English
Scroll top

Kompensimet e pamjaftueshme

Këtë vit për herë të parë një palë e dëmtuar e ka fituar rastin në gjykatë dhe në emër të kompensimit ka marrë 38 mijë euro, që i bjen gati 10 për qind të buxhetit vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të paraparë për kompensim. Këtë vit buxheti për kompensimin e personave të arrestuar të cilët janë shpallur të pafajshëm është 350 mijë euro. Deri në korrik të këtij viti për këtë kategori janë shpenzuar 300 mijë euro

Prishtinë, 01 Nëntor 2018

Në dekadën e fundit në Kosovë një numër i madh i zyrtarëve publikë dhe qytetarë të tjerë janë mbajtur në paraburgim e në arrest shtëpiak. Me vite të tëra ndaj tyre janë zhvilluar hetime, u janë ngritur aktakuza dhe në fund janë shpallur të pafajshëm. Me gjithë imazhin që u është dëmtuar, për raste të tilla nuk ka buxhet të mjaftueshëm që të kompensohen për dëmin që u është shkaktuar. Buxheti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për këtë kategori nuk është as gjysmë milioni euro.

Për herë të parë këtë vit, ndonëse kërkesëpadia ishte bërë vite më parë, një palë e dëmtuar e ka fituar rastin në gjykatë në të gjitha shkallët, dhe në emër të kompensimit ka marrë 38 mijë euro që i bjen gati 10 për qind të shumës totale që e ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës për kompensim. Preportr e ka siguruar aktgjykimin për këtë rast.

Një rast tjetër ku është kërkuar një shumë të madhe parash në emër të dëmit të shkaktuar është ai i Fatmir Limajt. Në vitin 2016 pasi ishte shpallur i pafajshëm në rastin ku ishte akuzuar për krime lufte – i njohur si rasti “Kleçka”– Limaj ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kompensim në vlerë prej afër 7 milionë euro.

Gjasat që Limaj të kompensohej me këtë shumë nga KGJK-ja ishin shumë të vogla pasi buxheti i këtij institucioni për këtë kategori ishte pak më shumë se një çerek milioni euro.

Në atë kohë zyrtarë të KGJK-së thoshin se Limaj mund ta realizonte të drejtën e vet për kompensim përmes gjykatës.

Buxheti për këtë kategori është rritur paksa në këto dy vitet e fundit, por rastet e paraqitura tregojnë se kjo shumë është ende e pamjaftueshme. Këtë vit buxheti për kompensimin e personave të arrestuar që janë shpallur të pafajshëm është 350 mijë euro. Deri në korrik për këtë kategori janë shpenzuar 300 mijë euro.

Fitoi mijëra euro në emër të kompensimit

Para disa vitesh një palë e dëmtuar kishte bërë kërkesëpadi për kompensim të dëmit që i ishte bërë nga një proces gjyqësor, ku personi ishte i akuzuar për krime lufte. Rasti ishte endur nëpër gjykata disa vite, derisa në fund sivjet është kryer me vendim të formës së prerë. Pas këtij vendimi pala paditëse ka përfituar disa qindra mijëra euro në emër të vuajtjeve psikike, shkeljes së dinjitetit dhe lirisë.

Në aktgjykimin që e ka siguruar Preportr thuhet se gjykata e ka detyruar të paditurën, Republika e Kosovës-Këshillin Gjyqësor të Kosovës në Prishtinë, që paditësit N.P. nga Komuna e Kaçanikut, në emër të kompensimit të dëmit jomaterial, t’ia paguajë shumën e mjeteve prej 35.000,00, ku hyjnë 25.000,00 euro në emër të vuajtjeve psikike, dhe 10.000,00 euro në emër të shkeljes së dinjitetit dhe lirisë. Shuma tjetër (rreth 3,000 euro) përfshin shpenzimet tjera që i ka bërë paditësi gjatë procesit gjyqësor.

Fillimisht paditësi kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës shumën prej 158.214,70 euro por ajo ishte refuzuar nga gjykata si e pabazuar.

Ky rast është i pari në të cilin pala e dëmtuar ka përfituar mjete në emër të dëmit të shkaktuar, ndërsa kur zyrtarët e KGJK-së u pyetën se si do të vepronin me rastet e ngjashme nëse paraqiten në të ardhmen, ata thanë se në rastin e N.P. nga Kaçaniku gjykatat kanë sjellë një praktikë gjyqësore dhe është në dorën e tyre (gjykatave) të vendosin për raste të tilla.

Kjo çështje ka kaluar të gjitha shkallët dhe mendojmë se gjykatat kanë sjellë një praktikë gjyqësore se si do të vendoset edhe me çështje të tjera pa paragjykuar rastet.

Astrit Hoti, KGJK

“Kjo çështje ka kaluar të gjitha shkallët dhe mendojmë se gjykatat kanë sjellë një praktikë gjyqësore se si do të vendoset edhe me çështje të tjera pa paragjykuar rastet. Përafërsisht në këtë çështje gjykata ka vendosë që për një ditë të qëndrimit në paraburgim në emër të dëmit jomaterial personi të kompensohet me 50 euro”, thotë Astrit Hoti, drejtor i Departamentit Ligjor në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Florent Spahija nga Insituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke e komentuar aktgjykimin thotë se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial duhet të merren me rastin konkret për të parë se pse ka ardhur deri te një gabim i tillë që pala të mbahet për më shumë se 500 ditë në paraburgim, dhe për të nuk ka pasur prova fajësuese.

“Normalisht prokurori i rastit por edhe gjyqtari apo trupi gjykues, do te duhej te pësonin për humbjet qe tash i ka buxheti i Kosovës”, thotë ai.

Duke u bazuar në këtë aktgjykim Spahija konsideron që tema e kompensimit do të jetë një temë që në vazhdimësi do t’i përcjellë gjykatat tona, kjo për shkak të paaftësisë, neglizhencës e numrit të vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe mos kryerjes me kohë të lëndëve.

“Vonesa në procedura gjyqësore do te ketë vazhdimisht kosto të dyfishtë për buxhetin e Kosovës, fillimisht trajtimi i lëndës e zgjatja e saj, e më pas përfundimi (në rastet e shpalljes si i pafajshëm) kërkesa për kompensim për shkak te ballafaqimit pa ndonjë arsye me drejtësinë”, thotë ai.

Rastet e personave që kërkojnë kompensim po shtohen

Vetëm para disa vitesh numri i atyre që kanë kërkuar kompensim ka qenë i vogël. Në tri vitet e fundit ky numër është dyfishuar nga 63 që kanë qenë në vitin 2010 në 153 raste në vitin 2017.

“Përveç ekzekutimit të këtij vendimit gjyqësor i cili ka qenë në shumën prej 38.112.24 eurosh buxheti tjetër i shpenzuar është bërë në bazë të lidhjes së marrëveshjeve me palë në bazë të kritereve për kompensim për personat e dënuar apo arrestuar pa arsye”, thotë Hoti.

Kriteret për kompensim për të dënuarit apo të arrestuarit të cilët janë shpallur të pafajshëm, janë të caktuara në Udhëzimin Administrativ 04 /2015. Kompensimi për një ditë për dëmin material është 9 euro, për dëmin jomaterial 6 euro, për pako dhe vizita familjare për një muaj 50 euro, kurse për përfaqësues të autorizuar (avokat), nëse e kanë një të tillë, i marrin 120 euro. E njëjta vlen për arrest shtëpiak, porse në këto raste nuk paguhen pakot dhe vizitat familjare.

Numri në rritje i kompensimeve për personat e arrestuar të cilët pastaj janë shpallur të pafajshëm flet për punën dhe efikasitetin e gjykatave dhe të prokurorive. Raportet që i ka bërë organizata ÇOHU tregojnë se në shumë raste prokuroria në vitet e fundit ka dështuar t’i dërgojë rastet deri në fund.

Në këto raporte janë nxjerrë në pah shkeljet dhe mosrespektimi i afateve ligjore për nisjen e një shqyrtimi gjyqësor, si probleme të theksuara që ndikojnë në efikasitetin e gjyqësorit në përgjithësi.

Duke u bazuar në të dhënat e monitorimit të organizatës ÇOHU, të cilat janë paraqitur në raportin “Qasja në drejtësi dhe të drejtat e njeriut”, thuhet se pothuajse në të gjitha rastet e monitoruara kishte shkelje dhe mosrespektim të afateve, varësisht nga faza e shqyrtimit gjyqësor (shqyrtimi fillestar, dytësor dhe ai kryesor, si dhe përfundimi i një shqyrtimi kryesor). Sipas këtyre të dhënave, në disa raste shqyrtimet e tilla zgjasnin deri në  655 ditë dhe 530 ditë, megjithëse afati për veprimin procedural ishte 30 deri në 40 ditë.

Normalisht prokurori i rastit por edhe gjyqtari apo trupi gjykues, do te duhej te pësonin për humbjet qe tash i ka buxheti i Kosovës.

Florent Spahija, KDI

Vonesat kaq të mëdha në kryerjen e një rasti sipas Spahisë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kanë krijuar shumë vështirësi për personat e akuzuar, dhe jo vetëm të personave publikë por edhe të qytetarëve të tjerë. Kjo sipas tij ka pasur pasoja zinxhirore pasi që në Kosovë  përveç dëmtimit të rëndë të imazhit, të bëhet edhe gjykimi publik.

Prokuroria duhet të shohë përse janë rritur rastet e kompensimit

Florent Spahija e shpjegon në disa mënyra arsyen përse është rritur numri i atyre që kompensohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për dëmin që u është shkaktuar. Sipas tij, potencialisht mund të jenë disa faktorë që kanë mundur të ndikojnë në rritjen e numrit të personave që kërkojnë kompensim.

“Mund të jetë që qytetarët janë vetëdijesuar dhe kërkojnë kompensim për dëmin që u është bërë, e dyta mund të jetë se kemi numër më të madh të aktakuzave sepse është rritur numri i prokurorëve, dhe e treta, kemi prokurorë më të dobët pasi kemi numër më të madh të aktakuzave të hedhura poshtë”, thotë Spahija.

Sipas tij, nëse prokuroria e sheh që rastet e personave që kërkojnë kompensim po rriten, ajo duhet të ndërhyjë për të parë se cilat janë arsyet për shpeshtimin e rasteve të tilla.

Spahija thotë se prokuroria do të duhej që në këto raste të kompensuara të shihte se cila ka qenë performanca e prokurorit, pra nëse kjo kishte ndodhur pasi prokurori nuk e kishte kryer punën si duhet.

“Nëse kjo nuk do të bëhej në të gjitha rastet, ka mundësi që kjo të bëhet në rastet ku kompensimet kanë qenë më të larta, dhe pastaj në bazë të kësaj të merrej një vendim. Një masë tjetër që do të duhej të ndërmerrej do të ishte që rastet të kryhen më shpejt. Edhe kjo pritje e gjatë që të kryhet një rast do të mund të shkaktonte rritjen e numrit të rasteve që kërkojnë kompensim”, thotë ai.

Të gjitha këto masa, sipas tij, duhet të ndërmerren sepse në njërën anë shteti ka bërë shpenzime në momentin që e ka ngritur aktakuzën, ka harxhuar kohë e resurse për ta dërguar dikë para përgjegjësisë. Në të njëjtën kohë, nëse ai prokuror nuk e ka kryer punën siç duhet, përveç që personi është shpallur i pafajshëm, ai ka kërkuar edhe kompensim, dhe në këtë rast dëmi është shumë më i madh.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK