English
Scroll top

Arrestimet e pandemisë

Mbi 900 qytetarë të Kosovës janë arrestuar në periudhën 24 mars – 13 prill të këtij viti, për shkak se nuk e kanë respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes. Ky vendim ishte konsideruar jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Organizata të shoqërisë civile dhe Avokati i Popullit kërkojnë që të hudhen poshtë të gjitha këto raste nga institucionet e drejtësisë

25 Qershor 2020

Shënimi i rasteve të para me Covid-19 në Kosovë ka shkaktuar një panik të madhe tek qytetarët. Ndonëse pritej që nga dita në ditë të rezultonin rastet e para për shkak se pothuajse në të gjitha vendet e rajonit ishin shënuar, kur u konfirmua rasti i parë, qytetarët në masë të madhe ia mësynë marketeve për t’u furnizuar me gjera elementare si mielli, kripa, vaji, sheqeri. Këto produkte për disa ditë nuk mund të gjendeshin në markete.

Por jo vetëm qytetarët ishin kapluar nga frika, e njëjta gjë ndodhi edhe me drejtuesit e institucioneve. Frika bazohej te fakti se kapacitetet e Klinikës Infektive nuk ishin të mëdha, dhe në rast se do të shpërthente numri i të prekurve me Covid -19, siç ishte rasti në Itali apo në Spanjë, sistemi shëndetësor i Kosovës do të kolapsonte.

Shiko Gazetën #B-12

Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës që në atë periudhë udhëhiqej nga Albin Kurti, mori disa masa për të parandaluar përhapjen e virusit. Duke e parë që numri i të prekurve po rritej, edhe masat filluan të jenë më rigoroze.

Qeveria mori vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në kohë të caktuar si mënyrë për të shmangur daljet e mëdha dhe kontaktet mes njerëzve.

Veprim edhe më radikal kërkoi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai kërkonte të shpalljes gjendje e jashtëzakonshme. Ide për të cilën kishte përkrahjen e LDK-së, e cila ishte partnere kryesore në qeverinë Kurti. Por gjendja e jashtëzakonshme nuk u përkrahë nga Kurti dhe mbetën në fuqi masat e vendosura nga qeveria.

Por këtë vendim presidenti Thaçi e dërgoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Paraprakisht ai gjatë një konference për media, u bëri thirrje qytetarëve, policisë dhe institucioneve tjera të mos respektojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes.

Gjykata Kushtetuese masat e vendosura nga qeveria për kufizimin e lëvizjes së lirë, i konsideroi jokushtetuese, por pavarësisht kësaj, e la vendimin në fuqi deri me 13 prill.

Gjatë periudhës kohore 24 mars deri me 13 prill, Policia e Kosovës ka arrestuar në vazhdimësi qytetarë të cilët nuk e kanë respektuar vendimin e qeverisë për të mos lëvizur në kohën e caktuar.

Preportr ka marrë të dhënat nga raportet 24 orësh të Policisë së Kosovës për arrestimet që janë bërë vetëm për shkak të lëvizjes në kohë të ndaluar nga Qeveria e Kosovës për periudhën e lartcekur.

Nga këto të dhëna janë krijuar dy databaza. Njëra përfshinë të dhënat sipas datave të arrestimeve dhe masës që është ndërmarrë ndaj secilit rast për secilën komunë, dhe tjetra që është përmbledhëse për gjithë periudhën e lartcekur.

Sipas të dhënave nga databaza në periudhën 24 mars deri 13 prill 2020 janë arrestuar 935 qytetarë, për shkak të mosrespektimit të masave të Qeverisë së Kosovës për lëvizjen e lirë. Prej tyre 93 janë dërguar në mbajtje dhe 842 janë liruar në procedurë të rregullt.

Të dhënat tregojnë se numri më i madh i të arrestuarve janë të gjinisë mashkullore 899, ndërsa të gjinisë femërore vetëm 36.

Sa i përket arrestimeve sipas komunave, rezulton se më së shumti arrestime ka pasur në Komunën e Prishtinës (134), Podujevë (73), Malishevë (72), Prizren (70).

Gjykata Kushtetuese me 30 mars të këtij viti ka shpallur të pavlefshëm vendimin nr. 01/15 të Qeverise së Republikës së Kosovës, i cili ka bëjë me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se vendimi i qeverisë i datës 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Tutje, në vendimin thuhet se Ligji nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe Ligji nr. 04/L-125 për Shëndetësi, autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmerr masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse dhe se nuk e autorizojnë qeverinë të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa përjashtim. Andaj, gjykata ka konstatuar se kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore nga qeveria mund të bëhet vetëm me ligj të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Ndërsa si datë të hyrjes në fuqi të aktgjykimit, respektivisht shfuqizimit të vendimit të kontestuar të Qeverisë, Gjykata Kushtetuese përcaktoi datën 13 prill 2020.

Konfuziteti në procedimin e rasteve

Pas shpalljes së vendimit të Qeverisë së Kosovës si jokushtetues, te institucionet e drejtësisë fillimisht është parë një konfuzitet lidhur me procedurat që duhet ndjekur për rastet e tilla.

Lidhur me këtë çështje, në Këshillin Prokurorial të Kosovës thonë se në rastet kur personat kanë vepruar në kundërshtim të dispozitave ligjore apo urdhrave të organit publik kompetent në fushën e shëndetësisë, që kanë për qëllim parandalimin e sëmundjeve ngjitëse gjatë epidemisë, të cilat paraqesin elemente të veprës penale sipas Nenit 249 dhe Nenit 250 të Kodit Penal, ndaj tyre do të iniciohen procedurat penale.

“Ndërsa, në rastet kur nuk paraqitën elementet e veprës penale të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe mos veprimeve sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, të gjitha lëndët do të procedohen si kundërvajtje administrative, për të cilat janë kompetente organet tjera shtetërore”, thuhet në përgjigje.

Sipas KPK-së në rastet kur është shkelur lëvizja e lirë, ato raste do të procedohen si kundërvajtje administrative.

Neni 249 i Kodit Penal të Kosovës i ka shtatë pika që kanë të bëjnë me përhapjen e sëmundjeve ngjitëse. Në pikën 1 thuhet se kushdo që nuk vepron sipas dispozitave apo urdhrave të organit publik kompetent në fushën e shëndetësisë, e cila ka për qëllim parandalimin apo luftimin e sëmundjeve ngjitëse te njerëzit apo kafshët dhe me këtë shkakton përhapjen e sëmundjes ngjitëse te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.

Ndërkaq neni 250 që ka të bëjë me mosveprimin sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, thotë se kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy vjet.

Preportr ka kërkuar përgjigje nga të gjitha prokuroritë themelore se si do të veprojnë në raste të tilla, por vetëm nga disa prej tyre ka marrë përgjigje.

Shyqri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka thënë se i kanë ndarë në dy kategori veprimet e individëve, në drejtim të së cilëve janë ndërmarrë veprime hetuese apo të ndjekjes. Personat fizik të cilët nuk e respektojnë orarin e qarkullimit, ne konsiderojmë se është kundërvajtje administrative dhe në këtë rast nuk merremi me raste të tilla.

Ndërsa rastet e operatorëve ekonomik që nuk veprojnë sipas dispozitave të qeverisë dhe rastet e tubimit të njerëzve në vendet publike më shumë se tre apo pesë persona dhe në rastet kur një personi i është caktuar nga IKSHP vendimi për vetizolim apo karantinim, rastet e tilla konsiderohen vepra penale dhe në këtë drejtim edhe janë marrë vendime.

“Ne kemi mbajtur mbledhjen e kolegjiumit me Kryeprokurorin e Shtetit dhe në këtë rast është vendosur që rastet e mosrespektimit të qarkullimit të shkojnë në kundërvajtje, ndërsa rastet e tjera do të konsiderohen vepra penale dhe do të merren prokurorët me ato”, ka thënë Syla.

Ai thotë se Gjykata Kushtetuese i ka shpallur këto masa antikushtetuese, por nuk i ka anuluar duke i lënë në fuqi deri me datën 13 prill dhe se rastet e tilla janë në procedurë të rregullt dhe prokurorët nuk do të merren me ndjekje të personave që kanë thyer një rregull apo një urdhër të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues.

“Me qenë se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese urdhrin e qeverisë për ndalimin e qarkullimit në atë kohë, sigurisht që prokurorët do t’i pushojnë hetimet aty ku kanë filluar apo do t’i hudhin kallëzimet penale pasi që shumica prej tyre janë në procedurë të rregullt, sepse nuk mund të dënohen njerëzit për veprimet të cilat i kanë marrë të themi me një vendim të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jo-kushtetuese”, ka thënë Syla.

Ne kemi mbajtur mbledhjen e kolegjiumit me Kryeprokurorin e Shtetit dhe në këtë rast është vendosur që rastet e mosrespektimit të qarkullimit të shkojnë në kundërvajtje, ndërsa rastet e tjera do të konsiderohen vepra penale dhe do të merren prokurorët me ato.

Shyqri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka deklaruar se që nga hyrja në fuqi e vendimit të Qeverisë, të datës 23 mars 2020, (deri me 8 maj) në 16 raste të ndara, ka ndaluar gjithsej 27 persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, të cilët dyshohet se kanë bërë shkelje të këtij vendimi.

“Personat e dyshuar janë ndaluar për shkak të veprës penale “Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë’’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilët pas intervistimit nga prokurorët e rastit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Procedurat e iniciuara ndaj qytetarëve duhet të mbyllen”

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se kjo organizatë në vazhdimësi ka kontestuar kufizimin e lirisë së lëvizjes si dhe ndaljen dhe arrestimin e qytetarëve mbi bazën e vendimeve administrative të lëshuara qoftë nga qeveria apo Ministria e Shëndetësisë.

“Në këtë drejtim çdo ndalim apo arrestim i qytetarëve gjatë kohës së pandemisë është kundër kushtetues dhe në kundërshtim me ligjin. Për më tepër të gjithë qytetarëve që iu janë kufizuar liritë e lëvizjes dhe janë ndaluar apo arrestuar gjatë kohës së pandemisë kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim”, thotë Miftaraj.

Sipas tij, të gjitha procedurat e iniciuara ndaj qytetarëve qoftë ato penale apo administrative duhet të mbyllen dhe të ndalet persekutimi i qytetarëve mbi bazën e vendimeve që tanimë janë shpallur edhe kundër kushtetuese.

Ndërkaq, avokati Kushtrim Palushi thotë se personat e arrestuar, të ndaluar dhe të mbajtur në qendra të mbajtjes janë arrestuar pa bazë ligjore edhe para se të vendosë Gjykata Kushtetuese për vendimin e parë dhe më pas për vendimet për secilën komunë veç e veç.

Ai thotë se neni 249 i Kodit Penal të Kosovës që ka përcaktuar si vepër penale “Përhapjen e sëmundjeve ngjitëse” nuk ka qenë i zbatueshëm në lidhje me masat kundër Covid-19 për arsye se bazuar në këtë nen duhet të plotësohen dy kushte në mënyrë që i njëjti të zbatohet. Kushti i parë ka të bëjë me mos veprimin sipas urdhrave të organit publik kompetent në fushën e shëndetësisë, dhe kushti i dytë ka të bëjë më shkaktimin e pasojës, përkatësisht shkaktimin e përhapjes së sëmundjes ngjitëse.

Sipas tij, kjo dispozitë, përfshinë vetëm personat që tashmë kanë qenë të konfirmuar se kanë qenë të infektuar me virusin Covid-19, dhe jo të gjithë qytetarët pa dallim. Një person i cili nuk ka qenë i infektuar nuk ka pasur mundësi si të shkaktojë pasojën, pra nuk ka pasur mundësi të shkaktojë përhapjen e sëmundjes ngjitëse.

“Pra, bazuar në këtë, autoritetet e zbatimit të ligjit, qysh në fillim nuk kanë pasur bazë ligjore të arrestojnë qytetarët për mos respektim të masave qeveritare”, thotë Palushi.

Ai thotë se një gjë e tillë është bërë e qartë edhe pas shpalljes kundër kushtetuese të vendimit të parë të qeverisë dhe më pas të vendimeve për shpalljen zonë karantinë të Komunës së Prizrenit, si dhe vendimet për vlerësimin e kundërvajtjeve administrative si kundër kushtetuese për komunat e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut.

“Përveç mungesës së bazës ligjore penale për arrestimin dhe ndalimin e qytetarëve, bazuar edhe në Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, procedurat penale ndaj qytetarëve të ndaluar është dashur dhe duhet të pushohen menjëherë. Një rekomandim të tillë e ka pasur edhe Paneli Këshillëdhënës i Ekspertëve Ligjor (LEAP Kosovo), në të cilin jam anëtar edhe unë”, thotë Palushi.

Sa i përket kundërvajtjeve administrative, përkatësisht gjobave, avokati Palushi thotë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se gjobat e parashikuara si kundërvajtje administrative për mos respektim të masave kufizuese të parashikuara në Vendimet e Qeverisë nuk kanë pasur bazë ligjore në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe as në Ligjin për Kundërvajtje, si rrjedhojë ka shpallur kundër kushtetuese edhe gjobat e parashikuara në vendimet e qeverisë. Në një rrethanë të tillë, personat që nuk kanë respektuar vendimet e qeverisë nuk mund as të dënohen për kundërvajtje.

IAP tashmë ka hapur një hetim dhe do dilet me një raport që do të përfshijë rekomandimet për autoritetet përkatëse se si do të mundet të trajtohen rastet e qytetarëve të ndëshkuar gjatë muajve të epidemisë, dhe një ndër rekomandimet mund të jetë edhe pezullimi i këtyre rasteve.

Avokati i Popullit

Në institucionin e Avokatit të Popullit thonë se arrestimet e qytetarëve gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës janë shkelje e të drejtave të njeriut si rrjedhojë e shpalljes së këtyre masave si jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

Ky institucion deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga ndonjë qytetar lidhur me arrestimin e gjatë pandemisë.

“IAP tashmë ka hapur një hetim dhe do dilet me një raport që do të përfshijë rekomandimet për autoritetet përkatëse se si do të mundet të trajtohen rastet e qytetarëve të ndëshkuar gjatë muajve të epidemisë, dhe një ndër rekomandimet mund të jetë edhe pezullimi i këtyre rasteve”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Sipas Avokatit të popullit, ndëshkimi i qytetarëve për shkak të mosrespektimit të masave gjatë pandemisë duhet të pezullohet. “Madje, shteti duhet që këta qytetarë të cilët u dënuan dhe u ndaluan, t’i dëmshpërblejë”.

Sipas legjislacionit në fuqi, kur një qytetar privohet nga liria pa të drejtë ai mund të kërkojë dëmshpërblim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Në rast se është i pakënaqur me dëmshpërblimin që i ofrohet nga ky institucion, mund të bëjë edhe padi civile në gjykatat përkatëse për të kërkuar më shumë mjete financiare.

Preportr e ka pyetur KGJK-në se a kanë pranuar ndonjë kërkesë për kompensim nga ndonjë qytetar për shkak të privimit nga liria gjatë periudhës 23 mars – 13 prill 2020 për shkak të mosrespektimit të vendimit të qeverisë. Nga ky institucion na është thënë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të tillë.

Sipas KGJK-së, për një ditë në qëndrim në paraburgim pa bazë ligjore dhe pa arsye, qytetari kompensohet me nëntë euro për dem material, gjashtë euro për dem jo material, pesëdhjetë euro pako dhe vizita familjare në muaj, ndërsa120 euro për avokat.