English
Scroll top

Gazi si lehtësim i tranzicionit energjetik

Përdorimi gazit në vend të qymyrit do të shkaktonte 50 përqind më pak ndotje të mjedisit. Ekspertët e fushës së energjisë dhe mjedisit thonë se mes përdorimit të gazit dhe qymyrit, përparësi duhet t’i jepet gazit. Duke marrë parasysh resurset e qymyrit në Kosovë, një mundësi është që të investohet në teknologji që e shndërrojnë qymyrin në gaz

Prishtinë, 30 Dhjetor 2022

Përveç aspektit të sigurimit të një tranzicioni të lehtë energjetik përmes përdorimit të gazit, por edhe aspekteve strategjike dhe gjeopolitike, të cilat i theksojnë ata që merrem me politikë, një përparësi tjetër e përdorimit të gazit është edhe niveli më i ulët i ndotjes së mjedisit.

Në aspektin mjedisor përdorimi i gazit konsiderohet se e ndotë mjedisin për 50 për qind më pak, krahasuar me përdorimin e qymyrit, në mënyrën se si përdorët në Kosovë. Njohësit e fushës së mjedisit thonë se nëse i krahasojmë këto dy opsione të përfitimit të energjisë, atëherë gazi është shumë më “miqësor” me mjedisin.

Sabit Restelica, njohës i fushës së gazifikimit dhe mjedisit, thotë se Kosova që nga viti 1970 deri në vitin 1988 ka përdorur gaz sintetik, i cili është prodhuar nga linjiti apo qymyri i terur i Kosovës, përkatësisht i mihjeve sipërfaqësore të Obiliqit. Ai thotë se kjo përvojë në përdorimin e gazit është satisfaksion në një aspekt.

Shiko Gazetën #B-25

Lidhur me diskutimet për projektin e gazit, Restelica thotë se është kryer një studim i fizibilitetit për të analizuar arsyeshmerinë e ndërtimit dhe instalimit të infrastrukturës për furnizim me gaz natyror.

Sipas tij, termocentrali me gaz do të ishte si një fazë tranzitore, pasi që të gjitha projeksionet e BE-së, deri në vitin 2030 dhe 2050 janë që të bëhet dekarbonizimi i ekonomisë së secilit shtet, që nënkupton edhe eliminimi i përdorimit të të gjitha burimeve energjetike me bazë fosilore, e të cilave u takon gazi, linjiti dhe nafta.

“Kur i analizoj të gjitha benefitet mjedisore dhe përshtatshmërinë, në këtë situatë, më i volitshëm është përdorimi i gazit, sesa përdorimi i linjitit për prodhimin e energjisë elektrike”, thotë Restelica.

Ai thotë se nëse e shohim në aspektin mjedisor përdorimi i gazit do të shmangte ndotjen mjedisore. Sipas tij, linjiti i Kosovës është me cilësi të dobët, me vlerë kalorike të dobët, me përbërje të lartë të hirit dhe lagështisë, përbërje relativisht të lartë edhe të sulfurit për kushtet tona. Ai shton se djegia e këtij linjiti rezulton me emesione mjaftë të larta të dyoksidit të karbonit, gazrave nitroze, dyoksidit të sulfurit dhe pluhurit të cilin ne e shohim në rrethinën ku shtrihen termocentralet ekzistuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas tij, duke marrë parasysh këtë fakt, përdorimi i gazit në krahasim me linjitin apo edhe naftën është më i volitshëm për shkak se emesionet janë gati 50-60 për qind më të ulëta, krahas emesioneve që i shkakton djegia e linjitit në kazantoret e termocentraleve.

“Në rastin e përdorimit të gazit për përdorim të energjisë elektrike, për ngrohje dhe për amvisëri, CO2 gjithashtu do të jetë prezent, por në nivele shumë më të ulëta krahasuar me CO2 që lirohet aktualisht nga termocentralet e KEK-ut”, theksoi Restelica.

Kur flasim për aspektin mjedisor të projektit të gazit, drejtori i Institutit INDEP, Burim Ejupi thotë se megjithatë edhe gazi është fosil, por dyoksidi i karbonit është 50% më pak se sa gazrat që lëshohen nga termocentralet Kosova A dhe B.

Ejupi thotë se në aspektin mjedisor kur kemi të bëjmë me gazin dhe qymyrin, gjithmonë gazit duhet dhënë përparësi, pavarësisht aspekteve të tjera të cilat diskutohen më shumë, e që kanë të bëjnë me kostot financiare.

“Nëse shkojmë në Shqipëri dhe themi se po e ndërtojmë një termocentral me projekt të gazit, atje do të duhej të shtrohej si pikëpyetje e madhe, sepse rreth 90 për qind e energjisë përfitohet nga uji. Por në Kosovë, me largu 50 % CO2-shin (ndotjen nga dyoksidi i karbonit) është shumë. Edhe 25 % kish me qenë mjaftueshëm”, thotë Ejupi, duke shtuar se këto elemente duhet të merren parasysh kur të vendoset për projektet e gazit.

Përmirësimi i indikatorëve mjedisor i domosdoshëm

Alban Hashani, drejtor i Institutit Riinvest thotë se nëse e analizojmë nga një perspektivë tjetër, edhe projekti i gazit mund të konsiderohet se i ka disa mangësi. E kjo ka të bëjë me ndikimin e gazit në mjedis.

“Derisa po flasim për dekarbonizim dhe kalim në një tranzicion të gjelbër, edhe gazi i ka disa telashe, por është më i pasur sesa linjiti. Vlerësimet janë se është të paktën dy herë më i pastër se linjiti” thotë Hashani.

Ai thotë se është e domosdoshme që të ndërmerren sa më shumë hapa drejt përmirësimit të indikatorëve mjedisor. Sipas tij, gazi do të mund të shërbente në këtë drejtim për shkak se të paktën përgjysmë shkakton më pak ndotje mjedisore, sesa burimet fosile që aktualisht përdorën.

Sipas tij, përdorimi i gazit e përshpejton edhe përfshirjen e burimeve tjera të ripërtërishme, por edhe burimeve tjera që na mundësojnë të kursejmë energji.

“Duke implementuar masa të efiçiencës, mund të kursejmë një sasi të madhe të energjisë, e cila alternativisht nuk duhet të prodhohet për shkak që të jemi më shumë të vetëdijshëm për indikatorët mjedisor”, thotë Hashani.

Ai mendon se te pjesa e furnizimit, duhet të vazhdohet edhe një kohë me këto kapacitete që i kemi dhe se është lajm i mirë edhe në aspektin mjedisor, qeveria nuk angazhohet me ndërtimin e kapaciteteve të reja me linjit.

“Duhet të eksplorohen edhe më shumë opsionet tjera në mënyrë të veçantë bashkëfinancimet edhe me vendet tjera si p.sh me Shqipërinë me kapacitetet e tyre ujore apo edhe me termocentralin me gaz të Vlorës”, theksoi Hashani.

Ai thotë se edhe në vendet tjera të rajonit ku ka interkoneksion të gazit, Kosova mund të jetë bashkëfinancues në impiantet e prodhimit, edhe pse ato nuk janë fizikisht në Kosovë. Hashani thotë se duhet të krijohen parakushte edhe për përfshirjen sa më të madhe të burimeve të ripërtritshme, edhe në nivel të ndërmarrjeve të vogla, por edhe amvisërive sepse në këtë mënyrë ndërrohen edhe sjelljet e konsumatorëve në aspektin shpenzimit të energjisë dhe në anën tjetër të pakësimit të ndotjes.

Hashani thotë se është i mirëseardhur fakti që qeveria po mendon drejt kapaciteteve të ruajtjes së energjisë përmes baterive, të cilat e lehtësojnë procesin e balancimit.

“Gjithashtu duke i eksploruar këto opsionet e bashkëgjenerimit në vendet e tjera të rajonit, ku kemi mundësi, siç është rasti me Shqipërinë, por jo të kufizohemi vetëm të gazi, por edhe të burimet tjera të hidropotencialit që Shqipëria e ka”, ka thënë Hashani.

Luan Shllaku njohës i fushë së energjisë dhe mjedisit thotë se gazi është një alternativë mjaftë e përshtatshme në aspektin e tranzicionit dhe se Kosova duhet ta shoh si një mundësi të mirë, duke marrë parasysh aspektin mjedisor, pasi që gazi nuk ka mbetje, pra digjet i tëri.

Ai thotë se institucionet kredibile globale kanë filluar të dokumentojnë gjithnjë e më tepër se me përdorimin e gazit ne do t’i përmirësojmë edhe shumë parametra ambiental në rënd të parë, dhe me të rëndësishme se parametrat lokal ambiental janë ato global.

“Mund të themi sot se gazi “mori pasaportën qytetare” ta quajmë si karburant i cili edhe pse është me origjinë fosile, është karburant i cili si i tillë mund të shpëtojë këtë tranzicion të madh, nga situata ku përdoret shumë qymyr, shumë naftë etj., në situatën ku 100% do jemi brenda burimeve të ripërtërifshim të energjisë”, thotë Shllaku.

Mundësia e gazifikimi të qymyrit

Qymyri në mënyrën se si përdorët në Kosovë për të prodhuar energji përmes djegies, shkakton shumë ndotje dhe nuk do të mund të përdorët pas disa viteve edhe pse Kosova e posedon në masë të madhe si resurs. Në gjithë këtë debat mes mbrojtjes së mjedisit dhe prodhimit të energjisë së mjaftueshme dhe krijimit të një pavarësie energjetike, ekspertët thonë se është edhe një opsion, i cili është i dobishëm për Kosovën - që qymyri të shndërrohet në gaz. Në këtë mënyrë do të shfrytëzoheshin resurset e mëdha me qymyr dhe në anën tjetër do të shkaktohej më pak ndotje në mjedis.

Sabit Restelica thotë se gradualisht duhet të hiqet dorë nga djegia e qymyrit, siç është duke u përdorur tani, dhe se përmes teknologjisë së re, qymyri mund të shndërrohet në gaz në procese të integruara, ku përveç prodhimit të gazit, mund të prodhohet edhe energji elektrike, por mund të prodhohet edhe ujë i ngrohtë për përdorim në amvisëri dhe industri.

Ai thotë se në këtë drejtim, një përparësi e madhe është se Kosova ka përvojë dhe kulturë të mirë në prodhimin dhe përdorimin e gazit dhe se kjo nuk mund të anashkalohet.

“Ne e kemi linjitin, pavarësisht se është me kualitet të dobët, teknologjitë e avancuara që sot po prodhohen qoftë në Evropë, Amerikë apo Japoni e mundësojnë përdorimin efikas të tij. Pra prodhohet me fuqi punëtore të vogël dhe duke e mbrojtur mjedisin”, ka thënë Restelica.

Një mundësi të tillë e sheh si të dobishme edhe Luan Shllaku, i cili thotë se Kosova ka një përvojë në gazifikim dhe se me përdorimin e teknologjisë së re, ky proces do të jetë shumë më i lehtë.

“Me gazifikim ne prodhojmë një karburant dominant brenda që e zvogëlon nevojën më të madhe për të djegur qymyr dhe për t’i pasur termocentralet në punë. Pse të mos ndërtojmë një termocentral i cili në vend të qymyrit do të furnizohet me gaz. Sot ekzistojnë 158 gazifikime të qymyrit, ndërsa në vitin 1970 kishte vetëm tri në botë: Obiliq, Gjermaninë Lindore dhe Afrikën e Jugut”, ka thënë Shllaku.

Ai thotë se nga gazifikimi përveç që do kemi energji, do mund të shkojmë me kimizimin e tij, të nxirret nga ky gaz hidrogjeni të cilin madje e pasurojmë me azotin që merret nga ajri duke fituar amoniakun dhe se shumë më lehtë mund të ndërtohet një zinxhir i prodhimit shumë i rëndësishëm.

“Qëllimi jonë i fundit është të prodhojmë gaz sintetik sepse mund ta prodhojmë nga diçka tjetër, i cili për dallim nga gazi natyral, dallimet kimike i ka të vogla, por për nga fuqia termike janë aty diku, është pak më e dobët. Nga eksperienca jonë kemi vënë re se ky gaz, në mënyrë të shkëlqyeshme, i ka përmbushur nevojat e të gjithë atyre që u kemi dhënë gaz nga viti 1970-89”, ka thënë Shllaku.

Lidhur me këtë çështje, Geri Selenica, drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, ka thënë se i ka dhënë një propozim Qeverisë së Kosovës që të bëjë një studim parafizibiliteti që ta përcaktojë se çfarë lloj teknologjie është më e mira për parametrat që i ka qymyri i Kosovës, dhe pastaj të zgjedhësh teknologjinë e duhur për ta aplikuar.

“Duhet të mendojmë si të reduktojmë ndotjen nga qymyri, jo të heqim qymyrin nga përdorimi, sepse Kosovës ja ka dhënë Zoti potencialin më të madh energjetik në Evropë. Po ta shohësh hartën e ndotjes ambientale me vendet më të ndotura, më shumë se Kosova, është Gjermania dhe Polonia, pikërisht prej qymyrit, por nuk e thonë. Kështu që çështja është si ta bësh qymyrin e pastër, dhe ai bëhet me gazifikimin që e ka pasur Kosova”, ka thënë Selanica.

Ai thotë se kosto e prodhimit të rrymës me gazifikim është 20% më shtrenjtë se sa që prodhohet aktualisht në Kosovë për një megavat dhe se një kosto shtesë mund të jetë nëse investohet edhe në eliminimin e të dyoksidit të karbonit.

“Ndryshimi mes termocentralit dhe gazifikimit është se këtu vë thëngjillin dhe i vë zjarrin e del në ambient të lirë, këtu i vë zjarrin thëngjillit dhe e kontrollon komplet djegien”, thotë Selenica.