English
Scroll top

Kaubojët e Kosovës

Numri i plagosjeve nga armët e zjarrit ka shënuar rritje çdo vit. Derisa institucionet shëndetësore nuk kanë mandat ta dinë se nga çfarë armësh ndodhin ato, çuditërisht institucionet kosovare të sigurisë për numrin e armëve pa leje shërbehen ende me një raport të UNDP-së, i vjetër gati një dekadë. Mbi 20 mijë kosovarë të pajisur me leje per arme nga UNMIK-u i shndërruan në armbajtës pa leje dhe tani janë të licencuara dy biznese private për trajnime. Interesimi duket të jetë i ulët për këtë...

Prishtinë, 15 Nëntor 2012

Kosova është vend i rrezikuar nga armët pa leje. Ky është imazhi që të jepet po sa të zbresësh në Aeroportin e Prishtinës, përmes fushatës “Festo me zemër, jo me armë”. Kjo fushatë, por edhe të tjera si kjo me qëllim vetëdijesimi, nuk kanë ndikuar që të zvogëlohet numri i plagosjes me armë zjarri.

Preportr ka gjetur se numri i plagosjeve nga armët e zjarrit ka shënuar rritje çdo vit. Derisa në vitin 2009 ishin shënuar 75 raste të plagosjeve me armë zjarri, në vitin 2010 u shënuan 105 raste, ndërsa në vitin 2011 numri shkoi në 142 raste të plagosjeve. Drejtori i Klinikës së Emergjencës në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, ka thënë për Preportr, se deri në shtator të këtij viti, në këtë klinikë janë regjistruar katër raste të personave të vrarë me armë zjarri, ndërsa  janë trajtuar 74 persona të plagosur po me armë zjarri.

Derisa institucionet shëndetësore nuk kanë mandat ta dinë se nga çfarë armë ndodhin ato, çuditërisht institucionet kosovare të sigurisë për numrin e armëve pa leje shërbehen ende me një raport të UNDP-së, i vjetër gati një dekadë.

Po këto institucione, me një vendim, mbi 20 mijë kosovarë të pajisur me leje armeje nga UNMIK-u i shndërruan në armbajtës pa leje dhe tash janë licencuar poligonet e trajnimit “Katana”, dhe “Reload”, kjo e fundit është licencuar me 22.08.2012. Interesimi duket të jetë i ulët për këtë proces.

UNDP-ja para 10 vitesh: Kosova ka mbi 460 mijë armë pa leje

Ministria e Punëve ët Brendshme (MPB) ende i referohen një raporti për praninë e armëve pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës të hartuar UNDP-ja tash a gati dhjetë vite më parë. Në këtë raport të vitit 2003 thuhet se në Kosovë janë rreth 330.000-460.000 armë të vogla në duar të qytetarëve.

Po sipas këtij raporti, gjeografikisht, armët e vogla mbizotërojnë në zonat rurale dhe gjysmërurale më shumë sesa në qendrat urbane. “Ndonëse armët e vogla janë nga natyra të lëvizshme, duket se ato janë të përqendruara kryesisht në rajone si Mitrovica dhe Peja. Armët e vogla kryesisht mbahen brenda në shtëpi, në vende të fshehta, ose të janë të “varrosura” diku afër shtëpisë. Burimi primar i armëve për në Kosovë është Serbia (pistoletat e prodhimit Jugosllav dhe relativisht të shtrenjta) si dhe Shqipëria (pushkët e sulmit të prodhimit Kinez dhe relativisht të lira)”, thuhet në ndër të tjera në këtë raport.

Një vendim që  rrëzoi mbi 20 mijë leje

Një vendim i MPB-së mbi 20 mijë kosovarë  i shndërroi nga “kauboj” me leje në posedues ilegal të armëve. Kjo pasi që, sipas MPB-së, aktualisht llogaritet se rreth 20 mijë armë të gjuetisë dhe vogla në duar të personave privat dhe zyrtarë janë me leje të UNMIK-ut, por që leja u ka skaduar. Sipas ligjit në fuqi, në momentin kur nuk përtërihet leja, arma konsiderohet e paligjshme.

Vendimi i ministrit Bajram Rexhepi për lejet për armë ka skaduar në fillim të muajit nëntor 2012 dhe në bazë të ligjit në fuqi armët për të cilat nuk është kërkuar përtëritja e lejes janë të paligjshme. Ndërsa bartësit e tyre mund të dënohen deri në tri vite burg për armëmbajtje pa leje.

Burim Kadriu, zyrtar i lartë për gjurmim dhe shënjim të armëve në Ministrinë Punëve të Brendshme, thotë se prej kur ka filluar procesi i aplikimit për leje, për posedim arme kanë aplikuar 466 persona për armë të shkurta dhe 30 për armë të gjata të gjuetisë. Ai thotë se trendi i aplikimit për leje të posedimit të armeve ka rënë dukshëm. Kadriu nuk e përjashton mundësinë që kjo të jetë edhe për faktin që tashmë është kuptuar që nuk do të ketë leje për bartje të armëve, por vetëm, për posedim.

Deri tash nga Komisioni për Dhënien e Lejeve për Armë në MPB-së janë pajisur me leje vetëm 109 persona dhe atë vetëm për leje për armë të shkurta, kurse për armë të gjata të gjuetisë deri tash nuk është lëshuar asnjë leje

Burim Kadriu

“Deri tash nga Komisioni për Dhënien e Lejeve për Armë në MPB-së janë pajisur me leje vetëm 109 persona dhe atë vetëm për leje për armë të shkurta, kurse për armë të gjata të gjuetisë deri tash nuk është lëshuar asnjë leje”, thotë Kadriu.

Kadriu thotë se sipas legjislacionit të ri, që ka filluar të zbatohet që nga maji i vitit 2011, kur edhe i është dhënë licenca për trajnime “Katanas”, qytetarët mund të marrin vetëm leje për posedim të armës, të cilën duhet ta mbajnë në një vend, dhe vetëm me leje të veçantë në Polici mund ta përdorin: për gjueti, për rekreacion apo për koleksion.

Kadriu thotë se legjislacioni i ri nuk i lejon askujt që të bartë armë, përveç personave që janë punonjës të kompanive të sigurimeve dhe atë vetëm gjatë orarit të punës dhe kur janë në përcjellje të VIP personave apo përcjelljes së personave që bartin para.

“Lejet e armëve me këtë legjislacion janë vetëm për posedim të armës, për dallim prej legjislacionit të kaluar, (rregullore e udhëzime të UNMIK-ut që kanë lejuar bartjen e armëve), dhe dhënia e lejes ka pasur kritere më të lehta. Qëllimi i atij legjislacioni, ka qenë vetëm që të bëhet një identifikim i armëve që janë në duar të njerëzve”, thotë ai.

Sipas Kadriut, me legjislacionin e kaluar kanë qenë me leje mbi 400 armë të shkurta dhe mbi 39 mijë armë të gjata.

“Nëse nuk ka vazhdim afati, pas 1 nëntorit 2012 krejt këto leje skadojnë, dhe automatikisht çdo person që nuk i është nënshtruar trajnimeve dhe procedurës së pajisje me leje për armë, qoftë për armë të shkurta apo të gjata të gjuetisë. Pra, konsiderohet armë pa leje dhe mund të konfiskohet si e tillë”, ka thënë Kadriu.

Ai ka mohuar edhe mundësinë që me legjislacionin e ri të krijohet monopol në tregun e trajnimit për leje të armëve. “Ligji lejon që të hapen shumë qendra trajnimesh, sa do qendra trajnimesh që i plotësojnë kriteret ligjore”, thotë Kadriu.

Policia: E dimë vetëm sa armë konfiskuam

Më 21 shtator të këtij viti, në pikën doganore në Vermicë, oficerët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë kontrollimit të një automjeti kanë gjetur dhe konfiskuar 11 armë me gaz të kalibrave të ndryshëm, 5 pushkë ajrore, 8 dylbi të pushkëve ajrore, si dhe 6755 - copë municion të kalibrave të ndryshëm.

Vetëm gjatë këtij viti nga policia kufitare janë konfiskuar mbi 68 armë dhe 4791 copë municion.

Numri i armëve të konfiskuara nga Policia e Kosovës prej vitit 2000 deri në gusht të vitit 2012 është 17957. Ndërsa vetëm në operacionet e policisë “Ahengjet & Dasmat që është realizuar nga 11.07.2012 deri më 04.09.2012”, janë konfiskuar 131 armë zjarri dhe 1575 municione

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës

Nëse nuk do të kapeshin këto armë, ato do të kalonin në duar të popullatës civilëve. Por institucionet kosovare të rendit, as MPB-ja e as Policia e Kosovës, nuk kanë statistika se sa mund të jetë numri i armëve të zjarrit tek popullata civile.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, thotë se policia nuk mund të paragjykojë për numrin e armëve pa leje që gjenden në duart e qytetarëve, por posedon vetëm statistikat për armët e konfiskuara.

“Numri i armëve të konfiskuara nga Policia e Kosovës prej vitit 2000 deri në gusht të vitit 2012 është 17957. Ndërsa vetëm në operacionet e policisë “Ahengjet & Dasmat që është realizuar nga 11.07.2012 deri më 04.09.2012”, janë konfiskuar 131 armë zjarri dhe 1575 municione”, thotë Kelani.

 

 

Strategjitë pa rezultate

Në lidhje me konfiskimin e armëve pa leje janë bërë disa strategji nga institucionet e Kosovës, por edhe nga organizata ndërkombëtare, por që nuk kanë dhënë edhe shumë rezultate në terren.

Në strategjinë dhe Planin e Veprimit Kombëtar të Republikës së Kosovës për Kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, e cila është bërë në vitin 2008, thuhet se posedimi i paligjshëm i armëve në Kosovë ka qenë më i dukshëm në Republikën e Kosovës përmes përdorimit të tyre gjatë kryerjes së krimeve të ndryshme. Në këtë strategji thuhet se kjo është vërtetuar përmes analizave dhe konfirmimit nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës, për numrin e veprave penale në këtë fushë, si dhe përmes konfiskimit të armëve, municionit dhe të mjeteve eksplozive të paligjshme.

“Një fakt edhe më alarmues është se ato kohëve të fundit gjithashtu po përdoren nga bandat e të rinjve dhe në shkaktimin e dhunës nëpër shkolla”, thuhet ndër të tjera në këtë strategji.

Në këtë strategji thuhet edhe se rreth 50% e armëve të konfiskuara janë pistoleta, revolverë dhe se ka një numër tejet të madh të granatave dhe i mjeteve të tjera eksplozive.

“Deri më tani nuk është bërë asnjë analizë mbi municionin që është nëpër duart e qytetarëve, por edhe grupeve kriminale. Policia nuk analizon nëse ka apo nuk ka armë që hynë në treg apo nëse këto armë kanë mbetur nga lufta. Nuk është bërë analizë e hollësishme se ku posedohen numri më i madh i armëve të paligjshme”, vlerësohet situata në këtë dokument.

Sanksionet ligjore joadekuate

Forumi për Siguri, gjatë një analize mbi Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Kosovë të realizuar në fillim të këtij viti, ka paraqitur disa mangësi në lidhje me dispozitat ligjore që sanksionojnë armëmbajtjen pa leje. Në këtë analizë thuhet se mbajtja në pronësi e armëve pa leje paraqet vepër penale, e cila dënohet me gjobë deri në 7,500 euro dhe me burgim deri në tetë vjet.

Absurdi më i madh i kësaj dispozite qëndron në faktin e dënimit primar, i cili është me gjobë, ndërsa lartësia e dënimit sekondar është tetë vjet burgim. Mundësia e shqiptimit të dy lloj dënimeve nuk është harmonizuar me rrezikshmërinë e kryerjes së kësaj vepre penale, thuhet ndër të tjera në analizën e këtij forumi.

“Absurdi më i madh i kësaj dispozite qëndron në faktin e dënimit primar, i cili është me gjobë, ndërsa lartësia e dënimit sekondar është tetë vjet burgim. Mundësia e shqiptimit të dy lloj dënimeve nuk është harmonizuar me rrezikshmërinë e kryerjes së kësaj vepre penale”, thuhet ndër të tjera në analizën e këtij forumi.

Sipas kësaj analize, falë kësaj dispozite dhe politikës tejet të butë ndëshkimore të gjykatësve, mbi 90% të poseduesve të armëve pa leje kanë përfituar dënime me gjobë, me kusht, dënime të tjera apo lirues. Dënimet me gjobë janë shqiptuar në minimumin ligjor, ku pjesa dërrmuese deri vonë kanë qenë 200-300 euro. “Politika e këtillë e dënimeve vetëm sa ka stimuluar tregun ilegal të armëve dhe ka vështirësuar parandalimin e armëmbajtjeve pa leje”.