English
Scroll top

Armatura e SHIK-ut

Zyrtarisht punonte vetëm me gruan, por për 4 vite kishte pasur një qarkullim mbi 66 milionë euro dhe ishte diler i kompanisë që pretendon se ka 80 % të tregut kosovar të shit-blerjes së metaleve, kryesisht armaturë. Fahredin Gashi-Faruku, dëshmitari bashkëpunues i EULEX-it, që Nazim Bllaca e liston në atë që ai e quan “skuadra e vrasjeve e SHIK-ut”, tashmë edhe i dënuar me 18 vjet burg për krime lufte dhe është në proces gjyqësor për krime të tjera të pasluftës, për krejt periudhën e pasluftës punoi me...

Prishtinë, 11 Qershor 2012

Ishte afarist i suksesshëm në industrinë e eksport-importit të metaleve dhe nga të dhënat doganore dhe ato të administratës tatimore, merret vesh se vetëm nga viti 2005 deri më 2009, i vetëm dhe me një kompani kishte pasur qarkullim mbi 66 milionë euro.

Kishte përfaqësinë e njërës nga 200 kompanitë më të mëdha maqedonase, e që në këtë shtet mbulon 70  për qind të tregut të metaleve, kurse ka deklaruar që e ka 80 % të tregut kosovar në këtë industri. Por, që kur pronari i saj ra në burg, kompania “Laberia Company”, që ishte themeluar në vitin 2001, ka  pushuar së funksionuari dhe tash vendi ku kompania e kishte selinë jepet me qera.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore (ATK), kompania “Laberia Company”  në shkurt të vitit 2011 kishte pasur aktivitete e fundit në pagesën e tatimeve në paga dhe kontribute pensionale, përderisa në shtator të 2011 kishte pagesën e fundit të TVSH-së . Fahredin Gashi nga Shtimja, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Sali Gashit, e që akuza ndaj Gashit ishte ngritur nga EULEX-i për krimin në fjalë si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), për vetëm gjysmë dekade bëri miliona euro punë me kompaninë “Laberia Company”, ani pse zyrtarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka të regjistruar vetëm dy punëtorë, vetën dhe gruan e tij, Emine Hysenin.

Kompania e e Fahredin Gashit, që tashmë njihet si Faruku, zyrat e së cilës janë në magjistralen Prishtinë-Shkup, afër QMI-së, kishte qenë përfaqësuese e kompanisë nga Maqedonia “Euro Aktiva” (http://euroaktiva.com.mk), pronë e biznesmenit dhe politikanit shqiptar Nuhi Aliu. Aliu ishte kandidat për deputet i partisë shqiptare në Maqedoni, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK)

Në faqen zyrtare të saj në internet shkruan se “Euro Aktiv” mbulon pjesën më të madhe të tregut kosovar të metaleve.

“Euro Aktiva  e fillon punën e saj si  distributor ekskluziv i  prodhimeve të Sidenorit – Greqi për Republikën e Maqedonisë, të cilat kanë certifikatë të vërtetuar për cilësi, kurse më vonë distribuon ekskluzivisht prodhime të më shumë firmave . Sot, Euro Aktiva është lideri i furnizimit të Republikës së Maqedonisë me prodhime të hekurit ndërtimor, duke mbuluar 70% të kërkimeve të përgjithshme në Maqedoni, si edhe 80% të tregut të njëjtë në Kosovë”, shkruan te të dhënat e kësaj kompanie.

Por tash, pasi që dileri i tyre në Kosovë, Fahredin Gashi-Faruku ka rënë në burg, punën për Kosovë, Nuhi Aliu thotë se e ka marrë vetë në dorë.
“Me z.Gashin kemi bërë biznes më herët. Ai ka qenë përfaqësues i “Euro Aktiva” në Kosovë, por tash për tregun e Kosovës kujdesem vetë” ka thënë për “Preportr” nëpërmjet telefonit, biznesmeni dhe politikani shqiptaro-maqedonas, Nuhi Aliu.
Ai nuk i është përgjigjur pyetjes se si është lidhur me njeriun e SHIK-ut, Fahredin Gashin.

Vetë shefa, vetë punëtorë

“Preportr” ka provuar që të vë kontakt me personat kontaktues të kompanisë “Laberia Company”, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për punën e kompanisë.

Emine Hyseni, që figuron si person kontaktues i “Laberia Company” në ARBK, ka thënë vetëm që drejtori, Fahredin Gashi, nuk ka mundësi të përgjigjet, prandaj as ajo s’ka çfarë të thotë për punën e kompanisë.

Sipas regjistrave të biznesit, “Laberia Company” e Fahredin Gashit-Farukut, ndryshimin e fundit të certifikatës e ka bërë  në dhjetor të vitit 2010. Si pronarë dhe në të njëjtën kohë dhe të vetmit persona kontaktues janë lënë Fahredin Gashi dhe Emine Hyseni, dhe po ashtu kompania ka të regjistruar vetëm dy punëtorë.

Kjo kompani si aktivitet kryesor ka tregtinë me shumicë të drurit, materialit ndërtimor dhe pajisjeve sanitare, por ka licencë nga Ministria e Tregtisë edhe për aktivitete të tjera si tregtia me shumicë e artikujve të imëta metalike, materialit instalues dhe pajisjes së ujësjellësit dhe ngrohjes, tregtia me shumicë e mbeturinave dhe hedhurinave e riciklimi i tyre, por edhe për transport rrugor të mallrave.

Lidhjet biznesor Faruku-Bllaca i SHIK-ut

Megjithëse dëshmitari bashkëpunues i EULEX-it, Nazim Bllaca e liston në atë që ai e quan “skuadra e vrasjeve e SHIK-ut”,  biznesmeni Fahredin Gashi-Faruku, tash i dënuar për një vrasje dhe në proces gjyqësor edhe si bashkë-pjesëmarrës për aktivitete të tjera kriminale që lidhen me rastin “Bllaca” ende nuk e ka pranuar që ka qenë pjesë e SHIK-ut.

Pavarësisht kësaj,  Fahredin Gashi ka pasur aktivitete afariste,  kontrata të përbashkëta me të vetë-shpallurin agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca, deklarime të cilat i ka bërë ky i fundit në gjyq, kurse “Preportr” ka siguruar edhe kopjet e kontratave të transaksioneve Bllaca-Faruku.

Biznesi i tyre me letra lidhet te një parcelë prej 55 ari pronë të ndërmarrjes shoqërore “Ratar Lapnaselo” që kishte kaluar në pronësi  të  Bllacës, për t’ju shitur më vonë Farukut.

Këta dy biznesmenë këtë shit-blerje e bënë në 2006-tën, jo shumë kohë përpara se Bllaca të largohej nga Kosova për t’u kthyer tri vite me vonë me denoncimet e tij kundër ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla si koka e grupit që ai e quan “skuadra e vrasjeve e SHIK-ut”.

Sipas dokumenteve që ka siguruar “Preportr”, më datën 06.07.2006 Gjykata Komunale e Prishtinës e kryesuar nga Nuhi Uka i dha vulën e pronësisë private parcelës prej 55 ari pronë të ndërmarrjes shoqërore “Ratar Lapnaselo” ,me çka edhe u lejua shitblerja mes Bllacës dhe Farukut.

Vërtetimi i Gjykatës e përligji Nazim Bllacën si person të autorizuar për shitjen e kësaj parcele që në vendim shënohej se ishte pronë e biznesmenit Habib Cakaj, ani pse kishte statusin e ndërmarrjes shoqërore.

Kontrata për shitblerjen e kësaj prone mes Bllacës e Farukut u lidh më 29 qershor të vitit 2006. Çmimi i shitjes së kësaj prone figuron të jetë 150 mijë euro.

“Shitësi është pronar i ngastrës kadastrale nr. 187710 në sipërfaqe prej 0.55.22 ha, në vendin e quajtur “Fusha e gjerë”, KK Llapna Selle, sipas fletës poseduese nr. 634 lëshuar nga Drejtoria Gjeodete në Prishtinë, të cilën ia shet blerësit Fahredin Gashit”, thuhet në pikën dy të kësaj kontrate e noterizuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës nga avokati Ramiz Krasniqi.

Konfirmim i transaksionit i datës 7 korrik 2006, fakton se 70 mijë euro i janë transferuar në xhirollogari Nazim Bllacës.  Në të njëjtën ditë, 80 mijë euro tjera Bllacës i janë transferuar në xhirollogarinë e tij. Këto mjete Bllaca i ka tërhequr nga dega e Raiffeisen Bank në Ferizaj.

6,860,945.11 euro (2007)
10,245,889.69 euro (2008)
2,553,290.27 euro (2008)
3,988,005.63 euro (2009)
652,413.22 euro  (2011)

Exportet e Farukut  2007-2011

Publikisht në dhjetor të 2009-ës kur kishte nisur të rrëfente historinë e SHIK-ut për vrasjet e pasluftës Bllaca kishte folur edhe për krimet ekonomike.

Ahmet Shala që pati pozitën e zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e më vonë ministër për Ekonomi e Financa ishte akuzuar nga Bllaca se kishte ndihmuar në tjetërsimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore.

“Ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala, në kohën sa ka punuar në Agjencionin Kosovar të Mirëbesimit, i ka shpronësuar 6 hektarë tokë shoqërore dhe të njëjtën e ka bartur në pronësi të Nazim Bllacës dhe Fahredin Gashit”, pati kallëzuar Bllaca.

Ndaj tij pati reaguar menjëherë Ministria e Ekonomisë e Financave. “Shpifjet dhe dezinformatat e lartpërmendura, për qëllimet dhe motivet e të cilave nuk do dëshironim as të komentonim, na obligojnë moralisht që të ju informojmë se z. Ahmet Shala, tani Ministër i Ekonomisë dhe Financave, dhe ish-zëvendës drejtor i AKM, nuk ka bartur kurrë asnjë pronë shoqërore për personat në fjalë dhe për asnjë person tjetër. Për më tepër, një gjë e tillë as që ka qenë e mundur të bëhet nga asnjë zyrtar në atë institucion”, thuhej në një komunikatë të Ministrisë për Ekonomi e Financa.

Biznesmeni që gjyqi iu bë teatër

Biznesmeni Fahredin Gashi- Faruku, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë është  dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e Salih Gashit, më 15 qershor 1999, në fshatin Varigovc të Lipjanit, ndërsa me 6 muaj burgim me kusht është dënuar Hysri Rama për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale.

Biznesmeni në fjalë këtë dënim e mori pasi që Gjykata u besoi komplet deklaratave të dëshmitarit bashkëpunues të EULEX-it, Nazim Bllaca.

Për këtë dënim, Faruku ka apeluar në Gjykatën Supreme, por ende pa ardhur vendimi për këtë apelim, ka filluar një proces i ri ndaj tij dhe grupit që Bllaca e quan “skuadra e vrasjeve e SHIK-ut”, ku Faruku është sërish i akuzuar.

 

 

Është ky rasti i njohur si  “Bllaca 2“, ku Fahredin Gashi me pesë shokë, Shpresim Ukën, Sadik Abazin, Shaban Sylën,  Bekim Sylën e Driton Hajdarin, po gjykohen nën akuzën e Prokurorit italian, Maurcio Salustra, se janë autor për vrasjet në tentativë të Ismet Arifit dhe Adem Salihajt.

8,332,380.29 euro (2007)
11,636,789.82  euro (2008)
6,453,707.53 euro (2009)
5,984,634.01 euro (2010)
775,404.45 euro (2011)

Importet e Farukut 2007-2010

Por gjykimi i biznesmenit Gashi ka ngecur disa herë për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

Ai kishte paraqitur këtë problem para gjykatës  dhe për shkak të tij ai ishte shtruar në spitalin psikiatrik.  Ai mori tretman psikiatrik pasi po thoshte se po përjeton halucinacione dhe ka filluar të mos i njoh njerëzit.

Halucinacionet e quan atë për disa momente nga gjykata në teatër. Në njërin nga gjykimet e rastit “Bllaca 2”, para se të fillonte marrja në pyetje e Adem Salihajt, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Tomassen, ia ka parashtruar disa pyetje Gashit, për ta vërtetuar gjendjen e tij shëndetësore e mendore.

Gjyqtari e ka pyetur Gashin, nëse e di se ku gjendet, e Faruku  deklarohet se nuk e dinte. “Jam në Prishtinë, në teatër, më duket” ,ishte shprehur Fahredin Gashi.