English
Scroll top

Mikro-milionerët

Ligji për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, u mundëson këtyre të fundit që të transformohen në bankë apo të investojnë deri në 25 për qind të aksioneve. Këtë ligj e kundërshtojnë mbi 50 OJQ, pasi që sipas tyre ky ligj u mundëson këtyre IMF-ve që të gjitha donacionet dhe paratë e krijuara si profit t'i investojnë pas transformimit, ndërsa hedhin dyshime edhe për mundësinë e shpëlarjes së parave. Sipas drejtuesve të disa OJQ-ve, këto para nuk duhet të investohen pasi që janë...

Prishtinë, 22 Janar 2013

Institucionet mikrofinanciare (IMF) që veprojnë në Kosovë, do të kenë mundësi që të përfitojnë edhe më shumë sesa që janë duke përfituar aktualisht. Këto institucioneve mikrofinanciare kanë filluar veprimtarinë e tyre përmes donacioneve të ndryshme në emër të ndihmës për qytetarët e varfër të Kosovës. Por që nga 12 prilli i vitit 2012, Ligji për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, u mundëson këtyre IMF-ve që të transformohen në bankë apo që në një bankë të kenë deri në 25 për qind të aksioneve.

Tashmë institucionet mikrofinanciare janë duke e shqyrtuar me seriozitet këtë mundësi që u jep ky ligj që të shndërrohen në banka, ku do t’i mundësohet që të pranojnë edhe depozita, e jo të japin vetëm kredi, siç kanë funksionuar deri më tani.

Raportet vjetore të BQK-së, tregojnë për luhatje të lehta por me një rritje të vazhdueshme të vlerës së IMF-ve. Sipas raportit të BQK-së, në gjysmën e parë të vitit 2012, vlera e përgjithshme e IMF-ve u zvogëlua për 4.1 për qind, duke rënë në 122.6 milionë euro, përderisa vlera e kredive të lëshuara deri në qershor të vitit 2012 ishte 102.6 milionë euro.

Vlera dhe kreditë e lëshuara nga IMF

- Në gjysmën e parë të vitit 2012, vlera e përgjithshme 122.6 milionë euro,

- Kreditë e lëshuara 102.6 milionë euro.

- Më 2011 vlera e kredive 115.2 milionë euro.

- Në qershor 2010, vlera e kredive 113.9 milionë euro.

- Në vitin 2009 vlera e përgjithshme e aseteve të IMF-ve 133.7 milionë euro,

- Shtator 2009,  kreditë lëshuara 108.8 milionë.

- Deri në shtator 2008 asetet e IMF-ve 99.0 milionë euro. Ndërsa, vlera e kredive të lëshuara arriti në         89.1 milionë euro.

Raporti i BQK-së

Në vitin 2011 vlera e portofolit te kredive të lëshuara nga IMF-të arriti në 115.2 milionë euro dhe shënoi rritje vjetore prej 1.2 përqind.

Ndërsa deri në qershor të vitit 2010, vlera e kredive të lëshuara nga IMF-të arriti në 113.9 milionë euro.

Në vitin 2009 vlera e përgjithshme e aseteve të këtij sektori arriti në 133.7 milionë euro,

që paraqet një rritje vjetore prej 35 për qind. Ndërsa, deri në shtator 2009, vlera e kredive të lëshuara arriti në 108.8 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 22 për qind.

Deri në shtator të vitit 2008 asetet e IMF-ve ishin 99.0 milionë euro. Ndërsa, vlera e kredive të lëshuara arriti në 89.1 milionë euro.

Miratimi i këtij ligji ka shkaktuar debate të shumta, sidomos në lidhje me pronësinë e aseteve, paratë që janë dhënë si donacione dhe ato që janë krijuar si profit gjatë këtyre viteve të veprimit, e për të cilat këto IMF nuk kanë paguar fare tatim.

Tendencë për shpëlarje parash

Ibrahim Rexhepi drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, thotë se debati që nxiti Ligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare nuk zbardhi problemin, por edhe më tej krijoi konfuzion dhe mospajtime të mëdha. Sipas tij, e tëra fokusohej vetëm në një pikë se kush është pronar i parasë që krijojnë mekanizmat jofitimprurës që veprojnë përbrenda sistemit financiar dhe si mund të bëhet shpërndarja e tyre, posaçërisht kur është e qartë se sipas ligjit, ato nuk mund të mbajnë fonde të krijuara nga fitimi e as të paguajnë dividendë.

"Këta mekanizma që kanë statusin e OJQ-së ishin lejuar të themeloheshin me qëllim që përmes huazimeve të vogla dhe investimeve në projekte të natyrës humanitare të ndihmonin popullatën për tejkalimin e pasojave të luftës. Më vonë ato ofruan edhe ndihmat e para me qëllim të nisjes së bizneseve, meqenëse kjo u pamundësohej nga bankat komerciale, të cilat nuk u jepnin para atyre që nuk kishin përvojë më të gjatë në biznes", thotë Rexhepi, duke shtuar se të gjitha këto para janë “dhuratë” nga donatorët e ndryshëm dhe asnjë ligj nuk lejon përvetësimin, por ato vazhdimisht duhet të qarkullojnë kryesisht për qëllime humanitare, që sipas tij ky kriter që nuk po respektohet, meqenëse këta mekanizma ofrojnë kredi të ndryshme me kamata shumë më të larta se bankat komerciale.

Rexhepi thotë se me rastin e likuidimit vullnetar apo të detyrueshëm, kapitali i mbetur duhet të shpërndahet për qëllime bamirësie në Kosovë dhe në rast se këtë nuk e bëjnë themeluesit, atëherë shpërndarja e kapitalit bëhet sipas planit të miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës dhe se gati kriter i njëjtë vlen edhe për OJQ-të që duan të transformohen në bankë.

"Kapitalin duhet t’ua kthejnë dhuruesve ose ai do të shpërndahet sipas planit që miraton BQK-ja. Në të dyja rastet paraqitet i njëjti problem. Pse BQK-ja duhet të ndërhyjë në shpërndarjen e parasë, meqenëse në këtë rast ajo në mënyrë indirekte paraqitet si pronare e këtij kapitali. Po ashtu, çka do të ndodhë me kapitalin që nuk është siguruar si donacion, por është marrë kredi me kushte të buta, i cili në Kosovë shitet me kamatë 5-6 herë më të lartë", theksoi Rexhepi.

Rexhepi thotë se tentimi që të ndryshohet mënyra e qarkullimit apo pronësia mbi paratë e dhuruara si donacion dhe si ndihmë për zbutjen e problemeve ekonomike e sociale të vendit nuk është asgjë tjetër pos shpëlarje e parasë.

"Si makinë për shpëlarje mund të jetë edhe buxheti, nëse paratë përfundojnë aty. Ndërsa ky rrezik mund të evitohet vetëm duke respektuar dispozitat e ligjit që kanë të bëjmë me shuarjen e OJQ-ve", u shpreh Rexhepi.

Për të kundërshtuar disa nga nenet e këtij ligji, mbi 50 OJQ përmes Avokatit të Popullit kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të pezullojë përkohësisht këtë ligj për shkak të dëmit të pariparueshëm që mund të krijojë zbatimi i tij në shoqërinë civile.

Këto OJQ konsiderojnë se nenet 90, 95 (1.6), 110, 111 dhe 116 te Ligjit për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jobankare, Nr. 04/L-093, shkelin nenin 44 [Liria e Asociimit], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], dhe nenin 10 [Ekonomia] të Kushtetutës, parimet ndërkombëtare të OJQ-ve jofitimprurëse dhe legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë që rregullon fushën e lirisë së asociimit të OJQ-ve.

Ligji Për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare në nenin 4 thotë se OJQ-ja nuk shpërndan të ardhura neto ose fitime për asnjë person; Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e një OJQ-je përdoren për të mbështetur qëllimet jofitimprurëse të përcaktuara për organizatën; Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e një OJQ-je nuk mund të përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtar, punonjës ose donatorë të OJQ-së, përveç pagesës apo kompensimit të arsyeshëm për personat që kryejnë punë për organizatën.

Ndërsa neni 21 i këtij ligji në paragrafin 3 thotë se "në rast të shuarjes ose çregjistrimit të OJQ-së, e cila ka shfrytëzuar lehtësi tatimore ose fiskale, donacione publike, ose grante nga qeveria, e gjithë pasuria e mbetur pas shlyerjes së borxheve të OJQ-së i jepet OJQ-së tjetër me qëllime të njëjta apo të ngjashme. Kjo OJQ identifikohet në bazë të statutit të OJQ-së, ose me propozim të organit më të lartë udhëheqës të OJQ-së. Ministria themelon Komisionin për Shpërndarjen e Pasurisë së mbetur të OJQ-së së shuar dhe të çregjistruar, me përfaqësues edhe të OJQ-ve, duke u bazuar në aktin nënligjor të nxjerrë nga Qeveria".

Duke marrë parasysh këtë ankesë të OJQ-ve, Gjykata Kushtetuese më 24 dhjetor të vitit 2012 ka marrë vendim që të pezullojë deri më 31 janar 2013 nenet: 90,95 (1.6),110,111 dhe 116.

Ligji nuk duhet të lejojë privatizimin e donacioneve

Sipas Ligjit për Bankat, Institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet Jobankare, Banka Qendrore e Kosovës ka përgjegjësi ekskluzive për licencimin/regjistrimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e bankave dhe të gjitha Institucioneve Mikrofinanciare dhe Institucioneve Financiare Jobankare.

Zëdhënësi i BQK-së Besnik Kada, thotë se Ligji në fjalë mundëson alternativat me parakushtet përkatëse për organizimin e IMF-ve si OJQ, Sh.a dhe nivelin e investimit në banka. Ai thotë se parakushtet për këtë përfshijnë kryerjen e obligimeve ndaj kapitalit të dhuruar dhe tepricës, të kryerjes së obligimeve kontingjente ndaj Administratës Tatimore për benefitet e grumbulluara në ushtrimin e së drejtës së statusit të përfituesit publik dhe shpërndarjen e kapitalit për qëllime bamirësie, siç është detajuar në ligj.

"Deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë nga asnjë OJQ për t'u shuar apo likuiduar dhe kjo bëhet sipas ligjeve në fuqi", ka thënë Kada. Ndërsa sa i përket donacioneve që kanë marrë OJQ-të, BQK nuk ka dhënë asnjë detaj edhe përkundër insistimit disa mujor të Preportr për të ditur se sa është shuma e tyre për secilën OJQ dhe nga kanë ardhur ato donacione.

Agron Demi nga Instituti GAP, thotë se në kohën e shqyrtimit dhe aprovimit e këtij ligji, ky institut e ka kundërshtuar këtë ligj pikërisht për shkak se le hapësira të gjera interpretimi. Sipas tij, pjesa më diskutabile ka qenë pjesa që ka të bëjë me institucionet mikrofinanciare, të cilat deri në fillim të këtij viti kanë funksionuar si organizata jo qeveritare, kurse tani rregullohen me ligjin për bankat.

"Ajo çfarë kemi kërkuar ne, ka qenë që Ligji për bankat të definojë se çdo institucion mikrofinanciar i cili dëshiron të shndërrohet në institucion bankar, duhet që fondet e grumbulluara t'i shpërndajë për sektorin e shoqërisë civile në Kosovë, ashtu siç e parasheh Ligji për Asociim në OJQ", thotë Demi.

Ai thotë se ky ligj krijon një lloj të ri të OJQ-ve, siç i quan OJQ mikrofinanciare, por sipas Ligjit për Asociim në OJQ, në Kosove ekzistojnë OJQ të themeluara si shoqata ose fondacione, por jo OJQ mikrofinanciare dhe kjo krijon mundësi të shumta interpretimi.

"Ajo çfarë mund të ndodhë në vitet në vazhdim është se institucionet mikrofinanciare, të cilat në emër të mbështetjes se bujqësisë dhe popullatës se papunësuar, kanë grumbulluar kapital të shumtë financiar, do të aplikojnë për licencë bankare. Dhe Ligji aktual, lejon hapësirë të tillë për transformim", theksoi Demi.

Të kujt mbesin paratë?

Një çështje shumë e diskutuar në këtë ligj është pronësia e donacioneve, profitit të krijuar përmes tyre dhe aseteve në përgjithësi. Për t'u shndërruar në bankë apo aksionarë, institucionet mikrofinanciare duhet që të shuhen, e që nënkupton se edhe kapitali i tyre që e kanë marrë si donacion dhe profiti duhet të shpërndahet, pra të mos investohen.

Por se çka do të ndodhë me këto para nuk e dinë as disa nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës. Albana Fetoshi, anëtare e këtij komisioni, thotë se gjatë gjithë diskutimeve që janë bërë për çështjen e pronësisë dhe investimit eventual të këtyre parave, nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete nga sponzorizuesi i këtij ligji që është Ministria e Financave, se si është e rregulluar saktësisht kjo çështje dhe pse është paraparë ky ligj të miratohet si i tillë.

Preportr ka kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Financave për të sqaruar këto çështje, por nuk na është mundësuar asnjë takim.

Preportr ka kontaktuar disa institucione mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë, por përveç drejtuesve të "Finca", (e cila ka degë në 21 vende, e që selinë e ka në Washington) asnjë tjetër nuk ka pranuar që të takohet apo të përgjigjet në këto pyetje rreth pronësisë dhe investimit eventual të këtyre mjeteve.

Keith Sandbloom drejtor ekzekutiv në "Finca" dega në Kosovë, thotë se kjo çështje nuk është rregulluar si duhet përmes ligjit në fjalë. Sandbloom thotë se "Finca" është duke i shqyrtuar  të gjitha mundësitë që i ofron ligji i ri për OJQ-të mikrofinanciare. Por ai thotë se ky ligj nuk është shumë i qartë dhe nuk jep shpjegime për disa raste që kanë të bëjnë me pronësinë dhe donacionet.

"Çfarëdo që vendosim të bëjmë, do ta bëjmë në përputhje me rregulloret e secilit vend, por në disa aspekte ligji për IMF-të nuk na tregon se çfarë duhet të bëjmë. Çdo institucion mikrofinanciar ka situata të ndryshme. Disa janë OJQ të regjistruara lokalisht, e disa tjera janë degë të OJQ-ve ndërkombëtare. Disa prej tyre kanë gjeneruar profit e disa jo, pra ka situata të ndryshme dhe ligji nuk ofron udhëzime të caktuara për secilën prej situatave", thotë Sandbloom.

Ai thotë se nuk i ka të gjitha përgjigjet në interesimet tona se kush do të mbetet pronarë i mjeteve që kanë qenë donacione dhe parave që janë krijuar si profit gjatë këtyre viteve nëse vendosin që të transferohen në bankë.

"Çdo kontribut vjen me dokumentacionin e tij dhe disa kontrata janë të qarta kur shkruhen se këto para duhet të përdoren për këtë arsye dhe pasi të përfundojë misioni përcaktohet se çka të bëhet me ato para", theksoi Sandbloom.

Ai thotë se nëse një OJQ është lokale dhe vepron vetëm në këtë vend dhe nëse ajo OJQ ka pranuar donacione, ato donacione janë vetëm për t'u përdorur brenda Kosovës. "Nëse keni vetëm një degë të një OJQ-je, ndërkombëtare siç është "Finca" tash varët a janë bërë këto donacione për Kosovën apo për organizatën amë, pasi që në rastin tonë "Finca" vepron në 21 vende të botës dhe këto gjëra juridike nuk janë të shtjelluara në ligjin e ri".

Ndërsa sa i përket çështjes së investimeve eventuale në ndonjë bankë, se a do të investohet me para që kanë dhënë donatorët apo që janë krijuar si profit, Sandbloom thotë se nuk ka vetëm një përgjigje në këtë çështje. Sipas tij,  ka dallim të fondeve, pasi që disa janë për të bërë diçka specifike në Kosovë, për të zhvilluar projekte të caktuara.

Ai thotë se këto para do të duhej të qëndronin në Kosovë, pasi që sipas tij, nga kthimi i tyre tek donatorët Kosova nuk përfiton asgjë. "Nga ajo si ne e kuptojmë ligjin, varet nga mënyra se si janë marrë ato burime. Ligji i bankave e thekson një gjë, që thotë se disa prej donacioneve duhet t'i kthehen donatorit që i ka dhënë. Çka do të ndodhë me ato donacione kur të kthehen? A do të investohen në Kosovë si aksione mikrofinanciare apo në shoqëri aksionare? Apo do t'i kthehen donatorëve dhe ato kurrë nuk do të kthehen në Kosovë. Ne jemi duke kërkuar një përgjigje se si këto para do të qëndrojnë në Kosovë, sepse nëse këto para shkojnë jashtë vendit Kosova nuk fiton asgjë", theksoi Sandbloom.

Paratë nuk duhet t'i kthehen donatorit

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se donacionet kanë ardhur për t'i ndihmuar popullatës dhe me Ligjin për Lirinë e Asociimit, ato nuk duhet që t'i kthehen donatorit, por t'i shpërndahen OJQ-ve që kanë mision të njëjtë.

Ai thotë se të gjitha OJQ-të pavarësisht se a janë degë të ndonjë OJQ-je amë duhet që të regjistrohen në Kosovë dhe të veprojnë konform ligjeve të Kosovës. Sipas tij, është skandaloz fakti që me ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciar dhe Institucionet Financiare Jobankare, po tentohet që këtyre OJQ-ve t'u mundësohet transformimi i kapitalit dhe ndërrimi i subjektivitetit juridik, kur dihet se ligji për Lirinë e Asociimit në OJQ, e ka rregulluar shumë qartë se një OJQ, mund të shuhet dhe asesi të transformohet në bankë apo institucionet tjetër.

"Aktivitetet që i kanë bërë deri më tani këto IMF, në shumicën e rasteve kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për Lirinë e Asociimit, dhe nga ana tjetër kanë shfrytëzuar të gjithat privilegjet dhe të drejtat që ju ofron ky ligj si OJQ, dhe me këtë kanë dëmtuar edhe konkurrencën në tregun bankar", thotë Selmanaj.

Ai thotë se pavarësisht se si kanë vepruar  deri më tani IMF-të, i  gjithë ky  kapital, përfshirë edhe asetet, në asnjë rast nuk guxojnë të “privatizohen” apo t'i kalojnë personave privat, por ato duhet t'i nënshtrohen dispozitave ligjore që parasheh Ligji për Lirinë e Asociimit në OJQ dhe parimet universale të lirisë se asociimit, të cilat kanë përcaktuar qartë se qëllimi i OJQ-ve, është përfitimi i publikut e asesi përfitimi i një individi apo një rreth i ngushtë të tyre, e aq më pak të atyre që kanë menaxhuar këto OJQ.

IMF-të që veprojnë në Kosovë ishin shumë të rezervuara në dhënien e përgjigjeve në lidhje me paratë që kanë marrë si donacion dhe profitin që e kanë krijuar përmes tyre.

Institucioni mikrofinanciarë "KEP Trust", ka dhënë përgjigje të kufizuara në lidhje me këtë çështje. Edhe përkundër insistimit të Preportr që të takohet me drejtuesit e KEP-it për të sqaruar këto çështje, kjo nuk është mundësuar.

Arta Haxha, zyrtare për marrëdhënie me publikun, ka thënë se KEP është duke shqyrtuar opsionet që i lejon ligji i ri për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo-bankare, por nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në lidhje me donacionet, shpërndarjen eventuale të tyre në rast të shuarjes, pronësinë etj.

"Ne jemi në fazat fillestare të eksplorimit të opsioneve të ndryshme në bazë të dispozitave të ligjit të ri", ka thënë Haxha.

Mustafizur Rahman, drejtor ekzekutiv i "Kosovo Grameen Missione Arcobaleno Microcredit Fund (KGMAMF)", thotë se ky institucion mikrofinanciarë filloi të veprojë në Kosovë në qershor të vitit 2000 për të ndihmuar njerëzit e prekur nga lufta për të ndërtuar jetën e tyre përmes implementimit të një programi të qëndrueshëm të mikrokredive përmes qasjes në Grameen Bank.

"Me qëllim për të ndihmuar popullin e Kosovës të prekur nga lufta, Misioni "Arcobaleno", ka dhënë 4 milionë e 83 mijë dollarë  për "Grameen Trust" për të ngritur një program të mikrokredive në Kosovë", thotë Rahman.

Gjithashtu edhe Rahman nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me shndërrimin eventual të këtij institucioni mikrofinanciarë në aksionarë apo bankë dhe për pronësinë e këtyre donacioneve nëse vendoset për një gjë të tillë.

Ndërsa institucioni tjetër mikrofinanciarë "Besëlidhja" (BZMF) nuk ka pranuar të japë asnjë përgjigje për këtë çështje.