English
Scroll top

Sulmi ndaj të vërtetës

Prodhimi dhe shpërndarja e informatave të pavërteta është duke kërcënuar demokracinë në mbarë botën përmes ndikimit të drejtpërdrejtë në qëndrimet apo vendimet e njerëzve. Gjatë periudhës së pandemisë është vërejtur një rritje e madhe e shpërndarjes së lajmeve të rreme. Preportr ka identifikuar dhjetëra portale apo faqe në rrjete sociale të cilat po shpërndajnë lajme të tilla në Kosovë

Prishtinë, 30 Tetor 2020

“Janë dy javë, jetike! Dërgo mesazhin që dy javët në vijim të qëndrojmë në shtëpi, në të kundërtën KATASTROFA  do të jetë shumë e madhe!” ky mesazh që pretendonte të ishte thënë nga mikrobiologu Lul Raka, është shpërndarë jashtëzakonisht shumë në rrjete sociale dhe në mediat online në kohën e izolimit si masë mbrojtëse kundër COVID- 19.

Paralajmërimi se po vjen një katastrofë nga një person i cili atë kohë ishte ndër figurat kryesore të menaxhimit me pandeminë në Kosovë, shkaktoi pasiguri tek shumë njerëz, shumë prej të cilëve e shpërndanë lajmin nëpër profilet e tyre në rrjete sociale. Nuk kaloi shumë kohë dhe vet Raka njoftoi publikun se ai nuk kishte të bënte me këtë mesazh dhe se lajmi ishte i rremë.

Në kohën kur u vendosen masat shtrënguese për shkak të Covid-19, kur mungonin informatat mbi masat mbrojtëse apo rrezikun nga virusi, një numër i madh lajmesh të pavërteta qarkullonin online. Në fakt, gjatë periudhës së izolimit është dëshmuar edhe më shumë se si njerëzit ndikohen nga informatat që marrin online dhe se si ato informata mund të diktojnë sjelljen dhe besimet e njerëzve.

Shiko Gazetën #B-14

Lajmet e rreme që lidhen me shëndetin publik dalin të jenë më të rrezikshmet për shkak se ndikimi i tyre mund të jetë fatal për jetën e atyre që i besojnë. Në mbarë botën rrjetet sociale dhe mediat përhapën shumë dhe shpejt teoritë konspirative që flisnin mbi atë se si virusi është shpikur në laboratorë kinezë, lidhjen e virusit me teknologjinë 5G, kurimin e virusit me hudhra, raki, e deri tek ajo se virusi mund të shërohet me injektimin e zbardhuesit në trup.

Informacioni i gabuar në lidhje me trajtimin e sëmundjes COVID-19 ka çuar në vdekjen e të paktën rreth 800 njerëzve në botë, thuhet në një studim të botuar në American Journal of Tropical Medicine and Hygiene. Sipas studimit, përhapja e thashethemeve apo teorive konspirative përkeqësoi vuajtjet e mijëra qytetarëve në të gjithë globin.

Studimi zbuloi se afërsisht 800 njerëz vdiqën nga pirja e alkoolit shumë të përqendruar me shpresën për të dezinfektuar trupat e tyre, 5900 të tjerë u shtruan në spital pasi konsumuan metanol, si dhe 60 persona u verbuan.

Të gjitha këto dezinformata kanë penguar jashtëzakonisht shumë përpjekjet e institucioneve për ta luftuar COVID-19.

“Ne nuk po luftojmë thjeshtë një epidemi, ne jemi duke luftuar një infodemikë. Lajmet e rreme përhapen më shpejt dhe më lehtë se ky virus, dhe janë po aq të rrezikshme”, ka deklaruar Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) në ditën kur e shpalli gjendjen me koronavirus si pandemi.

“Urime, vaksina kundër koronavirusit kalon me sukses testin e parë”, “Ky ilaç kuron me sukses COVID -19”, “SHBA arreston doktorin që prodhoi dhe shiti virusin Corona në Kinë”, “Koronavirusi shëron tokën, ka më pak lëkundje tërmetesh”, këto ishin vetëm disa nga titujt që u shpërndanë muajve të kaluar në media të ndryshme në Kosovë. Shumica e portaleve që kanë publikuar këto lajme të rreme, pasi janë analizuar nga Preportr është gjetur se nuk kanë asnjë të dhënë se kush është pronari i tyre, emra të gazetarëve apo adresë të portalit.

“Është përdorur një diçka që në teori njihet si përdorimi i emocioneve të njerëzve që kanë rrjete sociale, qoftë emocioni siç është frika, mungesa e informatës, pasiguria etj. Kur këto emocione prekën, njerëzit klikojnë në ato ueb-faqe”, thotë Alban Zeneli, ligjërues në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), ka deklaruar për Preportr se ka pranuar disa ankesa lidhur me raportimet që janë bërë për pandeminë.

Një ndër ankesat drejtuar këtij komisioni ishte edhe ajo lidhur me artikullin “Koronavirusi nuk transmetohet te homoseksualët”. Në këtë artikull thuhet se “sipas hulumtimeve të fundit shkencore nga doktor Hopp dhe Muller nga Instituti Botëror Kundër Viruseve ka rezultuar se koronavirusi nuk transmetohet tek homoseksualët.”

Në ankesën që platforma “Dylberizëm” kishte paraqitur në KMShK thuhet se me një hulumtim të thjeshtë online shihet se artikulli përmban shumë të pavërteta.

“Në botë nuk ekziston një institut i quajtur Institut Botëror Kundër Viruseve, si dhe emrat e mjekëve të përmendur janë emra të trilluar. Artikullit i mungon burimi i saktë i këtij lajmi dhe ky lajm nuk gjendet online në asnjë portal informativ në botë. Gazeta Metro me këtë lajm ka nxitur lexuesit të besojnë se homoseksualët nuk preken nga Koronavirusi COVID-19, duke forcuar stereotipin dhe stigmën se homoseksualët janë qenie të ndryshme nga heteroseksualët, dhe si të tillë nuk mund të preken nga virusi COVID-19, duke nxitur paragjykimet dhe urrejtje ndaj komunitetit LGBTI nga shumica heteroseksuale”, thuhet ndër të tjera në ankesën e “Dylberizmit”.

Ndërkohë Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kishte miratuar ankesën pjesërisht. Në vendim thuhet se “media ka publikuar shkrimin të cilin nuk e ka bazuar në fakte dhe ka bërë pretendime të rreme mbi një çështje që botërisht është e njohur ndryshe, me çka media ka shkelur Kodin e Mediave duke mos raportuar të vërtetën. Në lidhje me këtë pikë të ankesës, KMShK gjen se ankesa është e bazuar. Por ndërkohë KMShK kishte thënë në vendim se artikulli nuk përmban asnjë shprehje që nxit urrejtjen ndaj personave me orientim seksual LGBTI”.

Shpërndarja e të pavërtetave në Kosovë

Ndonëse termi “Fake News” u bë jashtëzakonisht i njohur viteve të fundit në gjithë botën, lajmet e rreme me qëllim të dezinformimit apo propagandës kanë ekzistuar shumë më herët. Ajo çfarë e bën tani rrezikun shumë më prezent nga ky fenomen është pikërisht shpërndarja e shpejt e lajmeve përmes platformave online të informimit. Zhvillimi i shpejtë i internetit ka bërë që njerëzit të kenë qasje vazhdimisht në informacion i cili shpesh del të jetë i manipuluar për interesa të ndryshme politike apo ekonomike.

Ndonëse ka disa përkufizime mbi atë se çfarë nënkuptojnë lajmet e rreme, qëllimi kryesor i tyre mbetet manipulimi i opinionit publik për të ndikuar realitetin.

Zakonisht lajmet e rreme mund të përkufizohen si:

Lajme sensacionale –  Janë lajme të cilat kanë tituj tërheqës qëllimi i të cilave është të tërheqin lexuesit përmes titujve apo fotografive ndërkohë që artikulli brenda nuk ka përmbajtjen e njëjtë.

Lajme propaganduese – Janë ato lajme që përmbajnë të dhëna apo informata të rreme në mënyrë që të promovojnë  ndonjë agjendë të caktuar.

Lajme e pasakta– Zakonisht përfshijnë ata artikuj të cilët vetëm kopjohen nga ndonjë media tjetër apo vetëm raportohen mbi deklaratat e një burimi pa u hulumtuar apo vërtetuar më tej.

Në Kosovë viteve të fundit kemi vërejtur një rritje të numrit të mediave online e si pasojë është rritur jashtëzakonisht shumë edhe numri i njerëzve që informohen për temat të ndryshme përmes internetit. Si një vend në tranzicion ku shkalla e arsimimit dhe punësimit është tejet e ulët, rreziku nga përhapja e lajmeve të rreme del të jetë serioz.

Mentor Hoxhaj, udhëheqës i organizatës “Cybersecurity and Privacy”  thotë se përmes platformës së tyre vetëm në muajt maj dhe prill kanë identifikuar më shumë se 2000 lajme/postime/mesazhe te rreme, pasakta  dhe  pjesërisht te pasakta.

Në anën tjetër përveç mediave rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve kanë edhe rrjetet sociale. Shpesh mediat publikojnë lajme të mbështetura vetëm nga publikimet në rrjete sociale duke mos i verifikuar apo hulumtuar më tej. Edhe në rastet kur ato informata të pavërtetuara nuk i paraqesin si artikuj në media i postojnë në faqet e tyre ne rrjete sociale.

Në një raport të publikuar së voni “Peizazhi i mediave në Kosovë: Ndikimet e urrejtjes dhe propagandës” thuhet se “mediat kosovare shpesh bien nën ndikimin e sensacionalizimit të lajmeve dhe dëshirës për të qenë të parët që postojnë lajme në mediat sociale. Duke sensacionalizuar lajmet, storiet shpesh dalin të pafiltruara dhe të paredaktuara, por përfundojnë duke u bërë virale sipas standardeve lokale. Derisa lajmet të verifikohen dhe të kontrollohen, është tepër vonë dhe ka pasoja”.

Në po të njëjtin raport përmendet fakti se Kosova ka një nga depërtimet më të larta të përdorimit të internetit në rajon me 86.49% sipas Ditarit Mediatik të IPSOS. “Krahasimisht, pjesa e përdoruesve të telefonave mobilë tejkalon 96% të popullsisë dhe pashmangshmërisht, rrjetet e mediave sociale luajnë rol kritik”, thuhet në raport.

Në raportimet për tërmetin e madh të 26 nëntorit në Shqipëri një mori lajmesh e fotografish u shpërndanë në rrjete sociale dhe media të cilat në fakt nuk kishin të bënin fare ngjarjen e tërmetit.

Pas tërmetit Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kishin ndihmuar shumë familje që u dëmtuan nga kjo fatkeqësi. Në po ato ditë, u publikua një fotografi ku shiheshin kolona të automjeteve të FSK-së  në autostradë për Shqipëri e cila në fakt nuk ishte e të njëjtës ditë por ishte shkrepur kohë më parë.

I njëjti rast kishte ndodhur edhe me disa fotografi ku shihej një qen që po qëndronte afër të zotit, një tjetër me një burrë të ulur në mes rrënojave apo ajo me fëmijën e vogël që kishte mbuluar fytyrën me duar. Asnjëra nga këto fotografi nuk ishte realizuar në Shqipëri dhe nuk kishte fare të bënte me tërmetin që kishte ndodhur.

Shpejtësia me të cilën u përhapën fotografitë është dëshmi se si media dhe profile nëpër rrjete sociale kanë shfrytëzuar rastin që të përhapin të pavërteta vetëm që të fitojnë më shumë klikime.

Alban Zeneli thotë se më të rrezikuar nga lajmet e rreme janë adoleshentët dhe personat mbi moshën 40 vjeçare.

“Qytetarët që bien më shumë pre e lajmeve të rreme janë ata që nuk e kuptojnë si duhet se si funksionon interneti dhe në këtë mes hyjnë grupmoshat mbi 40 vjeç, pasi që një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë qenë brenda fazës jetësore kur është përhapur në masë të madhe interneti. Një kategori tjetër e ndjeshme janë adoleshentët që janë në nivelin parauniversitar”, shpjegon ai.

Sipas tij arsyeja pse të rinjtë ndikohen nga lajmet e rreme është për shkak se sipas rezultatit të PISA-së të vitit 2018 tregojnë se vetëm 9 për qind e 15 vjeçarëve që janë testuar kanë arritur ta dallojnë faktin nga opinioni. “Kjo padyshim në këtë shpërndarje të madhe të lajmeve të rreme dhe formave të ndryshme të propagandës bënë që këta të rinj të jenë fragjil, të jenë të orientueshëm dhe rrjedhimisht bien pre e propagandave të ndryshme”.

Mentor Hoxhaj  thotë se edhe mediat që konsiderohen më serioze kanë prodhuar apo shpërndarë lajme të rreme. Sipas tij një ndër problemet kryesore është fakti që portalet shpesh vetëm shpërndajnë lajme me mënyrën “Copy&Paste” dhe një lajm i rremë shpërndahet tepër shpejtë në këtë formë.

“Lajme të rrejshme, janë publikuar dhe nga mediat te cilat konsiderohen serioze. Në disa raste kanë rënë pre e faqeve satirike. Apo në raste të ndryshme janë thirrur në vetëm  “një burim” i cili nuk ka qenë i besueshëm”, thotë Hoxhaj.

Situata bëhet edhe më e ashpër dhe propaganda intensifikohet në kohë të fushatave elektorale dhe ballafaqimeve të ndryshme politike.

Më 4 tetor 2019 transmetuesi publik RTK kishte publikuar online një artikull me titullin “Gazeta amerikane: Kongresisti prorus, mentor i burrit të Vjosa Osmanit”, ku pretendohej se Rusia po ndikonte në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën atë vit në Kosovë përmes Vjosa Osmanit, kandidates për kryeministre.

Në një artikull lidhur me këtë çështje gazetarja Arta Berisha, kishte shkruar se ky lajm është bazuar në një gazetë amerikane dhe është i dyshimtë për vërtetësinë e informatave dhe megjithatë ende gjendet në faqen zyrtare të RTK-së.

Në anën tjetër Preportr ka identifikuar dhjetëra artikuj që kanë shpërndarë lajme të tilla me përmbajtje politike nëpër rrjete sociale apo  të dyshimta.

Adresimi i mangët

Prodhimi apo shpërndarja e informacioneve të pavërteta në Kosovë janë të dënueshme mbështetur në Ligjin për Shpifjen dhe Fyerjen por edhe në  Kodin Penal të Kosovës. Sidoqoftë në mungesë të funksionimit të mirë të sistemit të drejtësisë, lëndët e tilla shpesh parashkruhen e mbesin fare të pa trajtuara si rrjedhojë në mungesë besimi në institucione rastet e tilla rrallë raportohen.

Në anën tjetër nga të dhënat që ka marrë Preportr vërehet se  nga  301 ueb portale, 156 agjenci të lajmeve     të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës vetëm 50 prej tyre janë të anëtarësuara në KMSHK.

Ndër problemet kryesore në adresimin e lajmeve të rreme mbetet fakti që lajmet e tilla shpesh publikohen vetëm në rrjete sociale apo platforma të tjera online të cilat mbesin thuajse të pa kontrolluara.

Njohësit e fushës vlerësojnë se përveç aspektit ligjor të ndëshkimit të individëve apo mediave që shpërndajnë lajme të rreme ekzistojnë edhe dy mekanizma të cilët mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

Zhvillimi i mendimit kritik të qytetarëve ndaj prmbajtjes mediale mbetet një ndër mundësitë e luftimit të lajmeve të pavërteta. Megjithatë meqë kjo kërkon shumë kohë dhe ndryshime rrënjësore në sistemin e arsimit, platformat për kontrollimin e fakteve të njohura si “fact-checking” shihen si një alternativë e re.

“Identifikimi dhe dekonstruktimi i lajmeve të tilla është një ndër mënyrat. Por, edukimi i publikut po ashtu është shumë i rëndësishëm. KMSHK do të vazhdojë të punojë bazuar në statut dhe në Kodin e Etikës, në funksion të luftimit të kësaj dukurie dhe edukimit të publikut për t'u informuar nga burime të sakta dhe të verifikueshme”, thotë Imer Mushkolaj, drejtor në KMShK.