English
Scroll top

Nuk ka arsyetim për parashkrimin e lëndëve

Intervistë me këshilltarin ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, Florent Spahija mbi parashkrimin e lëndëve nga gjykatat e Kosovës

Prishtinë, 05 Gusht 2019

Këshilltari ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Florent Spahija, në një intervistë për Preportr, rreth lëndëve që parashkruhen në gjykatat e Kosovës, thotë se numri i madh i lëndëve që vjetërsohen vjen për shumë arsye po njëra ndër to është se deri tani askush nuk ka shkuar përgjegjësi për këto parashkrime. Tek rastet e korrupsionit sipas tij është akoma më e dhimbshme kur sheh raste të parashkruara përkundër që kodi i procedurës parasheh afate për secilën çështje kur duhet të trajtohet. Preportr ka gjetur se gjatë viteve 2013-2018 në gjykatat e Kosovës janë parashkruar 58 lëndë kundër korrupsionit

Nga të dhënat që i kemi nxjerr në raportet vjetore të KGJK-së del se  gjatë viteve 2013-2018 në gjykatat themelore të Kosovës janë vjetërsuar 58 lëndë të natyrës së korrupsionit? Si e vlerësoni ju këtë kur dihet fakti që është thënë se lëndët kundër korrupsionit trajtohen me prioritet nga gjykatat?

Vazhdimisht gjykatat tona janë përballur me fenomenin e parashkrimit, që ka shkaktuar shpesh edhe në publik reagime për atë se si sillen me lëndë gjykatat. Tek rastet e korrupsionit është akoma më e dhimbshme kur sheh raste të parashkruara përkundër që kodi i procedurës parasheh afate për secilën çështje kur duhet të trajtohet. Nuk besoj që ka ndonjë gjyqtar arsyetim në parashkrimin e lëndëve të korrupsionit, pra një numër i madh mund të jetë bërë për arsye jo ligjore!

Gjatë gati 20 viteve në Kosovë janë parashkruar më shumë se 22 mijë lëndë penale, në mesin e tyre edhe ato kundër korrupsionit. Sipas jush, cilat janë arsyet që kanë sjellë deri të parashkrimi i rasteve?

Arsye kryesore deri në një kohë mund të ketë qenë në disa gjykata numri i gjyqtarëve, por tash me rritjen e numrit të gjyqtarëve parashkrimi në shumicën e rasteve ndodh për shkak të neglizhencës së gjyqtarëve në kryerjen e lëndëve. Nuk bënë të përjashtohen edhe mungesat e të pandehurve apo pamundësia për t’i siguruar ata në procedurë penale, por që këto janë raste shumë të vogla.

Parashkrimi relativ vie për shkaqet e mos ndërmarrjes së veprimeve nga ana e gjykatësve. Sipas të dhënave për periudhën 2013 – 2018, parashkrimin relativ vetëm për rastet e korrupsionit kishin arritur 8 lëndë, ndërsa ende nuk kemi parë ndonjë masë ndaj ndonjë gjykatësi? Si e komentoni këtë?

Numri i madh i parashkrimeve si relative dhe absolute është kaq i madh sepse askush nuk ka dhënë përgjegjësi për, pra mekanizmat kontrollues brenda KGjK-së dhe kryetarëve të Gjykatave nuk kanë funksionuar. Nuk është aspak normale që për 20 vite pas luftes të parashkruhen mbi 20 mijë lëndë, ndërsa nuk mbaj në mend që ndonjë gjykatës të ketë marrë vërejtje për shkak të parashkrimeve.

Sipas jush, kush duhet të mbahet në përgjegjësi për dukurinë e parashkrimit të rasteve, në këtë rast, rasteve të korrupsionit?

Fillimisht është gjyqtari që nuk ka proceduar më lëndën, një faj të madh mund ta ketë edhe udhëheqësi apo kryetari i gjykatës, i cili nuk i ka kushtuar rëndësi se çfarë është bërë me rastin konkret. Kryetari në çdo kohë ka pas mundësi dhe ka mundësi të informohet me rastin, se ku është çfarë është vepruar dhe kur është caktuar për gjykim. Vlerësimi që ju bëhet përformancës së gjyqtarëve duhet të jetë edhe për çështjen e parashkrimit, sa lëndë ju kanë parashkruar. Pas numrit të parashkrimit duhet të shihet se çfarë ka qenë rëndësia e lëndës, kush ka qenë i akuzuar me atë aktakuzë, kush ka qenë i dëmtuar, cili ishte dëmi i përgjithshëm, pra shumë faktor e më pas të bëhet vlerësimi i gjyqtarit.

Çfarë masash duhet të ndërmerren në mënyrë që mos të ketë numër kaq të madh të lëndëve që parashkruhen?

Sikur të funksiononin mirë trupat e kontrollës kualitative të punës së gjyqtarëve, atëherë shumë lehtë do të merreshin edhe masat madje do të luanin edhe rolin e preventivit. Fillimisht do të duhej të shkruhej në dosjen e gjyqtarit se i janë parashkruar lëndë, t’i ndalohej aplikimi për në pozitë më të lartë (p.sh. departament të krimeve të rënda apo në Gjykatën e Apelit ose atë Supreme) për disa vite, ulje në pagë, suspendim si dhe në raste ekstreme me qëllim të paramenduar duhet shkarkim nga detyra.

Cilët janë hapat tutje të sistemit gjyqësor për të evituar këtë dukuri dhe gjithashtu, për të bërë llogaridhënës gjykatësit për fajin e të cilëve ka ardhur deri të parashkrimi i rasteve në gjykata?

Forcimi i mekanizmave të kontrollit të kualitetit të secilit gjyqtar, të secilit nivel, është një mundësi shumë e mirë për vlerësim të vazhdueshëm të tyre. Vlerësimi duhet të bëhet sipas një metodologjie të njëjtë për të gjithë gjykatësit që janë në nivelin e njëjtë pa përjashtime. Vlerësimi duhet të forcohet edhe me masat ndëshkuese, përndryshe nuk do të kishte kuptim.

play

Gjatë viteve 2013-2018 në gjykatat e Kosovës janë parashkruar 58 lëndë kundër korrupsionit. Deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj gjyqtarëve që i kanë lënë këto lëndë të parashkruhen. Masa e vetme është zgjatja e afatit të parashkrimit.