English
Scroll top

Gjithçka 2.45 euro, për “Depo”

Në qendër të kryeqytetit kosovar mund të bëhet biznes duke mbajtur klub të natës e duke paguar vetëm 2 euro e 45 cent për metër katror qira mujore. Këtë ia ka mundësuar AKP-ja biznesmenit Arianit Alaj, i cili mbanë “Depo”-n, njërin ndër lokalet e natës më të frekuentuara në Prishtinë. Ndërmarrja Shoqërore “APIKO”, pronare e “Depos”, thotë se vendimi i AKP-së është i kundërligjshëm dhe është ankuar në Gjykatën Supreme. Kurse në AKP,...

Prishtinë, 14 Shtator 2012

Biznes e qejf në zemër të kryeqytetit, e duke paguar vetëm 2 euro e 45 centë qira për metër katror. Kjo i është lejuar biznesmenit Arianit Alaj.

Ai ka nënshkruar një vazhdim kontrate me Agjencionin Kosovar të Privatizimit (AKP) për të mbajtur klubin e natës “DEPO”, një klub ndër më të famshmit e kryeqytetit kosovar, por këtë kontratë po e konteston ndërmarrja shoqërore “APIKO”, që ka në pronësi lokalin.

Kontestimin e saj kjo ndërmarrje shoqërore e ka paraqitur edhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Në këtë ankesë që e ka siguruar Preportr, të nënshkruar nga drejtori i ‘APIKO-së”, Imer Jusaj akuzohet Bordi i AKP-së se ka bërë shkelje të vazhdueshme të legjislacionit të privatizimit për ta shpërblyer Alajn.

Por në AKP thonë se krejt procedura ka shkuar “OK”. Madje për pretendimet e “AIKO-së” se biznesmeni Alaj nuk ka qenë i përgjegjshëm në pagesa ia lënë fajin kësaj NSH-je, që s’ka treguar me kohë.

“AKP asnjëherë nuk është njoftuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes për ndonjë pakënaqësi lidhur me vlerën e qirasë mujore, por më herët AKP-ja është njoftuar se objekti në fjalë është rinovuar dhe adaptuar për shfrytëzim nga z. Alaj”, Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së

“Bordi ka aprovuar vazhdimin e shfrytëzimit me qira në bazë të kontratës mbi qiradhënie e nënshkruar fillimisht nga menaxhmenti i NSH-së dhe z. Alaj. Në marrëveshjen mbi qira, palët janë pajtuar për vlerën e qirasë mujore. As Bordi e as AKP nuk e ka përcaktuar vlerën e qirasë mujore. AKP asnjëherë nuk është njoftuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes për ndonjë pakënaqësi lidhur me vlerën e qirasë mujore, por më herët AKP-ja është njoftuar se objekti në fjalë është rinovuar dhe adaptuar për shfrytëzim nga z. Alaj.”, thuhet në përgjigjet e AKP-së për Preportr.

APIKO: AKP-ja nxori vendim të kundërligjshëm

Ndërmarrja Shoqërore “APIKO”, si qiradhënës dhe biznesmeni Arianit Alaj si qiramarrës, kishin lidhur marrëveshje në vitin 2005  për shfrytëzimin me qira të objektit që ndodhet në kompleksin Qafa në Prishtinë, rruga UÇK (Ish APJ), Nr.2 (i njohur si Klubi i Natës “DEPO”).

Alaj këtë vit,  tejkalon “APKION” dhe menaxhmentin e saj duke drejtuar një kërkesë direkt tek Bordi i Drejtorëve në AKP, përmes së cilës kërkohet vazhdimi i shfrytëzimit me qira të objektit në fjalë për një afat kohor prej 2 vjetësh.

Kërkesa i është drejtuar Bordit të AKP-së,  pasi që menaxhmenti i NSH-së “APIKO”, si pronare e vendit ku “DEPO” është e vendosur, sipas përgjigjeve zyrtare të vetë AKP-së, nuk ka kompetencë ligjore të procedojë apo miratojë marrëveshje afatgjate për qiradhënie.

“Bordi ka aprovuar kërkesën për vazhdimin e shfrytëzimit me qira në afat prej 2 vjetësh konform nenit 6.1.14 të Ligjit të AKP-së”, thuhet në përgjigjet  e këtij Agjencioni për Preportr.

Por në “APIKO”  pretendojnë se ky vendim i AKP-së është i kundërligjshëm.  Në shkresën e tyre drejtuar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ‘APIKO” pretendon se AKP-ja nuk ka zbatuar as parimin bazë mbi të cilin vepron: “rritjen dhe ruajtjen e vlerave të ndërmarrjeve që ka në menaxhim”.

AKP asnjëherë nuk është njoftuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes për ndonjë pakënaqësi lidhur me vlerën e qirasë mujore, por më herët AKP-ja është njoftuar se objekti në fjalë është rinovuar dhe adaptuar për shfrytëzim nga z. Alaj

Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së

“APIKO” argumenton se çmimi prej 650 euro qira mujore për një hapësirë prej 265 metrash katror  është çmimi tejet i ulët. Me një përllogaritje të thjesht del që biznesmeni Arianit Alaja paguan vetëm 2 euro e 45 centë për metër katror për biznesin “DEPO”, edhe pse është njëri ndër klubet më të frekuentuara të natës në Prishtinë.

Në “APIKO” konsiderojnë që me këtë vendim të AKP-së janë dëmtuar tej mase dhe mund të kërkojnë anulimin e tij. Ata, madje në pjesën e fundi të ankesës deponuar në Dhomën e Posaçme, kanë kërkuar që ky vendim i AKP-së të anulohet dhe të shpallet tender për dhënien me qira të kësaj hapësire.

Një shkelje tjetër që “APIKO” ka përmendur është edhe vetë dhënia me qira e kësaj hapësire pa pasur njoftim publik. Në AKP arsyetohen se ata veç kanë vazhduar kontratën e “APIKO”-së dhe nuk kanë nënshkruar kontratë të re. Preportr ka provuar të kontaktojë biznesmenin Arianit Alaj në kontaktet që ka pasur në dispozicion , por kjo ka qenë e pamundur.

Shpërblehet borxhliu i keq

“APIKO” kishte njoftuar më 17 korrik të këtij viti AKP-në se në qershor ka skaduar marrëveshja në mes biznesmenit  Alaj dhe “APIKO” për qiranë e klubit të natës “Depo” si dhe kishte kërkuar që kjo çështje të shqyrtohej nga AKP-ja duke përmendur edhe tenderimin e saj.

AKP-ja gati një muaj më vonë, më 9  gusht njofton “APIKO“-në se kjo pronë veç i është dhënë me qira përsëri Arianit Alajt dhe i kujton “APIKO”-së se kjo ndërmarrje shoqërore nuk e ka zbatuar rekomandimin e AKP-së dhe me këtë ka vepruar kundërligjshëm duke bërë transaksione përmes ditarit  të arkës dhe jo direkt në xhirollogari.

Po këtë ditë, AKP-ja i ka shkruar edhe një letër tjetër për Arianit Alajn përmes së cilës e njofton se mund të vazhdojë afarizmin në “Depo”, pasi që i është miratuar kërkesa për vazhdimin e marrëveshjes për qira, me kushtet që i ka pasur me “APIKO”-në.

Por, në ankesën që kanë dërguar në Dhomën e Posaçme, drejtuesit e “APIKO”-së pretendojnë se Alja është i papërgjegjshëm.

“APIKO personin të cilit i është dhënë hapësira me qira e njeh si borxhli  të keq të ndërmarrjes që i ka borxh ndërmarrjes si qiraxhi i mëhershëm, obligime që asnjëherë nuk i ka përmbushur si dhe i ka shkaktuar ndërmarrjes dëme shtesë”, arsyetojnë në “APIKO” kërkesën e tyre që  prona në fjalë, ku afaron lokali i natës “Depo” të mos i jepet biznesmenit Alaj.