English
Scroll top

Mosplanifikimi i duhur vonon për gati pesë muaj asfaltimin e rrugëve në Podujevë

Asfaltimi i tri rrugëve në Komunën e Podujevës është vonuar për gati pesë muaj për shkak se procedurat tenderuese janë bërë në fund të muajit nëntor. Asfaltimi i rrugës në fshatin Sfeqël nuk i ka kënaqur banorët për shkak se rruga është e ngushtë dhe se aty nuk është ndërtuar fare ura, por ka mbetur një urë me...

Prishtinë, 24 Qershor 2019

Komuna e Podujevës në nëntor të vitit 2018 ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Milenium Konstruction” për asfaltimin e rrugës lidhëse të fshatrave Buricë-Penuhë dhe asfaltimin e dy rrugëve në fshatin Sfeqël. Vlera totale e kësaj kontrate është 81 mijë e 974 euro.

Asfaltimi i rrugëve në fshatin Sfeqël është bërë me 3 prill, ndërsa asfaltimi i rrugës Penuhë-Buricë me 22 prill 2019.

Zyra për informim e Komunës së Podujevës përmes një përgjigje elektronike, ka konfirmuar se punët në ndërtimin e rrugëve janë vonuar për faktin se fituesi është shpallur në muajin nëntor 2018 dhe projekti ka vazhduar edhe në vitin 2019 me përmirësimin e motit.

Por në kontratë cekët se data e fillimit të punimeve do të jetë tri ditë pas nënshkrimit të kontratës. Ndërsa, data e përfundimit e të gjitha punëve do të jetë sipas planit dinamik, e që është 40 ditë pune.

Preportr ka kontaktuar me pronarin e kompanisë “Milenium Konstruction” Milaim Aliu në lidhje me vonesat që janë bërë në asfaltimin e këtyre rrugëve. Aliu ka thënë se vonesa në kryerjen e punimeve ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike.

“Pjesën tjetër të punimeve i kemi pasur të përfunduara, vetëm asfalti nuk është vendosur për shkak të temperaturave të ulëta”, thotë Aliu.

Sipas tij, punët janë kryer brenda afateve kohore të përcaktuara me kontratë.

“Sipas kontratës kemi pasur kohë ta realizojmë, sepse kur ka reshje atmosferike nuk llogaritën ditë pune”, thotë Aliu.

Komuna e Podujevës këtë projekt e ka pasur të planifikuar në planin e prokurimit për vitin 2018, por procedurat tenderuese për ndërtimin e saj i ka përfunduar pothuajse në sezonin e dimrit

Menaxheri i projektit Fatmir Latifi ka thënë për Preportr se vonesat në shtrimin e këtyre rrugëve janë bërë për shkak të kushteve atmosferike dhe se në të gjitha ditët që nuk është punuar janë të arsyeshme, sepse nuk ka pasur kushte atmosferike për të punuar.

“Në total kanë qenë 40 ditë pune. Në vitin 2018 janë punuar 16 ditë pune, ndërsa në vitin 2019 12 ditë pune. Punimet kanë përfunduar dhe ka mbet të bëhet vetëm pranimi teknik”, thotë Latifi.

Komuna e Podujevës këtë projekt e ka pasur të planifikuar në planin e prokurimit për vitin 2018, por procedurat tenderuese për ndërtimin e saj i ka përfunduar pothuajse në sezonin e dimrit, gjë që ka shkaktuar vonimin e asfaltimit të këtyre rrugëve.

Në anën tjetër, kontrata e nënshkruar me 27 nëntor 2018 nga Komuna e Podujevës dhe operatori ekonomik, parasheh edhe ndëshkime në rast se nuk kryhen punët me kohë.

“Kontraktuesi do të paguajë dëmet e likuiduara autoritetit kontraktues në normën ditore për çdo ditë vonese të paarsyeshme. Operatori ekonomik do të ndëshkohet me 0.25%”, thuhet në kontratë. Sipas kontratës, periudha garantuese e defekteve është tri vite pas pranimit teknik preliminar të punimeve.

Por nuk dihet se a do të ndërmarrë ndonjë masë ndëshkuese Komuna e Podujevës ndaj operatorit ekonomik, apo e ka konsideruar si të arsyeshme vonesën e shtrimit të këtyre rrugëve.

Preportr me 14 mars 2019 ka bërë kërkesë për të intervistuar drejtorin e urbanizmit të Komunës së Podujevës lidhur me realizimin e këtyre projekteve, por edhe pas disa komunikimeve me zyrën për informim gjatë kësaj periudhe kohore, deri më tani nuk na është mundësuar një takim për intervistë.

Ekipi i Preportr ka biseduar me disa banorë të këtyre fshatrave në lidhje me këtë projekt, përkatësisht me përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Ata kanë thënë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në komunë për asfaltimin e këtyre rrugëve dhe kanë mbajtur disa takime për të biseduar për këto rrugë gjatë fushatave zgjedhore ose ndonjë tubim tjetër që kanë pasur me zyrtarë të komunës. Por nuk kanë pasur ndonjë takim të përbashkët për të biseduar në detaje për këtë projekt.

Për të parë realizimin e këtij projekti në kontekst të transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, Preportr me datë 24 prill të këtij viti ka dërguar kërkesë në komunë për të pasur qasje në dokumentacionet përkatëse që kanë të bëjnë me kërkesat eventuale të protokolluara të qytetarëve për shtrimin e këtyre rrugëve, se a ka pasur konsultime me banorët për këtë projekt dhe nëse po kur janë mbajtur ato dhe a ka procesverbale si dhe a ka pasur dëgjime buxhetore komuna në lidhje me këtë projekt. Po ashtu kemi kërkuar informacione në lidhje me shpronësimet që do të duhej të bëheshin në rrugën Penuhë-Burincë. Por edhe pas premtimeve se do të marrim përgjigj dhe kontaktit të vazhdueshëm me zyrën për informim, nuk na është lejuar qasje në këto të dhëna.

Ura me dërrasa në rrugën e asfaltuar

Preportr ka dalë në terren për të parë se deri ku ka shkuar realizimi i punimeve për ndërtimin e këtyre rrugëve. Në fshatin Sfeqël rrugët janë asfaltuar në fillim të muajit prill.

Sipas kontratës në këtë fshat janë paraparë të shtrohen dy rrugë në lagjen “Visoka”. Aksi i parë që i ka 450 metra, ka koston 28 mijë e 817 euro dhe aksi i dytë ka gjatësi prej 240 metrave që ka koston 12 mijë e 408 euro.

Por banorët nuk janë të kënaqur me gjerësinë e rrugëve.

“Nuk jemi krejt të kënaqur rruga është shumë e ngushtë dhe e kualitetit jo të mirë. Kemi prit që do të bëhet më e mirë. Rrugën e kanë asfaltuar, por urën nuk e kanë ndërtuar. Po e shihni vet në çfarë gjendje është”, thotë një banor i këtij fshati që nuk dëshironte të identifikohej.

Në fillim të rrugës së sapo asfaltuar gjendet një urë prej dërrasave. Kalimi mbi këtë urë nuk është i sigurt sidomos për automjetet e rënda. Në projektin për asfaltimin e kësaj rruge nuk është paraparë edhe ndërtimi i urës, por vetëm shtrimi i asfaltit. Këtë e konfirmon edhe pronari i kompanisë që i ka kryer punimet Milaim Aliu.

Ndërsa rruga që lidh fshatin Penuhë dhe Buricë është asfaltuar me 22 prill të këtij viti. Kur ekipi i Preportr e ka vizituar këtë rrugë (17 prill) ajo ishte e shtruar vetëm me zhavorr. Kjo rrugë është e gjatë 804 metra dhe ka kosto prej 40 mijë e 748 euro.

Unë nuk i kam penguar, por vetëm i kam thënë të ma kompensojnë dhe të ma heqin nga kadastra që të mos paguaj tatim dhe le të vazhdojë puna.

Sabri Berisha, banor i fshatit Penuhë.

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge i kanë gëzuar banorët e dy fshatrave të lartcekura. Ramadan Dedaj, kryetar i fshatit Penuhë thotë se ka mbi katër vite që kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme ndërtimin e kësaj rruge. Ai thotë se kjo rrugë ka qenë në gjendje shumë të keqe dhe me baltë dhe se asfaltimi i saj është mirëpritur nga banorët.

“Kohët e fundit kemi hasur në mirëkuptim edhe në komunë për asfaltimin e kësaj rruge, për çka e falënderoj kryetarin e komunës dhe drejtorin e urbanizmit. Kjo rrugë i lidhë edhe disa fshatra tjera si me Buricë dhe Konushevc”, thotë Dedaj.

Edhe Sabri Berisha i është gëzuar shtrimit të kësaj rruge, pasi që sipas tij, me asfaltimin e kësaj rruge, fëmijët më nuk do të shkojnë në shkollë nëpër baltë, siç kanë shkuar deri më tani.

Por ai thotë se kjo rrugë është ndërtuar në pronën e tij, ku përfshihen 20 ari. Berisha thotë se nuk do të krijojë ndonjë pengesë pasi që rruga është në shërbim të të gjithë banorëve.

“Unë nuk i kam penguar, por vetëm i kam thënë të ma kompensojnë dhe të ma heqin nga kadastra që të mos paguaj tatim dhe le të vazhdojë puna”, thotë Berisha.

Si kompensim për lëshimin e pronës së tij, ai thotë se i është premtuar kompensim nga drejtori i urbanizmit të Komunës së Podujevës, por që ky premtim nuk është realizuar ende.

“Më kanë premtuar që do të më kompensojnë duke mi sjellë dy-tre kamionë me dhe, sepse më duhet afër shtëpisë ta shtroj, por nuk mi kanë sjellë deri tash. Para nuk iu kam kërkuar si kompensim, por pasi që po me merret toka, u kam kërkuar vetëm të ma sjellin dheun siç më kanë premtuar”, u shpreh Berisha.

Ndryshe, banorët thonë se kjo rrugë mund të shfrytëzohet edhe për të përshkuar një pjesë të rrugës nga Podujeva për në Prishtinë, në rast se bllokohet rruga kryesore në atë pjesë nga aksidentet apo punimet eventuale.