English
Scroll top

Imazhi pa hesap i Republikës

Imazhi i Republikës së Kosovës është “për toke”. Ajo që dihet është vetëm se u shpenzuan miliona euro, por në Qeverinë E Kosovës nuk kanë bërë ndonjë hesap se cili ishte rezultati i tyre. Ata nuk kanë përgjigje as nëse kanë bërë ndonjë raport për ndikimin e fushatës 5.7 milionëshe, “Kosovo, the Young Europeas”, apo edhe të reklamave që po transmetohen ne CNN. E derisa Qeveria nuk jep asgjë rreth ndikimit të këtyre reklamave për përmirësimin e imazhit të shtetit,...

Prishtinë, 25 Tetor 2012

Me gjithë se Qeveria e Kosovës ka shpenzuar miliona euro për përmirësimin e imazhit të shtetit, makina më e madhe e kërkimeve në internet, Google, rezultatin e parë që e jep gjatë kërkimit të fjalës Kosovë, është “Kosovo war”  .

Ky është edhe perceptimi që kanë jo pakë biznesmenë ndërkombëtarë që mund të jenë interesuar për investime në Republikën e Kosovës. “Shpesh kemi hasur në pyetje të investitorëve të huaj duke na pyetur nëse në Kosovë ka akoma luftë”, thotë për Preportr Valdrin lluka , kryeshef i Agjencionit për promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK).

As numri i njohjeve zyrtare nuk ka arritur në nivelin që do të mundësonte që pavarësia e shpallur nga Kosova të pranohet nga Kombet e Bashkuara. Madje, ka pasur raste kur edhe njohjet u tërhoqën, e numri i tyre, që në faqen “kosovothanksyou.com” figuron të jetë 91 , mund të mos jetë i sigurt.

Me gjithë këto probleme, por edhe imazhin e rrezikuar të vendit nga akuzat, si ato për përfshirje të Kryeministrit Hashim Thaçi  në trafikim ndërkombëtar të organeve, një hulumtim i Preportr nxjerr që në Qeverinë e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk e kanë bërë një hesap  se sa kanë shpenzuar për  përmirësimin imazhit. Për më keq, institucionet e vendit nuk kanë bërë as edhe një vlerësim mbi ndikimin e fushatave për përmirësim të imazhit të vendit që janë realizuar nga kompanitë e huaja.

Preportr ka pritur për më shumë se dy muaj nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme, ajo e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Financave për të marrë këto përgjigje, por në pjesën më të madhe ato nuk kanë pasur çka të thonë.

Zyra e Kryeministrit Hashim Thaçi tashmë ka të kontraktuar kompaninë “Patton Boggs” , me një kontratë që obligon palën kosovare t’ia jap kompanisë nga Ëashingtoni 50 mijë dollarë në muaj. Mirëpo, kjo zyrë publike nuk ka pranuar që të flas me Preportr për këtë kontratë dhe asgjë që lidhet me shpenzimet publike në përmirësimin e imazhit.

As ministria e Punëve të Jashtme, që aktualisht udhëhiqet nga nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj nuk ka pasur përgjigje për Preportr.

Në Ministrinë e Financave thonë se për përmirësim të imazhit të Republikës kanë pasur veç projektin “Kosovo,the Young Europeas”, ku ishte kontraktuar kompania izraelite “Saatchi&Saatchi”, kurse në  Ministrinë e Tregtisë flasin vetëm për projektin e një reklame në CNN, prej 1 milion eurosh.

Shpesh kemi hasur në pyetje të investitorëve të huaj duke na pyetur nëse në Kosovë ka akoma luftë

Valdrin Lluka

Por, as dy institucionet e fundit nuk kanë ndonjë matje për rezultatin e këtyre fushatave milionëshe.

Preportr ka hulumtuar në raportet e buxhetit prej vitit 2007- 2011 , por nuk ka gjetur linja shpenzimesh që janë shënuar ekskluzivisht si shpenzime për çështjen e imazhit të Republikës.

Biznesmenët e huaj: Kosova ende është në luftë

Agjencia e Promovimit të Investimeve e Kosovës (APIK), është krijuar në vitin 2006, me qëllim që të sjellë investitorë të huaj në Kosovë, mirëpo deri më tash nuk është parë ndonjë sukses konkret në këtë drejtim. Që nga viti 2007 për APIK-un, janë ndarë 1 milion e 362 mijë e 583 euro.  Këto para janë shpenzuar për paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, udhëtime zyrtare, botime dhe publikime të ndryshme, si dhe CD që u janë shpërndarë biznesmenëve të huaj etj.

Dihen veç 3 kontrata

Preportr ka hulumtuar në raportet e buxhetit prej vitit 2007- 2011 , por nuk ka gjetur linja shpenzimesh që janë shënuar ekskluzivisht si shpenzime për çështjen e imazhit të Republikës. Në Zyrën e Kryeministrit dihet publikisht që kanë të kontraktuar kompaninë “Patton Boggs” , që e paguajnë nga 50 mijë euro në muaj, por për tjera shpenzime për këtë qëllim nuk kanë dashur të flasin për Preportr.Ministria e Punëve të jashtme nuk ka asnjë përgjigje, përderisa Minstria e Financave thotë se për këtë punë ka pasur vetëm tenderin prej 5.7 milionëve që e fituan izraelitët për fushatën “Kosovo, the Young Europeans”. Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pos shpenzimeve për paga e mëditje që bënë Agjencioni për Promovimin e Investimeve në Kosovë, si shpenzime për imazhin e Republikës tash për tash llogaritin veç kontratën me CNN-in, kontratë që peshon 1 milion euro.

 

Drejtuesit e APIK-ut flasin për disa kompani të huaja që kanë ardhur në Kosovë, por në anën tjetër duhet të përmendet fakti se shumë investitorë potencial kanë ikur nga Kosova, pasi nuk kanë gjetur ambient të përshtatshëm për investime.

Kryeshefi i APIK-ut Valdrin Lluka, ka thënë për Preportr se imazhi i keq i krijuar për Kosovën, po ndikon tek investitorët që të mos vijnë në Kosovë për të parë mundësitë konkrete të investimeve.

Por, disa as që u nisën për në Kosovë. Përvoja e drejtuesve të APIK-ut tregon se ka raste kur biznesmenët e huaj mendojnë se në Kosovë ka ende luftë.

“Shpesh kemi hasur në pyetje të investitorëve të huaj duke na pyetur nëse në Kosovë ka akoma luftë, që d.m.th bota e largët nuk është e informuar për rrjedhat në Kosovë dhe memoria e tyre ka stagnuar që nga lufta në vitin 1999”, thotë për Preportr Valdrin Lluka, kryeshef APIK-ut.

Dështon “Satchi &Satchi”, shpresojnë te CNN-i

Fushata mbi 5.7 milionëshe nuk e ndryshoi përceptimin se Kosova është ende në luftë. Për më shumë, kjo fushatë nuk arriti as të ndryshoj rezultatin e kërkimit të Kosovës në Google.com..

Këto para të alokuara nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, kur ky institucion po drejtohej nga ambasadori aktual i Kosovës në Japoni, AhmetShala, i ishin dhënë kompanisë “Ssatchi &Saatchi”. Detyra e thjeshtë: promovimi i Kosovës.

Kompania “Sachi&Satchi”, zgjodhi një rrugë të lehtë për ta promovuar Kosovën, duke e promovuar vlerat e Kosovës në Kosovë. Nëpër qytete të Kosovës për një kohë të gjatë vendoseshin billborda me sloganin “ The Young Europians”.

Në Ministrinë e Financave, tash të drejtuar nga zëvendësi i Ahmet Shalës gjatë kohës kur u dha ky tender, Bedri Hamza, nuk kanë pasur përgjigje se cili ka qenë rezultati i kësaj fushate. Në ministrinë e Hamzës madje nuk kanë pranuar të tregojnë edhe nëse është bërë ndonjë raport për nevoja të Qeverisë për këtë tender.

E biznesmenët po mendojnë se Kosova është ende në luftë. Ata që vijnë, ndodhë edhe të kthehen.

Këto fakte që nuk i ndryshuan me 5.7 milionët të cilat i morrën izraelitët, mendon ti ndryshoj me 1 milionë euro Valdrin Lluka, kandidat për deputet nga Aleanca Kosova e Re (AKR) e i zgjedhur në krye të APIK-ut pas ardhjes në krye të MTI-së së Mimoza Kusari-Lilës, që po ashtu vjen nga AKR-ja.

Ai e pranon që perceptimet publike të biznesmenëve të huaj ndikojnë jo mirë. “Mirëpo, pikërisht për këtë arsye edhe ka filluar kampanja në CNN për të treguar që edhe Kosova është vend normal dhe stabil, sikurse shumë vende te zhvilluara te botes”, thotë Lluka, i dënuar këtë vit nga Gjykata për Kundërvajtje se nuk e deklaroi pasurinë.

Lluka: Po na pengon korrupsioni

Valdrin Lluka që udhëheq me APIK-un, në përgjigje për Preportr përmend disa investime të huaja që janë bërë nga paslufta. Sipas tij, që nga viti 2000 deri më tani, sipas Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në Kosovë janë regjistruar 4300 kompani me kapital të huaj. Ai thotë se në vitet 2010 dhe 2011 Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme me 20% në 2010 dhe 24% ne 2011.

Sipas të dhënave të BQK-së, që nga viti 2000 e deri në tremujorin e parë të vitit 2012, investimet e huaja direkte në Kosovë kapin shifrën rreth 2.4 miliardë euro.

“Në tremujorin e parë të vitit 2012 investimet e huaja direkte kanë qenë vetëm 60.4 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së.

Derisa flet për rritje investimesh, Lluka numëron edhe disa nga faktorët që po i pengojnë ato investime, duke krijuar imazhin e keq të republikës së Kosovës .

“Pengesat kryesore, të cilat bëjnë që investitorët e huaj të hezitojnë për të investuar në Kosovë janë: Infrastruktura jo në nivelin e kënaqshëm, mungesa e furnizimit stabil me energji elektrike, sundimi i ligjit, dhe posaçërisht sistemi gjyqësor dhe i prokurimit, perceptimi për ekzistimin e korrupsionit, imazhi i përgjithshëm jo i mirë për Kosovën, mungesa e kuadrove të specializuara në fusha të caktuara. Kosova ende nuk ka paketë të masave lehtësuese, tërheqëse, stimuluese  investive etj”, ka thënë Lluka për Preportr.