Prishtinë, 07 Janar 2022
Ndërtimi i hidrocentraleve duke mos respektuar legjislacionin në fuqi, ka shkaktuar dëme të rënda dhe të pariparueshme në mjedis. Paaftësia e shtetit që përmes mekanizmave përkatës të ndalojë degradimin mjedisit nga operimet e këtyre hidrocentraleve, u ka shkaktuar probleme banorëve përreth.
Veprimet e operatorëve ekonomikë, institucioneve lokale dhe atyre qendrore me rastin e ndërtimit të hidrocentraleve HC “Deçani”, “Brezovica” dhe “Shtërpca”, kanë shkaktuar zvogëlimin apo edhe ndalimin e qasjes së qytetarëve në përdorimin e resurseve ujore dhe në tharjen e tokave bujqësore të cilat gjenden pranë këtyre rrjedhave.
Veç dëmeve në mjedis gjatë pajisjes me leje të hidrocentraleve, organizata të shoqërisë civile, institucionet dhe aktivistë të ndryshëm kanë vërejtur se ka pasur shkelje ligjore. Rastet janë dërguar në gjykatë dhe si rrjedhojë janë marrë vendime për pezullimin e licencave.
Preportr, i ka siguruar të gjitha vendimet që janë ndërmarrë nga gjykatat për hidrocentralet si dhe të gjitha paditë që janë dërguar në gjykatë për shkeljet ligjore dhe dëmet e shkaktuara në mjedis nga këto hidrocentrale.
Se procesi i licencimit dhe ndërtimit të hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta, thuhet edhe në raportin e publikuar në qershor të vitit 2021, nga një grup punues i krijuar me vendim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Ky raport identifikon shkelje të bëra nga personat fizikë dhe juridikë nga sektori privat si dhe ai publik.
Preportr ka kontaktuar me Këshillin Prokurorial dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për të diskutuar rreth pretendimeve për shkelje që janë evidentuar në raporte të ndryshme në raport me hidrocentralet. As pas dy muajve pritje kërkesa jonë për intervistë nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), autoritet që i lëshon licencat për hidrocentralet, kanë thënë për Preportr, se pretendimet për shkeljet ligjore të identifikuara në raporte të ndryshme për licencat e lëshuara, nuk qëndrojnë.
Shkelje të shumta
MMPHI muaj më parë kishte angazhuar një grup punues të përbërë nga ekspertë për evidentimin e procedurave ligjore dhe shkeljeve eventuale në kohën kur janë dhënë lejet mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve. Ky grup punues ka dalë me një raport në të cilin numërohen shkelje të shumta të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit, duke filluar nga anashkalimi i zbatimit të Ligjit për Ujëra nga Ministria e Mjedisit kur dhënia e të drejtës ujore për qëllime afariste është bërë me leje ujore dhe jo me koncesion ashtu siç parashihet me ligj.
Dallimi ndërmjet lejes ujore dhe koncesionit qëndron në faktin se koncesioni jepet përmes një procesi konkurrues, ndërkaq leja ujore jo.
Shkelja e parë që është bërë është se atyre u është dhënë leje ujore, në vend se të përdorej procedura e koncesionit, sipas ligjit, pra procedura e konkursit publik ku edhe buxheti i Kosovës do të gjeneronte të hyra
Donika Çeta, hulumtuese në GLPS
Se hidrocentralet në Kosovë janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin e thotë edhe Donika Çeta nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Ajo thotë se ka pasur shkelje të shumta ligjore edhe në procedurën e lejeve ujore, mjedisore dhe atyre të ndërtimit.
“Shkelja e parë që është bërë është se atyre u është dhënë leje ujore, në vend se të përdorej procedura e koncesionit, sipas ligjit, pra procedura e konkursit publik ku edhe buxheti i Kosovës do të gjeneronte të hyra”, thotë Çeta.
Gjithashtu distanca e ndërtimit të hidrocentraleve (30 metra prej vijave të plota, vija e ujërave maksimale 100 vjeçare), e përcaktuar me ligj nuk është respektuar, rrjedhimisht hidrocentralet janë ndërtuar në afërsi të drejtpërdrejtë të lumenjve në kundërshtim me dispozitat e këtij ligjit.
Linda Çavdarbasha zëvendësministre në MMPHI, thotë se nga 20 hidrocentrale të cilat janë në operim, 16 prej tyre nuk posedojnë leje mjedisore, që do të thotë të njëjtat janë duke operuar në mënyrë ilegale në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.
Pavarësisht kësaj, sipas grupit punues, nuk ka informacione që Inspektorati të ketë marrë ndonjë veprim.
Ndërkaq, pëlqimet dhe lejet mjedisore janë lëshuar për ndërtimet në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Zona e Veçantë e Mbrojtur Manastiri i Deçanit, zona këto të mbrojtura me Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, thuhet në raportin e grupit punues.
Zonat e veçanta në vendin tonë, janë pjesët tokësore dhe ujore me vlera të veçanta, të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ofrojnë.
Çavdarbasha, thotë se këto hidrocentrale sipas Ligjit për Zona të Mbrojtura, nuk do të duhej të ishin ndërtuar.
Sipas saj, Ministria e Mjedisit është duke analizuar në detaje raportin e grupit punues, dhe se për shkeljet të cilat mund të zgjidhën më shpejt ne do të veprojmë në mënyrë që ato të zgjidhen.
Ajo thotë se ka disa shkelje të cilat kanë impakt më të gjerë mjedisor, andaj për të njëjtat nevojiten studime adekuate para se të merret një vendim për to.
Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis “Kelkos Energy” SHPK nuk përfshin fare në përmbajtjen e saj ndërhyrjen e ndërtimit të HC në Zonën e Mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, vendosjen e digave për furnizimin/marrjen e ujit për këto, ku bëhet edhe shkelja e rëndë e Ligjit Nr.04/L-086 për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna, thuhet në raportin e grupit punues.
Sipas gjetjeve të grupit punues, pëlqimi mjedisor është lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.
Zëvendësministrja Çavdarbasha, thotë se vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk e tregon gjendjen reale të mjedisit në vendin ku operojnë këto hidrocentrale.
“Vlerësimi i ndikimit në mjedis i bërë prej anës së operatorëve nuk i plotëson kriteret dhe është i dobët” thotë ajo.
Sipas raportit të grupit punues, leja e ndërtimit për veprat marrëse, tubacionet, kabllot dhe fibrat optike për “HC Belaje” dhe “HC Deçani” nuk është lëshuar asnjëherë nga Ministria e Mjedisit me justifikimin se në projektin e dorëzuar nuk kanë mundur të identifikohen parcelat kah kalon traseja e tubacioneve. Punimet në trasenë për vendosjen e kabllove, tubacioneve janë kryer pa leje të ndërtimit pra në mënyrë të paligjshme, thuhet në raport.
Ndërtimi i hidrocentraleve ka pasur ndikim në degradimin e resurseve ujore dhe në mjedis. Në një shkrim të mëhershëm të realizuar nga Preportr, tregohet se ndërtimi i hidrocentraleve ka ndërruar gjeografinë në Grykën e Deçanit. Në shkrim theksohet se në disa fshatra të Deçanit dhe Shtërpcës, gjurmët e punimeve në shumë prej vendeve janë ende të freskëta. Në shumë vende shihen hapësira të shumta të degraduara, rrëshqitje të dheut si dhe vende ku janë prerë pyjet për t’u ndërtuar kanali për futjen e gypave.
Grupi punues i cili ka përpiluar raportin ka konsideruar se lëshimi i lejes ujore për HC “Deçani’’ dhe “Belaja” është bërë pa e verifikuar prurjen e pranueshme ekologjike.
Edhe zëvendësministrja Çavdarbasha tregon se prurja e pranueshme ekologjike nuk është respektuar gjatë ndërtimit të hidrocentraleve, duke e shkatërruar biodiversitetin që ndodhet përreth vendeve ku operojnë ato.
“Kemi parë se kjo rrjedhë ekologjike nuk është respektuar, nuk është llogaritë në mënyrën e duhur edhe pastaj ka pasur raste kur nuk ka pasur rrjedhje të peshqve, që zakonisht duhet të bëhet në momentin kur ndërtohen hidrocentralet”, thotë ajo.
Pezullohet puna e hidrocentraleve
Pas një beteje të madhe të shoqërisë civile dhe pas dërgimit të rasteve të hidrocentraleve në gjykatë, Gjykata Supreme e Kosovës, ka vendosur pezullimin e punës së hidrocentraleve në Deçan dhe Brezovicë.
Rastin në gjykatë për Deçanin e ka dërguar aktivisti i Vetëvendosjes!, Faton Selmanaj.
Për këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë në fillim të këtij viti ka vendosur t’i pezullojë lejet dhe licencat e hidrocentraleve pasi që është konsideruar se po e shtjerrin Lumbardhin e Deçanit dhe po e dëmtojnë mjedisin.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për këtë rast thuhet se shtyhet ekzekutimi i lejeve ujore e mjedisore dhe licencave për prodhimin e energjisë që organet shtetërore i kanë dhënë kompanisë “Kelkos Energy” për tri hidrocentralet. Shtyrja e ekzekutimit sipas aktvendimit vendoset për të parandaluar dëmin e pariparueshëm që është bërë nga puna e hidrocentraleve.
Padinë për këtë rast e kishte ngritur Faton Selmanaj, por Gjykata në aktvendim kishte miratuar zgjerimin e dyfishtë të padisë. Përveç aktivistit Selmanaj, paditës janë edhe dy qytetarë të Deçanit.