English
Scroll top

Injorojnë krimin

Organet kompetente nuk po e hetojnë çështjen e parashkrimit të mijëra lëndëve penale gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovës. Edhe pse dyshimet janë që ato të jenë parashkruar në mënyrë të qëllimshme, është vetëm një rast ku po zhvillohen hetime nga Zyra e Prokurorit Disiplinor dhe tri raste të tjera janë dërguar në komisionet kompetente për shkelje disiplinore

Prishtinë, 10 Korrik 2012

Për mijëra lëndët e parashkruara në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, ende askush nuk ka shkuar në përgjegjesi penale e as disiplinore. Edhe pse kanë filluar disa hetime nga Zyra e Prokurorit Disiplinor dhe nga Njësia e Auditimit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të dhënat zyrtare flasin për një numër shumë të vogël të atyre që po hetohen.

Nga raportet e publikuara nga organizatat joqeveritare del se vetëm në gjykatat komunale janë parashkruar diku 8000 lëndë si në aspektin absolut edhe atë relativ.

Zyra e Prokurorit Disiplinor ka vetëm një rast të hetimit disiplinor të hapur. Sipas kësaj zyre ka edhe tri raste të tjera që janë dërguar në komisionet kompetente për shkelje disiplinore e që kanë të bëjnë me neglizhencë në kryerjen e lëndëve ku si pasojë e neglizhencës në punë të gjykatësve dhe prokurorëve ka arritur parashkrimi ligjor i veprave penale.

Zyra e Prokurorit Disiplinor

Edhe pse numri i lëndëve që janë parashkruar është shumë i madh,Zyra e Prokurorit Disiplinor ka vetëm një rast të hetimit disiplinor të hapur.

Sipas kësaj zyre ka edhe tri raste të tjera që janë dërguar në komisionet kompetente për shkelje disiplinore e që kanë të bëjnë me neglizhencë në kryerjen e lëndëve ku si pasojë e neglizhencës në punë të gjykatësve dhe prokurorëve ka arritur parashkrimi ligjor i veprave penale.

Zyrtarët nuk përmendin emra personash as gjykate ku ky person po hetohet duke rikujtuar se një gjë të tillë nuk e lejon ligji.

Përveç që askush deri me tani nuk ka shkuar në përgjegjësi penale për parashkrimin e lëndëve penale, Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk ka raport statistikor me numrin e lëndëve të parashkruara. Megjithatë me disa statistika më lëndët e parashkruara këto muajt e fundit, kanë dalë organizatat joqeveritare: ÇOHU! dhe BIRN.

Hetimet vazhdojnë…

Megjithëse për shumë pak prej gjyqtarëve të cilëve u janë parashkruar lëndët,  janë iniciuar hetime disiplinore , parashkrimi i tyre në vitin 2011 ka vazhduar dhe me gjasë do të vazhdojë edhe për disa vite.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci, ka thënë se për Këshillin është mjaft shqetësues parashkrimi i lëndëve penale.

“Siç e dini te parashkrimi relativ gjyqtari mund t’i ketë ndërmarrë të gjitha masat për fillimin e një gjykimi, por nëse mungon i akuzuari, kur ai nuk mund të gjendet apo të zihet nga policia, ligji nuk e parasheh gjykimin dhe dënimin në mungesë”, thotë ai.

Peci nuk e ka përjashtuar mundësinë që parashkrimet të kenë ndodhur për shkak të neglizhencës së gjyqtarëve. Për këtë arsye sipas tij Zyra e Prokurorit Disiplinor dhe Njësia e Auditimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë duke i zhvilluar disa hetime.

“Mos më pyesni se ku po zhvillohen këto hetime sepse ligji nuk e lejon publikimin e emrave po mund t’ua konfirmoj se Njësia e Auditimit është duke i zhvilluar ato në dy gjykata edhe Zyra e Prokurorit Disiplinor është duke bërë diçka në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Kryesuesi i KGJK-së nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse lëndët janë lënë qëllimisht të parashkruhen dikush të shkojë në përgjegjësi penale.

Deri me tani nuk kemi asnjë rast që dikush të ketë shkuar në përgjegjësi penale. Nëse konstatohet  që lëndët janë lënë qëllimisht të parashkruhen, atëherë këtu do të ketë punë edhe për prokurorinë”

Enver Peci

“Deri me tani nuk kemi asnjë rast që dikush të ketë shkuar në përgjegjësi penale. Nëse konstatohet  që lëndët janë lënë qëllimisht të parashkruhen, atëherë këtu do të ketë punë edhe për prokurorinë”, shtoi ai.

Dyshimet që këto lëndë janë lënë qëllimisht të parashkruhen i pati shprehur për ÇOHU!, kohë më parë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani. Sidomos  parashkrimi relativ ku përgjegjësia bjen të gjyqtarët, sipas Fejzullahut nuk do të duhej të ndodhte. Lendët që janë në prag të parashkrimit sipas tij, do të duhej të kishin qenë prioritet për secilin gjyqtarë.

Në raportin e BIRN-it ndërkaq thuhet  se përshtypjet janë që gjyqtarët qëllimisht i  fshehin lëndët e vjetra, punojnë me lëndë të reja duke i injoruar ato të vjetrat me qëllim të favorizimit për persona të caktuar.

Pa shifra për lëndët e parashkruara

Janë shprehur shqetësime për numrin e madh të lëndëve që janë parashkruar por Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ende nuk ka shifra sesa lëndë janë parashkruar në gjykatat e Kosovës.

Kryesuesi Peci e ka pranuar se mungojnë statistikat, por sipas tij është duke u punuar  që këto të dhëna të mblidhen dhe në raportet e statistikave t’u lihet një vend i veçantë, gjë që nuk ka ndodhur deri me tani.

Megjithatë në një raport ku janë monitoruar 14 gjykata komunale në Kosovë, ka dalë në fillim të këtij viti, Organizata ÇOHU!

Nga këto 14 gjykata komunale që janë marrë për bazë në këtë raport del se nga viti 2001 deri me 2011 janë parashkruar 4197 lëndë penale, përfshirë parashkrimin e ndjekjeve penale dhe parashkrimin e ekzekutimeve penale. Numri total i lëndëve penale të parashkruara në vitet 2001-2010 nga 23 gjykata komunale, sipas këtij raporti del të jetë afër 7000.

Sipas këtij raporti në gjykatat komunale janë parashkruar lëndë që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare apo si njihen ndryshe lëndët e korrupsionit. Organizata ÇOHU! në raportin e saj ka identifikuar nëntë raste të parashkrimit të lëndëve të kësaj natyre.

BIRN-i në anën tjetër ka publikuar disa të dhëna për gjykatat komunale të Pejës, Ferizajt, Gjilanit, Rahovecit, Kamenicës dhe Vitisë. Përveç në rastin e Rahovecit, ku ka numër më të madh të lëndëve që janë parashkruar në aspektin absolut, në të gjitha rastet tjera numri më i madh i lëndëve janë parashkruar në aspektin relativ.

Ky numër mund të rritet gjatë këtij viti dhe viteve në vazhdim, pasi sipas zyrtarëve shumë lëndë janë në prag të parashkrimit.

Kryetarët e gjykatave të cilat i ka monitoruar ÇOHU!, kanë thënë se rreziku për parashkrimin e lëndëve ekziston përderisa nuk plotësohen pozitat e lira për gjyqtarë. Madje arsyeja më e shpeshtë e parashkrimit në numër kaq të madh të lëndëve sipas tyre ka ndodhur për mungesë të gjyqtarëve dhe mbingarkesës me lëndë.