English
Scroll top

Ikni policia!

Një numër shumë i madh i policëve është përfshirë në krime të rënda. Në anën tjetër, kanë kaluar mbi tri vite e gjysmë nga vjedhja e evidencave materiale në polici dhe askush nuk është përgjigjur për këtë skandal. Autoritetet kosovare, UNMIK-u dhe EULEX-i, luajnë ping-pong. Raportet tregojnë se Policia e Kosovës është aq shumë e përfshirë në krim saqë nevojitet një ndërrim përmbajtjesor i saj

Prishtinë, 06 Dhjetor 2012

Autoritetet kosovare kishin njohuri paraprake se evidencat materiale në Dhomën e dëshmive ishin të rrezikuara. Një raport i bërë më 2007, na jep fotografinë e një hani për dhomën ku ruheshin provat për krime serioze. Deri sot, askush nuk ka dhënë përgjegjësi, kurse EULEX-i ka ndalur hetimet për këtë rast.

Në objektet policore ku ruheshin provat më të ndjeshme mbi krimet e rënda po hynin e dilnin studentët e mësimdhënësve policë të universiteteve private si nëpër hane. Kështu kishte alarmuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) që në vitin 2007, më shumë se dy vite para se të ndodhte vjedhja e famshme e dhomës së dëshmive në komandën qendrore të Policisë së Kosovës (PK).

Raporti i IPK-së thotë se në këtë dhomë në asnjë mënyrë nuk guxon të ketë prani të personave të pa-autorizuar, kurse studentët e Kolegjeve “Fama” dhe “AAB”, po hynin në laboratorin e forenzikës pa protokoll, pasi që disa zyrtarë policor ligjëronin në të njëjtën kohë në ato kolegje. Ligji për policinë iu ndalon policëve të kenë vend tjetër pune, por ata e bëjnë këtë pa u penguar nga askush.

Për inspektorët kjo paraqet shkelje të sigurisë. “Inspektorati Policor rekomandon që Komisari i Policisë duhet të marrë parasysh procedurat formale disiplinore në lidhje me ata zyrtarë policor të cilët me dijeni kanë qenë të përfshirë në këtë shkelje të sigurisë”, thuhet në raportin e IPK-së për vitin 2007.

Me gjithë alarmimin, nëse është marrë ndonjë masë kjo nuk dihet, pasi që askush në Policinë e Kosovës (PK) e as nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk ka dashur të flas për Preportr.

Vetë policia e Kosovës është e përfshirë nga rastet e involvimit të pjesëtarëve të saj në krime nga më të ndryshmet. Megjithëse zyrtarët e PK-së kanë refuzuar të flasin për këtë rast, përfshirë këtu edhe Zyrën për Informim, Preportr në një hulumtim ka gjetur se policët kosovarë janë të zhytur në krim duke filluar nga zhvatja e qytetarëve në komunikacion e deri te krimi i organizuar, pa përjashtuar këtu vrasjet. Shumë prej rasteve ku policia ka qenë drejtpërdrejtë e përfshirë ose kur krimet kanë ndodhur brenda ambienteve të policisë nuk janë zbardhur kurrë.

Për nivelin e kriminalitetit të PK-së flasin raportet e IPK-së, ish-drejtuesit e saj, deputetët kosovarë e raportojnë edhe mediet ndërkombëtare e vendore.

Dhoma e vjedhur e dëshmive, dhoma e kumbarëve

Vjedhja e provave materiale në krye-qendrën e policisë ka ndodhur në një moment transferi të kompetencave të policisë nga UNMIK-u tek PK-ja. Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), tash Policia e Kosovës nëpër sondazhe renditej ndër institucionet më të besueshme të kosovarëve. Por imazhi i kësaj policie u vodh në prillin e vitit 2009 bashkë me provat për krime të rënda, kur edhe ndodhi  skandali i vjedhjes së dhomës së dëshmive në komandën qendrore.

Megjithë paralajmërimet e inspektorëve që në vitin 2007 se po cenohej siguria e objekteve policore ku trajtohen provat për rastet penale, kjo agjenci e sigurisë në këtë rast u zu me kamera të ndalura.

Një hulumtim i Preportr nxjerr se për këtë krim, në të cilin u vodhën prova materiale si para e drogë, përgjegjësia mbetet e përzier mes kosovarëve dhe ndërkombëtarëve.

E vetmja gjë që dihet është se përgjegjësit për kryerjen e punëve në dhomë kanë qenë policë të Kosovës, por mjegullohet qëllimshëm përgjegjësia për kompetencat menaxhuese. Deri në fund të majit të vitit 2009 përgjegjësinë mbi policinë, shtyllën e krimit ku edhe ndodhej dhoma e vjedhur e dëshmive,e mbante misioni i UNMIK-ut, derisa  në nivelin operativ po ushtronin kompetencat vendorët. Edhe EULEX-i ishte në Kosovë në këtë kohë. Sido që të jetë, është e qartë që dështimi në këtë rast ka ndodhur në nivelin operativ dhe përgjegjësit për punët e caktuara në sigurinë e kësaj dhome ishin të njohur.

Preportr ka kontaktuar të tri agjencitë, PK-në, EULEX-in e UNMIK-un. Derisa  UNMIK-u  pranon se ishte përgjegjës deri në maj te vitit 2009, një muaj pasi që kishte ndodhur skandali në fjalë, thonë se në këtë kohë po i transferonin kompetencat te EULEX-i.

“Që nga maji i vitit 2009 Policia e UNMIK-ut ka dorëzuar pothuajse të gjitha detyrat operative te EULEX-i. Kështu, këto pyetje duhet të drejtohen te EULEX-i dhe Policia e Kosovës, inspektorati i së cilës merrej me këtë rast”, ka thënë për Preportr një zyrtar i UNMIK-ut.

Në EULEX- mohojnë kategorikisht të kenë pasur përgjegjësi në këtë rast, derisa UNMIK-u nuk ka pranuar të jap sqarime shtesë mbi faktin që vjedhja ndodhi në prill, kur ata ende , sipas deklarimit të tyre, ishin përgjegjës për dhomën e vjedhur të dëshmive.

Policia e Kosovës nuk ka pranuar të flasë. Por, për këtë rast ka folur ish-zëvendësdrejtori i PK-së kur u vodh dhoma e dëshmive, më vonë edhe drejtor i Përgjithshëm i PK-së, Behar Selimi, që thotë se dhoma ishte përgjegjësi e ndërkombëtarëve, specifikisht, e UNMIK-ut, duke shfajësuar strukturat vendore policore.

“EULEX-i nuk ka qenë përgjegjës por UNMIK-u akoma nuk e pati bartur kompetencën e plotë te ne në fushën e luftimit të krimit të organizuar, prandaj edhe ajo dhomë nuk është kontrolluar nga ne. Pak kush e hiç ka pasur qasje aty”, thotë për Preportr Behar Selimi.

Selimi, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të kryeministrit Hashim Thaçi, deklaron se UNMIK-u ka qenë përgjegjës edhe administrativisht por edhe praktikisht.” Sido që të jetë, përgjegjësit për punët konkrete, siç është për shembull  siguria e kamerave, apo edhe hyrje-daljet, kanë qenë pjesëtarë të policisë së Kosovës. Selimi thotë se “atje dhe rreth asaj dhome s’ka pasur qasje askush prej eprorëve të lartë të Kosovës dhe se akoma shtylla e krimit ka qenë e pa bartur nën përgjegjësinë e vendorëve”.

Selimi, si  zëvendësdrejtor i policisë kur u vodh kjo dhomë e dëshmive thotë t’i ketë sugjeruar drejtorit, në atë kohë Sheremet Ahmetit që ta njoftonin opinionin që dhoma ishte nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve. Ahmeti nuk kishte pranuar.

Ahmeti, që tash drejton Qendrën e Trajnimeve të PK-së në Vushtrri nuk ka pranuar të flasë as me Preportr, për këtë çështje. Përgjigja e vetme e tij ka qenë “Nuk dua të flasë për këtë çështje. Tung”.

As Ahmeti e as Zenun Pajaziti, atëherë ministër i Punëve të Brendshme pas këtij rasti nuk patën dhënë dorëheqje së paku si akt moral, pasi rasti kishte lëkundur bindjen e mirë që qytetarët e Kosovës, kanë pasur për policinë. Asnjë zyrtar përgjegjës për këtë dhomë nuk është përgjigjur për dështimin e sigurimit të objektit. Disa nga ta kanë ndërruar vend pune, por nuk janë degraduar, përkundrazi, disa kanë marrë pozita më të mira.

Hetim i mbyllur pa rezultate

Derisa askush nuk e pranon përgjegjësinë, hetimet për këtë dhomë, ku u vodhën, para e drogë tashmë janë pezulluar. Ka skaduar koha e hetimeve, pasi që rasti ndodhi mbi tri vite e gjysmë më parë. Këtë e ka konfirmuar EULEX-i.

Gazeta “Zeri”, para disa muajsh ka raportuar se këtij rasti i mungojnë elementet kryesore të gjetjes së autorëve, shenjat e gishtërinjve, fotografitë fillestare, që do të thotë se edhe vetë hetimi i thyerjes së dhomës së dëshmive mund të jetë sabotuar.

“Rasti i është dorëzuar EULEX-it disa muaj më vonë, pasi ka ndodhur vjedhja e gati 50 kilogramëve heroinë e qindra mijëra euro në valuta të ndryshme. Në fakt EULEX-it nuk i është dhënë pothuajse asgjë pasi ‘skena e krimit’ nuk ishte bërë… më vonë kur EULEX-it i është dorëzuar njëfarë dosje, pothuajse gjithçka ka qenë më shumë përpjekje për ta kamufluar atë çfarë ka ndodhur”, i pati thënë “Zërit” një burim brenda Policisë në kushte anonimiteti.

Zyrtarët që kanë qenë përgjegjës për këtë dhomë nuk janë shkarkuar asnjëherë.  Ata vazhdojnë të punojnë në polici në pozita të larta.

Fatos Haziri ka qenë drejtor i Krimeve të Rënda, zëvendësi i tij ka qenë Haxhi Krasniqi, ndërsa major Senad Kelmendi ka qenë përgjegjës për kamera që ditën e vjedhjes nuk kanë funksionuar fare.

Për këta emra Preportr ka pyetur UNMIK-un, EULEX-in e Ministrinë e Punëve të Brendshme, por asnjë nga ata nuk ka dhënë përgjigje. Policia e Kosovës nuk ka pranuar të flas për asnjë çështje.

“Dukat policë këta të Pejës’

Një rastin tjetër i vjedhjes së dhomës së dëshmive në Policinë  kosovare është shënuar në Rajonin e Pejës, por atje u veprua shumë më shpejtë se në vjedhjen e dhomës së dëshmive në komandën qendrore.

Disa muaj pas vjedhjes së një sasie të madhe të arit, janë arrestuar  katër persona në mesin e tyre edhe shefi i hetimeve në Policinë Rajonale të Pejës Ragip Bytyçi. Ndërsa komandantit të Policisë së Pejës vetëm i është ndërruar pozita nga ajo e komandantit të Policisë në Pejë,  në atë të komandantit të Policisë në Istog.

Komenti brenda PK-së, i kolegëve policë në Prishtinë për ata pejanë mbi vjedhjen e arit është: Policët e Pejës janë “dukatë policë”.

Fama ndërkombëtare e policit kosovar

Në kuadër të këtij hulumtimi, Preportr ka bërë kërkesë për intervistë me Drejtuesin e Përgjithshëm të PK-së, Shpend Maxhuni, përgjigjen në të cilën, as negative dhe as për pranim nuk e kemi marrë as pas një muaji. Zyrtarët për informim në PK arsyetoheshin se Drejtori i përgjithshëm ende nuk ka marrë leje nga Shefi i Personelit për të dhënë intervistë, derisa i njëjti jepte intervista promovuese në mediet kosovare (Intervista në Indeksonline).

Derisa zyrtarë te Policisë së Kosovës nuk kanë pranuar të flasin për kriminalitetin në Policinë e Kosovës, ish-zyrtarë të këtij agjencioni pranojnë që ka kriminalitet aty,  dhe në të njëjtën kohë analizojnë edhe shkaqet që policia është e përfshirë në krim

Ish-drejtori Behar Selimi vlerëson se shkaku kryesor pse ka kriminelë në policinë e Kosovës është fillimi kur u krijua ky institucion. Sipas tij, mënyra e verifikimit në gjeneratat e para ishte joefikase për të penguar punësimin në PK të njerëzve me të kaluar kriminale por edhe të atyre që nuk kanë një të kaluar të tillë, por që kanë prirje kriminale.

Gabimi u bë dhe pasojat janë evidente edhe tash. Pos kriminalitetit nëpër Kosovë, policët kosovarë janë kapur edhe jashtë vendit duke kryer krime. Në korrik të këtij viti, një gjykatës vendas në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë e konfirmoi aktakuzën e ngritur nga një prokuror i EULEX-it kundër gjashtë të dyshuarve, njëri nga të cilët oficer i lartë i ROSU-së, në lidhje me një vjedhje që ka ndodhur në Barcelonë, Spanjë në korrik 2009.

Aktakuza është konfirmuar kundër Haki Januzit, Artan Xhaferi-Jelliqit dhe Shemsedin Benarbës, të cilët akuzohen për veprën penale të vjedhjes së rëndë. Artan Xhaferi-Jelliqi, po ashtu akuzohet për kontroll, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve.

Fama e policit kosovar po merr dhenë edhe nga raportimet e medieve prestigjioze. Kështu, para disa javësh  prestigjiozja gjermane “Der Spiegel”, në një artikull kushtuar Kosovës, Policinë e Kosovës e përshkruan si organizatë të përfshirë në korrupsion.

Këtë artikull e ka shkruar një polic gjerman i angazhuar në Kosovë, që ka dashur të mbetet anonim. Ky polic gjerman në shkrimin e Der Spiegel, thotë se nuk është arritur asgjë dhe se është i zhgënjyer me punën e Policisë së Kosovës. Ai thotë se përkundër shumë vite të trajnimit intensiv dhe pajisjeve që përputhet me standardet evropiane, ata policë më shumë janë të interesuar të punojnë me radar se sa për të luftuar krimin.

"Kam përshtypjen se korrupsioni mes policisë së Kosovës është shumë i përhapur. Kur dikush kapet me një makinë të vjedhur, një ryshfet për policët çështja është zgjidhur", thotë oficeri gjerman.

Kapen elementë të BIA-s, EULEX-i i liron

Që ka raste të vogla kriminaliteti në polici e pranojnë edhe ish-zyrtarët e këtij institucioni të sigurisë. Por krimet që kryhen nga policia sipas tyre janë të vogla e më së shumti është e shprehur dukuria e marrjes së ryshfetit. Mirëpo që në Policinë e Kosovës janë infiltruar elementë kriminalë sipas tyre fajin më të madh e kanë ndërkombëtarët të cilët në fillim as nuk i kanë lënë vendorët të përzihen në procesin e rekrutimit.

Kjo vjen nga shumë arsye që lidhen me mungesën e  një mekanizmi të mirë verifikimi të atyre personave që pas luftës aplikuan për t’u bërë policë. Përgjegjësinë për këtë e bartin edhe ndërkombëtarët të cilët në fillim e kanë bërë rekrutimin e policëve.

Rexhep Selimi ish-ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Përkohshme,  thotë se KFOR-i, UNMIK-u dhe OSBE që merreshin në fillim me rekrutimin e policëve nuk i kanë marrë parasysh rekomandimet e vendorëve. Kjo ka bërë sipas tij që në Policinë e Kosovës të inkuadrohen edhe elementë kriminalë madje edhe të dyshuar për krime lufte.

Trembëdhjetë vjet pas luftës disa elementë të tillë kanë dalë në sipërfaqe. Vetëm para disa javësh është arrestuar një polic i komunitetit serb, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur por që dyshohet për dhunime gjatë luftës në Kosovë.

Në një tjetër rast xhirim i siguruar nga televizioni publik në Prishtinë, e tregojnë një pjesëtar të Policisë së Kosovës të komunitetit serb i cili bashkëpunonte me disa pjesëtarë që atëherë thuhej se ishin të agjencisë që trashëgoi UDB-në,  BIA-së, të cilët rekrutonin njerëz si dëshmitarë se gjoja kanë qenë të trafikuar për organe gjatë luftës në Kosovë. Ky person, pjesëtar i policisë, nuk është shkarkuar nga detyra edhe pse është thënë se ai shihej në video. Për këtë rast gjyqtari i procedurës paraprake i EULEX-it nuk e pati konfirmuar aktakuzën.

Policët hakmarrës

Jo rrallë policët kosovarë janë sjellë edhe si cosa nostra. Ata kanë ditur që  vetë ta çojnë “drejtësinë në vend”.  Kjo ka ndodhur me rastin e shpërthimit afër lokalit të Enver Sekiraqes, ku dy zyrtarë policor kanë dalë të jenë të përzier Besnik Hasani e Shpend Qerimi. Këta dy kanë dashur të marrin hakun për vrasjen e shokut të tyre, policit Triumf Riza. Nga shpërthimi në këtë rast kanë gjetur vdekjen dy qytetarë që kanë qëlluar rastësisht në afërsi e disa të tjerë kanë marrë lëndime të rënda. EULEX-i për këtë rast i pati dënuar Hasanin e Qerimin me nga 30 vjet heqje lirie.

Një tjetër rast ku këta dy persona kanë qenë të përfshirë është ai i vrasjes së tre personave, dy prej tyre fëmijë, për të cilin rast u dënuan me nga 33 vjet burgim. Edhe ky rast ndërlidhej me atë të rastit Sekiraqa. Viktima i fshatit Soponicë, Komuna e Kaqanikut kishte përhapur lajmin në fshat se shpërthimin në lokalin e Sekiraqes e kishin bërë Hasani e Qerimi. Atij i ishte zënë prita në urën e këtij fshati. Bashkë me të janë vrarë dy persona dhe plagosur dy të tjerë.

Po për hakmarrje, dy policë nga Rajoni i Pejës në vitin 2007 (Keqpërdorimi i armëve të zjarrit, raporti 2007- faqe 78) kanë kryer vrasje të qytetarëve. Njëra vrasje kishte ndodhur në lokalet e policisë, kurse tjetra duke e shoqëruar të arrestuarin në stacionin policor.

Akuza për SHIK-istë në Polici

Megjithëse raste të rënda të krimit kanë ndodhë në Policinë e Kosovës, pak ndërrime janë bërë në strukturat udhëheqëse të këtij institucioni. Ndëshkimi i vetëm në Policinë e Kosovës në rastet kur personat janë në poste udhëheqëse bëhet vetëm me ndërrim pozitash. Kjo ka ndodhë në rastin e vjedhjes së dy dhomave të dëshmive në Prishtinë e Pejë.

Shpesh është thënë se policia është e mbushur nga struktura të SHIK-ut, të cilët i udhëheqin shtyllat më të rëndësishme të këtij institucioni. Në këtë kuadër ish-drejtori i Policisë Reshat Maliqi, pati filluar që ta spastrojë policinë nga emra që përmendeshin nëpër procese gjyqësore se ishin  pjesë e Shërbimit Inteligjent të Kosovës.

Maliqi në kohën kur e pati bërë ndryshimin në pozitat udhëheqëse të Policisë të cilat prej disa vitesh po funksiononin me ushtrues detyre, pati thënë se ndryshimet po bëheshin në bazë të performancës së secilit.

Maliqi nuk arriti për shumë kohë ta mbajë pozitën e drejtorit, pasi ai u shkarkua në natën e 25 korrikut 2011, kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës intervenoi në veri të vendit.

Kryeministri i Kosovës që e kishte emëruar Maliqin, në këtë pozitë në një njoftim për medie, tha se Maliqi kishte dhënë vetë dorëheqje. Këtë gjë Maliqi e ka mohuar në vazhdimësi dhe para disa kohësh e ka paditur kryeministrin Thaçi.

Në intervistat pas shkarkimit të tij Maliqi ka thënë se njoftimin për shkarkim e kishte parë në televizion. Ai ka lënë të nënkuptohet se shkarkimi i tij mund të ketë ardhur, pasi kishte ulur në pozita disa njerëz të dyshuar për lidhje me SHIK-un.

Nazim Bllaca, i vetëquajtur kriminel e anëtar i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, dhe dëshmitar bashkëpunëtorë në dy raste të EULEX-it, në dëshmitë e tij para gjykatës ka akuzuar dy persona me pozita të larta në polici, të cilët sipas tij kanë qenë pjesë e SHIK-ut.

Kadri Arifit, ish-ndihmësdrejtor i Policisë për Shtyllën e Hetimeve, i është ndërruar pozita në kohën e Maliqit në atë të ndihmësdrejtorit për Shtyllën e Personelit dhe Trajnimeve në kuadër të Administratës.

Mirëpo, në veçanti Bllaca, ka akuzuar Emin Beqirin, ish-shef i hetimeve në rajonin e Prishtinës dhe tash drejtor i departamentit të krimeve ekonomike si pjesëtar i SHIK-ut, i cili është rikthyer në pozitë pas largimit të Reshat Maliqit nga shefi i policisë e vendosjes në këtë pozitë të Shpend Maxhunit.

Disa ndryshime në polici thotë t’i ketë bërë edhe Behar Selimi. Ai ka thënë se si drejtor i përgjithshëm i policisë pati bërë disa ndryshime në strukturën organizative të policisë “dhe pata ndryshuar procedurat e punës...pra kërkohen ndryshime serioze strukturore që parandalojnë situata në të cilat policët mund të behën pjesë e krimit sikundër edhe masa penalo-juridike për të dyshuarit”.

Këto masa që i përmend Selimi pak janë shqiptuar ndaj policëve të dyshuar. Në të dhënat që i ka nxjerr Preportr nga EULEX-i, janë trajtuar vetëm dy raste ku policët janë të dyshuar. Në njërin polici është dënuar për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, ndërsa në rastin tjetër një rast ku policët kanë qenë të përfshirë, rasti është kthyer në rigjykim.

Konfirmohen kriminelë të vegjël

Behar Selimi thotë se policët janë të përfshirë vetëm në raste të vogla. “Në kohën time policët kanë qenë të involvuar në kontrabandë me mallra, por edhe në migrim ilegal. Gjashtë u patën arrestuar në shtyllën e policisë kufitare, përveç kësaj pata bërë ndryshime organizative me të cilat pengohej sidomos ryshfeti përmes të cilit në aeroport bëheshin kalime ilegale të migrantve ilegal, sikundër edhe tanët kalonin me pasaporta të falsifikuara”, thotë ai.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, Selimi thotë se patën rënë dy grupe të mëdha të krimit të organizuar të kontrabandës me njerëz përmes dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara duke përfshirë edhe viza të falsifikuara.

Statistika që “bërtasin”

Në periudhën 2007-2010 të dhënat në raportet e Inspektoratit Policorë të Kosovës tregojnë se janë pranuar mbi 590 ankesa të qytetarëve kundër sjelljeve të policëve dhe janë nisur po kaq hetime.

Pasi që atë kohë,deri në fund të viti 2011, IPK-ja nuk pati mandat të hetojë, për këto raste ajo vetëm bënte dosje që dorëzoheshin në Këshilli për Emërime të Larta dhe Disiplinë Policore (KELDP). Në këtë institucion IPK-ja ka quar afro 130 policë, vetëm për periudhën 2007-2010, si të dyshuar për sjelle të keqe dhe shkelje të standardëve.

Një vit më par u ndryshua legjislacioni për IPK-në dhe këtij institucioni iu dha mundësia e hetimit dhe e ndjekjes penale të policëve, duke përfshirë edhe mundësinë e arrestimit të tyre.

IPK-ja në vitin 2011 ngritur gjithsej 46 kallëzime penale, prej të cilave, 36 në prokuroritë komunale dhe 10 në prokuroritë e qarkut.

Në raportin për vitin 2011, IPK-ja njofton mbi gjendjen e kriminalitetit “me letra” në Policinë e Kosovës. Sipas të dhënave statistikore të IPK-së, si të dyshuar për vepër penale janë duke u hetuar 157 pjesëtarë të Policisë, ku 147 janë me përkatësi shqiptar, 16 serb, 1 boshnjak dhe1 turk. Nga 16 serb, 13 janë nga rajoni i Mitrovicës. Në veprimtari penale gjithsej kemi të përfshirë 165 zyrtarë policorë dhe 16 qytetarë.

Kurse, si vepra penale më të shpeshta prinë ’rrezikimi i trafikut publik’ me 21 raste, ’lëndim i lehte trupor’ me 19 raste, ’shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit’ me 18 raste, ’marrja e ryshfetit’ me 15 raste, ’keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’ me 10 raste, si dhe rastet tjera me numër më të vogël.

Inspektorati i Policisë së Kosovë gjatë këtij viti, deri në muajin tetor, ka hetuar 226 pjesëtarë të policisë nën dyshimin që kanë kryer vepër penale gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Këta policë dyshohen për marrje ryshfeti, shpërdorim detyre, zbulim i fshehtësive zyrtare, falsifikim dokumentesh, kontrabandë me mallra, mundësim prostitucioni, lëndime trupore etj., dhe 14 prej tyre u është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Për 80 prej këtyre rasteve IP ka ngritur kallëzime penale të cilat i ka dërguar në prokurori, kurse në 54 raste të tjera janë bërë raporte të veçanta.

Ndërkaq Baki Kelani, zëdhënës i PK-së, për mediet ka bërë të ditur se, sipas të dhënave që ka PK-ja, nga janari deri në gusht të këtij viti janë larguar nga puna për marrje të ryshfetit dhe shpërdorim të detyrës 9 zyrtarë policorë,  5 zyrtarë të tjerë thuhet të jenë larguar për shkelje administrative.

“Gjatë vitit 2011 për shkelje të rënda administrative dhe vepra penale janë larguar nga puna 33 punonjës, ndërsa në vitin 2010 janë larguar nga puna 39 punonjës”, ka thënë Kelani.