English
Scroll top

Gjyqtari që mundësoi arratisjen

Ata ishin të akuzuar për vrasje, asistencë në vrasje e atentate të figurave politike e krim të organizuar. Dënimet pritej të ishin të larta, siç edhe ndodhi. Madje njëri prej tyre edhe qe arratisur gjatë procesit, për t’u arrestuar një ditë më vonë. Çuditërisht, dhe përkundër këtyre fakteve, gjyqtari i EULEX-it, Tore Thomassen kishte vendosur që ditën kur do të jepej vendimi, të akuzuarit në rastin “Bllaca II” të mos i përcillte policia, siç kishte ndodhur...

15 Janar 2013

Shpresim Uka, Driton Hajdari e Bekim Syla kanë qenë vazhdimisht prezent gjatë seancave gjyqësore ku ata akuzoheshin për krime serioze, përveç në ditën kur u shpall verdikti final i trupit gjykues. Ata nuk ishin aty për ta dëgjuar gjyqtarin Tore  Thomassen duke i shpallur fajtorë, duke qenë se ky gjyqtar, në seancën e fundit para shpalljes së verdiktit, iu kishte hapur një deriçkë të vogël për t’u arratisur. Mund të thuhet lirisht se Thommason që ua lehtësoi atyre arratisjen.

Gjyqtari Tore Thomassen kishte vendosur që këtyre të akuzuarve t’ua bëjë një ”shërbim”.  Në ditën e shpalljes së vendimit përfundimtar, gjyqtari Thomassen ua kishte mundësuar të akuzuarve ardhjen në gjykatë pa përcjelljen e policisë. Kjo mundësi e artë nuk u la pa u shfrytëzuar nga të akuzuarit, pasi që ata mu në ditën e shpalljes së vendimit u arratisën. Madje, për Driton Hajdarin kjo qe arratisja e dytw, pasi që ai ishte arratisur edhe më 9 tetor 2012, i arrestuar një ditë më vonë, pasi qe dorëzuar vullnetarisht.

Ky rast është vazhdim i rastit Bllaca I, në të cilin dëshmitari bashkëpunues, Nazim Bllaca, ka nxjerrë akuza për përfshirjen e pjesëtarëve te SHIK-ut në krime të rënda, përfshirë këtu edhe likuidime politike.

Zyra për informim e EULEX-it, nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në vendimin e gjyqtarit Thomassen. Për EULEX-in, mos-shoqërimi i të akuzuarve nga policia në ditën kur do të merrej vendimi, “ishte bërë praktikë, pasi që kishte vonesa në fillim të seancave kur policia ishte përgjegjëse për transportimin e të pandehurve nga shtëpitë e tyre tek gjykata”. Por, synimi i proklamuar për “mënjanimin e vonesës” në ditën e seancës përfundimtare, rezultoi me arratisjen e të akuzuarve, veprat e të cilëve hyjnë në kategorinë e akteve më të rënda penale.

Mbi 40 seanca dhe më shumë se një vit kohë i kishte marrë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë procesi i njohur si “Bllaca II”, por tërë ky proces u sabotua, kur të akuzuarit kapën shansin që u kishte krijuar gjyqtari kryesues. Gjysma e të dënuarve tani nuk po e vuajnë dënimin. Ata konsiderohet se janë arratisur me 17 Nëntor, dhe krejt çka është bërë deri më tash është lëshimi i fletë-arresteve për ta.

Shpresim Uka, Driton Hajdari e Bekim Syla, rëndom, gjatë procesit “Bllaca II” përcilleshin nga shtëpia e tyre për në gjykatë nga Policia e Kosovës (PK), siç ndodhte edhe me Shaban Sylën, Sadik Abazin e Fahredin Gashin, deri sa rasti i këtij të fundit nuk u nda për t’u gjykuar veçmas, për shkak të problemeve të tij mentale.

Por, në seancën e fundit, gjyqtari Thomassen, çuditërisht, mori vendim, që ditën kur do të jepej vendimi përfundimtar, të akuzuarit, me përjashtim të Shaban Sylës, të vinin pa përcjellje policore. Ky grup ishte  i akuzuar për vepra të rënda penale si: vrasje, asistencë në vrasje e atentate të figurave politike, por edhe për krim të organizuar. Me gjithë natyrën e rëndë të veprave që rëndonin mbi të akuzuarit, për gjyqtarin Tore  Thomassen nuk përbënin ndonjë arsye të fortë  që të përcaktonte masa shtesë për të pamundësuar arratisjet e tyre.

Ky vendim e ka shqetësuar edhe dëshmitarin kryesor të këtij rast, Nazim Bllaca. Ai në një letër që i ka dërguar prokurores Emma Rizzato ka kërkuar llogari nga EULEX-i për arratisjen Shpresim Ukës, Driton Hajdarit e Bekim Sylës.

BE-ja nuk përgjigjet, EULEX-i fajëson Policinë e Kosovës

Më 17 dhjetor 2012 trupi gjykues i përbërë nga Tore Thommason – kryetar, Laura Liguori dhe   Bexhet Muçiqi anëtarë, vendosi që për një sërë veprimesh kriminale të dënojë së bashku me 54 vite heqje lirie grupin e përbërë nga: Shpresim Uka, Driton Hajdari e Bekim Syla, Shaban Syla e Sadik Abazi.

Por, për vendimin e 14 dhjetorit 2012, me të cilin, të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të Shaban Sylës, do të paraqiteshin në gjykatë pa përcjelljen e policisë, por vetëm me avokatët mbrojtës, vendim që ua çeli derën e arratisjes Shpresim Ukës, Driton Hajdarit e Bekim Sylës, Bashkimi Evropian nuk ka pasur përgjigje.

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kacijancic ka sugjeruar që për këtë të pyetet vetëm EULEX-i. Ky mision, për vendimin në fjalë, që çoi në arratisjen e gjysmës nga grupi i dënuar, një pjesë të fajit ia hedh Policisë së Kosovës.

“Më 14 dhjetor është vendosur që të pandehurit, me përjashtim të Shaban Sylës i cili është përcjell nga policia, të vijnë në gjykatë së bashku me avokatët e tyre. Ka pasur kohë që kjo ishte bërë praktikë, pasi që kishte vonesa në fillim të seancave kur policia ishte përgjegjëse për transportimin e të pandehurve nga shtëpitë e tyre tek gjykata. Për këtë, gjykatësi ka vendosur që të pandehurit të përcjellën nga avokatët e tyre, përpos të pandehurve që ishin në paraburgim. Lënë anash disa raste, ky aranzhim kishte funksionuar shumë mirë. Ky vendim u morr me 14 dhjetor për seancën e 17 dhjetorit” , ka thënë për Preportr Blerim Krasniqi, zëdhënës në EULEX.

Preportr ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, por ky institucion nuk ka pasur përgjigje.

“Bllaca I” + “Bllaca II”=72 vjet burg

Rasti “Bllaca II” është vazhdimësi e “Bllaca I”, në të cilin, Fahredin Gashi qe dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Salih Gashit, vrasja e të cilit u klasifikua si krim i luftës .

“Bllaca II” filloi në shtator të vitit 2011 për të përfunduar në dhjetor të vitit 2012. U mbajtën mbi 40 seanca, nën akuzë ishin vënë 6 persona: Shpresim Uka, Shaban e Bekim Syla, Driton Hajdari Sadik Abazi, si dhe biznesmeni i dënuari  nga “Blllaca I”, Faherdin Gashi, i njohur edhe si “Faruku”.

Për shkak të problemeve të tij mentale, akuza e Gashit u nda për t’u gjykuar veçmas, edhe pse prokurori i  EUELX-it e kishte ngritur akuzën për të 6 personat, si grup që kryen vrasjen  e Ibush Kllokoqit dhe dy tentim vrasje të Adem Salihajt dhe Ismet Arifit, dy të fundit funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Për shkak të sfondit politik të këtij rasti, dhe duke qenë se bëhet fjalë për SHIK-un, një organizatë kjo  e lidhur me partinë në pushtet PDK-në, gjykimi konsiderohet të jetë i një rëndësie të veçantë, prandaj edhe presioni ndaj gjyqtarëve lokal ka qenë evident.

Gjatë këtij procesi, i vetmi anëtar kosovar i kolegjit të gjyqtarëve, Behxhet Muçiqi në një seancë të muajit shtator të këtij viti nuk u paraqit, gjë që nga mediet u komentua si tërheqje e tij me çka rrezikonte që krejt procesin ta kthente në pikën zero. Mirëpo, ky gjyqtar, i cili kishte bërë edhe një kërkesë që ta lironin nga ky rast, por që i ishte refuzuar, thjesht u kthye në seancën e radhës, pa komentuar publikisht mungesën në seancën paraprake.

Në anën tjetër dëshmitari kryesor i rastit vazhdon të ruhet nga policia në masa të arrestit shtëpiak. Në këtë proces ishin përfshirë një numër dëshmitaresh të profilit të lartë, duke përfshirë këtu edhe shefin e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli.

Proceset gjyqësore me emrin “Bllaca” pritet të vazhdojnë, ku dy proceset e parat, Bllaca 1 dhe 2 janë iniciuar dhe vazhduar kryesisht mbi deklaratat e të vetë-shpallurit agjent i SHIK-ut, Nazim Bllca. Bllaca paraqitjen e parë publike e pati në nëntor të vitit 2009, ku pohoi se ishte bashkë-autorë i 17 aksioneve kriminale, siç pati thënë, “vrasjes, plagosjes, rrahjes brutale, e shantazhit të personave të caktuar, të parë si kolaboracionistë të Serbisë, apo si rivalë politikë”.

Ai kishte deklaruar se këto aksione i kishte kryer si prestar i SHIK-ut, i njësisë, siç e quan ai më vonë, “skuadra e vrasjeve”, dhe këto veprime i kishte kryer nën urdhrat e Shpresim Ukës, tash i arratisur, që sipas Bllacës, ky i fundit, merrte urdhra nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla, një tjetër pjesëtar i organizatës ilegale të sigurisë, SHIK. EULEX-i pati filluar një hetim ndaj Sylës, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që është edhe partia në pushtet që nga viti 2007, por të cilat i ka mbyllur pas dy vitesh hetime.