English
Scroll top

Mjeshtër i mashtrimeve

Qeveria e Kosovës deri më tani ka dhënë mbi 19 milionë euro vetëm për këshilltarët e transaksionit, për të marrë analiza dhe rekomandime nga këta të fundit në lidhje me privatizimin e aseteve publike. Por deri më tani nuk është parë ndonjë punë e frytshme nga këta këshilltarë, përkundrazi, disa dokumente strategjike kanë dështuar dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi

Prishtinë, 11 Qershor 2012

Privatizimi i aseteve publike, në vend që t’i sjellë përfitime dhe të ndikojë në zhvillimin e ekonomik të Kosovës, ka pasur një rol të kundërt. Përveç dhënies së këtyre aseteve me çmime shumë të lira, uljes së numrit të punëtorëve dhe dyshimeve rreth dhënies së tyre, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar mbi 19 milionë euro, vetëm për këshilltarët e transaksionit, për të marrë nga ta rekomandimet “adekuate”.

Prej se ka filluar privatizimi/koncensionimi i kompanive më të mëdha në vend (Aeroportit, PTK-së, KEK-ut… KEDS-it), Qeveria ka kontraktuar disa kompani të huaja për përgatitjen e këtyre proceseve, duke shpenzuar dhjetëra- miliona euro. Vetëm për projektin “Kosova e Re” dhe për privatizimin e PTK-së, këshilltarët janë paguar më shumë se  9 milionë euro madje edhe në konflikt interesi.

Për këtë vit për këshilltarë të transaksionit do të shfrytëzohen rreth 3.9 milionë euro për “Kosovën e Re”, ndërsa për PTK-në do të shpenzohen edhe 2.5 milionë euro.

Ka raste kur kompanitë konsulente që angazhohen si “këshilltarë transaksioni” për privatizimin e kompanive dhe aseteve publike kanë marrëdhënie biznesi me kompanitë që garojnë në një proces të caktuar privatizimi.

Hunton & Williams ka përfaqësuar AES Corporation në disa konteste ligjore në SHBA, por kjo nuk i ka penguar Qeverisë së Kosovës që ta angazhojë Hunton & williams si këshilltare transaksioni për projektin “Kosova e Re” edhe pse AES  është një nga garuesit për projektin “Kosova e Re”. Kjo situatë ngjan me procesin tashmë të dështuar të privatizimit të PTK-së që ndodhi më 2011.

Wolf Theiss dhe Telco AG nga Austria të angazhuara në sektorin publik kudo që i pranishëm ishte ish-ministri i Ekonomisë Ahmet Shala,  janë zëvendësuar me Reiffeisen Investment po nga Austria edhe pse të dhënat flasin për një afërsi të kësaj kompanie  me dy të parat që edhe sollën në dështim procesin e privatizimit të PTK-së. Ngjashëm me kompanitë tjera të angazhuara si këshilltarë transkaksioni, edhe Reiffeisen Investment ka punuar për Telekomin Austriak kur ai bëri blerjen e një pjese të konsiderueshme të aksioneve të kompanisë më të madhe Bullgare, Mobitel AD . Kjo kompani ka qenë këshilltare e Agjensionit Kosovar të Privatizimit, në fund të 2010, në rastin kur “Sharrcem” iu shit grupit grek Titan pa asnjë konkurrencë por thjesht me një negocim të çmimit prej rreth 30 milionë euro, që është pak më shumë sesa inevstimi rreth 25 milionë euor në këtë fabrikë. Për ndryshe, Wolf Theiss dhe Telko AG qenë angazhuar nga qeveria si këshilltar të transaksionit për privatizim të PTK-së edhe pse të njëjtat kanë qenë përfaqësuese ligjore në Kosovë të pretendentit kryesor për blerjen e PTK-së, Telekomit Austriak, për marrjen e licencës së telefonisë së dytë mobile.

Në një hulumtim të mëhershëm të “Preportr” është gjetur se kompani të rëndësishme ndërkombëtare janë tërhequr nga gara për privatizimin e PTK-së pikërisht për shkak të indikacioneve se gara është kurdisur  meqë kompanitë që më 2007 punuan për Telekom Austrinë tani punonin në përgatitjen e PTK-së për privatizim. Poashtu, dihet se Ëolf Theiss më 2007 ka bërë disa nisma gjyqësore kundër autoriteteve kosovare me pretendimin   se është diskriminuar Telekomi Austriak në tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile.

Në anën tjetër, kompanitë konsulente që njihen si partnere me kompanitë që kanë dështuar privatizimin e PTK-së në vitin 2011, poashtu të angazhuara në konflikt interesi, angazhohen sërish në të tilla punë nga Qeveria e Kosovës, përkundër dëshmimit të interesave që kanë konflikt me interesin publik.

Kompania e angazhuar tani si këshilltare transaksioni, Reiffeisment Investment AG , poashtu ka një histori këshillimi me të vetmen kompani të ngelur gjërë në fund si kandidati kryesor për blerjen, Telekomin Austriak. Raiffeisen Investment më 2005 ka këshilluar Telekomin Austriak në blerjen e Mobitel AD, kompanisë më të madhe bullgare në telekomunikim. Në rast se edhe në tenderin e ardhshëm Telekom Austria do të jetë një kompani që do të garojë për blerjen e PTK-së, do të ripërsëritet situata e njëjtë e përgatitjes e vitit 2011. Ky konflikt dërgoi në dështim të privatizimit të PTK-së për shkak të dekurajimit të kompanive të rëndësishme për të marrë pjesë në procesin e privatizimit të PTK-së.

Qeveria me ndërrimin e kapaciteteve “dogji” mbi 8 milionë dollarë

Përveç që këshilltarët e transaksionit të angazhuara deri sot në disa prej tenderëve me të mëdhenj  kanë qenë joproduktiv dhe projektet në fjalë kanë dështuar, Qeveria ka “hedhur” sërish miliona euro në konsulenca me konflikte interesi për projektin “Kosova e Re” dhe për PTK. Për çdo ndërrim të kapaciteteve të “Kosovës së Re”, është dashur të bëhen analiza të veçanta dhe për këtë qeveria ka kontraktuar këshilltarë të veçantë, që do të thotë se paratë që janë kontraktuar për këshilltarët paraprakë kanë shkuar huq. Ndërrimi i këtyre kapaciteteve me të njëjtin model, pa e shmangur potencialin e konfliktit të interesit, ka pasur një kosto prej 8 milionë e  198 mijë e 310 dollarë. Prej tyre 5 milionë e 690 mijë grante të Bankës Botërore dhe 2 milionë e 500 mijë dollarë janë mjete që i  ka dhënë qeveria.

Pra deri më tash për shërbime të këshilltarëve të projektit “Kosova e Re” gjithsej janë shpenzuar 8.198.310 dollarë. Kësaj shume i shtohen edhe 3.9 milionë të tjera që janë ndarë për kontraktorin e ri “Raiffeisen Investment Ag”, të cilën, qeveria u detyrua ta kontraktojë vitin e kaluar, kjo për arsyen se këshilltarëve të mëparshëm u kishte skaduar kontrata.

Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku, thotë se janë harxhuar shumë para për këshilltarët e transaksionit për projektin “Kosova e Re”, dhe kjo ka ndodhur pasi që Qeveria nuk ka përfillur rekomandimet e ekspertëve vendas. “Është filluar të shpenzohet para për “Kosovën e Re”, që nga viti 2005. Fillimisht është zhvilluar me kapacitet prej  2100 megavat dhe tani ka rënë dhe ka ardhur në dy herë nga 300 megavat. Ne kemi rekomanduar që ky projekt është joadekuat për rrethanat tona. Për të gjitha këto kapacitete është bërë ekspertizë e veçantë dhe sigurisht që kjo e ka ngritur koston e shpenzimeve”, u shpreh Sadiku.

Banka Botërore nuk jep më para

Këshilltari  i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Gëzim Baxhaku, ka thënë se 3.9 milionë euro Qeveria ia ka ndarë “Raiffeisen Investment Ag”, në përgatitjen e ofertës për ndërtimin e termocentralit të ri.

“Kjo është kontratë e mbyllur, që nënkupton se pavarësisht sa zgjatë ai proces dhe kur kryhet, këshilltarët e transaksionit nuk kanë të drejtë të kërkojnë shpërblim shtesë për punën që e bëjnë”, thotë  ai.

Banka Botërore që ka ndarë shumë mjete financiare për këshilltarët e transaksioneve të projekteve në fjalë, refuzoi kësaj radhe të jap mjete për këshilltarin e ri. Kështu qeveria u detyrua ta paguajë atë vetë me mjete të buxhetit.

“Ne e vlerësojmë kontratë të volitshme, ne kemi kërkuar që kjo kontratë të realizohet përmes Bankës Botërore dhe nga takimet që i ka pasur ministri dhe kabineti i ministrit me ta vlera e këshilltarit të  transaksioni nëse do të shkonte përmes BB-së ka qenë tender njëburimor dhe vlera do të arrinte deri në 11 milionë dollarë. Pra ndryshimi është diku rreth 6 milionë”, thotë Baxhaku.

Pjesë e këtij konsorciumi  të kryesuar nga “Raiffeisen Investment Ag”, janë edhe “Grant Thornton”, “RE Gmbh” si dhe “Hunton &Williams”.  “Hunton &Williams”, ka qenë bashkëkonsulente e projektit, si këshilltar ligjor me “Price Waterhouse Coopers”  dhe “John T. Boyd Company”, dy kompani që humbën në garën e vitit të kaluar për këshilltarë të transaksionit.

Qeveria e Kosovës planifikon që në vitin 2013 të nisë ndërtimi i termocentralit të ri, i cili ka nisur si projekt para pesë vitesh. Në garë për ndërtimin e saj aktualisht janë katër konsorciume që ishin kualifikuar nga Komiteti Qeveritar për Privatizim. Komiteti drejtues i këtij projekti pati kualifikuar konsorciumin “PPC/Contour Global LLP” nga Greqia e Britania, “Adan Power  e Adani Global” nga India e Indonezia , “AES Electric Ltd e Demir Export AS” nga ShBA-ja e Turqia, si dhe kompaninë “Park Holding” nga Turqia.

Super-Massoudi i KEK-ut

Përkundër faktit se KEK-u praktikisht ka qenë nën menaxhimin e këshilltarëve të huaj prej mbarimit të luftës në Kosovë, gjendja e kësaj kompanie ka vazhduar gjithnjë të jetë e rëndë. Zyrtarët e KEK-ut flasin për një super-këshilltar që vazhdon tash e gjashtë vite të sillet zot në këtë kompani. Massoud Keyan, një këshilltar i angazhuar nga USAID në KEK, sipas zyrtarëve të KEK-ut, me ndikimin e tij ka tejkaluar Bordin e KEK-ut, drejtorët, zyrtarët e prokurimit. Ai kishte ardhur diku në vitin 2006 në KEK pak a shumë në të njëjtën kohë me ish-drejtoreshën Pranvera Dobruna.

Shefi i projektit të USAID në KEK dhe këshilltari i Drejtorit Menaxhues të kësaj ndërmarrje Massoud Keyan, i cili është angazhuar në vitin 2007, është bërë personi kryesor që menaxhon KEK-un dhe asnjë vendim nuk mund të merret pa pëlqimin e tij, ndërsa stafi menaxherial i KEK-ut është vetëm sa për numër.  Dy ish-zyrtarë të KEK-ut, Visar Kelmendi e Avni Kurshumliu, tregojnë për një ndikim të tepruar, që nuk përkon me ndikimin tipik të një këshilltari në vendim-marrje. Keyan e Dobruna, sipas Kelmendit, kanë zëvendësuar drejtorët e divizioneve që për një kohë të gjatë ishin përgatitur për këto detyra madje me investime në ngritjen e kapaciteteve të tyre.

“Çdo plan pastaj është bërë nga të huajt. Shihej shkrimi që ishte një përkthim me direktiva nga anglisht në shqip, e që në fakt në shqip as nuk mund të kuptohej mirë, por nënshkrimet ishin të Pranverës, Remzi Shahinit e deri të Arben Gjukaj. Ato dokumente shiheshin që ishin të përpiluara prej PA Consluting, kompani e cila udhëhiqet nga Masoud Keyn, i cili përmes USAID-it ka ardhur si këshilltar i drejtorit gjeneral të KEK-ut dhe vetëm u dorëzohen drejtorëve shqiptarë për t’i nënshkruar dhe për t’i zbatuar”, theksoi Kelmendi.

Avni Kurshumliu, që deri në pensionim ishte këshilltar për prodhimin e energjisë në divizionin e regjenerimit në KEK, thotë se Massoud Keyan prej kur ka marrë detyrën e këshilltarit në KEK ka fuqi të madhe vendimmarrëse. “Massoud ka ardhur menjëherë pas largimit të firmës irlandeze ESBI, dhe prej atij momenti ai praktikisht e udhëheq KEK-un. Menaxherët tjerë të KEK-ut janë vetëm si marioneta, sepse pa pëlqimin e tij (Massoud) asnjë kontratë, asnjë tender që e kapë vlerën mbi 50 mijë euro nuk mund të realizohet. Domethënë ai praktikisht është bërë i gjithëfuqishëm në KEK”, thotë ai.

Kurshumliu thotë se Massoudi e ka këtë fuqi udhëheqëse pasi që ka lidhje direkte me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin. “Massoudi e ka zgjedh edhe menaxhmentin e KEK-ut, që të mund të bëjë çka të dojë. Ai e ka këtë fuqi sepse e ka mbështetjen e kryeministrit, një njeri që shkon në derë të kryeministrit pa trokitur, çka t’i thuhet atij”, theksoi Kurshumliu.

Korporata Energjetike e Këshilltarëve - KEK

Disa investime në KEK, që sipas zyrtarëve të KEK-ut, janë ndërmjetësuar nga këshilltarë të huaj, kanë kolapsuar për periudha ditësh, madje edhe orësh. Nën udhëheqjen e kushëririt të kryeministrit, Njazi Thaçit, Zyra e Prokurimit e KEK-ut më 2008 ka blerë një transformator të vjetër nga kompania polake “Turbo Care” për një çmim prej 3,726,550.85 Euro, që dyfishi i asaj që kishte ofruar në shtator të vitit 2008 kompania bullgare “Kozloduy NPP”.

Rreth 16 orë që nga lëshimi në punë i transformatorit të vjetër të blerë me prokurim njëburimor për Bllokun A4 digjet dhe KEK-u nisi procedurat për blerjen e një transformatori të ri, tani nga Konçar. Natyrisht Kosovën e priste një dimër i vështirë me dështimin e këtij transformatori edhe pse zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala ngushëllonte opinionin publik duke deklaruar se do të paditet kompania “Turbo Care”, e cila dukej të refuzonte respektimin e marrëveshjes për garancinë teknike për shkak se siç duket edhe në kontratën mes KEK-ut dhe “Turbo Care” rrufe-pritësi nuk ishte instaluar sepse sipas Dosjes së këtij tenderi të negociuar i bërë pa publikimin e njoftimit të kontratës, instalimi në fjalë nuk ishte funksional.

Në të tilla prokurime zyrtarët e KEK-ut thonë se fjalën kryesore për këto blerje e kishte këshilltari Keyan, kurse këto “këshillime” implementoheshin nëpërmjet Zyrës së Prokurimit nën udhëheqjen e zotit Thaçi.

Edhe për PTK-në u “hodhën” 1. 7 milionë euro

Pas “Kosovës së Re”, para më shumë nga buxheti i shtetit morën këshilltarët e transaksionit për Postën dhe Telekomin e Kosovës. I gjithë procesi për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje shkoi si mos më keq. Dyshimet për kurdisje të tenderit ,  e bënë telekomin kroat të tërhiqet nga gara për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, dhe  si rrjedhojë procesi i privatizimit dështoi.

Me këtë “ranë në ujë”, edhe 1. 7 milionë eurot që ishin ndarë për këshilltarë të transaksionit për përgatitjen e procesit të privatizimit për këtë ndërmarrje publike. Për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës,  konsorciumi i Wolf Theiss dhe “Telko Ag”, vitin e kaluar, sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, kishte përgatitur rreth 2500 deri 3000 faqe këshilla dhe analiza të ndryshme për PTK-në. Wolf Theiss ka qenë e angazhuar në këtë punë edhe pse ka qenë i ditur se ekziston një konflikt i ashpër interesi duke qenë se kjo kompani kishte qenë përfaqësuese ligjore e pretenduesit kryesor për privatizimin e PTK-së, Telekomit Austriak, gjatë procesit të tenderit të dytë për telefoni mobile në Kosovë më 2007. Në anën tjetër kjo kompani edhe më herët kishte pasur punë këshilluese në disa procese të rëndësishme prokurimi në PTK dhe AKM gjatë instalimit dhe implementimit të rrjetit GSM.

Edhe pse tashmë është dëshmuar si proces i dështuar privatizimi nën këshillimin e këtyre këshilltarëve transaksioni, Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk e përjashton mundësinë që materiali i prodhuar nga këto kompani të përdoret edhe nga kontraktuesi i dytë, i përzgjedhur para disa javësh konzorciumi “Lazard Freres S.A.S.”  dhe “Raiffeisen Investment AG”.

“ Ata (Telko Ag),  kanë përgatitur materiale rreth 2500 deri në 3000 faqe këshilla të ndryshme, analiza të ndryshme për PTK-në.  Të gjitha ato materiale ne serish do t’i përdorim por që në bazë të nevojave këshilltari i ri do të bëjë ndryshimet e duhura me nevojat në treg dhe për mundësitë e privatizimit”, ka thënë Baxhaku.

Këto dokumente apo “strategji” të përgatitura mund të përdoren nga këshilltari i ri, por kjo nuk ulë fare shpenzimet, pasi që këshilltari i ri është kontraktuar për të ofruar rekomandime të reja. Për përgatitjen e dokumenteve/ rekomandimeve të reja kompania  Lazard Freres  S.A.S në konzorcium me Raiffeisen Investment AG, e cila është shpallur fituese do të paguhet 2.5 milionë euro.

Këshilltarë të transaksionit edhe për Brezovicën

Një tjetër projekt për të cilin janë kontraktuar këshilltarë të transaksionit, është ai i privatizimit të Rrjetit,  Shpërndarjes dhe i Furnizimit (KEDS). Qeveria deri tani për këtë projekt ka kontraktuar kompaninë IFC, e cila është paguar në vlerë prej më shumë se 500 mijë eurove.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thonë se projekti për privatizimin e KEDS-it, aktualisht është në përfundim.

Komiteti Qeveritar i Privatizimit (KQP) ka shpallur javën e kaluar konsorciumin Limak Yatirim Enerji&Çalik Enerji Sanayi ofertuesin e preferuar në procesin e privatizimit të Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), pasi që ofroi çmimin më të lartë.

Propozimi i KQP-së erdhi pasi Komisioni për Vlerësimin e Ofertave për Privatizimin e KEDS-it konstatoi se Limak&Çalik ka ofruar ofertën prej 26.3 milionë, kundrejt kompanisë Elsewedy Electric S.A.E  e cila ofroi, 22.8 milionë euro.

Një vlerë e tillë do të shpenzohet për këshilltarë të transaksionit për koncesionimin e kompleksit turistik Brezovica.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka planifikuar që për shërbimet këshilluese për këtë transaksion të rëndësishëm të gjejë një kompani të huaj, për të cilën do të paguajë 500 mijë euro. MTI-ja ka bërë njoftimin për kontratë dhe këtë muaj pritet edhe të zgjedhë këshilltarin e transaksionit për koncesionimin e Brezovicës.

Mjete për këshilltarë të transaksionit janë shpenzuar edhe për koncensionimin e Aeroportit të Prishtinës. Për projektin e parë këshilltar i Transaksionit ka qenë konzorciumi Naco-Innova (Holandë, teknik dhe financiar) së bashku me Ëhite and Case (ShBA, Ligjor), vlera e kontratës  630. 000 euro.

Ndërsa për këshilltarët e transaksionit për Autostradën Vermicë-Merdare, Qeveria pati kontraktuar kompaninë Eversheds, e cila ka përfituar 1.7 milionë euro nga ky kontraktim.

Këshilltarët e transaksionit pretendues për të blerë asetet publike

Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku, thotë se Qeveria e Kosovës e ka tepruar me angazhimin e këshilltarëve të transaksionit, pasi që ka marrë rekomandimet vetëm prej tyre dhe çka është më e keqja, nuk ka pasur zhvillime pozitive në kompanitë publike ku janë bërë “ekspertiza” nga këta këshilltarë që kanë marrë dhjetëra -miliona euro për këtë punë. “Kjo ekspertizë që ka ardhur nga jashtë ka dominuar në aktivitetet e institucioneve të Kosovës. Tepër jemi bazuar në rekomandimet që kanë ardhur nga jashtë dhe përkundër çmimit të lartë që kemi paguar  nuk kemi lëvizje në zbatimin  reformave strukturore. E marrim shembull PTK-në kemi shpenzime të mëdha ndërsa projekti aspak nuk ka lëvizur. Ekspertiza ndërkombëtare duhet të kombinohet me ekspertizën e vendit dhe qeveria duhet të ketë rol më proaktiv, do me thënë duhet të ketë qasje shumë aktive të bazohet në ekspertiza të brendshme dhe të jashtme”, thotë Sadiku.

Ai thotë se më shqetësues është fakti se këshilltarët e transaksionit në të shumtën e rasteve kanë pretendime për të blerë kompanitë publike. “Shpeshherë na ka ndodhur që këta këshilltarë që vijnë nga jashtë janë pretendentë për blerjen e kompanive të Kosovës dhe ky është një problem i madh që na ka sjellë probleme të mëdha”, theksoi Sadiku.