English
Scroll top

Qindra lëndë mund të parashkruhen deri në fund të vitit

Dhjetëra- qindra lëndë mund të parashkruhen në gjykatat e Kosovës deri në fund të vitit. Gjykatat themelore në Kosovë, i kanë nxjerrë të dhënat për lëndët të cilat mund të parashkruhen gjatë kësaj periudhe por nuk ka një plan se si mund të parandalohet parashkrimi. Pushimi i zgjatur gjatë pandemisë kur gjykatat kanë punuar me staf të reduktuar ka ndihmuar në mundësinë e parashkrimit...

Prishtinë, 22 Korrik 2020

Gjykatat në Kosovë nuk po arrijnë të ndalin trendin në rritje të parashkrimit të lëndëve penale. Sipas të dhënave që i ka siguruar Preportr, deri në fund të vitit mund të parashkruhen një numër i madh i lëndëve. Institucionet përgjegjëse ndonëse kanë mbledhur të dhëna se sa lëndë mund të parashkruhen, nuk kanë ndonjë plan për parandalimin e kësaj dukurie.

Te Plani Emergjent 2020 që është miratuar në njërën nga mbledhjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), parashkrimi përmendet vetëm njëherë. Në planin emergjent ku tregohet se si duhet të veprohet në kushtet e reja të krijuara nga pandemia Covid 19, kur është fjala te parashkrimi thuhet se duhet të hartohet një plan i veprimit për parandalimin e parashkrimit të lëndëve. Një plan i tillë nuk është miratuar ose nuk është bërë publik, anipse thuhet se një i tillë ekziston si draft.

Shiko Gazetën #B-13

Bazuar në të dhënat e monitorimit nga organizata Çohu! të gjykatave themelore të Kosovës, një ndër rastet e cila është parashkruar është ai i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, për arratisjen nga QKUK-ja e cila ka ndodhur në maj të vitit 2014.

Për veprën për të cilën akuzohej Sami Lushtaku, Kodi Penal i Republikës së Kosovës për atë vepër penale parasheh dënim deri në 3 vjet, kalimi i dyfishë i kohëzgjatjes së dënimit të parashikuar shpie në parashkrim të veprës penale. Rasti konkret u parashkrua në maj të vitit 2020.

Po ashtu është parashkruar edhe një pikë e aktakuzës në rastin ndaj ish-drejtorit të Arsimit të Komunës së Prizrenit, Nexhat Çoçaj, si dhe drejtorëve të manifestimit “Java e Remzi Ademajt”, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, me akuzat se të njëjtit gjatë periudhës kohore maj-qershor 2010, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoriteti zyrtar” nga neni 422 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shoqëria civile e sheh si mjaft shqetësuese parashkrimin e lëndëve. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, OJQ, kjo që merret me monitorimin e gjykatave thonë se KGJK-ja si institucion mbikëqyrës në raport me gjykatat e Kosovës, nuk duhet të shikojë këtë situatë në mënyrë pasive por duhet të marrë rol udhëheqës në krijimin e kushteve, të cilat mundësojnë që të dilet nga kjo krizë me sa më pak pasoja.

“Ky rol udhëheqës jetësohet përmes vendimeve të duhura për periudhën në të cilën po kalojmë dhe përmes krijimit të një strategjie të veprimit pas daljes nga kjo gjendje. Nëse nuk arrihet të krijohet një strategji e analizuar mirë nga ana e këtij institucioni, sistemi jonë gjyqësor shumë lehtë mund të bie para një kolapsi total, i cili do të linte pasoja si parashkrimi i lëndëve gjyqësore, që eventualisht mund të sjellë tek mosndëshkimi i kryerësve të veprave penale”, thonë nga GLPS.

Institucionet e drejtësisë nuk po arrijnë ta vënë nën kontroll çështjen e parashkrimit të lëndëve. Gjatë dy dekadave pas luftës në Kosovë janë parashkruar me mijëra lëndë. Në mesin e lëndëve që janë parashkruar ka edhe lëndë kundër korrupsionit.

Numër i madh i lëndëve mund të parashkruhen

Nga të dhënat që i ka siguruar Preportr, nga gjykatat del se deri në fund të vitit ka rrezik të parashkruhen 492 lëndë prej tyre i përkasin parashkrimit absolut 443 dhe 49 parashkrimit relativ. Të dhënat janë siguruar vetëm nga katër gjykata dhe degët e tyre. Bëhet fjalë për gjykatat themelore Ferizaj, Gjakovë, Gjilan dhe Pejë.

Sipas të dhënave gjykata ku ka më së shumti rrezik të parashkruhen lëndët, është Ferizaji me 232 lëndë, pasuar nga Gjilani me 166, Peja 49 dhe e fundit Gjakova me 45 lëndë.

Gjykatat Themelore të Prishtinës dhe Mitrovicës përkundër insistimit nuk na kanë dërguar të dhëna. Vlen të theksohet se numri më i madh i lëndëve në nivel vendi trajtohen në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rrjedhimisht kjo gjykatë mund të ketë edhe numrin më të madh të lëndëve që mund të parashkruhen.

Kurse përmes emailit Gjykata Themelore në Prizren, na ka sugjeruar që të dhënat për këtë gjykatë t’i kërkojmë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

“Atje i kemi dërguar të dhënat”, ka thënë kryetari i kësaj gjykate Ymër Hoxha.

Sa i përket faktit se si do të veprojnë si gjykatë në parandalimin e parashkrimit të lëndëve Hoxha ka thënë se se janë marrë vesh me gjykatësit që këto lëndë që ka rrezik të parashkruhen, të trajtohen me prioritet.

Me prioritet këto lëndë sipas zëdhënësit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodrës do të trajtohen edhe nga kjo gjykatë. Ai ka thënë se nuk ka një plan për parandalimin e parashkrimit të lëndëve veçse duhet që gjyqtarët të merren seriozisht në trajtimin e këtyre lëndëve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku janë dërguar këto të dhëna përkundër insistimit të Preportr, dhe pritjes për përgjigje për më shumë se një muaj se si do të veprohet në parandalimin e parashkrimit të rasteve, nuk na ka kthyer përgjigje. Nga ky institucion nuk na është kthyer përgjigje edhe për faktin se pse nuk u miratua plani i veprimit të parandalimit të parashkrimit të lëndëve.

Parashkruhen disa raste

Rasti ndaj Sami Lushtakut ku ai akuzohej se ishte arratisur nga QKUK, është parashkruar gjatë muajit maj. Kjo është vetëm njëra nga rastet që është parashkruar gjatë kësaj periudhe dhe llogaritet njëra prej rasteve të profilit të lartë. Poashtu është parashkruar edhe një pikë e aktakuzës ndaj ish drejtorit të arsimit në Komunën e Prizrenit Nexhat Çoçajt.

Gjashtë vite më parë Sami Lushtaku, dhe të tjerët ishin arratisur nga QKUK. Gjashtë vite pas ka arritur parashkrimi absolut i lëndës ndaj ish kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut për pikën e aktakuzës, arratisjen nga QKUK-ja.

Në aktakuzë thuhet se Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha ndërmjet orëve të mëngjesit të datës 20 maj 2014 dhe orëve të mbrëmjes së datës 22 maj 2014, në objektet e Spitalit Rajonal në Prishtinë, duke vepruar në bashkëkryerje dhe sipas një plani të pajtuar ndërmjet tyre deri sa kanë qenë në paraburgim ata kanë ikur nga dhomat e spitalit në të cilat kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të pretenduar dhe janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në mbajtje në bazë të një vendimi të ligjshëm që urdhëron privimin e tyre nga liria.

Prokuroria thotë se të akuzuarit Nexhip Shatri dhe tani i ndjeri Sami Gjoka, duke qenë në cilësinë e mjekëve në QKUK, kanë lëshuar raporte të rreme mjekësore në bazë të të cilave kanë kërkuar ekzaminime për të akuzuarin Sami Lushtaku për të mundësuar transfere të rregullta në spital ku ai dukshëm ka gëzuar masa më pak kufizuese, ku ka qenë në gjendje t’i shmanget mbikëqyrjes korrektuese e përfundimisht edhe të arratiset.

Prokuroria  për këtë arratisje ka ngarkuar me faj oficerët korrektues Bashkim Dervishollin, Valon Behramaj dhe Argjend Behramaj, sepse si oficerë korrektues nuk kanë mbajtur vigjilencën e duhur dhe të vazhdueshme mbi të paraburgosurit duke u mundësuar atyre të ikin nga mbikëqyrja korrektuese, t’i ikin drejtësisë dhe të gëzojnë lirinë e kundërligjshme.

Kësaj aktakuze nuk i ka shpëtuar as drejtori i Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, Emrush Thaçi, të cilin prokuroria e akuzon se ai duke keqpërdorur detyrën zyrtare nuk i ka zbatuar me qëllim detyrat e tij konform ligjit duke u mundësuar të akuzuarve Lushtaku, Haxha dhe Jashari arratisjen nga QKUK-ja.

Prokuroria thotë se Emrush Thaçi u ka mundësuar arratisjen të akuzuarve me qëllim të ngritjes në detyrë dhe të bëhej drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Prokuroria e lidhi arratisjen e të akuzuarve nga QKUK-ja edhe me të akuzuarin Shemsi Hajrizi, i cili duke qenë ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm në maj të vitit 2014,  publikisht kishte refuzuar ta zbatonte vendimin e gjykatësit të EULEX-it, për transferimin e të paraburgosurve nga burgu i Dubravës në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Prokuroria thotë se Hajrizi, ka nxitur stafin korrektues vartës të tij që të kundërshtojnë zbatimin e vendimit. Aktakuza thotë se personat që i kanë ndihmuar Sami Lushtakut të arratiset dhe të fshihet në një vend të panjohur nga data 20 maj deri me 22 maj ishin Mërgim Lushtaku dhe Dardan Geci.

Parashkrimit nuk i ka shpëtuar edhe rasti ndaj ish- drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçajt.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 11 dhjetor 2014 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Arsimit të Komunës së Prizrenit, Nexhat Çoçaj, si dhe drejtorëve të manifestimit “Java e Remzi Ademaj”, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, me akuzat se të njëjtit gjatë periudhës kohore maj-qershor 2010, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoriteti zyrtar” nga neni 422 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Çohu! më 2 korrik 2020 ka monitoruar shpalljen e aktgjykimit në Gjykatën Themelore në Prizren, e cila shpallur aktgjykim refuzues për njërën nga pikat e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren.

Në pikën III të aktakuzës thuhet se gjatë periudhës kohore maj – qershor 2010, në Prizren i akuzuari Bekim Thaqi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për të akuzuarin e dytë Nexhat Çoçaj, duke i shkaktuar dëm buxhetit Komunal të Prizrenit në atë mënyre si kryetar i Këshillit Organizativ i manifestimit të “Java e Ramiz Ademaj”, pas alokimit të shumës prej 10.000 euro në xhirollogarinë e tij bankare në ProCredit Bank - Prizren, ai menjëherë pjesën e shumës prej 5.650 euro dhe pastaj 4.350 euro ia bartë në xhirollogari të akuzuarit Nexhat Çoçaj, po ashtu duke ia dhënë edhe kartelën personale të bankës Nexhatit i cili nga shuma e këtyre mjeteve pa një procedurë të tenderimit ka paguar fatura furnitorëve përmes transferit, ka bërë blerje me firma personale “Bogdani” në një shumë prej 724 euro, gjithashtu ka bërë tërheqje të parave nga llogaria rrjedhëse pa u ditur destinacioni i shpenzimit të parasë publike, të gjitha këto shpenzime i ka bërë jashtë destinimit për të cilën ishin alokuar mjetet për të mbuluar shpenzimet e manifestimit, me këto veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Për shkak të kalimit dyfishë të kohëzgjatjes së dënimit, kjo pikë e aktakuzës është vjetërsuar apo parashkruar andaj si pasojë e kësaj Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim refuzues ndërsa për pika të tjera të aktakuzës, të akuzuarit janë liruar.

Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, për shkak të parashkrimit abosult ka hedhur poshtë disa pika të aktakuzës ndaj tre të akuzuarve për shmangie nga tatimi.

Sipas Drejtësia Sot, Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja po akuzohen se nga viti 2007 deri në 2008, nuk kanë deklaruar të ardhurat reale të bizneseve të tyre ashtu që të njejtit kanë bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej rreth 666 mijë euro.

Parashkrimi problem prej 20 vitesh

Përgjatë gati dy dekadave në gjykatat e Kosovës janë parashkruar (vjetërsuar) një numër i madh i lëndëve. Si rrjedhojë një numër i madh i qytetarëve të vendit nuk kanë arritur ta realizojnë të drejtën e tyre, për një gjykim të drejtë.

Bazuar në të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në periudhën nga viti 2000 deri në vitin 2017, në gjykatat e Kosovës janë vjetërsuar 20,584 lëndë penale. Gjatë kësaj periudhe janë parashkruar edhe lëndët që lidhen me korrupsionin anipse është thënë se këto lëndë do të trajtohen me prioritet.

Vetëm gjatë viteve 2013- 2018 në gjykatat e Kosovës janë vjetërsuar 58 lëndë kundër korrupsionit. Prej tyre tetë në aspektin relativ dhe 50 në aspektin absolut.

Nga të gjeturat tona dhe analizimi i vendimeve disiplinore të publikuara nga KGJK mund të arrijmë në përfundimin se në periudhën qershor 2019 – prill 2020, nuk është shqiptuar asnjë masë disiplinore ndaj ndonjë gjyqtari për shkak të parashkrimit të lëndëve.

GLPS

Ky numër i madh i lëndëve që janë parashkruar, sipas zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, ka ndodhur për disa arsye. Njëra ndër to thuhet të jetë numri i madh i lëndëve dhe numri i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deri tani nuk ka një vendim konkret në rastet kur gjyqtarët dhe prokurorët kanë lejuar parashkrimin e lëndëve. Të vetmet masa që janë ndërmarrë janë që disa prej tyre nga Zyra e Prokurorit Disiplinor atëkohë janë rekomanduar për procedurë disiplinore. Megjithatë asnjë masë ndaj tyre nuk ishte ndërmarrë. I vetmi ndryshim që është ndërmarrë për të cilin bartësit e sistemit të drejtësisë besojnë që do të ketë efektin e dëshiruar është zgjatja e afatit të parashkrimit.

Që nuk është bërë asgjë në parandalimin e parashkrimit të lëndëve, por edhe ndëshkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë lejuar parashkrimin e thonë nga GLPS.

“Nga të gjeturat tona dhe analizimi i vendimeve disiplinore të publikuara nga KGJK mund të arrijmë në përfundimin se në periudhën qershor 2019 – prill 2020, nuk është shqiptuar asnjë masë disiplinore ndaj ndonjë gjyqtari për shkak të parashkrimit të lëndëve”, thuhet në përgjigje. 

Në këtë mënyrë, GLPS konsideron se është shumë i rëndësishëm evidentimi i rasteve të parashkrimeve për shkak të neglizhencës së gjyqtarëve dhe marrja e masave disiplinore konkrete.

“Së bashku me këtë masë e cila do të ndikonte në parandalimin e parashkrimit të rasteve penale, është e rëndësishme që për gjyqtarët që trajtojnë lëndët me rëndësi që bien nën kompetencë të Departamentit të Krimeve të Rënda dhe Departamentit Special, të organizohen trajnime të posaçme për zhvillimin e tyre në aspektin profesional dhe ndarjen e tyre në profilizime të caktuara varësisht nga natyra e lëndëve si p.sh të profilizohen gjyqtarët që gjykojnë veprat penale të korrupsionit veçmas, të shpëlarjes së parave veçmas etj”, thonë nga GLPS.