English
Scroll top

Mjekimi pa banderola

Pacientët në Kosovë në disa raste trajtohen me barna pa banderola dhe kjo ndodh edhe brenda institucioneve shëndetësore. Në të kaluarën kjo gjë ka qenë më e theksuar por as tani gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Si rrjedhojë më së shumti po e pësojnë pacientët me shëndetin e tyre dhe familjarët që janë të detyruar të shpenzojnë shuma marramendëse që t’i blejnë këto barna

Prishtinë, 04 Shtator 2017

Korridoret e Klinikës së Onkologjisë, janë të mbushura me pacientë dhe familjarë të tyre të cilët presin për t'u mjekuar me terapinë e radhës. Shpesh ata janë të detyruar t’i sigurojnë barnat vetë dhe këtë pavarësisht çmimit që e kanë e madje në disa raste edhe pa banderola. Kjo për arsyen që institucionet nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha terapitë që atyre ju nevojitën për të luftuar sëmundjen.

Njëri prej familjarëve S.K  na tregon se si ai e ka sjell në Kosovë nënën nga Gjermania për ta marrë terapinë këtu. Ai thotë që në fillim ka pasur mjaftueshëm barna për ta trajtuar por herë pas here ato mungojnë. Në këto raste S.K detyrohet që vetë t’i sigurojë barnat. Thotë që as ai e as mjekët e Onkologjisë nuk i shikojnë barnat që ata i blejnë se a kanë banderola apo jo.

T’ju them të drejtën as nuk i shikoj a kanë banderola apo jo sepse është e rrezikshme që nënës t’i ndërpritet terapia

Pacienti S.K

“E rëndësishme është që kur këtu nuk ka barna unë t’i siguroj ato. T’ju them të drejtën as nuk i shikoj a kanë banderola apo jo sepse është e rrezikshme që nënës t’i ndërpritet terapia edhe pse jam i njoftuar për efektet anësore që mund t’i kenë barnat pa banderola”, thotë ai.

Një tjetër familjare detyrohet që barnat që i ka blerë vetë t’i kthej në barnatore pasi në Klinikën e Onkologjisë i thonë se tashmë janë siguruar ato.

“Ka disa ditë që i kam blerë vetë barnat, sot po më thonë që nuk ka nevojë pasi i kanë siguruar këta në klinikë. Natyrisht që disa herë i kam blerë ato pa banderola, pasi është e rëndësishme që terapia të vazhdohet”, thotë ajo.

Klinika e Onkologjisë është vetëm njëra prej klinikave ku pacientët herë pas herë detyrohen t’i sigurojnë barnat vetë. Mënyrat se si sigurohen ato janë të ndryshme në disa raste edhe në treg të zi. Preportr në vazhdimësi ka vizituar barnatoret në Prishtinë duke kërkuar barna të llojeve të ndryshme të cilat na janë siguruar pa asnjë problem pa recetë mjeku dhe pa banderola.

Në disa raste kur e kemi monitoruar gjendjen e klinikave dhe pacientëve, kur në QKUK ka pasur mungesë barnash kemi parë se në përqindje të lartë deri në 50 përqind pacientët janë trajtuar me barna pa banderola. Kjo ka ndodhur vetëm tri vite më parë dhe është pranuar nga vetë mjekët dhe është dëshmuar me fakte nga ekipi i Preportr i cili për disa ditë e ka monitoruar punën në Klinikën e Onkologjisë.  Gjendja nuk është e njëjtë tani, thonë në këtë klinikë edhe pse e pranojnë që në raste specifike ende mjekohen me terapi pa banderola. Kjo punë paraqet rrezik të madh për pacientët dhe vetë mjekët që e japin terapinë, prandaj për t’i ikur rrezikut që mund të paraqes terapia e dhënë në  këtë mënyrë stafi mjekësor është detyruar që këtë gjë ta bëjë në marrëveshje me pacientët dhe  familjarët e tyre.

Barnat pa banderola rrezik për shëndetin e pacientëve

Barnat me të cilat trajtohen pacientët në Klinikën e Onkologjisë janë shumë specifike, prandaj edhe bartja dhe mënyra se si ato ruhen duhet të bëhet në mënyrë të veçantë. S.K thotë se e di këtë gjë sepse e ka biseduar me disa mjekë që e njohin këtë fushë por në raste të caktuara në mes asaj se a duhet apo jo të vazhdojë terapinë nëna e tij, ai vendos që t’ia vazhdojë edhe me barna që nuk janë të cilësisë së lartë apo edhe me të tilla që nuk kanë banderolë.

“Kur kam vendosur që të kthehem në Kosovë më kanë thënë që të gjitha barnat kundër kancerit sigurohen nga institucionet, por kur kam ardhur këtu e kam parë që gjendja nuk është kështu”, thotë ai.

Zyrtarë të Klinikës së Onkologjisë, gjendjen e furnizimit me barna nuk e paraqesin shumë shqetësuese. Ata thonë që shumica e barnave me të cilat trajtohen pacientët sigurohen nga shteti.

Ilaçet pa banderolë aplikohen kur ilaçi me banderolë nuk mund të sigurohet nga familjarët, kur nuk mund të shtyhet mjekimi

Ekrem Hyseni, drejtor i Klinikës së Onkologjisë

“Shumica e ilaçeve sigurohen nga institucioni (shteti). Kjo është duke ndodhë edhe për momentin me një siguri të plotë pothuajse gjatë gjithë kohës është mbi 85 % të nevojave.  Pra, shumica e ilaçeve janë duke u siguruar nga klinika”, thotë Ekrem Hyseni, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Megjithëse e pranon se në disa raste pacientët trajtohen me barna pa banderola, ai thotë se stafi i klinikës nuk mbanë asnjë përgjegjësi për sektorin privat dhe rrugët të cilat vijnë ilaçet. Janë shumë institucione sipas tij tjera të cilat janë përgjegjëse si: inspektoratet përkatëse, policia financiare, krimet ekonomike, dogana etj.

“Zakonisht ilaçet pa banderolë aplikohen kur ilaçi me banderolë nuk mund të sigurohet nga familjarët, kur nuk mund të shtyhet mjekimi”, përmend disa nga rastet Hyseni.

Gjithmonë kjo ndodhë sipas tij pas informimit të pacientit dhe familjarëve të cilët japin aprovimin e tyre. Megjithatë në krejt këtë situatë ai është i kënaqur që dhënia e terapisë në këtë mënyrë nuk ka paraqitur rrezik për pacientët dhe nuk ka prodhuar efekte anësore të cilat mund të rëndonin edhe më shumë gjendjen e tyre.

Ministria e Shëndetësisë, nuk ka mundur asnjëherë që ta plotësojë 100% listën vitale, medikamentet që do të duhej të ishin patjetër në institucionet shëndetësore dhe ku bëjnë pjesë edhe barnat me të cilat trajtohen pacientët në Klinikën e Onkologjisë.

Sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë për produkte të listës esenciale për vitin 2013, thuhet se Kosova bën pjesë në vendet me përqindjen më të ultë të buxhetit për shëndetësi (rreth 2.3% e GDP-së), krahasuar me shtetet e rajonit 5‐7% e GDP-së apo me shtetet evropiane 10% e GDP-së. Kjo tregon që shëndetësia nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie që nga paslufta.

Shëndetësia e lënë pas dore

Kjo gjendje në të cilën punojnë stafi mjekësor dhe mënyra se si trajtohen pacientët në Kosovë, paraqet shqetësim shumë të madh për sindikatën e Qendrës Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK).

“Kjo çështje duhet të alarmojë në radhë të parë Ministrinë e Shëndetësisë dhe strukturat tjera udhëheqëse të shtetit deri tek menaxherët e niveleve të ulëta dhe mjeku i cili përballet me gjendjen e pacientit dhe është përgjegjës profesional për trajtimin e tij”, thotë Xhemajl Selmani kryetar i sindikatës së QKUK-së.

Selmani thotë se ata si sindikatë e kanë ngritur zërin për këto çështje në instancat më të larta shtetërore, por deri tani kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.

“Barnat pa banderola janë barna ilegale për shtetin dhe mund të thuhet që janë të kontrabanduara, prandaj këta pushtetarë nuk mund t’i ikin përgjegjësisë sepse ata janë përgjegjës dhe bashkëpjesëmarrës  në krim nëse nuk i kryejnë detyrat për çka paguhen nga taksapaguesit kosovar”, thotë ai.

Ndalimi i shitjes së barnave pa banderolë është përgjegjësi e Inspektoratit Farmaceutik të Kosovës. Ky inspektorat është përballur në vazhdimësi me problemin e shitjes së barnave pa banderolë dhe në disa raste është detyruar që në afat të caktuar t’i mbyll barnatoret.

Inspektoratet përgjithësisht në Kosovë operojnë me numër shumë të vogël të inspektorëve krahasuar me numrin e veprimtarive që ata i inspektojnë. Edhe Inspektorati Farmaceutik ka një numër shumë të vogël të inspektorëve.

Por ky inspektorat nuk ka krijuar imazh të mirë ndër vite, kur dihet se disa zyrtarë të saj janë dyshuar apo akuzuar për korrupsion. Rasti më i freskët është ai i ish kryeinspektores së këtij inspektorati, Remzije Thaqit e cila bashkë me dy inspektorë të tjerë  janë akuzuar për kryerje të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Thaqi për këtë veprim të saj është pezulluar nga puna.

 

*Ky reportazh u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit