English
Scroll top

Emërimet dhe Riemërimet - unlimited

Për katër vjet nuk janë plotësuar rreth 460 pozita për gjyqtarë dhe prokurorë. Disa gjykata kanë mbetur vetëm me nga një gjyqtar dhe me gjasë kështu do të mbesin për një kohë të gjatë. Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve po e rritë numrin e lëndëve. Përpjekja për t’i plotësuar të gjitha pozitat po vazhdon

Prishtinë, 18 Qershor 2012

Vazhdimi për një kohë të gjatë i procesit të emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet ka lënë zbrazëtira të mëdha në sistemin e drejtësisë dhe rritje të numrit të lëndëve.

Ky proces që ka filluar që në vitin 2008  e që është dashur të kryhet në vitin 2010, zor se do të mund të kryhet brenda këtij viti.

Disa gjykata dhe prokurori do të mbesin me po ata gjyqtarë dhe prokurorë sepse nuk ka pasur intersim për to. Shembull është gjykata komunale e Klinës që e ka vetëm një gjyqtar dhe me gjasë do të mbetet vetëm me të. Në konkursin e fundit të shpallur në fillim të vitit 2011 nuk ka pasur asnjë kandidaturë për këtë gjykatë. Gjendja më e mirë nuk është as në gjykatat për kundërvajtje.

As në konkursin e fundit poashtu nuk është plotësuar numri i prokurorëve dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, është dashur të shpallë një konkurs të ri, ku ka kërkuar të plotësohen edhe 26 pozita prokurorësh.

Zyrtarët më të lartë në sistemin e drejtësisë që edhe vetë kanë qenë të përfshirë në procesin e emërimit dhe riemërimit thonë që duket se kriteret e forta të vëna nga faktori ndërkombëtar që fillimisht e ka udhëhequr këtë proces kanë ndikuar që të ketë një numër më të vogël konkuruesish.

Shumë pozita vakante

Në nivelin komunal dhe në gjykatat për kundërvajtje nuk janë plotësuar të gjitha pozitat. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është duke e bërë intervistimin e kandidatëve për këtë nivel, ku ka shumë pozita të pa plotësuara.

Shumë gjykata në nivelin komunal punojnë me nga një ose dy gjykatës. Në Gjykatën Komunale të Vushtrrisë punon vetëm kryetarja, në gjykatën e Gllogocit veç kryetarit ka edhe një gjyqtar, njejtë është edhe në gjykatën e Kaçanikut dhe të Podujevës, e Klinës ka vetëm një gjyqtar…

Gjykatat për kundërvajtje me vetëm nga një gjykatës janë ajo e Klinës, Podujevës, Shtërpcës, Istogut, Rahovecit. Në Gjykatën për Kundërvajtje të Lipjanit nuk ka fare gjyqtar, por Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka deleguar atje një gjyqtar të Gjykatës Komunale.

Edhe tani kemi gjykata që nuk kemi kandidatura vetëm nëse  ne i shpërndajmë ata që kanë konkuruar nëpër qendra të tjera ku është plotësuar numri i gjyqtarve. Është shqetësuese sepse në shumë gjykata komunale ka numër të vogël të gjyqtarëve dhe në konkursin e fundit që është shpallur në fillim të vitit të kaluar, nuk ka asnjë kandidat.

Fejzullah Hasani, Kryetar i Gjykatës Supreme

“Edhe tani kemi gjykata që nuk kemi kandidatura vetëm nëse  ne i shpërndajmë ata që kanë konkuruar nëpër qendra të tjera ku është plotësuar numri i gjyqtarve. Është shqetësuese sepse në shumë gjykata komunale ka numër të vogël të gjyqtarëve dhe në konkursin e fundit që është shpallur në fillim të vitit të kaluar, nuk ka asnjë kandidat”, thotë Fejzullah Hasani kryetar i Gjykatës Supreme.

Ndryshe prej gjykatave për të cilat së paku po vazhdon intervistimi i kandidatëve dhe ende nuk dihet a do të plotësohen të gjitha pozitat, për prokuroritë gjendja paraqitet më e keqe.

Para disa javësh Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur konkurs që është i pesti me radhë për 26 pozita që nuk janë plotësuar ende.

“Situata është shumë e rëndë në prokuroritë komunale, ku Prokuroria Komunale e Pejes ka vetëm katër prokurorë e mbulon katër komuna si Deçanin, Istogun e Klinën. Me këtë numër të prokurorëve nuk ka mundësi të bëhet përfaqësimi me kohë në të gjitha akuzat e po ashtu nuk ka mundësi që prokurori ta përgatis lëndën e ta përfaqësoj atë si duhet”, thotë Genc Nimon,  koordinator i monitoruesve të BIRN-it nëpër gjykata.

Nga konkursi paraprak për prokurorë, janë plotësuar disa pozita në nivel qarku, ku po ashtu kishte mungesë të madhe prokurorësh.

Duhet plotësuar shumë kushte

Këtë mungesë të kandidatëve për prokurorë e gjyqtarë zyrtarë në sistemin e drejtësisë e arsyetojnë me kriteret e shumta që duhet plotësuar një kandidat.

Po ashtu njëri prej problemeve, që në fillim ka pasur numër të vogël konkuruesish ka qenë paga e vogël dhe mungesa e sigurisë dhe kushteve në punë. Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme, që ka qenë i përfshirë në procesin e emërimit dhe riemërimit që prej fillimit, thotë se faji është edhe i vetë gjyqësorit që me kohë i ka neglizhuar kuadrot e reja.

“Ka qenë problem se në  fazën e parë të konkurimit ka pasur shumë pak konkurentë, pagat ishin të vogla dhe nuk ishte atraktive që njerëzit të punojnë me ato paga. Do më thënë kemi pasur një konkurencë tepër të dobët”, thotë ai.

Konkurenca nuk u shtua as pasi pagat për gjyqtarë e prokurorë u rritën për gati njëqind për qind.

Pas tri fazave të para të emërimit dhe riemërimit ku ishin të përfshirë Komisioni Evropian dhe USAID-i (të cilët e kanë financuar procesin e emërimit dhe riemërimit), procesi u mbeti në dorë vendorëve.

Edhe këta u detyruan të vazhdojnë t’i respektojnë kriteret që duhet t’i plotësojë një kandidat për të qenë gjyqtar a prokuror. Ato sipas zyrtarëve në sistemin e drejtësisë janë shumë për kushtet e Kosovës por të domosdoshme, pasi sistemi ishte degraduar dhe përfshirë në korrupsion.

Procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka filluar në vitin 2008.  Procesi ishte ndarë në tri faza, të cilat është dashur të kryhen në vitin 2010. Ky proces në këto tri faza është mbështetur dhe mbikëqyrur nga Komisioni Evropian dhe USAID-i. Për të KE ka ndarë mjete prej 5 milionë eurosh, kurse SHBA 880 mijë dollarë amerikanë.

Pas këtyre tri fazave procesi ka kaluar në dorë të vendorëve. Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial në fillim të vitit të kaluar kanë shpallur konkurs për plotësimin e 120 pozitave të paplotësuara. Deri me tani nga ky konkurs janë emëruar disa gjyqtarë dhe prokurorë në nivel qarku. Për nivelin komunal procesi vazhdon….

Historiku i procesit të emërimit dhe riemërimit

Në mos asgjë tjetër, Enver Peci kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, thotë se procesi i emërimit dhë riemërimit, solli 60 përqind të emëruar të rinj sidomos në nivelin komunal.

Dy herë është organizuar Testi i Etikës të cilin megjithatë e kishin kaluar edhe gjyqtarë dhe prokurorë që në opinion njiheshin si të përfshirë në korrupsion. Këta persona që kandiduan për ta marrë edhe njëherë pozitën e gjyqtarit apo prokurorit ranë në integritet.

Përveç kalimit të këtyre dy testeve, kandidatët është dashur të kenë përvojë pune, 12 vjet për nivelin më të lartë (Gjykatën Supreme e Prokurorinë Speciale), 7 vjet për nivel qarku, tri vjet për nivelin komunal.

Kritere tjera që duhet t’i plotësojnë kandidatët e rinj, është provimi i judikaturës, arsimimi fillestar ligjor që zgjatë 1 vjet e gjysmë.  Po ashtu nuk mund të emërohen as personat që kanë kryer ndonjë vepër penale.

“Ligji e parasheh kështu nuk mund të jetë gjyqtar ai që nuk e ka të përfunduar provimin e judikaturës, që nuk e ka të përfunduar arsimimin ligjor. Për  t’u kualifikuar është një proces goxha i komplikuar. Kështu që nuk kemi pasur shumë kandidatura nuk kemi pas shumë zgjedhje sepse na do t’i kishim zgjedhur që  herën e parë dhe procesi nuk do të zgjaste kaq shumë”, thotë Hasani.

Këto kushte sipas Hasanit për Kosovën kanë qenë tepër luks, duke e marrë parasysh faktin që provimi i judikaturës për dhjetë vjet para luftës nuk ishte organizuar kurrë.

Edhe pas luftës ky provim nuk qe mbajtur për dy-tri vite, për shkak të mosmarrëveshjeve politike rreth emërimit të komisionit.

Ai thotë se mund të duket absurde kjo që po ndodh, pasi drejtësia është dega më e preferuar e të rinjve viteve të fundit. “Mund të duket kështu por nuk është vetëm fakulteti, por janë edhe këto kushtet tjera që duhet plotësuar, prandaj nuk do të thotë asgjë dhe pak ka lidhje kjo me numrin e atyre që e kryejnë këtë fakultet”, thotë Hasani.

Të njejtën e thotë edhe dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Bajram Ukaj. Ai thotë se për të qenë gjyqtarë e prokurorë duhet të kryhen edhe disa provime profesionale, nuk mjafton vetëm fakulteti.

“Janë disa parakushte për të qenë gjyqtarë e prokurorë, kjo nuk lidhet shumë me numrin e studentëve që e kryejnë këtë fakultet”, thotë Ukaj duke mos e përjashtuar mundësinë që njerëzit sot mund të kërkojnë një punë pak ma të lehtë dhe që paguhet më shumë e që është më pak e rrezikshme.

Zvarritja me pasoja

Zvarritja për kaq kohë të gjatë e procesit të emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka ndikuar automatikisht në punën e gjykatave dhe gjyqësorit në Kosovë. Genc Nimoni, thotë se fillmisht procesi ka kaluar nëpër tri faza, të cilat edhe ashtu nuk përfunduan brenda afatit që ishte paraparë.

“Lëre që këto tri faza nuk përfunduan brenda afatit të paraparë mirëpo të njetat kanë përfunduar me jo plotësimin e të gjitha pozitave të parapara për gjyqtarë dhe prokurorë”, thotë ai.

“Gjatë monitorimit të seancave gjyqësore BIRN, ka parë për së afërmi ndikimin e procesit të emërimit dhe riemërimit në efektin e punës së gjyqësorit. Fillimisht janë zvarritur dhe tejzgjatur gjykimet në lëndët që kanë qenë në procedurë për shkak të emërimeve të reja dhe ka ndikuar në grumbullimin e lëndëve. Përveç kësaj BIRN ka hasur në raste të shumta kur prokurori nuk vjen fare në gjykim për shkak të pamundësisë së përfaqësimit të aktakuzës”, thotë ai.

Nimoni thotë të ketë informacion që në disa prokurori komunale, caktimi i lëndëve bëhët në ditën që prokurori do të duhej, ta përfaqësojë aktin akuzues në gjykatë. Natyrisht kjo sipas tij, bëhet për shkak të volumit të madh të lëndëve dhe numrit të vogël të gjykatësve.

“Të gjithë pyesin si ka mundësi që është miratuar një strategji për zvogëlimin e lëndëve dhe numri i lëndëve që po grumbullohen sa po vjen e po rritet. Ne po e shtrojmë si çështje numrin e vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve sado që gjyqtarët e rinj në shumë raste po e tejkalojnë normën, por ka shumë ardhje të lëndëve të reja”, thekson Fejzullah Hasani.

Në një raport të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, thuhet se në këtë vit në punë ishin 295,842, prej tyre: 209,448 lëndë të trashëguara, pra, nga periudha paraprake, 86,394 lëndë të pranuara, 82,805 lëndë të zgjidhura dhe  213,037 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura në fund të vitit 2011.

Kosova sipas tij, ka numër shumë të vogël gjyqtarësh për kokë banori. Kosova ka afër 14 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Në rajon për 100 mijë banorë Serbia i ka 28 gjyqtarë, Mali i Zi 51, Maqedonia 26, Bosnja 22, Kroacia 41, Sllovenia 39.