English
Scroll top

Fshehja e faljes së distribucionit

Kompania për distribuim dhe furnizim me energji elektrike (KEDS), iu shit konzorciumit “Çalik & Limak”, në një proces jo transparent dhe me një çmim shumë të ulët. Kërkesave për qasje në dokumente publike të bëra nga shoqëria civile, Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk iu përgjigj në asnjë rast

Prishtinë, 02 Maj 2013

Procesi i tenderimit dhe shitjes së kompanisë për distribuim dhe furnizim me energji elektrike (KEDS), ishte jo transparent dhe i përshkuar me shumë kritika. Distribucioni u shit për pak para, me vetëm 26.3 milionë euro dhe iu dha një konzorciumi nga Turqia. Çmimi i ulët, vendi prej nga kanë ardhur këto kompani që përbëjnë “Çalik& Limak”, përvoja e paktë e tyre në fushën e distribuimit të energjisë elektrike i bëri shumë skeptikë ekspertët e energjetikës dhe opozitën në Kosovë.

Gjatë gjithë procesit janë përmendur përvojat e vendeve të rajonit, të cilat e kishin shitur distribucionin shumëfish më shtrenjtë dhe kompanive me emër në këtë fushë, mirëpo prapë u ishin paraqitur probleme të ndryshme.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që ka udhëhequr më procesin e tenderimit dhe shitjes së KEDS, u mbyll për mediet e organizatat joqeveritare të cilat interesoheshin të dijnë më shumë rreth mënyrës se si po shitej ky aset i rëndësishëm ekonomik në vend.

Pyetje pa përgjigje

Konzorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), kanë kërkuar në vazhdimësi që të kenë qasje në dokumentet zyrtare për privatizimin e KEDS-it, por në të gjitha rastet kanë marrë përgjigje negative. Në tetor të vitit të kaluar, KOSID në një konferencë për medie, publikoi një dosje në të cilën ishte paraqitur korrespodenca e Institutit për Studime të Avancuara GAP, me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Drejtori i GAP-it, Agron Demi, pati thënë se në të gjitha rastet Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk u ka kthyer përgjigje.

KOSID, nuk ishte mjaftuar vetëm me kërkesa për qasje në dokumente publike, që ishin gjithsej 5, mirëpo kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të fillojë një hetim për mënyrën si është shitur KEDS. Po ashtu ata kanë paralajmëruar se do ta padisin Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik,  për jotransparencë dhe shkelejn e detyrimeve ndaj Ligjit për qasje në dokumente publike dhe parregullsi në procesin e tenderimit dhe shitjes së distribucionit.

Konzorciumi “Çalik & Limak”, e privatizoi këtë aset publik me vetëm 26. 3 milionë euro, që krahasuar më shtetet e rajonit i bjen shumëfish më pak. Mali i Zi e ka shitur distribucionin me 380 milionë euro ndërsa Maqedonia me 280 milionë. Edhe Shqipëria e kishte shitur me një çmim të përafërt distribucionin dhe një kompanie me emër në këtë fushë CEZ, nga Çekia.

Në kohën kur në Kosovë po privatizohej distribucioni, në Shqipëri CEZ ishte pothuajse në prag të dështimit. Ngulmimi i opozitës dhe shoqërisë civile për mos e shitur distribucionin konsistonte në këtë dështim që po i ndodhte Shqipërisë por edhe Bullgarisë, ku qytetarët e këtij shteti dolën në protesta për shkak të tarifave të larta të energjisë.

Shqipëria ndërkaq në fillim të këtij viti u detyra që kompanisë CEZ, t’ia heq licencën pas mosmarrëveshjeve për tarifat mbi energjinë.

Këto përvoja të shteteve të rajonit nuk e bindën Qeverinë e Kosovës për mos ia shitur distribucionin një konzorciumi turk që doli të jetë i lidhur me kryeministrin e këtij shteti, Rexhep Taip Erdogan.

Distrubucionin e privatizon dhëndri i Erdogan

Në korporatën “Çalik Holding”, që e ka privatizuar rrjetin e distribucionit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, ryeshef ekzekutiv është dhëndri i kryeministrit të Turqisë, Erdogan. Kryeministri turk gjatë kohës që privatizimi i distribucionit ishte në proces të tenderimit disa herë e ka vizituar Kosovën.

Në një nga vizitat e tij Erdogan nuk ka hezituar që kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, ta quante vëlla.  Kryeministri turk në vendin e tij para disa vitesh akuzohej që kishte favorizuar dhëndrin e tij në blerjen e dy shtëpive mediale të cilat shteti turk ia kishte sekuestruar njërit prej baronëve më të mëdhenj të shtypit të viteve 90-ta në Turqi. Dinc Bilgin, që kishte në pronësi shtëpitë mediale si “ATV” e “Sabah”, kishte edhe një bankë e cila kishte falimentuar duke i krijuar kështu borxhe të mëdha ndaj shtetit turk.

Këto shtëpi mediale i ishin shitur “Çalik Group”, me një çmim prej 1.1 miliardë eurosh. Kjo kishte nxitur dyshimet e opozitës turke që e akuzonte Erdogan-in se kishte ndërhyrë në interes të kompanisë së dhëndrit të tij. Paratë, sipas opozitës, “Çalik” i kishte siguruar nga bankat që janë në pronësi shtetërore. Opozita kishte thirrur një mocion parlamentar për këtë çështje, por i cili nuk kishte kaluar pasi shumicën e deputetëve në parlament e përbënte partia e Erdoganit.

“CHP (Partia Republikane e Popullit) ,tha në mocion se transaksioni është financuar nga bankat shtetërore dhe se nuk janë dhënë detaje tjera për procesin. Po ashtu nuk është bërë i njohur për publikun emri i investitorit të huaj”, shkruante gazeta turke “Hyrriet”.

“Çalik Holding” e “Limak Holding”, fillimisht kishin aplikuar veç e veç për blerjen e distribucionit, por ishin bashkuar tek në muajin prill të vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur për shtyrjen e afatit për aplikim në procesin e privatizimit të distribucionit. Partneri i Çalik-ut, korporata Limak, në konzorcium me Aeroports de Lyon, kishte marrë me koncesion për 20 vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kur është nënshkruar kontrata me Qeverinë e Kosovës, në qershor të 2010-tës, ky konzorcium pati marrë obligime që të investojë mbi 100 milionë euro në modernizimin dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë që konzorciumi turk ta marrë në dorë KEDS-in, mirëpo ende ka mbetur e paqartë që veç distribucionit çfarë i është shitur tjetër. Sindikalistët dhe shoqëria civile shprehin drojen se konzorciumit i janë shitur edhe objektet e distribucionit që kapin shifra prej miliona eurosh.