English
Scroll top

Vdekja e paralajmëruar

Të premten e 30 qershorit një eskavator ka përplasur për vdekje 23 vjeçarin Elbasan Isufi. Ngjarja kishte ndodhur në deponinë e mbeturinave në Gjilan ku Elbasani shkonte në kërkim të hekurishteve e plastikave të cilat pas selektimit i dërgonte për shitje

Prishtinë, 07 Korrik 2017

Të premten e  30 qershorit një eskavator ka përplasur për vdekje 23 vjeçarin  Elbasan Isufi. Ngjarja kishte ndodhur në deponinë e mbeturinave në Gjilan ku Elbasani shkonte në kërkim të hekurishteve e plastikave të cilat pas selektimit i dërgonte për shitje.

“Nga hetimet e para mësohet se i dyshuari, punëtor në deponi të mbeturinave tregon se në mënyrë aksidentale pa qëllim e kishte lënduar viktimën. I dyshuari deri sa ishte duke punuar me mjetin bager deklaron se duke lëvizur prapa e ka goditur viktimën”, ka shpjeguar Ismet Hashani nga policia rajonale e Gjilanit.

Edhe pse u bënë shtatë ditë prej se ndodhi aksidenti dhe dy ditë nga vdekja tragjike e Elbasanit, asnjë institucion publik nuk ka reaguar lidhur me këtë rast.

Dhjetëra fëmijë e të rritur qëndrojnë çdo ditë në deponinë e Gjilanit duke kontrolluar në mbeturina për të gjetur materiale për shitje.  Disa prej tyre edhe kanë ngritur tenda në të cilat qëndrojnë për të pritur kamionët që shkarkojnë mbeturinat. Ata punojnë pa asnjë mjet pune dhe qëndrojnë gjithë kohën në ambient të kontaminuar. Këtë punë të rëndë e bëjnë vetëm për të fituar pak para për mbijetesë. Mbledhësit nuk kanë ndonjë marrëveshje zyrtare me kompanitë private që ua shesin lëndën e parë edhe pse punojnë për ato.

Aktivistja Elizabeth Gowing e cila përkrahë mbledhësit e mbeturinave dhe familjet e tyre, ka thënë për Preportr se ky rast shpërfaqë jetën e vështirë të këtyre njerëzve.

Është tragjike që ka humbur jetën Elbasan Isufi duke gropuar nëpërmjet mbeturinave dhe është tragjike që çdo ditë ka njerëz në Kosovë, shqiptar, rom, ashkali, egjiptas apo të tjerë, që kështu e fitojnë një kafshatë bukë për familjet e tyre

Elizabeth Gowing, The Idea Partnership

"Është tragjike që ka humbur jetën Elbasan Isufi duke gropuar nëpërmjet mbeturinave dhe është tragjike që çdo ditë ka njerëz në Kosovë, shqiptar, rom, ashkali, egjiptas apo të tjerë, që kështu e fitojnë një kafshatë bukë për familjet e tyre. Mund të imagjinojmë të gjithë si është me e kalu ditën duke hallakatë nëpër xhama të thyer, pampers, mish të kalbur e mbetje të tjera. Nuk po besoj që ndonjë shtet apo kompani përgjegjëse mund të mendojë që kjo është punë e përshtatshme", ka thënë ajo.

Preportr para rreth një viti ka publikuar një hulumtim lidhur me rreziqet shëndetësore që kanosin personat që mbledhin mbeturina në këtë hapësirë por institucionet e vendit asnjëherë nuk janë interesuar që të ndalin këtë veprimtari e cila çdo ditë po rrezikon jetën e njerëzve që punojnë aty, e në kurriz të të cilëve kompanitë private po fitojnë miliona euro. Në këtë hulumtim është pasqyruar jeta e vështirë e mbledhësve individual të mbeturinave, të cilat të shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike dhe sociale po punojnë në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për të siguruar mbijetesën.

Policia e Kosovës dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave të Kosovës po i hedhin fajin njëra tjetrës lidhur me mos intervenimin në këtë aktivitet.

Përgjegjësit e deponisë thonë se kanë provuar të bisedojnë disa herë me mbledhësit, por nuk kanë arritur që t'i largojnë nga aty. Ata thonë t'i kenë lajmëruar policinë lidhur me këtë rast por këta të fundit nuk kanë kryer punën e tyre.

As policia nuk ka arritur t'i largojë këta persona nga deponia pavarësisht se qëndrimi i tyre aty është i ndaluar. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashanit ata largohen sapo të shohin veturat e policisë, për t’u kthyer brenda deponisë menjëherë pas largimit të tyre.

"Policia e Kosovës shumë shpesh e ka vizituar ketë deponi me kërkesën e punëtorëve të saj, por shumë shpesh edhe pa kërkesën e tyre.  Deri më tani janë të ngritura tri kallëzime penale ndaj tre personave të ndryshëm të cilët kanë penguar punën në ketë deponi duke u futur brenda në mënyrë të pa autorizuar. Përgjegjës kryesor janë menaxhmenti i deponisë pasi që dihet se deponia është pronë publike dhe menaxhmenti i saj duhet të jetë mbikëqyrës kryesor", ka thënë ai.

Rasti me fatalitet i deponisë së mbeturinave në Gjilan, por edhe lejimi në vazhdimësi i veprimtarisë së mbledhjes së mbeturinave në rrethana të rrezikshme, përfshinë një numër të madh shkeljesh të të drejtave të njeriut. Duke u nisur nga e drejta për jetë, e drejta për siguri sociale, e drejta në shëndet, e drejta në punë, mbrojtja e fëmijëve, etj.

1/17
  • Të jetosh nga skrapi

    Pasi që kishte mbushur dy thasë e gjysmë me mbeturina, Zymeri bashkë me fëmijët e tij po i dërgonte në pikën grumbulluese për t’i shitur

  • Të jetosh nga skrapi

    Këto mbeturina gjenden në lagjen e komuniteteve RAE në Fushë Kosovë. Disa nga mbledhësit aty djegin mbetjet e kabllove elektrike për t’ua marrë materialin, ndërsa shpesh edhe fëmijët luajnë në këtë ambient

  • Të jetosh nga skrapi

    Smajli është mbledhës i përditshëm i mbeturinave dhe për çdo ditë kontrollon kontejnerët ku i gjen mbeturinat që i duhen për t’i shitur

  • Të jetosh nga skrapi

    Për dallim prej mbledhësve të tjerë, Smjali nuk dërgon çdo ditë mbeturina në pikat grumbulluese, por ai së pari i grumbullon në oborrin e shtëpisë ku jeton, ku e bën edhe klasifikimin

  • Të jetosh nga skrapi

    Kontejnerët në lagjen “Bregu i Diellit” janë ndër me të frekuentuarit nga mbledhësit e mbeturinave, të cilët qëndrojnë gjatë gjithë ditës aty

  • Të jetosh nga skrapi

    Mbledhësit e mbeturinave në deponinë e Gjilanit presin çdo kamion që zbrazët për të mbledhur mbeturina sa më shumë

  • Të jetosh nga skrapi

    Edhe fëmijët punojnë krahë për krahë me të rriturit për të mbledhë sa më shumë mbeturina në një ambient të kontaminuar

  • Të jetosh nga skrapi

    Një ditë e zakonshme për këtë burrë dhe këtë fëmijë, të cilët e sigurojnë mbijetesën nga mbledhja e mbeturinave

  • Të jetosh nga skrapi

    Këta mbledhës rrezikojnë jetën duke mbledhur mbeturina çdo ditë afër zinxhirëve të ekskavatorëve

  • Të jetosh nga skrapi

    Shumica e mbledhësve të mbeturinave nga komunitetet RAE, të cilët jetojnë në Fushë Kosovë i dërgojnë mbeturinat te Kompania “Rrezi Com”

  • Të jetosh nga skrapi

    Punëtorët së pari e bëjnë presimin e materialeve të plastikës dhe i bëjnë gati për eksport

  • Të jetosh nga skrapi

    E gjithë kjo plastikë e grumbulluar dhe e presuar është grumbulluar nga mbledhësit individual

  • Të jetosh nga skrapi

    Një pjesë e mbledhësve individualë i dërgojnë mbeturinat edhe tek kompania “SRI Kosova”

  • Të jetosh nga skrapi

    Procesi i presimit të letrës dhe kartonit

  • Të jetosh nga skrapi

    Kompania “Rec Kos” është grumbulluesi më i madh i mbeturinave të metalit në Kosovë

  • Të jetosh nga skrapi

    Një pjesë nga pika grumbulluese e kompanisë “Rec Koc”. Këto metale planifikohej të bluhen dhe të bëhen të gatshme për eksport

  • Të jetosh nga skrapi

    Disa materiale të metalit janë presuar dhe janë bërë të gatshme për eksport

E drejta në jetë është e garantuar me Kushtetutë të Kosovës në nenin 25, ku përcaktohet se secili individ gëzon të drejtën për jetën. Po ashtu, e drejta për jetë është e garantuar edhe me Deklaratën Universale për të Drejta të Njeriut (neni 2), me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 2) dhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejta Civile dhe Politike (neni 6). Pavarësisht faktit se Kosova nuk është palë nënshkruese e këtyre instrumenteve ligjore, ato janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në Kosovë nga se Neni 22 i Kushtetutës të Kosovës i liston si pjesë e të drejtës së brendshme të Kosovës.

Po ashtu, Kushtetuta e Kosovës në nenin 51 përcakton si të drejtë themelore edhe të drejtën në mbrojtje shëndetësore dhe sociale. Këto të drejta janë po ashtu të garantuara me nenin 22 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, ku shprehimisht përcaktohet se secili individ ka të drejtë në siguri sociale dhe realizimin e saj përmes përpjekjeve të shtetit. Mungesa e ofrimit të sigurisë sociale është drejtpërdrejt e  lidhur me arsyen se përse këta persona për çdo ditë rrezikojnë jetën e tyre për të siguruar sado pak kushte për jetesë.

Rina Kika njohëse e të drejtave të njeriut ka thënë se është shumë shqetësues fakti se institucionet e Kosovës ende nuk kanë reaguar në lidhje me vdekjen tragjike të Elbasanit.

"Institucionet e vendit mbajnë përgjegjësi për vdekjen e tij  sepse dështuan të ndërmarrin masa sipas detyrimeve pozitive që rrjedhin nga ligjet e Kosovës për mbrojtjen dhe pacenueshmërinë e integritetit fizik të njeriut", ka thënë ajo.

Sipas saj rasti i të riut që vdiq në deponinë e mbeturinave në Gjilan është i ngjashëm me atë të Öneryildiz kundër Turqisë nga se institucionet e shtetit përveç që nuk kanë ofruar fare informata për parandalimin e rreziqeve në deponinë e mbeturinave, nuk kanë marrë asnjë hap praktik për mënjanimin e rrezikut që i kanoset mbledhësve të mbeturinave.

"Në rastin Öneryildiz kundër Turqisë GJEDNJ ka vendosur se Turqia e ka shkelur të drejtën në jetë nga se nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm të parandalojë vdekjen e 9 familjarëve të paditësve në një rast të shpërthimit aksidental të metanit në një deponi të mbeturinave. GJEDNJ ka vendosur se shkelja e të drejtës në jetë përfshinë edhe mos-ofrimin e mbrojtjes së përshtatshme ligjore për mbrojtjen e jetës, posaçërisht mos-dhënien e informatave të mjaftueshme të personave të ekspozuar ndaj rrezikut. Më tutje, gjykata në këtë rast ka konsideruar se edhe po t’i kishte dhënë informata e nevojshme, shteti i Turqisë nuk i ka ndërmarrë të gjitha hapat praktik për ta shmangur rrezikun jetësor të njerëzve", ka shpjeguar Kika.

Neglizhenca e deritanishme e institucioneve të vendit për të trajtuar me seriozitet jetën dhe mirëqenien e mbledhësve të mbeturinave, ka ndikuar që shëndeti dhe jeta e tyre të vazhdon të rrezikohet. Vdekja tragjike e Elbasanit e pasqyron më së miri këtë.