English
Scroll top

Deklarimi i pasurisë me shumë sfida

Zyrtarët publikë dhe qytetarët e shohin procesin e deklarimit të pasurisë me shumë mangësi dhe sfida. Ata mendimet e tyre për këtë proces i kanë dhënë në një pyetësor që Preportr e ka realizuar, përmes të cilit ka marrë një numër të madh të përgjigjeve. Gjatë procesit të deklarimit të pasurisë zyrtarët thonë se u cenohet privatësia, ndërsa qytetarët mendojnë që zyrtarët publikë nuk e deklarojnë në tërësi pasurinë e tyre. Zyrtarët dhe...

Prishtinë, 14 Shkurt 2023

Procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë duket të jetë shumë sfidues për zyrtarët publikë. Meqë ka më shumë se 13 vite që ky proces zhvillohet për çdo vit, sfidat që e kanë përcjellë atë dhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit kanë qenë shumë të mëdha. Shumë nga problemet që janë shfaqur apo janë vënë në pah edhe nga shoqëria civile gjatë procesit të deklarimit të pasurisë nuk janë shmangur ndër vite. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit përveç që e merret me procesin e deklarimit të pasurisë, ajo e ka obligim të merret edhe me verifikimin e pasurisë së deklaruar, gjithashtu, e ka në përgjegjësi të bëjë edhe kallëzime penale për rastet e dyshuara të korrupsionit, mos deklarimit të pasurisë, apo deklarimit të pjesshëm.

Meqë është diskutuar gjatë dhe janë vënë në pah këto mangësi si nga mediet dhe shoqëria civile, në këtë hulumtim Preportr është fokusuar te zyrtarët publikë dhe qytetarët se si e shohin ata procesin e deklarimit të pasurisë dhe çfarë duhet të ndryshohet në këtë proces.

Shiko Gazetën #B-27

Njëra ndër pyetjet e diskutuara me qytetarët dhe zyrtarët publikë ka qenë se a e lufton dhe parandalon ky proces korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përgjigjet kanë qenë që korrupsioni luftohet deri diku me këtë proces, dhe se deklarimi duhet të vazhdojë të bëhet por me disa ndryshime. Preportr e ka realizuar këtë pyetësor me mbështetjen e British Council.

Preportr ka kërkuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, përgjigje për shqetësimet e zyrtarëve publikë dhe qytetarëve që i kanë shprehur për këtë proces. Nga zyra për informim e këtij institucioni kanë thënë se kjo agjenci i ka parë shqetësimet dhe do të mundohet që ato t’i adresojë.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ju falënderon për informatat e dërguara dhe do ta shqyrtojmë mundësinë e adresimit të çështjeve të evidentuara në raport”, thuhet në përgjigje.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, zhvillon hetime paraprake dhe parashtron raste në prokurori në rastet ku raportohen nga qytetarët dhe dyshohet për vepra korruptive. Gjatë tri viteve që kanë qenë fokus i këtij hulumtimi 2019-2022, Agjencia i ka parashtruar shumë raste të korrupsionit, në bazë të të cilave janë ngritur aktakuza nga prokuroritë. Ndonëse ka pasur shqetësime ndër vite se rastet e ngritura ku dyshohet për korrupsion nga Agjencia nuk po trajtohen me prioritet nga prokuroritë dhe gjykatat një gjë e tillë është mohuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Përgjigje kemi pritur me javë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës se sa me efikasitet i trajtojnë gjykatat këto raste, por nuk kemi marrë përgjigje.

Duhet të ndryshohet mënyra e deklarimit

Në të dy pyetësorët që Preportr i ka realizuar rreth procesit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë ka marrë 172 përgjigje.

Përqindja më e madhe e zyrtarëve publikë që i janë përgjigjur pyetësorit kanë qenë nga agjencitë e pavarura 43 përqind, pasuar nga ndërmarrjet publike 35 përqind dhe nga Qeveria me 15 përqind. Asnjë përgjigje nuk kemi marrë nga Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës, ndërsa vetëm 7 përqind nga komunat.

Të dhënat tregojnë që shqetësimi më i madh i zyrtarëve publikë gjatë procesit të deklarimit të pasurisë është cenimi i privatësisë së tyre dhe anëtarëve të familjes. Shumica e respondentëve kur janë pyetur se cilat janë sfidat e deklarimit të pasurisë, kanë thënë që është cenimi i privatësisë së tyre, 72 përqind, 63 përqind kanë thënë që sfidë është cenimi i privatësisë së anëtarëve të familjes. Një tjetër sfidë kanë thënë të jetë mungesa e informacioneve të nevojshme nga APK lidhur me plotësimin e formularit 28 përqind.

Në pyetjen se a duhet të publikohet regjistri i deklarimit të pasurisë, 57 përqind e respondentëve kanë thënë jo, ndërsa 43 përqind po.

Në pyetjen se a duhet të vazhdohet me deklarimin e pasurisë, 59 përqind kanë thënë popor me disa ndryshime.

Një pjesë e konsiderueshme, përkatësisht 43 përqind e respodentëve nuk e besojnë që zyrtarët e deklarojnë të gjithë pasurinë e tyre,, ndërkaq, pjesa tjetër 57 përqind e besojnë që e deklarojnë.

Sa i përket dilemës se a e parandalon dhe lufton korrupsionin deklarimi i pasurisë, 16 përqind të respondentëve thonë se në mënyrën siç deklarohet pasuria nuk luftohet aspak korrupsioni, ndërsa 27 përqind besojnë se luftohet mesatarisht.

Qytetarët nuk i besojnë deklarimit të pasurisë

Sa herë është publikuar pasuria e zyrtarëve të lartë publikë, në vazhdimësi ka pasur komente të ndryshme, sidomos në rrjetet sociale, se të dhënat e deklaruara nuk janë të sakta dhe se zyrtarët mund të jenë më të pasur, por që nuk e deklarojnë gjithë pasurinë.

Te pyetësori për qytetarët, këta të fundit kanë shprehur skepticizmin e tyre që zyrtarët publikë e deklarojnë në tërësi pasurinë e tyre. Ata në masë të madhe nuk i besojnë këtij procesi dhe kanë evidentuar shumë mangësi në të. 75 përqind e respondentëve mendojnë se zyrtarët publikë nuk e deklarojnë në tërësi pasurinë e tyre, 25 përqind mendojnë që po.

Qytetarët janë më optimistë se zyrtarët publikë që procesi i deklarimit të pasurisë e parandalon dhe lufton korrupsionin.

Rreth 36 përqind e respondentëve mendojnë që deklarimi i pasurisë e lufton dhe parandalon korrupsionin, 16 përqind mendojnë që nuk e lufton aspak. Te pyetja se cilat pasuri mendoni se nuk i deklarojnë zyrtarët publikë, qytetarët mendojnë që në 89 përqind nuk i deklarojnë bizneset, dhe në 78 përqind paratë cash. Po ashtu 78 përqind mendojnë që nuk i deklarojnë pasuritë e luajtshme si veturat, bizhuteritë, pajisjet elektronike etj.

Se a duhet të vazhdojë të publikohet deklarimi i pasurisë të zyrtarëve publikë, shumica e respodentëve, përkatësisht 83 përqind mendojnë se duhet të vazhdojë, kurse 17 përqind mendojnë që nuk duhet të vazhdojë publikimi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Nga përgjigjet që Preportr ka pranuar, vërehet se qytetarët janë të interesuar për të parë regjistrat e deklarimit të pasurisë, të cilët zyrtarët publikë i bëjnë në APK.

Disa nga qytetarët më me në detaje i kanë përshkruar mangësitë e deklarimit të pasurisë duke dhënë edhe alternativa se si mund të luftohet korrupsioni duke vënë në zbatim disa mekanizma që e luftojnë këtë dukuri.

Arsim Syla, , i cili që nga viti 2007 është trajner në Institutin e Administratës Publike dhe njohës i çështjeve kundër korrupsionit, por që pyetësorit i është përgjigjur në cilësinë e qytetarit, ka thënë se ideja është që të krijohet një Sistem Kombëtar Digjital të origjinës së pasurisë i cili sipas tij zbulon ikjen nga tatimet , korrupsionin, fajdetë, paratë nga prostitucioni etj.

Ky sistem sipas tij do t’i ndihmonte edhe Byrosë për Konfiskim të Pasurisë dhe institucioneve të tjera dhe ky përmban të dhëna online nga institucionet si noterët, Administrata Tatimore e Kosovës, kadastra, tatimi në pronë, Agjencia për Regjistrim Civil, bankat, deri të njehsorët e energjisë elektrike,të ujësjellësit etj.

“Ky sistem nuk lejon subjektivizëm siç ka ndodhur në rajon, por e zbulon milionerin. Ky sistem krijon vetë deklaratën e pasurisë në mënyrë automatike për qytetarë dhe vendos rrezikun në mënyrë automatike”, thotë Syla për Preportr.

Deklarata e tilla sipas tij mbesin konfidenciale dhe ju shërbejnë institucioneve për zhvillimin e hetimeve.

Rastet e korrupsionit të trajtuara ndër vite

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit rastet e dyshuara për korrupsion i përcjell në polici dhe prokurori dhe këtë jo vetëm si pjesë e procesit të deklarimit të pasurisë por edhe nga rastet që raportohen nga qytetarët. Mbi këtë bazë ajo zhvillon hetime paraprake dhe në bazë të rezultateve i dërgon rastet në institucionet kompetente.

Gjatë viteve 2019-2022 sipas të dhënave të Këshillit Prokurorial të Kosovës, raste të parashtruara nga kjo agjenci kanë qenë gjithsej 460.

“Numri i kallëzimeve penale të pranuara për grupin e veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsion të cilësuara sipas kallëzimit penal- me theks të veçantë ku parashtrues i kallëzimit penal është Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është i madh”, thotë Astrit Kolaj, nga Zyra për Informim e KPK-së.

Sipas tij, këto lëndë trajtohen me prioritet nga të gjitha prokuroritë e Kosovës.

Se sa janë efikase gjykatat në trajtimin e këtyre lëndëve nuk kemi arritur të marrim përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Kërkesën për llojin e dënimeve dhe efikasitetin në trajtimin e lëndëve kundër korrupsionit, ku aktakuzat janë ngritur nga prokuroritë në bazë të kallëzimit penal të ngritur nga AKA, Preportr e ka dërguar para disa javësh.

Përgjigje për këto lëndë kemi marrë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ku na janë dërguar të dhëna se në sa raste gjykatat kanë marrë vendime për periudhën 2019-2022. Nga të dhënat shihet se gjykatat te rastet ku kallëzimet penale për korrupsion janë ngritur nga Agjencia, vendimet kanë qenë në shumicën e rasteve me aktgjykim dënues.

Gjatë vitit 2021 kemi pranuar aktgjykimet nga gjykatat resepktive për 26 raste të dyshuara për korrupsion, për të cilat raste prokuroritë kompetente kanë ngritur aktakuza bazuar në Kallëzimet Penale të Agjencisë. Sipas të dhënave të Agjencisë, 25 janë dënuar me aktgjykim dënues kurse vetëm një me aktgjykim lirues”, thuhet në përgjigje.

Njëjtë kishte ndodhur edhe gjatë vitit 2020, ku nga gjykatat ishin nxjerr 22 aktgjykime dënuese dhe një aktgjykim lirues.

Nga informacionet që Agjencia i kishte pranuar nga Gjykatat në vitin 2021 lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion sipas aktakuzave të ngritura nga prokuroritë kompetente mbi bazën e kallëzimeve penale të AKK-së ndër vite, ishte njoftuar lidhur me vendimet e tyre se për 90 aktakuza janë nxjerr 84 aktgjykime dënuese, 14 aktgjykime liruese, 19 aktgjykime refuzuese dhe 2 aktvendime për hedhje poshtë të aktakuzës.