English
Scroll top

Çimentimi i trashëgimisë kulturore

Arkeologët pretendojnë se Kalaja e Harilaqit është dëmtuar seriozisht nga kompania “Arting”, nga Gjakova, që ka qenë e angazhuar ta konservojë atë. Në anën tjetër kompania që akuzohet se ka dëmtuar këtë trashëgimi kulturore ka vazhduar të marrë punë publike pa ndonjë problem

07 Dhjetor 2011

Prej vitit 2007 deri më 2010 punët në konservimin e objekteve të trashëgimisë kulturore i kanë kryer kompani nga Gjakova, biles disa prej tyre kanë qenë të angazhuara disa herë. Të angazhuara që prej kohësh këto kompani vazhdojnë të kryejnë punë të tilla që kërkojnë ekspertizë specifike edhe pse janë akuzuar se kanë dëmtuar objektet e trashëgimisë kulturore.

Arkeologë kosovarë që i kanë bërë gërmimet në kalanë e Harilaqit, Komuna e Fushë-Kosovës  dhe Pogragjës, Komuna e Gjilanit, disa herë e kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me konservimin që u është bërë këtyre dy kalave.

Reagimet ata i kanë bërë edhe publikisht në disa nga mediet vendore, por ato nuk ishin marrë seriozisht nga ish-udhëheqësja e Divizionit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Burbuqe Bakija-Deva e cila vjen nga Gjakova dhe angazhimi i  kompanive vetëm nga ky qytet duket të mos jetë rastësi.

“Preportr”, ka gjetur se njëra prej kompanive të angazhuara N.N.P.I. "Arcproject" Sh.p.k., është e regjistruar  në Agjensionin e Regjistrimit të Bizneseve ne Kosovë, në emër të Uran Devës i afërm i burrit të ish- udhëheqëses Bakija- Deva.

Edhe kompania që e ka bërë konservimin e kalasë së Harilaqit “Arting”, po ashtu është nga Gjakova dhe sipas listës së siguruar ajo ka kryer projekte të konservimit në disa raste.

Ministria e di për reagimet e arkeologëve, por kërkon që ato të bëhen me shkrim dhe se është duke punuar në një udhëzues që parasheh licencimin e kompanive po edhe të vetë arkeologëve.

Si u shkatërrua Kalaja e Harilaqit?

Një shtresë e madhe betoni e vendosur mbi punën disa vjeçare të arekeolgëve, ka shkatërruar kalanë e cila mund të kthehet në formën e përparme vetëm me një intervenim të ri.

Arkeologët e angazhuar në këtë projekt, Fatmir Peja dhe Arben Hajdari janë ankuar se konservimi i kalasë nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe se për këtë kanë reaguar jo vetëm në medie por edhe në Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Pasi e pranojnë se edhe një Komision ka vlerësuar se punimet në këtë kala janë kryer mirë, arkeologët pyesin se cilët konservatorë dhe profesionistë të tjerë të licencuar morën pjesë në atë vlerësim. Përbërja e atij komisioni, sipas tyre, asnjëherë nuk është publikuar nga MKRS-ja.

Arkeologu, Arben Hajdari, thotë se gjatë konservimit të Kalasë së Harilaqit, nuk janë konsultuar fare arkeologët të cilët kanë drejtuar gërmimet pasi ata, sipas tij, e ruajnë të drejtën autoriale, sipas ligjit mbi trashëgiminë kulturore.

“Ne kemi shtruar shumë pyetje rreth kompanisë që e ka bërë konservimin dhe komisionit që e ka bërë vlerësimin dhe disa nga këto pyetje kanë qenë: Cili ishte kuadri dhe përvoja profesionale e kompanisë që i ka kryer punimet? Mbi bazën e cilave kritere u zgjodh kompania për të kryer konservimet, mbi bazën e cilave kritere dhe projekte janë kryer punimet ? Cili profesionalist i sajoi ato kritere dhe projekte ? Gjithashtu, jemi shumë kurioz të dimë përbërjen dhe përgatitjen profesionale të komisionit i cili ka mbikëqyrë mbarëvajtjen e punimeve, sepse  përgjegjësia bie  edhe mbi ta”, thotë ai.

Por në këto pyetje kurrë nuk kanë marrë përgjigje.

“Sigurisht që nuk kemi marrë përgjigje për faktin se punimet janë kryer nga kompani të cilat janë të specializuar në ndërtimin e shtëpive dhe pa respektuar asnjë nga kriteret e parapara me ligjin mbi trashëgiminë kulturore. Thjeshtë objektet janë lënë në mëshirën e muratoreve të thjeshtë. Këtë më së miri e dëshmon gjendja në të cilën janë lënë objektet, e që mund të konstatohet nga fotografitë edhe nga laikët me të mëdhenj të fushës”, thotë Hajdari.

Arkeologu Fatmir Peja shpreh habinë e tij se përkundër që ishin bërë ankesa për kompanitë që kishin bërë  konservimin në të dy kalatë, ato ishin angazhuar edhe në disa raste tjera.

Duke shprehur shqetësimet e tij rreth konservimit të Kalasë së Harilaqit, Peja ka kujtuar se ajo ka qenë pikë referente për secilin vizitor, turist, arkeolog qoftë të huaj apo vendor.

“Falë konservimeve “profesionale” të kryera nga Ministria e Kulturës, fatkeqësisht nuk kanë më çka të shohin atje, përpos një shtrese gurësh dhe betoni që mbulon dy monumente të rralla të trashëgimisë kulturore”, thotë ai.

Edhe me shqetësues e konsideron faktin e heshtjes së institucioneve kundrejt shkatërrimit të një monumenti me vlera të veçanta, institucione këto të cilat edhe ligjërisht janë të obliguara të mbrojnë trashëgiminë kulturore.

“Akoma sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi për shkatërrimet e bëra, përkundër faktit se konservimet shkatërruese janë kryer në vitin 2009. Po tentohet që e tëra kjo të kalojë në heshtje, mbase dikur edhe do të harrohet. Një margaritar i tillë i trashëgimisë kulturore, të shkatërrohet pikërisht nga institucioni që do të duhej ta mbroj atë, kjo është jashtë çdo logjike”, shton ai

Ai ka kujtuar që rezultatet e gërmimeve arkeologjike në kalanë e Harilaqit janë prezantuar në L'Illyrie méridionale et l'Épire dans l'Antiquité. / V, Actes du Ve Colloque international de Grenoble, 8-11 octobre 2008, e që njëherit është sesioni me i madh shkencor më karakter ndërkombëtar që mbahet mbi Ilirinë.

“Të gjithë të pranishmit janë mahnitur me monumentalitetin e kalasë së Harilaqit. Gjithashtu, në vitin 2008, kalaja e Harilaqit është futur edhe nën patronatin e Presidencës së Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Ministria e di rastin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dy vjet pas përfundimit të konservimeve në këto kala dhe objekte tjera të trashëgimisë kulturore e ka vështirë të jap një konkludim si janë kryer punimet.

“Hartimi dhe zbatimi i projekteve të konservimit-restaurimit por edhe monitorimi i tyre është mjaft kompleks kur merret parasysh fakti se kemi numër të vogël të specialistëve që merren me këtë fushë”, thotë drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, në MKRS, Vjollca Aliu.

Aliu ka dëgjuar për shqetësimet lidhur me konservimin e kalave të Harilaqit dhe Pogragjës, por ato sipas saj janë shprehur nga arkeologët në takime njoftuese dhe konsultative, por jo edhe në formën e shkruar.

“Bazuar në praktikat e mëparshme konkretisht lidhur me projektet e dy kalave të përmendura nga ju, ne kemi ndryshuar në esencë duke ngarkuar Institutin Arkeologjik të Kosovës i cili është mandator për arkeologji që të menaxhojë me projektet. Kjo metodologji ka gjetur mbështetje të menaxhmenti i lartë i ministrisë.”, thotë ajo.

Drejtoresha thotë se sa i përket kompanive në fushën e restaurimit, ato nuk janë të licencuara në mënyrë specifike “megjithatë ka kompani të cilat kanë punuar dhe kanë krijuar një përvojë”.

“Në plotësimin e kornizës ligjore për trashëgimi kulturore, MKRS ka përfunduar hartimin e udhëzueseve për licencim të arkeologëve dhe gërmimeve arkeologjike, kurse vitin e ardhshëm do të iniciohet edhe hartimi i udhëzuesve edhe për fushat tjera”, thotë ajo.

“Preportr” me gjithë përpjekjet, nuk ka arritur të marrë vesh se kush ka qenë në komisionin për vlerësimin dhe pranimin e punimeve që janë bërë në kalanë e Harilaqit e po ashtu e ka pasur të vështirë të kontaktojë edhe me ish- udhëheqësen Bakija-Deva, pasi në emër të saj ka folur vetë drejtoresha Aliu.