eurokos”,  bashkë me Mehmet Nuredinin e Besim Hasanin, pjesë e Këshillit Drejtues të Bankës Kreditore, u gjetën nga Gjykata fajtorë për  bashkëkryerje të krimit - keqpërdorim i  autorizimeve në ekonomi.  Sipas vendimit gjyqësor, Shamolli ka favorizuar gjashtë kompani private përfshirë këtu edhe “Interko”, të Ylli Shamollit e “Drenica”’ të  Ismet Shamollit duke mashtruar Bankën Kreditore për gjendjen financiare të tyre për kthimin e kredive .

Kjo sipas vendimit të gjykatës është bërë që përfitues i këtyre kredive të jetë organizata afariste e Zeqir Shamollit duke rezultuar me marrjen e paligjshme të përfitimit në shumën prej 1 milionë e 181 mijë e 281 eurosh.Kredi nga Banka Kreditore kishte marrë edhe “Eurokos”, i Zeqir Shamollit, por që ishte kthyer më vonë. Në rastin ‘Shamolli e të tjerët’, ishin dënuar tetë veta për vepra penale siç janë mashtrim në bashkëkryerje e keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi. Të dënuarit janë ankuar ndaj vendimit të Gjykatës së Qarkut dhe si rrjedhojë Shamolli është ende në liri në pritje të verdiktit të Gjykatës së Supreme për plotfuqishmërinë e këtij vendimi ose kontestimin e tij.