English
Scroll top

Auditimi konstaton disa shkelje nga LDK

Raporti i auditimit Lidhjes Demokratike të Kosovës për vitet 2016 dhe 2017 ka gjetur disa shkelje sa i përket pasqyrave financiare

Prishtinë, 26 Shkurt 2020

Raporti i auditimit Lidhjes Demokratike të Kosovës për vitet 2016 dhe 2017 ka gjetur disa shkelje sa i përket pasqyrave financiare.

Sipas auditmit për vitin 2016, LDK-ja nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet të mirëfilltë për të mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare sipas standardeve të kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë.

Lidhur me këtë gjetje, sekretari për financa i LDK-së, Lutfi Zharku ka thënë për Preportr se hartimi i pasqyrave financiare nuk nënkupton domosdoshmërisht që duhet të mbahet kontabilitet i mirëfilltë dhe nuk është obligim ligjor.

“Për më tepër ne mendojmë se KQZ-ja duhet të ofrojë softuerë të standardizuar për të gjitha subjektet politike”, thotë Zharku.

Ndërsa për gjetjen tjetër se LDK në blerjet e kryera nuk ka aplikuar ndonjë procedurë të tenderimit, e cila do të mundësonte një shfrytëzim sa më efikas, me kosto ekonomike, transparent dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik, Zharku thotë se subjektet politike nuk kanë obligim ligjor të zbatojnë procedura të tenderimit. Por sipas tij, LDK aplikon procedura të tenderimit në rastet e prokurimeve me vlera të larta, siç ka qenë rasti i blerjes së veturave.

Në këtë raport thuhet se LDK-ja nuk e ka të definuar me statut, mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të saj dhe të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjës për transaksione financiare.

Të dy këto shkelje auditori i ka evidentuar se janë përsëritur edhe në vitin 2017.

Gjetja e radhës thekson se LDK-ja i ka kryer pagesa një marrësi të vetëm në vlerë mbi 5 mijë euro brenda një dite në kundërshtim me kërkesat ligjore të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Për këtë çështje Zharku thotë se gjatë aktiviteteve partiake, e në veçanti gjatë zgjedhjeve, subjektet politike krijojnë shpenzime në shuma të mëdha (organizimi i eventeve zgjedhore, punimi i spoteve, reklamimi në televizione dhe portale etj.) të cilat duhet të paguhen brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtë, kurse ndarja e faturimit të shërbimit/produktit të njëjtë në vlera të vogla është në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Lidhur me gjetjen se LDK nuk ka respektuar kërkesat ligjore në lidhje me publikimin e raporteve financiare vjetore dhe të fushatës, Lutfi Zharku thotë se kjo duhet të bëhet pasi që të njëjtat të auditohen (siç edhe është vepruar në të kaluarën) pasi që sipas tij, ligji nuk e definon këtë çështje.

Auditori gjithashtu ka gjetur se LDK-ja ka pagat dhe kompensimet në vlerë 200 mijë e 308 euro në mungesë të dokumenteve mbështetëse, kontratave të punës, vendimet etj.

“Ne duke aplikuar procedurat standarde dhe alternative të auditimit nuk ishim ne gjendje të përfitojmë një siguri të arsyeshme në lidhje me plotësinë e kësaj shume për periudhën e përfunduar më 31 dhjetor 2016”, thuhet në raport.

Por Zharku thotë se të gjitha shpenzimet për paga janë të sakta dhe “mungesa e ndonjë vendimi, gjegjësisht kontrate të punës për ndonjë person të punësuar apo përkohësisht të angazhuar nuk e vë në dyshim shpenzimin si të tillë”.

Mungon arsyetimi për 7 mijë e 70 euro

Gjatë auditimit të pasqyrave financiare të LDK-së për vitin 2017 janë vërejtur disa parregullsi tek shpenzimet.

Sipas raportit të auditimit, tek kategoria ‘shpenzimet të ndryshme’ në vlerë prej 71 mijë e 573 euro është përfshirë edhe shpenzimi për mirëmbajte dhe renovime në vlere prej gjithsej 7 mijë e 70 euro.

Aty thuhet se për shërbimin e pranuar nuk janë ofruar të dhëna mbështetëse lidhur me punët dhe shërbimet e pranuara sipas kontratës nga përgjegjësit për aprovimin e këtyre shërbimeve të kontraktuara.

“Duke pasur parasysh natyrën e shënimeve që mbanë subjekti politik, dhe në mungesë të dokumentacionit mbështetës, ne nuk ishim në gjendje, duke aplikuar procedurat standarde dhe alternative të auditimit, të marrim siguri të arsyeshme që shpenzimet në vlerë 7 mijë e 70 euro kanë ndodhur dhe i përkasin periudhës raportuese”, thuhet në raport.

Lutfi Zharku thotë se kjo ka ndodhur për shkak se këto shpenzime kanë të bëjnë me meremetimin e zyrave të disa degëve të partisë dhe se shërbimi i tillë është konfirmuar nga menaxheri i projektit, i caktuar nga LDK.

Ndërkaq sa i përket gjetjet se kjo parti gjatë vitit 2017 ka mbajtur më shumë se një llogari bankare në kundërshtim me kërkesat ligjore, Zharku thotë se LDK nuk ka qene në dijeni për ekzistimin e llogarisë së tillë të një dege, duke marrë parasysh se ajo ka qenë e hapur në kohën kur ka qenë e lejuar me ligj.

“Kurse në vitet e kaluara kemi konfirmimin nga të gjitha bankat që LDK ka operuar vetëm me një llogari bankare. Megjithatë, përmes llogarisë së tillë nuk ka pasur qarkullim që nga viti 2013 si dhe e njëjta është mbyllur menjëherë”, thotë Zharku.

Auditori ka gjetur se LDK në disa raste fondet për demokratizim i ka shfrytëzuar edhe për destinime tjera si për meremetime dhe mirëmbajtje të objekteve të cilat nuk i ka të regjistruara në pronësi të veten. Auditori theson faktin se mjetet nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike mund të përdoren për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjekteve politike si: Financimin e degëve të subjekteve politike, financimin e njësive përkatëse të organizimit të grave dhe të rinjve të subjekteve politike, financimin e aktiviteteve parazgjedhore e zgjedhore të subjekteve politike, financimin e aktiviteteve të grupeve parlamentare.

Por Lutfi Zharku arsyeton shfrytëzimin e këtyre mjeteve duke thënë se meremetimet dhe mirëmbajtja e zyrave si parakusht për zhvillimin e aktiviteteve partiake janë pjesë financimit të degëve të subjekteve politike.

LDK ka deklaruar pak donatorë

Në bazë të pasqyrave financiare që janë bërë publike nga KQZ-ja, LDK gjatë viteve 2009-2012, ka marrë pak donacione dhe ka dhënë pak tenderë. Kjo edhe pse ishte në pushtet si në nivelin qendror deri më 2010 (e rikthyer në krye të qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 2014), por edhe në disa komuna në nivelin lokal, madje në Prishtinë ka udhëhequr që prej pasluftës deri në vitin 2013.

Në fushatën parazgjedhore të vitit 2010, për dallim nga ajo e vitit 2009, Lidhja Demokratike e Kosovës që është partia e dytë në vend ka paraqitur pak të hyra nga donatorë të jashtëm.

Ajo ka deklaruar pak donatorë edhe gjatë viteve 2011 dhe 2012. Në raportet e auditimit të financave të partive të publikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), Preportr ka gjetur se një pjesë e tyre janë biznesmenë, por që pjesa më e madhe e tyre nuk kanë marrë tenderë publikë. Gjithashtu edhe në vitet 2016 dhe 2017 kjo parti ka deklaruar pak donatorë.

Të dhënat nga hulumtimi i Preportr tregojnë se shtatë kompani që kanë financuar LDK-në kanë fituar 13 tenderë në institucione publike. Vlera e këtyre tenderëve është 419,631 euro.

Sidoqoftë, ky fakt nuk dëshmon në asnjë mënyrë për nivelin e transparencës të LDK-së në shpenzimin e parasë publike përkitazi me favorizimin eventual të kompanive të afërta me këtë subjekt politik.

Raportet e audituara të KQZ-së tregojnë për gjendjen rreth shpenzimeve dhe të hyrave të partisë ashtu siç ka raportuar vet subjekti politik. Në fakt, LDK-ja ka refuzuar në vazhdimësi qasje në të dhënat financiare të kërkuara nga Preportr.

 

Projekti “Financimi i Partive Politike” realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë. 
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e organizatës  ÇOHU! dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.