English
Scroll top

Favorizimi qindra mijëra eurosh i bizneseve të papërgjegjshme

Zyra e Prokurimit në Ferizaj, gjatë vitit 2016 do të duhej të siguronte dëshmi të garancioneve në vlerën e mbi 300 mijë euro nga kompanitë fituese, si siguri për ekzekutimin e punimeve sipas kontratave. Del se deri në fund të atij viti kalendarik për nëntë projekte infrastrukturore, siguroi vetëm 126 mijë euro. Për këtë çështje mori vërejtje edhe nga zyra e Auditorit të...

14 Gusht 2018

Tetë kompani private janë favorizuar nga Komuna e Ferizajt, gjatë vitit 2016. Insajderi ka zbuluar se administrata komunale e Ferizajt ka lejuar që këto kompani private të mos kryejnë e respekotjnë ligjin për Prokurimin Publik.

Fituesit e tenderëve obligohen që të ofrojnë si garancion 10 përqindëshin e shumës totale të tenderit.

Kjo shumë mbetet te institucionet shtetërore si garancion nga tenderuesit. Konfiskohet nëse kompania private nuk kryen punimet, sipas kontratës.

Kjo shkelje kishte ndodhur në tenderët e Komunës së Ferizajt, ku përfshiheshin asfaltim e zgjerim rrugësh si dhe ndërtim i shkollave. Vlera totale e këtyre projekteve kalon shumën prej 4 milionë eurosh.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka kritikuar autoritetet komunale të Ferizajt për tolerimet që i kanë bërë fituesve të tenderëve. Insajderi, nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, ka siguruar emrat e kompanive dhe të projekteve që kritikohen nga raporti publik i ZAP-it.

Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, autoritetet komunale të Ferizajt ishin të obliguara që nga kompanitë private të kërkojnë garancione në vlerë totale prej 439 mijë e 713 eurove. Nuk e kishin bërë këtë.

Kompanitë kishin ofruar dëshmi garancioni vetëm për një pjesë të sigurimit të tenderit. Kanë ofruar dëshmi vetëm për 126 mijë e 927 euro. Bazuar në të dhënat e Zyrës së Auditorit, përgjegjësit në Komunën e Ferizajt është dashur të siguronin garancione me kohë, në ditën e nënshkrimit të kontratës , edhe për mbi 300 mijë euro tjera.

Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Ferizajt. Nuk kanë dashur të japin përgjigje.

Zyra e Prokurimit e Ferizajt fillimisht kanë pohuar se nuk janë të informuar saktësisht se për cilët tenderë kritikohen nga ZAP-i.

Insajderi i ka dërguar më pas listën e projekteve të kritikuara. Nuk kanë dhënë përgjigje të detajuar për secilën prej rasteve dhe nuk kanë konfirmuar nëse kanë marrë ndonjë masë ndëshkuese ndaj kompanive të papërgjegjshme.

Rreziqet nga mos ekzekutimi i garancionit

Pas përfundimit të auditimit të vitit 2016, auditorët kanë paralajmëruar Komunën e Ferizajt për rreziqet nga kjo shkelje ligjore. Kanë konkluduar se kjo mund të ndikojë që punimet mos të kryhen me kohë dhe në përputhje me standardet e cilësisë.

Zyrën e Prokurimit në këtë komunë e ka vlerësuar si të dështuar, për sa i përket respektimit të kritereve të tenderimit që ndërlidhen me ekzekutimin e garancionit/sigurimit të tenderit.

“Fakti se sigurimi i ekzekutimit nuk është në përputhje me kushtet e parapara të dosjes së tenderit dhe kushteve të veçanta të kontratës rrit rrezikun që komuna mos të ketë mundësi ta konfiskoj sigurimin e ekzekutimit në rast të mos përmbushjes së kontratës nga ana e operatorit ekonomik”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Ligji i Prokurimit Publik jep shpjegime të qarta lidhur me ofrimin e dëshmive të këtyre garancioneve.

Në bazë të Ligjit të Prokurimit çdo autoritet kontraktues, është i obliguar që të mbledhë dëshmitë nga kompanitë fituese të tenderëve si sigurimin e ekzekutimit të punimeve, me qëllim të përmbushjes së plotë të kontratës.

Me ligj kërkohet që kontraktuesi, jo më vonë se dita e nënshkrimit të kontratës duhet ta kryej këtë obligim. Siguria e ekzekutimit ndalet nga pagesa e autoritetit kontraktues për çfarëdo humbjeje që është pasoje e mosekzekutimit të plotë dhe të duhuri të obligimeve kontradiktore nga ana e kontraktuesit.

Bazuar edhe në raportin e ri të ZAP-it, autoritetet komunale të Ferizajt kanë shpërfillur rekomandimet e auditorëve. Auditorët kanë kritikuar sërish për “mos pagesën e obligimeve me kohë”.

“Mos adresimi i shumicës se rekomandimeve të dhëna shton rrezikun që të vazhdoj përsëritja e dobësive të njëjta në sistemet kryesore të komunës. Mos adresimi i kërkesave për përmirësime dhe përsëritja e rekomandimeve rezulton në mos efikasitet të vazhdueshëm dhe humbje financiare për Komunën”, thuhet në raportin e auditimit, të publikuar këtë javë.

Tenderi i dyshimtë i Ferizajt

Gazeta Insajderi ka analizuar secilin rast për të cilin Komuna e Ferizajt është kritikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Në shumicën e rasteve vërehet mosefikasitet i autoriteteve komunale për të zbatuar Ligjin e Prokurimit Publik.

Njëri prej tyre ishte projekti për “Asfaltimi i rrugëve nga lagjja e Cakajve me shkollë në fshatin Mirosalë”.

Fitues ishte shpallur kompania “Burimi-E”. Vlera e kontratës mes kompanisë dhe komunës kalonte shumën prej 286 mijë eurosh.

Kohëzgjatja e projektit ishte në afat dy vjeçar. Kompania ishte e obliguar që të ofronte dëshminë e garancionit në shumën prej mbi 28 mijë eurosh. Kishte ofruar dëshmi të garancionit për vetëm 3 muaj apo 3 mijë e 579 euro, por do të duhej të garantonte për dy vite sa zgjaste projekti.

Zyra e prokurimit në Komunën e Ferizajt ka konfirmuar për Insajderin se sigurimi i tenderit nuk ishte paguar nga kjo kompani, në ditën e nënshkrimit të kontratës. Po ashtu, e njëjta kompani nuk kishte kryer punët me kohë.

Komuna vetëm kishte zgjatur afatin e kryerjes së punimeve.

“Sigurimi i ekzekutimit është vazhduar deri më 31.12.2017....Ku dhe punët janë përfunduar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit.

Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktoj me kompaninë “Burimi E”, por kontakti me të ka qenë i pa mundur.

Po ashtu, i njëjti tender ishte përcjellë edhe me shkelje tjera ligjore.

Kompania “Burimi-E”, ishte shpallur fitues tek pas tërheqjes nga tenderi të një kompanie tjetër që kishte ofertë më të lirë për të njëjtin projekt.

Sipas ZAP-it, kompania e tërhequr kishte pasur ofertën prej 266 mijë e 306 eurosh. Kjo ofertë për 20 mijë euro më e lirë se sa e kompanisë “Burimi-E”, e cila është shpallur fitues.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Ferizajt se pse kompania “Burimi E”, u shpallë fituese përkundër çmimit të saj më të lartë. Por, përgjegjësit komunal nuk kanë dhënë asnjë përgjigje rreth kësaj çështje.

Zyra e Prokurimit në Ferizaj nuk ka treguar as arsyen e as emrin e kompanisë së tërhequr.

Shkeljet ligjore në projektet milionëshe

Projekti tjetër që përfshihet në këtë listë është ai për asfaltimin e rrugës Greme-Burrnik-Gaçkë.

Vlera e projektit është prej rreth 1 milionë euro e gjysmë. Komuna kishte shpallur fitues kompaninë “Eskavatori”.

Insajderi ka kontaktuar me zyrtarë të kompanisë “Eskavatori”. Zyrtarët e saj kanë dërguar një dokument, i cili sipas tyre, dëshmon se obligimi për tërë projektin është kryer në ditën e nënshkrimit të kontratës. Mirëpo, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në një dokument që i ka ofruar Insajderit, ka treguar se garancioni i kësaj kompanie ka qenë i vlefshëm vetëm për një vit, e jo për tri vjet.

Një projekt tjetër milionësh ishte ai për zgjerimin e rrugës Komogllavë – Tërstenik.

Ishte fituar nga kompania “Bageri”. Për shkak se tenderi ishte në vlerë prej mbi 1 milionë eurosh, kompania obligohej të ofronte dëshminë e garancionit në shumën prej 108 mijë eurosh. Kishte garantuar punimet për një periudhë një vjeçare me vlerën prej 36 mijë euro. Jo edhe për dy vite tjera që në euro i bie edhe 72 mijë euro tjera nga 10% i tenderit.

Kompania “Bageri”, ende nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës se pse nuk është paguar sigurimi i tenderit.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në një tender tjetër, të fituar nga kompania “Bageri”.

Gjatë vitit 2016, kjo kompani kishte fituar tenderin për asfaltimin e rrugës në fshatin Bibaj.

Vetëm dy muaj më shumë sesa për projektin e rrugës në Rakaj, ka ofruar garancion kompania fituese e projektit “Asfaltimi i rrugës në fshatin Bibaj”. Obligohej të ofronte garancion në shumën prej 31 mijë euro, për tri vite sa zgjaste projekti. Por siguroi punimet vetëm për katër muaj me shumën prej 3 mijë e 500 e 34 euro.

Edhe gjashtë kompanitë tjera që u favorizuan nga Komuna e Ferizajit

Në listën e projekteve në të cilat ZAP-i gjeti se nuk janë përmbushur obligimet sipas ligjit të prokurimit, kompania që ka ofruar garancion të me më së paku sigurim është kompania “Begisholli”.

Projekti për asfaltimin e rrugës në fshatin “Rakaj” ka qenë dy vjeçar, ndërsa Begisholli ka ofruar garancion për vetëm dy muaj për sigurimin e tenderit.

Në total ky tender peshonte 129 mijë euro, ndërsa sipas llogaritjeve ajo obligohej të jap garancion në shumën prej 12 mijë euro.

Ofroj garancion të punimeve vetëm për 2 muaj që në euro i bie 1 mijë euro. Por jo edhe për 1 vite e dhjetë muaj të tjerë.

Insajderi ka kontaktuar me kompaninë Begisholli. Përfaqësuesi i kompanisë Mejdi Begisholli, tha se e ka garantuar 10% e sigurimit ani pse ka mund të mos bëhet me kohë.

“Për tenderin për rrugën në Rakaj e kam paguar sigurimin. Nuk ka mundësi mos me u pagu. Nuk qon peshë a është pagu herët a vonë po me rëndësi është pagu”, ka thënë ai, ndonëse ligji e obligon që ta paguajë në ditën e nënshkrimit të kontratës.

Kompani tjetër që ishte toleruar nga Komuna e Ferizajit ishte edhe “Strassen Tiefbau”. Obligohej që të ofronte garancionin në shumën prej 22 mijë euro, garantoi vetëm për gjashtë muaj që në total i bie vetëm 3 mijë e 740 euro. Ishte shpallur fitues në tenderin për asfaltimin e rrugicave në fshatin Prelez të Muhaxherëve, projekt që ishte tre vjeçar.

Ngjashëm ishte favorizuar edhe kompania “Linda”, e cila kishte fituar tenderin për asfaltimin e rrugicave në fshatin Gaçkë e Epërme. Tenderi ishte në vlerë prej mbi 244 mijë eurosh.

Kompania private obligohej që të ofronte garancionin në shumën e 24 mijë eurove, garantoi vetëm për një vit apo 8 mijë euro nga 10%.

Veprim të njëjtë ndaj komunës bënë edhe dy kompani tjera fituese të tenderëve.

Tenderi për “Ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Komogllavë”, në vlerën prej 495 mijë e 761 euro ishte fituar nga konsorciumi “Betoni & Çeta”. Ata do të duhej t`i ofronin komunës garancionin në vlerën e 49 mijë eurove. Kishin siguruar punimet vetëm për një vit apo 16 mijë euro nga 10%.

Ndërsa tenderi për “Asfaltimin e rrugës në fshatin Dremjak” që u fitua nga konsorciumi “Real Compani & Ledi-ing”, peshonte 183 mijë e 89 euro. Duke llogaritur 10% e kësaj shume del se kishte garancioni ndaj Komunës ishte në vlerë prej 18 mijë eurosh. Kompanitë fituese kishin garantuar për punimet vetëm për një vit, apo 6 mijë euro nga totali i tenderi. Obligoheshin që ofronin dëshmi për garancion tre vjeçar sa ishte projekti apo edhe 12 mijë euro tjera nga 10%.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresat zyrtare të të gjitha kompanive që vlerësohen si të papërgjegjshme nga Zyra e Auditorit. Por, shumica prej tyren ende nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se pse nuk e kanë paguar sigurimin e tenderit, në ditën e nënshkrimit të kontratës.

Ngjashëm ka vepruar edhe Komuna e Ferizajt. Ende nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen se pse kompanitë janë lejuar që të mos e paguajnë garancionin në ditën e nënshkrimit të kontratës, por kanë toleruar kompanitë e papërgjegjshme. /Liridona Hyseni - Insajderi/