English
Scroll top

Historia e një shtyrje

Historia e shtyrjes së vazhdueshme të shitjes së aksioneve të PTK-së, ka treguar se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Komisioni Qeveritar për Privatizim, e ka ditur që nga fillimi se në duar të kujt do të mbetet kompania më profitabile në vend.

Prishtinë, 19 Prill 2013

Shitja e 75 % të aksioneve të PTK-së, përkatësisht të Valës dhe Telekomit të Kosovës, i mori kohë më shumë se që kishte planifikuar Qeverisë së Kosovës. Tenderi për privatizimin e PTK-së, u anulua herën e parë në fazën e parakualifikimit, sepse dyshohej se ishte i kurdisur dhe dihej fituesi. Dështimi ndodhi pasi që "Hrvatski Telekom" ishte i bindur që fitues i tenderit për blerjen e PTK-së në fund do të del "Telekom Austrian AG". Kjo kompani patë ikur nga gara, pasi e kishte parë tendencën e Qeverisë së Kosovë që me çdo kusht PTK-në t’ia jap "Telekom Austrian AG". Kjo kompani, ka qenë njëra prej pretendenteve për ta fituar edhe licencën për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, por patë dështuar.

Gazeta nr 4 e Preportr mbi PTK-në, tregon se tërë procesi  i  përgatitjes  së  bazës  për  këtë privatizim si dhe vetë tenderi ishin të njëanshme dhe të orientuara drejt një qëllimi të krijuar që në vitin 2007. Qeveria ka  pasur  për  synim  që  PTK-në  t’ia  jap si  monedhë  "kusuri"  telekomit  austriak, këshilltarët e së cilës e kanë kontrolluar këtë proces qysh nga fillimi. ‘Hrvatski Telekom' e ka parë tendencën që Qeveria është duke e përkrahur Telekom Austria me faktin që Këshilltari i Transaksionit më 2007 ka qenë përfaqësues i Telekom Austria për tenderin e dytë të telefonisë mobile, dhe po i njëjti ka qenë i angazhuar nga Qeveria si Këshilltar për privatizimin e PTK-së, gjatë fazës së parë të tentim privatizimit të PTK-së.

Duke parë rrezikun se "Hrvatski Telekom" mund të tërhiqet nga gara, Qeveria (gjë që edhe ndodhi), e shtyu fazën parakualifikuese për dy javë. Kjo me synimin që t'i jepet mundësia për herë të dytë, kompanive që vetëm tre muaj më parë ishin diskualifikuar për mospërmbushje të kritereve të futet sërish në garë.

Tërheqja e "Hrvatski Telekom" nga gara, qoi në dështimin e tenderit dhe më 17 tetor 2011, Komisioni Qeveritar për Privatizimin (KQP) e PTK-së ka marrë  vendim që të shpallë të mbyllur procesin e privatizimit të PTK-së, dhe kështu të nis përgatitjet për një proces të ri të privatizimit të kësaj kompanie.

Më 17 gusht 2012, KQP miratoi listën e kompanive të parakualifikuara për pjesëmarrje në tenderin për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së. Në bazë të vendimit të KQP-së, kompanitë që kanë plotësuar, kriteret ligjore, financiare dhe teknike, të përcaktuara në thirrjen për parakualifikim, të cilat ftohen të marrin pjesë në tenderin për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së ishin: Albright Capital Management LLC, në bashkëpunim me Portugal Telecom, Columbia Capital në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh në bashkëpunim me British Telecom - Poloni (në pronësi të British Telecom), M1 International Limited, Turkcell, Twelve Hornbeams në konsorcium me Avicenna Capital LLC, në bashkëpunim me Sofrecom (pjesë e France Telecom).

Edhe për tenderin e dytë filluan shtyrjet, me qëllimin që të bëhen sa më shumë oferta dhe të shmanget rreziku që të anulohet sërish tenderi.

Në nëntor të vitit 2012, KQP ka miratuar edhe një nga kërkesat e investitorëve për shtyrjen e afatit për dorëzim të ofertave deri me 15 janar 2013.

Në komunikatën e MZHE-së thuhet se kjo shtyrje është ndikuar edhe nga interesimi për mbështetje nga institucionet financiare, "veçmas pas pranimit të Republikës së Kosovës si anëtare e BERZH, si dhe është bërë në pajtueshmëri me rekomandimet e këshilltarit të transaksionit dhe atij strategjik, me qëllim të ofrimit të kohës adekuate për përgatitje të ofertave për kompanitë aplikante".

Gjithashtu, KQP këtë muaj ka miratuar përfshirjen e Citigroup Venture Capital International Advisors (CVCI) në konsorciumin e Twelve Hornbeams S.a.r.l /Avicenna Capital LLC, dhe përfshirjen e Central Balkan Investments Limited (CBI) në konsorciumin e M1 International Ltd.

Shtyrje pas shtyrje

Një ndër kompanitë që u përfol shumë se është pretendenti kryesore që t'i blejë 75 % të aksioneve të PTK-së ishte “Albright Capital Management” (i cili është një fond investimesh, që udhëhiqet nga ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright). Por më 11 janar të këtij viti, “Albright Capital Management”, është tërhequr nga gara për PTK- në.

Drejtori menaxhues i kësaj kompanie Nelson Oliveira, i ka konfirmuar “International Herald Tribune” se i kanë dhënë fund garës, “meqë informacionet për tërheqjen tonë tash janë publike”, ka thënë Oliveira, duke iu referuar shkrimeve në media bazuar në burime anonime.

Pas tërheqjes së “Albright Capital Management”, filloi frika e madhe se do të anulohet edhe ky tender, gjë që i prishte shumë punë Qeverisë, pasi ishte në kërkim të parave të shpejta për të mos dështuar nga ana tjetër ndërtimi i autostradës Prishtin-Shkup. Për këtë arsye kanë vazhduar sërish shtyrjet, por tashmë në mënyrë të vazhdueshme. Duke u bazuar në zhvillimet rreth ofertave për privatizimin e PTK-së, këto shtyrje janë bërë për të krijuar hapësirë që të bëhen së paku dy oferta të sigurta dhe të bëhet gjithsesi pazar këtë aset profitabil.

Pas 13 ditëve të largimit të“Albright Capital Management” (më 24.01.2013), shtyhet koha e dorëzimi të ofertave deri më 14 mars 2013. Këtë shtyrje ministri Beqaj e pati arsyetuar duke thënë se po bëhet "me qëllim të maksimizimit të transaksionit, ruajtjes së interesit shtetëror dhe jo të ngutjes së procesit, i cili mund të sjellë oferta më të ulëta".

Beqaj po atë ditë njoftoi se ka pasur edhe një ofertë tjetër nga konzorciumi amerikano-gjermano-britanik, i përbërë nga Columbia Capital& ACP AxosCapital, i cili ka pasur një ndërrim, ku tani konzorciumi ACP AxosCapital do të vazhdojë me një kompani tjetër nga SHBA-të dhe British Telecom, ndërsa është larguar Columbia Capital, e cila deri më 4 mars 2013 ka qenë lidere në konzorcium.

Por, koha se kur është lejuar ndryshimi i konzorciumit, tashmë titullar të PTK-së, jep të kuptohet se tenderi ka qenë i atillë, që në fund, fituese të del konzorciumi ACP Axos Capital Partners dhe Najafi Companies LLC. Komiteti Qeveritar për Privatizim, patë lejuar ndryshimin e konzorciumit fitues të PTK-së, pas kalimit të fazës së parakualifikimit. KQP-ja, në gusht të 2012, patë aprovuar listën e kompanive të parakualifikuara të PTK-së, ku në mesin e tyre ishte edhe konzorciumi, Columbia Capitals nga SHBA, me Axos Capital.

Por as kjo shtyrje, (deri më 14 mars) nuk i mjaftoi KQP që të bëjë pranimin e ofertave, duke pritur ndonjë ofertë tjetër. Prandaj KQP-ja vendosi sërish më 13 mars që të shtyjë edhe për një javë (21 Marsi 2013 )  pranimin e ofertave. Kjo shtyrje u arsyetua, me pretendimin se ka qenë kërkesë e investitorëve për kompletimin e dokumenteve të tyre.

As në këtë datë kompanitë ofertuese nuk ishin të gatshme që të japin ofertat e tyre, dhe sërish KQP e shtyu afatin e dorëzimit të tyre deri më 3 prill 2013. Deri sa dy kompanitë konkurruese u "kërpitën" për të bërë ofertat, ndërsa KQP tashmë u sigurua se ka dy ofertues të sigurt dhe se procesi nuk do të dështojë.

Por, kur është bërë dorëzimi i ofertave më 3 prill 2013, gjiganti turk "Turkcell" nuk ka dorëzuar fare ofertë edhe pse ishte e parakualifikuar në garë dhe shihej njëri nga konkurrentet më serioz.  Ndërsa, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nuk ka njoftuar specifikisht për largimin e kompanisë "Turkcell" dhe për arsyet e largimit.

Pas gjithë këtyre shtyrjeve, komisioni i vlerësimit ka konstatuar se dy kompanitë në garë M1 International/M1 Group dhe Axos GMBH” në konsorcium me “Najafi Companies” i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe ligjore, andaj janë krijuar kushtet që të procedohet me hapjen e ofertave financiare. Pikërisht kjo e fundit u shpallë edhe fituese e tenderit.

Më 29 shkurt 2012, KQP i PTK-së ka njoftuar për zgjedhjen e këshilltarin e transaksionit. Nga 12 kompani sa kishin konkurruar, janë parakualifikuar 6 dhe nga këto fitues është shpallur Lazard Freres  S.A.S, (në konzorcium me Raiffeisen Investment AG). Për përgatitjen e dokumenteve/ rekomandimeve të reja kompania  Lazard Freres  S.A.S në konzorcium me Raiffeisen Investment AG, e cila është shpallur fituese është paguar me 2.5 milionë euro.  Në total, Qeveria ka shpenzuar edhe mbi 4.1 milionë euro për këshilltarët e shitjes - Lazard Freres S.S.S dhe Raiffeisen Investment AG, Telco Ag dhe Hunton & Williams