English
Scroll top

Marketing me varfërinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli në kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet nacionale të vitit 2007 u kishte premtuar dy familjeve kosovare ndërtimin e shtëpive. Këtë premtim Pacolli nuk e mbajti. Familjet ndihen të shfrytëzuara pasi në kohën kur kishin marrë premtimin për ndërtimin e shtëpive ishin anëtarësuar në partinë e Pacollit

19 Dhjetor 2012

Beqir Mërnicës i ishte premtuar me datën  5 tetor të vitit 2007 se shtëpia e djegur nga serbët në veri të Mitrovicës do t’i ndërtohej. Premtimin e bëri, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli në cilësinë e  kryetarit të fondit humanitar me emrin e tij. Madje Mërnica e Pacolli nënshkruan edhe një kontratë. Me këtë rast Pacolli u zotua se do t’i ndërtonte dy shtëpi; atë për familjen e Beqir Mërnicës, si dhe një për fqinjin e të tij, Hadi Rakotelit. Këta përfitues në pritje të shtëpive, në atë kohë u bënë edhe anëtarë të AKR-së.

Kontrata u nënshkrua në Prishtinë, në prani të medieve. “Fondacioni ‘Behgjet Pacolli’ për arsye thjesht humanitare merr përsipër renovimin e shtëpisë 180 m2 në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, shkruhet në këtë kontratë. (doc1. Kontrata)

Kështu ka ndodhur edhe me kontratën me familjen Rakoteli. Por shtëpitë ndërkaq nuk u ndërtuan kurrë.

“Ne për ta marrë premtimin për ndërtim të shtëpisë u bëmë edhe anëtarë të AKR-së atë kohë por kjo nuk na ka ndihmuar që Pacolli t’u përmbahet premtimeve dhe kontratës që ka nënshkruar edhe para medieve” (doc 2, dhe 3 raportimi i gazetave) thotë Iskender Mernica, biri i Beqir Mërnicës i cili ishte nënshkrues i kontratës.

Me kontratë ata obligoheshin që të jetonin aty të paktën 10 vjet. Këtë rrezik e kishin marrë në sy, tregon Iskenderi.

“Kur kemi shkuar bashkë me Pacollin, për ta parë vendin dhe shtëpinë e djegur, serbët na janë ofruar. Pacolli ka urdhëruar njerëzit e tij që të ktheheshim që të gjithë”, shpjegon Mërnica.  Më pas, ai shton se ky ka qenë momenti i fundit kur fondacioni “Behgjet Pacolli” është interesuar për ta.

“Pacolli na tha se këtu (veri) nuk paska  siguri ndaj s’mund të fillojmë ndërtimin”, shpjegon ai duke shtuar se kërkesa e menjëhershme e tyre ka qenë që shtëpitë t’u ndërtohen në jug të Mitrovicës.  “Kur familjet tona i kanë kërkuar këtë ata iu kanë thënë se nuk kanë kontratë për jug dhe nuk janë të obliguar për këtë”, shton Mërnica.

Mërnica thotë se pasi kishin dalë në televizion se ishin përfitues të  një shtëpie nga ana e Pacollit, askush pas këtij akti nuk i ka ndihmuar më. “Të gjithë ishin të sigurt se Pacolli po na ndihmon se premtimi ishte publik, më askush nuk kujdesej për ne”, kujton Mërnica.

Historinë e njëjtë e shpjegon edhe Erhan Rokateli, i biri i të ndjerit Hadi Rokateli që ka qenë nënshkrues i kontratës bashkë me Pacollin.

“Ata fillimisht na kanë premtuar dhe vetë kanë insistuar që kjo të bëhet publike, pastaj kanë thënë se për arsye sigurie nuk e kanë ndërtuar, por as në jug që kishte siguri nuk kanë pranuar që të na e ndërtojnë një shtëpi”.

Të zhgënjyer nga kjo gjendje, të dyja familjet ishin ç’anëtarësuar nga AKR-ja.

Duke e konsideruar si shfrytëzim të tyre dhe shkelje të të drejtave të njeriut dhe kur kishin humbur çdo shpresë se do të fitonin shtëpinë e premtuar, dy vjet më vonë të dy familjet i ishin drejtuar zyrave të Avokatit të Popullit. Ky i fundit, nuk e kishte kosideruar këtë si shkelje të të drejtave të njeriut. (Doc 4 Avokati i popullit)

Këtu ishte ndalur edhe përpjekja e familjeve për të marrë atë që u ishte premtuar. Ata po ashtu, kishin shkëputur çdo raport me zyrtarë lokal dhe qendror të AKR-së.

Në AKR arsyetohen

Punëtorët e Pacolit thonë se Behgjet Pacolli është person që ka investuar me miliona për bamirësinë.

Kështu edhe premtimet për ndërtimin e shtëpive të familjes Mërnica dhe Rokateli vazhdojnë nga ata që janë të thirrur të flasin në emër të fondacionit të Behgjet Pacollit. ”Është e vërtetë se fondacioni Behgjet Pacolli ka nënshkruar marrëveshje me këta persona. Megjithatë, për shkaqe sigurie, në atë kohë, ngase dihet gjendja e sigurisë që ka ekzistuar në veri, kjo gjë nuk është realizuar. Por kjo nuk nënkupton që ai premtim bamirësie nuk do të mbahet” thotë këshilltari i Pacollit, Jetlir Zymberaj.

Megjithëse të dyja familjet thonë se për disa vjet Pacolli nuk ka premtuar që do t’ua ndërtojë shtëpitë në jug, ku është më sigurt, Zymberaj insiston se shtëpitë do të ndërtohet.

“Në aksionin e ndërmarrë nga Komuna e Mitrovicës për ndërtimin e shtëpive, në të cilën ka kontribuar z.Behgjet Pacolli me një numër mjetesh financiare, ne kemi kërkuar që të shikohet mundësia që këto dy familje të përfshihen në listën e njerëzve që do të përfitojnë shtëpitë. Meqënëse nuk gjenden në këtë listë, atëherë ne kërkojmë nga këto familje që të tregojnë vendin dhe shtëpitë do t`u ndërtohen ashtu siç u është premtuar”, thotë Zymberaj.

Ndërkaq, familjet insistojnë se vendin ua kanë treguar duke thënë kudo tjetër që është sigurt, por prej fondacionit “Behgjet Pacolli” nuk kanë pranuar ende asgjë.

Zyra e fondacionit të Pacollit ka ofruar për Preportr, një listë të të gjitha investimeve që ka bërë që prej themelimit të këtij fondi.  (doc 5, lista e fndacionit).

Kjo zyrë ndërkaq, për listën e fondacionit nuk ka pranuar që të ofrojë edhe transaksionet bankare të pagesave për këto aktivitete bamirësie.

Rasti i familjeve të Mitrovicës nuk është i vetmi premtim i Pacollit i bërë publikisht që nuk është mbajtur.  Ai para mediave derisa ishte i zgjedhur si president, i kishte premtuar familjes së Naim Bunjakut,  pagesën prej 300 eurosh nga paga e tij e presidentit prej 3,200 eurosh. KTV-ja në shtator të vitit 2011 kishte raportuar se kjo pagesë nuk ishte ekzekutuar as në muajin e parë kur ai e kishte marrë pagën e plotë si president. Bunjakut i ishin ofruar vetëm 100 euro pasi ai kishte insistuar në zyret e AKR-së, në zyret e Kryeministrisë dhe te vetë shtëpia e Pacollit, që t’i merrte paratë e premtuara. Pasi fondacioni i kishte dhënë 100 euro, ai nuk ka marrë më mjete të tjera. Për pagën e zëvendëskryeminsitrit në AKR thonë se ajo u mbetet institucioneve, Pacolli nuk e merr.

Ndërkaq, Bunjaku ishte shprehur i zhgënjyer dhe i shfrytëzuar kur dikush në pushtet përfiton prej mjerimit të familjes së tij.