English
Scroll top

Sfida për menaxhimin e mbeturinave

Mungesa e një sistemi të riciklimit të mbeturinave, mungesa e infrastrukturës për të krijuar një sistem të mirëfilltë për të klasifikuar mbeturinat, mungesa e vullnetit të qytetarëve për të kontribuar në riciklim, janë disa nga sfidat me të cilat përballet Kosova karshi përpjekjeve për menaxhim të mbeturinave. Në anën tjetër edhe deponitë rajonale të mbeturinave, ku deponohen mbeturinat sanitare, vazhdojnë të jenë në gjendje të keqe duke paraqitur rrezik...

Prishtinë, 03 Shkurt 2023

Blerta Krasniqi e cila jeton në një nga lagjet e Prishtinës, me vetë dëshirën e saj për të kontribuar në një mjedis më të pastër kishte filluar të ndajë disa nga mbeturinat e riciklueshme si qelqi dhe plastika, nga mbeturinat e përgjithshme që ajo hedhë.

Ndër të tjera jo vetëm për shkak të ndikimit në mjedis dhe përgjithësisht në ekonomi, ajo kishte vendosur të ndajë mbeturinat për të ia bërë më të lehtë personave të cilët i mbledhin këto lloje të mbetjeve të riciklueshme. Duke e parë se akterët kryesor të mbledhjes së mbeturinave janë grumbulluesit jo formal, ata janë një urë lidhësve mes kompanive të cilat riciklojnë mbeturina.

Me dëshirën e madhe të për kontribuar sa do pak në këtë aspekt, mungesa e kontejnerëve ia pamundëson asaj që të bëjë një ndarje të mirëfilltë për klasifikim të mbeturinave.

“Mbeturinat e ndara i dërgoj zakonisht te kontejnerët duke i varur aty ose duke i lënë afër ashtu që personat te cilët i marrin pastaj ta kenë më të lehtë. E kam menduar që të filloj mbledhjen e mbeturinave të riciklueshme së pari për shkak të para ndalimit të ndotjes se ambientit nga to, por edhe kam parë qytetarë që i mbledhin për të siguruar të ardhurat elementare për familjet e tyre, andaj e kam parë më të arsyeshme që të ndihmoj këta qytetarë sadopak”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër ajo shpreson që personat që i mbledhin ato, t‘i marrin para se kamionët për mbledhjen e mbeturinave të vijnë për grumbullim. Kjo për faktin se ata të gjitha mbeturinat i vendosin në një vend.

Edhe Gent Gashi një qytetar tjetër i kryeqytetit, thotë se kishte filluar të ndajë mbeturinat e riciklueshme nga ato të pariciklueshme. Ai thotë se kishte parë shembuj të ndryshëm në vende të tjera se si bëhet kjo ndarje e mbeturinave nëpër qytete dhe se sa e dobishme është. Genti thotë se duke e parë që qyteti i Prishtinës  nuk i ofron mundësi për ndarjen e mbeturinave, nuk po i jep vullnet që të i ndajë më mbeturinat, dhe nuk po vazhdon më me ndarjen e tyre.

“Unë pata filluar t’i ndaj mbeturinat e riciklueshme, vetëm shishet e plastikes kur kam kohë i dërgoj tek një kompani e cila riciklon, por mbeturinat tjera të riciklueshme nuk mund të i ndajë sepse nuk ka vende tjera ku t’i dërgoj, edhe nëse i ndaj dhe i dërgoj në kontejner të ndara, njerëzit të cilët merren me grumbullimin e mbeturinave do t’i vendosin prapë në një vend, kështu që më nuk lodhem që të ndajë mbeturinat që në fund të shkojnë në një vend përsëri” thotë ai.

Gashi tha se mbeturinat janë të pashmangshme, ku do sheh mbeturina në rrugë, në trotuare, parqe,  e para hyrjeve të banesave.

“Njerëzit përtojnë të i dërgojnë mbeturinat në kontejnerët më të afërt të lagjes, mirëpo i lënë në oborrin e banesave apo edhe diku në ndonjë qosh të rrugës”, shtoi gjithashtu ai.

Blerta dhe Genti mendojnë se zgjidhja më e mirë për qytetarët do të ishte që qeveritë lokale të Kosovës të marrin iniciativa për vendosjen e kontejnerëve për ndarje të mbeturinave, ose të paktën nga një vend i veçantë në çdo lagje vetëm për mbeturinat e riciklueshme.

Ata thonë se institucionet kompetente duhet të ndërmarrin masa për t’i stimuluar qytetarët për t’i ricikluar mbeturinat dhe në këtë aspekt fitojnë qytetarët dhe ambienti bëhet me i pastër.

Gjithashtu tregojnë se kanë parë që në disa vende të Evropës në qytete ka aparate, në të cilat qytetarët i vendosin mbeturinat dhe njëkohësisht marrin para për aq sa vendosin mbeturina.

Mungesa e klasifikimit të mbeturinave

Të gjitha këto mbetje duhet të trajtohen në një mënyrë apo tjetër, qoftë përmes asgjësimit, riciklimit, ripërdorimit. Në Kosovë e gjithë kjo sasi e madhe e mbeturinave pothuajse e gjitha përfundon në deponitë e mbeturinave, duke mos e bërë klasifikimin e mbeturinave, e që mund të jenë nga to të rrezikshme.

Pothuajse askund nuk ka një sistem të ndarjes së mbeturinave në vendet të cilat janë adekuate për hedhjen e tyre. Duke filluar nga mungesa e kontejnerëve për klasifikimin e mbeturinave. Kontejnerët në zona urbane por edhe ato rurale, janë të qasshëm për këdo. Duke e pasur mundësinë që të gjitha llojet e mbeturinave të hidhen në një vend të përbashkët, pothuajse të gjithë qytetarët e bëjnë përzierjen e mbeturinave komunale me mbeturina tjera. Në këtë mënyrë hidhen të gjitha llojet e mbeturinave në deponi të përbashkët.

Sipas raportit për menaxhimin e mbeturinave komunale të bërë nga AMMK, të dhënat e vitit 2021 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara në Kosovë ishte 273 kg për banor në vit. Ndërsa, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ishte 0.75 kg.

E se mbeturinat nuk klasifikohen dhe grumbullohen të gjitha në një vend e ka konfirmuar edhe kompania e cila bënë grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, kompania “Pastrimi”. Nga kjo kompani thonë se nuk e bëjnë ndarjen e mbeturinave gjatë grumbullimit nga kontejnerët, por që të gjitha mbeturinat shkojnë në një vend të përbashkët, për shkak se kjo kompani nuk ka kapacitete dhe  pajisje teknike të duhura për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme.

“Kompania "Pastrimi” grumbullimin dhe largimin e mbeturinave e bënë nga kontejnerët në formë të pa ndarë te mbeturinave”, thuhet në përgjigjen e kësaj të fundit.

Preportr gjithashtu ka pyetur këtë kompani se a kanë ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë të cilat e bëjnë riciklimin e mbeturinave, për të dërguar mbetjet e riciklueshme në ato kompani, por që nuk kemi marrë përgjigje lidhur me pyetjen e parashtruar.

Shyqri Dumani, njohës i fushës së mjedisit thotë se në Kosovë disa herë është tentuar të bëjë ndarjen e mbeturinave urbane në kontejnerë të veçantë, mirëpo që kjo tentativë gjithmonë ka dështuar. Ai thotë se duhet të ndërmerren edhe masa tjera me qëllim të ruajtjes së mjedisit.

“Shteti duhet të krijojë një institucion që i menaxhon këto dhe që duhet quajtur policia për mbrojtje mjedisore. Secila komunë në Kosovë duhet ta ketë polici për mbrojtje të mjedisit, të menaxhojnë kontejnerët, të shikojnë qytetarët se a bëjnë ndarjen e mbeturinave si duhet, nëse nuk i hedhin atëherë të gjobiten qytetarët”, theksoi Dumani.

Riciklimi dhe trajtimi i mbeturinave në Kosovë është në faza mjaft të hershme të zhvillimit. Ndonëse ekzistojnë disa kompani private të vogla të cilat e bëjnë riciklimin e mbeturinave të riciklueshme, siç janë qelqi, plastika, metali, letra etj.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sasia e disa nga mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje për vitin 2021 ishte si vijon: metalet 14%, mbeturinat nga plastika 31% mbeturinat spitalore 4% dhe mbeturinat e letrës dhe kartonit 51%

Në fokus të Strategjisë për Menaxhim të Integruar të Mbeturinave për vitin 2021-2030, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, thuhet se është ripërdorimi dhe riciklimi i mbeturinave, e që kjo ministri synon që të krijojë sisteme funksionale të ripërdorimit dhe riciklimit.

Në këtë strategji thuhet se një rrjet i qendrave të riciklimit do të krijohet në tërë Kosovën dhe se këto qendra mund të jenë shumë funksionale, duke përfshirë, për shembull, kompostimin e mbeturinave të gjelbra, zonat për ndarjen dhe magazinimin e mbeturinave të vëllimshme dhe impiantet për ndarjen dhe përgatitjen e mbeturinave të ambalazhit për ripërdorim dhe riciklim.

“Numri dhe lokacioni i saktë i objekteve do të varet nga kushtet teknike dhe financiare. Kur të jetë e mundur, qendrat e riciklimit dhe kompostimit do të bashkë vendosen me transfer-stacionet dhe deponitë rajonale”, thuhet ndër të tjera në strategjinë dhe planin e veprimit mbi menaxhimin e mbeturinave.

Shyqri Dumani thotë se problem emergjent në Kosovë, janë materiet e plastikës të cilat janë diku rreth shtatë lloje që kanë një jetëgjatësi shumë të madhe duke mos u zbërthyer dhe duke qëndruar në tokë dhe në ujëra për shumë vite.

“Një qese plastike nëse hidhet në tokë qëndron diku rreth 100 vite dhe ajo tretet dhe i ndotë ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, ky është problem i madh në Kosovë ngase plastika në Kosovë nuk po mblidhet”, ka thënë ai.

Sipas raportit për menaxhimin e mbeturinave komunale të bërë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, komunat nuk e kanë pasqyruar saktë se si do të jenë prioritare në menaxhim të sistemit për ndarjen e mbeturinave të veçanta, meqenëse nuk i kanë definuar mirë seksionet e veçanta të planifikimit të niveleve të shërbimit, modeleve operacionale, vlerësimit të kostos dhe financimit dhe investimet e nevojshme, ose edhe në rastet kur i kanë definuar mirë, nuk kanë ndërmarrë hapa në kryerjen e shërbimeve adekuate

Në raport tutje thuhet se komunat i kanë ofruar kësaj të fundit të dhënat lidhur me aktivitetin e riciklimit, dhe se nuk ka shifra për sasinë e mbeturinave që riciklohen në nivel vendi.

“Gjatë përpunimit të dhënave të raporteve kemi parë se nuk mundemi me ofru ndonjë shifër të përafërt të sasisë së mbeturinave që riciklohen nëpër komuna. Kjo do të mbetet si një pikë kyçe që në të ardhmen të fokusohemi më tepër në pasurimin me të dhëna të aktivitetit të riciklimit që ndodhë në Kosovë”, thuhet në raportin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.

Rruga e riciklimit

Ardit Shabani, nga kompania e cila bënë riciklimin e plastikes “Plastika”, ka thënë se grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme e marrin nga disa pika grumbulluese në Kosovë me të cilat kanë bashkëpunim, prej tyre janë edhe disa deponi ilegale.

“Për çdo ditë ne dalim e shpërndajmë mallin që e prodhojmë, dhe në fund të ditës shkojmë ngarkohemi me mbeturinat në pikat ku i marrim. Edhe persona të tjerë të cilët grumbullojnë sasi më të vogla të mbeturinave i dërgojnë aty, mirëpo edhe persona që i dorëzojnë direkt tek ne, dhe punëtorët apo personat të cilët i menaxhojnë ato pika grumbulluese i ndajnë mbeturinat e riciklueshme për ne dhe ne shkojmë i marrim”, thotë  ai.

Shabani thotë se Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar këtë kompani që të mbledhë mbeturinat e riciklueshme direkt nga deponitë sanitare të cilat ekzistojnë në Kosovë. Ai ka thënë se për shkak se shteti nuk i lejon që të ketë tërheqje të mbeturinave nda deponitë ata janë të detyruar të marrin mbeturina të riciklueshme edhe jashtë vendit si në Maqedoni dhe në Mal të Zi, për shkak të mungesës së lëndës së parë për riciklim.

Ai e konsideron si dëshpërim faktin që janë të detyruar të marrin lëndën e parë nga jashtë, për shkak të mos organizimit të duhur dhe për faktin që shumica e mbeturinave shkojnë në deponi dhe se atyre nuk u lejohen të tërheqin mbeturinat nga to.

“Ne kemi dashtë me deponinë e Obiliqit të kemi bashkëpunim, mirëpo nuk është bërë e mundur për arsyeje se na kanë thënë se njëherë kjo është interes i shtetit dhe nuk mundemi askujt me i dhënë qasje për të marrë mbeturinat e riciklueshme”, ka thënë ai.

Por, në anën tjetër sipas Doganës së Kosovës disa nga mbetjet e riciklueshme si skrap prej alumini, zinku, mbetje të tjera të prej letrës apo kartonit të përbërë kryesisht prej brumit mekanik, paleta druri, dërgohen në shumë vende të botës, ndërsa në rajon ka eksport në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut si dhe Serbi.

Deponitë rajonale në gjendje të keqe

Mbeturinat të cilat hedhen në kontejnerë në zona urbane dhe rurale, mblidhen nga kompanitë përkatëse përmes kamionëve dhe dërgohen në deponitë rajonale të mbeturinave. Këto deponi menaxhohen nga Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave të Kosovës (KMDK).

Gjendja e deponive në Kosovë , është mjaft e rëndë. Deponitë ekzistuese nuk menaxhohen në përputhje të plotë me kërkesat e Direktivës për Deponitë të BE-së.

Deponitë regjionale të mbeturinave në Kosovë u ndërtuan pa asnjë studim dhe pa konsultim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Duke marrë parasysh këtë fakt, asnjëra nga deponitë nuk i ka plotësuar kushtet për leje të integruar mjedisore. Nga KMDK, kanë thënë se arsyeja e mos pajisjes me leje të integruar mjedisore për deponitë, është se vite më parë nuk e kanë plotësuar kriterin për analizat e ujërave nëntokësore.

“Në ndërkohë i kemi dërguar analizat e kërkuar duke i bashkangjitur edhe analizat e bëra nga Konzorciumi GITEC, të cilat i kemi përcjell në MMPHI. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e KMDK-së.

Sipas Ligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të ndotjes, MMPHI lëshon leje të integruar për menaxhimin e mbeturinave për operimin e impianteve të reja të cilat mund të kenë ndikim negativ në mjedis dhe shëndetin e njeriut, që të sigurohet parandalimi dhe kontrolli i ndotjes së mjedisit. Leja e integruar është dokument me shkrim që lejon funksionimin e tërë ose të një pjese të impiantit i cili përmban kushtet e nevojshme për të garantuar se impianti plotëson standard të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut.

Megjithatë, edhe pse këto deponi nuk kanë plotësuar kushtet ligjore për të marrë leje të integruar mjedisore si dhe licencat përkatëse, të njëjtave po u lejohet të vazhdojnë aktivitetin e tyre.

Këto deponi janë në përfundim të kapaciteteve për të pranuar mbeturina. Në periudhën 2008-2021 aty janë deponuar 3 milionë e 36 mijë ton mbeturina. Jetëgjatësia e tyre veç ka përfunduar sepse të gjitha kanë jetëgjatësi prej 15 viteve por edhe atë që e thash edhe projeksionet e sasisë së mbeturinave janë të tejkaluara dhe e shumëfishuar.

Duke marrë parasysh këtë situatë, është e domosdoshme që të bëhet një zgjidhje sa më shpejtë, përndryshe mund të shkaktohet një kaos sa i përket deponimit të mbeturinave.

E nga deponitë regjionale gjendja më e rënduar është në deponinë e Mirashit. Sipas KMDK-së, gjendja e përgjithshme e kësaj deponie, rrezikon jetën e njerëzve, paraqet rrezik potencial për mjedisin si dhe ujërat nëntokësore.

“Rreziku më i madh vjen nga mos trajtimi ujërave të akumuluar në të ashtuquajturin Liqen Artificial(fushëgropë) që nga viti 2007 dhe mos vendosja e sistemit për kapjen e gazrave dhe trajtimit të tyre apo lirimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e KMDK-së.

Shyqri Dumani ka thënë se për shkak të mbledhjes së baktereve anaerobe që zbërthejnë materie organike, shpien deri tek krijimi i gazit e që grumbullohet brenda mbeturinave dhe pastaj ekziston rreziku që ai gaz të eksplodoj.

“Kur mbushen deponitë, duhet me u vendos një shtrese e dheut dy metra, dhe pas një viti ose dy duhet te futen sondat apo gypat me vrima thellë ne deponi, dhe sondat e kanë për detyrë që gazi që përfitohet nga deponite urbane te materialit organik, të merret dhe të vendoset në shishe dhe të përdoret ne amvisëri. Mirëpo kjo në Kosovë nuk ndodhë se as nuk i mbulojnë deponitë dhe pastaj ekziston rreziku që deponitë të eksplodojnë sepse grumbullohet gazi brenda mbeturinave”, ka thënë ai.

Ndërkaq MMPHI në Strategjinë për Menaxhim të Integruar të Mbeturinave si objektiv parasheh që të marrëmasa urgjente për të avancuar dhe zgjeruar deponitë ekzistuese për të ndërtuar deponi të reja në disa rajone.

Fokusi do të jetë në konsolidimin e kushteve teknike të deponive. Ky investim do të shpaguhet në të ardhmen, meqë do të sigurojë që të trajtohen ndikimet në mjedis dhe të menaxhohen borxhet afatgjata”, thuhet në këtë strategji.

KMDK gjithashtu ka theksuar se disa nga problemet që deponitë të cilat menaxhohen nga kjo e fundit janë “Tarifa e Ulët e cila nuk mund ti mbulojë shpenzimet Operative për menaxhim të deponive në bazë standardeve Evropiane, mungesa e infrastrukturës, objekteve përcjellëse dhe makinerisë së rënde për trajtimin – deponimin e mbeturinave, mos funksionimi i sistemit për menaxhimin dhe trajtimin e kullimit (ujërave të zeza) si dhe mungesa e sistemit për menaxhimin e gazit që mund të sjellë deri te shfaqja e zjarreve në deponi dhe rritja e emisioneve të gazrave serrë.”

Në anën tjetër dëme të vazhdueshme mjedisore po shkaktojnë deponitë ilegale të mbeturinave. Ky është një problem i cili e ka shoqëruar Kosovën ndër vite dhe siç duket largimi i këtyre deponive vazhdon të jetë sfidë për institucionet përkatëse shtetërore.

Sipas Raportit të menaxhimit të mbeturinave komunale për vitin 2021, nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, në nivel të Kosovës, për vitin 2021 në 38 komuna janë regjistruar gjithsej 1189 deponi ilegale të madhësive të ndryshme, ndërsa dominojnë kategoria e deponive të mëdha me 558 të tilla.

Në rajonin e Prishtinës është regjistruar numri më i madh i deponive ilegale, gjithsej 277, kurse në Rajonin e Gjakovës është regjistruar numri më i vogël i deponive, gjithsej 32 deponi.

Sa i përketë nivelit komunal numri më i madh i deponive ilegale është regjistruar në komunën e Lipjanit, gjithsej 126 deponi, kurse në Komunën e Junikut nuk është regjistruar asnjë deponi ilegale.

“Kategorizimi tjetër i deponive ilegale është bërë edhe sipas kompozicionit të mbeturinave, si: deponi të mbeturinave komunale,  deponi të mbeturinave të ndërtimit dhe rrënimit, deponi të mbeturinave të rrezikshme, deponi të mbeturinave të vëllimshme, deponi të mbeturinave të tjera” theksohet në raport.

Sipas AMMK-së deponitë ilegale kryesisht dominohen nga mbeturinat e përziera, pasuar nga ato të ndërtim-demolimit dhe ato komunale.

“Ky material është publikuar në kuadër të projektit “Going Environmental” i menaxhuar nga N-ost dhe BIRN dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). BMZ nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për informacionet apo këndvështrimet e shprehura në kuadër të projektit”.