English
Scroll top

Llumenjtë e Institucioneve

Lumenjtë në Kosovë mbeten shumë të ndotur. Vazhdojnë të shoqërohen nga mbeturinat dhe kanalizimet (e patrajtuara). Vazhdojnë të ndjellin neveri me pamjen e tyre: nuk janë lumenj që zbukurojnë por që shëmtojnë vendet ku ndodhen. Dhe përveç kësaj, këta lumenj mbajnë rrezik të lartë për shëndetin e njerëzve

21 Maj 2015

Lumenjtë në Kosovë mbeten shumë të ndotur. Vazhdojnë të shoqërohen nga mbeturinat dhe kanalizimet (e patrajtuara). Vazhdojnë të ndjellin neveri me pamjen e tyre: nuk janë lumenj që zbukurojnë por që shëmtojnë vendet ku ndodhen. Dhe përveç kësaj, këta lumenj mbajnë rrezik të lartë për shëndetin e njerëzve.

Cili është trajtimi që lumenjtë marrin nga njerëzit dhe institucionet përgjegjëse në Kosovë?

Gazeta Preportr ka vizituar prapë disa prej lumenjve për të parë nëse kishte ndryshime në terren. Rezulton se nuk ka asnjë ndryshim evident.

Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, AMMK (Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës) është përgjegjëse për përllogaritjen e dëmeve që i shkaktohen mjedisit nga ndotja e lumenjve. Ndërsa IHMK(Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës) shërben për monitorimin e ujërave.

AMMK ka përpiluar një raport në vitin 2010 për ndotësit e ujërave në bashkëpunim me REC (Regional Environmental Center) dega në Kosovë. Aty janë ndarë ndotësit kolektivë dhe ndotësit e veçantë. Te ndotësit kolektivë hyjnë të gjitha vendbanimet me më shumë se 50 shtëpi me kanalizim të organizuar apo gropa septike të përbashkëta. Sipas Raportit, ndotësit e veçantë janë operatorët e ndryshëm biznesor që shkarkojnë ujërat e ndotura pa trajtim paraprak.

Që në faqet e para të këtij raporti kemi të bëjmë me një qasje joserioze dhe joprofesionale. Fillimisht hasim treguesin e gabueshëm të faqeve në përmbajtje(prej kapitullit “Regjioni i Prishtinës” që figuron numër 23 dhe është në faqe 25, të gjitha faqet e tjera janë të treguara gabim).

Sipas raportit janë 266 ndotës kolektiv në mbarë Kosovën ndërsa 102 ndotës të veçantë.

Ndotësit më të mëdhenj kolektiv janë qytetet. Qyteti më i madh, Prishtina zë vendin e parë ndër ndotësit e tjerë. Sipas regjistrimit të popullsisë nga ASK-ja, Prishtina i ka 198,897 banorë ndërsa në këtë raport thuhet që janë 448,212 banorë në Prishtinë që kontribuojnë në ndotjen e lumenjve. Megjithëse në atë kohë nuk ishte e regjistruar popullsia, kjo dëshmon sesa larg prej shifrës reale ishte ajo që u prezantua në raport. Saktë 249,315 banorë më shumë e ndotin Prishtinën sipas këtij raporti. Ky është vetëm një shembull (krahaso edhe vendbanimet e tjera me regjistrimin e ASK-së) për të treguar se faktikisht numri i banorëve është shkruar kryesisht në bazë të përshtypjeve personale nga zyrtarët komunal. Brenda raportit, në këto vendbanime gjejmë edhe shumë shifra fikse të numrit të banorëve.

Prizreni 185,600 banorë fiks. Hoqa e qytetit 5000. Zhuri 9500. Suhareka 15 000. Dragashi 3000. Hajvalia 6000. Podujeva 43 000. Fushë Kosova 55 000 e tjera.

Një trajtim mjaft të cekët marrin edhe ndotësit individual. Raporti ka evidentuar 102 ndotës individual por nuk flet për asnjërin prej tyre në veçanti. Kur flitet për ndotësit individual përshkruhet aktiviteti ekonomik në regjionin e caktuar dhe ku bëhen ndotjet më të mëdha. Në listën e ndotësve individual tregohej vetëm emri i ndotësit (dhe atë i paplotë, pa parashtesat e nevojshme ekonomike), veprimtaria (po ashtu e paplotë) dhe vendi ku bëhej shkarkimi i mbeturinave. Nuk shkruhej emri i pronarit ose i përgjegjësit të operatorit ekonomik, as adresa apo diçka tjetër. Kjo mungesë informacionesh e bëri të pamundur kontaktin me këto kompani. Shumë prej tyre ishte e vështirë të gjendeshin në ARBK (Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë) shkaku që kishte shumë biznese me emër të njëjtë, qytet të njëjtë e veprimtari të njëjtë. Disa prej këtyre operatorëve nuk u gjetën as si të regjistruara në agjenci.

Qendra Regjionale për Mjedis REC, zyra në Kosovë, ka implementuar një projekt të financuar nga Qeveria e Norvegjisë në vitin 2010 e i cili ka pasur për qëllim të ndihmoj MMPH-në, në përgatitjen e një kadastri fillestar të ndotësve, kuptohet jo të gjithë ndotësve  Avdullah Nishori bashkëpunëtor në raport.

Pra, nuk kemi të bëjmë me një raport që ka evidentuar të gjithë ndotësit individual. Këtu kemi vetëm një pjesë të ndotësve. E madje, nuk e dimë as cilën pjesë. Ose as sa ndotës tjerë kanë mbetur jashtë këtij raporti. Madje, nuk e dimë pse “kuptohet” që nuk duhet të jenë të gjithë ndotësit siç thotë zotëri Nishori. Ky i fundit, ka thënë për gazetën se të dhënat e Raportit për ndotësit janë marrë nga zyrtarë komunal dhe ata të Ministrisë së M.P.H.-së.

Të gjitha të dhënat në raport janë marrë nga zyrtarë komunal apo ata të Ministrisë dhe dokumente zyrtare të asaj kohe kur ende nuk kishte ndodhur regjistrimi – ka thënë Avdullah Nishori.

Ne nuk kemi ndonjë informatë nëse është proceduar hetim për këto kompani ose nëse janë gjykuar e kanë marrë dënime për veprën joligjore që bëjnë (ndotjen e lumenjve) dhe se cilat janë ato gjykime. Kontaktimi i institucioneve përgjegjëse ka qenë i pamundur. Por siç tregon zotëri Nishori përditësimi i databazës nuk ka qenë përgjegjësi e REC, por e Ministrisë respektivisht AMMK-së.

Veç kësaj, gazeta Preportr ka mësuar që të paktën 20 prej kompanive që ndotin lumenjtë janë të lidhura në një mënyrë a tjetrën me politikën. Kjo natyrisht se i bën më të shpenguara në kryerjen e veprimeve të tyre.

Si në rastin e ilustruar me fotografinë sipër ndoten edhe lumenjtë e tjerë në Kosovë. Zgjidhja e këtij problemi sipas AMMK-së është në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Deri më tash, Kosova e ka vetëm një të tillë.

Zyrtari për informim në MMPH, Fadil Maxhuni thotë se “MMPH ka hartuar studimet e fizibilitetit për ujëra të zeza për qytetet Prizren, Pejë, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj (Impianti në Skenderaj i ndërtuar – funksional). Në Prizren ka shenja pozitive për ndërtimin e tij viteve në vijim Por nuk duhet harruar se kostoja financiare është shumë e lartë për të ndërtuar gjithë këtë infrastrukturë prandaj edhe disa kohë kjo do të jetë sfidë”.

Pra, ministria potencon koston e lartë financiare për ndërtimin e këtyre impianteve. Por nuk merret parasysh kostoja shëndetësore që godet qytetarët e Kosovës. Kosto kjo që mund  të jetë shumëfish më e lartë sesa financiarja.

Ministria nuk ka bërë matje të sakta për dëmet që i shkaktohen shëndetit të qytetarëve dhe potencimi i kostos së lartë për impiantet duket shumë joserioz kur kemi parasysh që nuk ka përllogaritje të dëmeve shëndetësore dhe krahasimit të këtyre dëmeve me koston financiare. Kjo dëfton sesi e gjithë qasja institucionale për ujërat dhe lumenjtë është joserioze.

Megjithëse problemi i kanalizimeve duket paksa i pashpresë ajo që mund të bëhet më së lehti është pastrimi i tyre nga ndotjet e ngurta të hedhura nga vet qytetarët e vendit. Natyrisht, këtu do të duhej të inicioheshin edhe kampanja vetëdijësuese për lumenj më të pastër, të paktën sipërfaqësisht. Fotografia që shohim më lart e dëshmon formimin e një kulture shumë negative për hedhjen e mbeturinave në lumenj. Kosova nuk ka lumenj por llumenj.

Një tjetër problem i rëndësishëm është edhe mos-rregullimi i shtrateve të lumenjve që jep pamje më të shëmtuar. Nëse do të bëhej, kultura e keqe për hedhjen e mbeturinave do të zbehej. Lumi do të dukej më bukur dhe kjo do të ishte një masë preventive për lumenjtë.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka ndërmarrë asnjë hap përmbajtjesor në përmirësimin e gjendjes së lumenjëve në vitet e fundit. Vet raporti për ndotësit e ujërave, si i paplotë dhe joserioz e dëfton mënyrën sesi i qasen përgjegjësit çështjes së lumenjve. Çdo investim kapital në lidhje me pastrimin e lumenjve apo edhe rregullimin e shtratit të tyre ndërmerret kryesisht pas granteve të ndërkombëtarëve.

Mund të konstatojmë që institucionet vendore nuk kanë interesa serioze në përmirësimin e gjendjes së lumenjve. Prandaj, kemi të bëjmë me monitorime joserioze, raportime joserioze dhe në fund me veprime konkrete joserioze.

Opinioni publik duhet ta ketë të qartë se për çdo vit më shumë njerëz vdesin në botë nga uji i papastër sesa nga luftërat (dhe format e tjera të dhunës). Vetëm uji i papastër dhe joadekuat shkakton 3,1% të vdekjeve në mbarë botën, ose 1,7 milion vdekje në vit. Pra, një popullsi sa e Kosovës vdes çdo vit nga ky shkak. Dhe natyrisht, vdekje (dhe sëmundje) nga uji i papastër ka edhe në Kosovë. Por, siç thamë më lartë nuk ka asnjë përllogaritje lidhur me dëmet reale që kjo dukuri (ndotja e lumenjve) po i shkakton vendit tonë.