English
Scroll top

Milionat e paefektshme

Në tetë vitet e fundit në fushën e bujqësisë në formë të granteve dhe subvencioneve janë investuar mbi 238 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë. Sipas njohësve të fushës së ekonomisë dhe bujqësisë, këto investime nuk kanë dhënë efektet e pritura dhe se nuk kanë ndikuar sa duhet në rritjen e eksportit dhe ndaljen e importit për disa nga produktet bujqësore. Në sindikatën e bujqve thonë se grantet nuk kanë dhënë rezultate sa duhet për shkak se kanë shkruar tek njerëzit e gabuar

Prishtinë, 27 Shtator 2019

Hiq më pak 238 milionë e 797 mijë e 776 euro janë investuar në periudhën 2010-2018 nga Ministria e Bujqësisë në formë të granteve dhe subvencioneve. Përmes granteve janë përkrahur disa sektorë si ai i rrushit, vezëve, përpunimi i qumështit, mishit, perimeve, sektori i prodhimit të verës mjaltit etj. Ndërsa, në formë të subvencioneve janë përkrahur fermerët që merren kryesisht me kultivimin e grurit, misrit, farës së grurit, elb, thekër, lulediellit, vreshtave, perimeve në fushë të hapur, pemishteve ekzistuese, bujqësisë organike dhe në vitin 2017 për herë të parë ka filluar edhe subvencionimi i verës.

Një raport i publikuar nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë për periudhën 2010-2018, tregon se Rahoveci (616 grante), Skenderaj (277) dhe Prishtina (251) janë komunat ku numri i përfituesve të granteve ka qenë më i madh në krahasim me komunat tjera.

Këto investime në fushën e bujqësisë nuk i kanë përmbushur pritjet e ekonomistëve dhe përfaqësuesve të bujqve.

Alban Hashani drejtor i Institutit riinvest thotë se bujqësia ka potencial që të ndihmojë rritjen ekonomike, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe zbutjen e deficitit tregtar.

Por sipas tij, ky sektor nuk duhet të konsiderohet si shtylla parësore ku Kosova duhet të bazojë zhvillimin.

Përfituesit e granteve në vlerë monetare sipas komunave

Ai thotë se përzgjedhja e sektorit të bujqësisë për t’u mbështetur nga qeveria ka pasur për qëllim parësor rritjen e punësimit.

“Duke qenë së bujqësia është, sipas përkufizimit, sektor që varet shumë nga fuqia punëtore, ky qëllim mund të jetë i arsyeshëm. Megjithatë, mënyra se si këto skema të mbështetjes, përmes granteve dhe subvencionimit, janë dizajnuar, dhe më me rëndësi, si janë zbatuar nuk kanë dhënë rezultatet e pritura”, thotë Hashani.

Ai thotë se në kuadër të platformës “Debatet në Riinvest”, është diskutuar dhe evidentuar se përkundër ndihmës domethënëse në sektorin e bujqësisë, niveli i prodhimit bujqësor në disa nën-sektorë, jo vetëm që nuk ka prodhuar rezultate pozitive, por e njëjta ka dëmtuar tregun.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për faktin se subvencionimi ka qenë i lidhur gati ekskluzivisht me mbështetjen e inputeve dhe se kjo ka stimuluar, krahas bujqve të njëmendë, edhe pronarë tjerë tokash që të merren me bujqësi të shtyrë vetëm nga këto skema mbështetëse.

Hashani thotë se në këtë kuadër, rekomandimi i Riinvestit ka qenë që subvencionimi të ndahet në mënyrë që një pjesë të jetë e lidhur me inputet, ndërsa pjesa tjetër të lidhet me nivelin e rendimentit.

“Kjo do ti kishte të paktën dy efekte pozitive. Së pari do të rritej niveli i produktivitetit në sektorë dhe niveli i rendimentit që për rrjedhojë do të ulte importet nga jashtë. Së dyti, do të mundësonte formalizimin më të madh të sektorit, pasi që bujqit, në mënyrë që të gëzojnë mbështetjen e lidhur me rendimentin duhet të deklarojnë atë, themi në qendrat e grumbullimit”, thotë Hashani.

Edhe një hulumtim i mëhershëm i Preportr ka treguar se investimet që janë bërë nga Ministria e Bujqësisë nuk kanë pasur efekte tek rënia e importit përkatësisht rritja e eksportit. Hulumtimi ka pasur për bazë vitet 2013-2015 dhe janë krahasuar produktet për të cilat janë ndarë grante dhe subvencione me eksportin dhe importin. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën në fjalë, importi për këto produkte është rritur për 21 milionë euro, ndërsa eksporti është rritur vetëm për 900 mijë euro.

Grantet dhe subvencionet u ndanë me favorizime

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës të Sindikatës së Bujqve të Kosovës thotë se ka pasur investime të miliona eurove në fushën e bujqësisë, por sipas tij, gjithë këto miliona nuk e kanë dhënë efektin e duhur për zhvillimin e këtij sektori.

“Nuk është realizuar qëllimi i dhënies së këtyre granteve dhe subvencioneve. Për shkak se këto janë dhënë me keqpërdorime dhe me favorizime nuk e kanë dhënë efektin e duhur. Gjithashtu tregu ka qenë i papërshtatshëm sepse kemi pasur vazhdimisht konkurrencë të pabarabartë”, thotë Tahiri.

Ai thotë se bujqit që kanë qenë në prodhimtari dhe ata që kanë hyrë më vonë janë zhgënjyer sepse nuk kanë punuar me profit dhe se për këtë arsye disa kanë heq dorë nga kjo veprimtari.

“Kemi informacione se bujqit po e lënë veprimtarinë e tyre dhe po ikin jashtë vendit. Kjo është shumë shqetësuese dhe zhgënjyese për neve si sindikatë”, u shpreh Tahiri.

Kryesindikalisti Tahiri mendon se në mënyrë që grantet dhe subvencionet të kenë efekt pozitiv në zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë, së pari duhet të luftohet korrupsioni në Ministrinë e Bujqësisë.

“Ne si sindikatë jemi të gatshëm t’u ndihmojmë institucioneve qeveritare dhe atyre lokale për ta orientuar buxhetin aty ku duhet të investohet dhe aty ku mund të përparohet në bujqësi në të gjitha sferat”, theksoi Tahiri.

Por ndryshe mendon Ekrem Gjokaj, kryeshef në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Ai thotë se të dhënat tregojnë se ka rritje të prodhimtarisë, të konsumit të brendshëm dhe të punësimit.

“Edhe pse viteve të fundit kemi pasur një trend të rënies së eksporteve në nivel vendi, e vetmja është fusha e bujqësisë që ka pasur rritje të eksportit të produkteve bujqësore”, thotë Gjokaj.

Ai thotë se synimi i AZHB-së është që përveç eksportit, kur kemi potencial të eksportojmë, të rritet konsumi i brendshëm. Të rritet produktiviteti në nivel të fermës, pasi që dihet Kosova njihet për produktivitet shumë të ulët krahasuar me vendet e rajonit.

“Synimi ynë është që të eksportojmë aty ky kemi potencial dhe ta zëvendësojmë importin për aq sa kemi mundësi me produkte bujqësore”, ka thënë Gjokaj.

Ai thotë se kërkesat për grante janë shumëfish më të mëdha sesa buxheti që e ka në dispozicion Ministria e Bujqësisë për këtë formë të përkrahjes. Ai fton të gjithë fermerët që të aplikojnë, ndërsa thotë se do të ketë vlerësim korrekt nga komisionet përkatëse dhe në rast se ndonjë fermer është i pakënaqur me vlerësimin, e ka mundësinë të shkojë në AZHB dhe ta shohë për së afërmi dosjen e tij dhe pikët që i ka fituar në aplikacionin e tij.

play

Në këtë intervistë kryeshefi i Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë Ekrem Gjokaj tregon se kush mund të aplikojë për grante, cilat kritere duhet të plotësohen dhe për të gjithë hapat që duhet të ndjekë një fermer për të përfituar grant si dhe arsyet e refuzimit të projekteve. Ai flet edhe për monitorimin e implementimit të granteve dhe dështimet të disa projekteve. Gjokaj flet edhe për ndikimin ekonomik që kanë pasur grantet dhe subvencionet, pasi që në vazhdimësi ka pasur kritika nga ekonomistët dhe sindikata e bujqve lidhur me ndikimin ekonomik të këtyre investimeve.