English
Scroll top

Keqplanifikimi që dështoi ndërtimin e kolektorit në lagjen Kalabria

Komuna e Prishtinës kishte nënshkruar kontratë me tre operatorë ekonomikë për ndërtimin e kolektorit pa i zgjidhur fillimisht kontestet pronësore. Kjo ka ndikuar që punimet të mos realizohen tash e dy vite. Pasojat e këtyre zvarritjeve po i vuajnë banorët e asaj lagjeje, të cilët përballen në përditshmëri me kundërmimin që vjen nga lumi

Prishtinë, 10 Qershor 2019

Një tabelë e vendosur afër Lumit Mat në lagjen Kalabria ku shkruhet se punimet për ndërtimin e kolektorit do të fillojnë me 31 mars 2017 dhe do të përfundojnë brenda gjashtë muajve, ka gëzuar banorët e kësaj lagje, të cilët shpresuan se do të eliminohet njëherë e mirë kundërmimi i tmerrshëm që del nga ky lum. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite, punët nuk janë kryer, ndërsa tabela ka mbetur aty.

Ndërtimi i kolektorit deri më tani ka dështuar. Sipas raporteve të Komunës së Prishtinës, këto ngecje kanë ndodhur për shkak të kontesteve pronësore që ende nuk janë zgjidhur dhe moskryerjes se punëve nga punëkryesit.

Ky projekt ka kosto prej 1 milion e 696 mijë euro. Kontratën e kanë fituar kompanitë Jehona sh.p.k, Arhiko dhe Beni Construction.

Mosrealizimi i këtij projekti po i dëmton më së shumti qytetarët. Mijëra banorë të kësaj lagjeje përballen për çdo ditë me një kundërmim të rëndë që shkaktohet nga lumi i cili përshkon këtë lagje.

Problemi i kundërmimit është shumë shqetësues sidomos gjatë muajve të nxehtë të verës. Disa nga banorët kanë thënë për Preportr, se kur temperaturat janë të larta nuk munden as dritaret t’i hapin nga kundërmimi që shkakton ky lum. Atyre nuk u interesojnë shumë as procedurat e prokurimit, të menaxhimit të kontratës, e as kontestet pronësore. Ata duan që komuna të gjejë zgjidhje për të ndërtuar kolektorin.

play

Komuna e Prishtinës kishte nënshkruar kontratë me tre operatorë ekonomikë për ndërtimin e kolektorit pa i zgjidhur fillimisht kontestet pronësore. Kjo ka ndikuar që punimet të mos realizohen tash e dy vite. Pasojat e këtyre zvarritjeve po i vuajnë banorët e asaj lagjeje, të cilët përballen në përditshmëri me kundërmimin që vjen nga lumi

Ramadan Selimi, banor i kësaj lagjeje thotë se për shkak të kundërmimit është shumë e vështirë të jetohet aty. Ai thotë se e gjithë lagja përballet me këtë problem dhe pasojat mund të bartën më së shumti tek fëmijët, pasi që ata dalin të lozin në ambientet që janë afër lumit.

“Të gjitha ndyrësirat e Prishtinës vijnë dhe grumbullohen këtu. Problemi më i madh është verës gjatë ditëve të nxehta, sidomos në muajt korrik dhe gusht është një ajër shumë i keq. Për këtë arsye as dyert dhe dritaret nuk mund t’i hapim”, thotë Selimi.

Ai thotë se duke u përballur që një kohë të gjatë me këtë problem, në njëfarë mënyrë janë mësuar me ajrin e keq, “por mysafirët të cilët vijnë apo të tjerët që nuk jetojnë në këtë lagje, shpeshherë bëjnë pyetje se si mund të jetohet këtu?”

Të gjitha ndyrësirat e Prishtinës vijnë dhe grumbullohen këtu. Problemi më i madh është verës gjatë ditëve të nxehta, sidomos në muajt korrik dhe gusht.

Ramadan Selimi, banor i lagjes Kalabria

Selimi thotë se Komuna e Prishtinës shpeshherë ka premtuar që këtë kanal do ta mbyll, ndërsa bënë thirrje që të marrin masa për ta rregulluar këtë problem.

“Ata po thonë se është kontest pronësor, mirëpo këtë problem është dashtë ta zgjidhin, sepse edhe nëse ka kontest pronësor banorët nuk i kanë fajet”, thotë Selimi.

Komuna dhe punërkryesit jotransparent

Preportr që nga data 2 maj i këtij viti ka bërë kërkesë në zyrën për informim të Komunës së Prishtinës për të na mundësuar një intervistë me drejtorin e urbanizmit apo ndonjë zyrtar që mund të prononcohet për këtë çështje si dhe ka kërkuar qasje në kontratën që është nënshkruar me operatorët ekonomikë. Por edhe pas disa kontakteve me zyrën për informim, deri më tani nuk na është mundësuar qasja në këto informacione.

Preportr ka tentuar për disa ditë të kontaktojë tri kompanitë që e kanë fituar këtë tender. Në kompanitë Arhiko dhe Beni Construction kanë thënë se për këtë çështje duhet kontaktuar me kompaninë Jehona sh.p.k. Por edhe pas shumë përpjekjeve, kjo kompani nuk ka qenë e qasshme. Të gjithë numrat që i kemi gjetur në rrjetet sociale, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe në njoftimet për dhënie të kontratave në KRPP, kanë qenë të paqasshme. Pyetje i janë dërguar edhe përmes emailit rrjetit social Facebook, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe nuk na është dhënë asnjë kontakt.

Mosgatishmëria e Komunës së Prishtinës dhe e kompanive që e kanë fituar kontratën për të na dhënë informacione për këtë projekt, lë të paqarta shumë detaje rreth vazhdimësisë së këtij projekti dhe arsyeve të ngecjeve.

Në raportet mujore të publikuara nga Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave e Komunës së Prishtinës, thuhet se punët nuk janë kryer për shkak të kontesteve pronësore dhe moskryerjes së punëve nga operatorët ekonomikë.

Në bazë të këtyre raporteve për vitin 2018, deri në muajin shtator 2018 arsyet e mosvazhdimit të punimeve kanë qenë problemet pronësore. Ndërsa në muajin tetor e tutje thuhet se punimet nuk kanë vazhduar edhe për shkak të neglizhencës së punëkryesit. Në raportin e muajit nëntor thuhet se “ka filluar procedura në shkëputje të kontratës, si rezultat i neglizhencës së punëkryesit për të vazhduar punimet në segmentet e trasesë ku nuk ka pasur probleme pronësore”. 

Në raportet në fjalë përmendet se 209 mijë e 256 euro janë situacionet e paguara në vitin 2017 për punëkryesit.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës i publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), ndërtimi i kolektorit betonarme për largimin e ujti atmosferik dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi Lumin Mat në lagjen Kalabria përfshinë: Kolektorin betonarme për largimin e ujit atmosferik në rrugën mbi lumin Mat në lagjen Kalabria (punët përgatitore, punimet e dheut, punët e betonit, punët e armimit, hidroizolimi) dhe ndërtimi i kanalizimit fekal (ujërave të zeza). Ndërtimi i kolektorit betonarme është paraparë të ndërtohej në gjatësi prej 850 metra, ndërsa ndërtimi i kanalizimit fekal në gjatësi prej 2x850 metra.

“Keqplanifikim dhe keqmenaxhim nga Komuna e Prishtinës”

Qëndrim Arifi nga organizata INPO e cila monitoron punën e Komunës së Prishtinës, thotë se problemi i ndërtimit të kolektorit konsiston në dy çështje kryesore që kanë të bëjnë me keqplanifikim dhe keqmenaxhim nga Komuna e Prishtinës.

“Nuk është e kuptueshme me një logjikë të shëndoshë se si komuna hap tender apo bënë thirrje për lidhje të kontratës, kur nuk janë rregulluar problemet pronësore”, thotë Arifi.

Arifi thotë se duke u bazuar në monitorimet që i bëjnë kanë vërejtur mangësi të shumta nga komuna në menaxhimin e kontratave në përgjithësi, ku përfshihet edhe kontrata e kolektorit.

“Nuk ka një menaxhim cilësor të punëve, nuk dilet në terren për të shikuar paramasat që janë në kontrata. Pra ka një neglizhencë të autoriteteve komunale sa i përket menaxhimit të kontratave”, thotë Arifi.

Ai thotë se në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal për vitin 2019 komuna e ka sjellë si pikë të rendit të ditës një propozim vendim për fillimin e hartimit të një plani rregullues pikërisht në pjesën e kolektorit, dhe kur dihet se ky projekt ka dështuar, ndërsa tash përmes Kuvendit Komunal mundohet që me një plan rregullues të luaj me koeficientët pronësor, që të shikojë mundësinë e shkëmbimit të pronës komunale me pronë private. Sipas tij, kjo është mjaftë e vështirë dhe merr kohë.

Nuk është e kuptueshme me një logjikë të shëndoshë se si komuna hap tender apo bënë thirrje për lidhje të kontratës, kur nuk janë rregulluar problemet pronësore.

Qëndrim Arifi, INPO

Arifi thotë se edhe ajo pjesë e projektit që është realizuar deri më tani, është punë e dështuar dhe vështirë që një kompani tjetër do të pranojë ta vazhdojë atë punë, sepse aty është degraduar gjithçka dhe situata është edhe më keq sesa që ka qenë.

“Në mbledhjen e fundit të jashtëzakonshme të vitit 2018, Komuna e Prishtinës nga ky projekt ka larguar 700 mijë euro dhe i ka dedikuar për pagesën e borxheve për Pallatin e Rinisë. Kështu që është një vet dorëzim i komunës në këtë pjesë”, thotë Arifi.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka konteste gjyqësore me miliona euro me kompanitë që e kanë paditur atë për shkak të moszbatimit të kontratave. Ai mendon se në rastin e kolektorit, janë krijuar të gjitha kushtet që ajo kontratë të ndërpritet dhe në rast se ndodh kjo, është bazë e mirë juridike që komuna të paditet nga operatorët ekonomikë për shkak se nuk ka asnjë përgjegjësi për kontestet pronësore.