English
Scroll top

Shtëpia e tenderëve politik

Tenderi mbi 3 milionësh i Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës Kuqishtë – Bogë, që i është dhënë konzorciumit “Beni Com & Ekskavatori”, është anuluar. Eksperti Zeqiri Fetoshi, i angazhuar nga OSHP-ja që të hetojë dosjen e këtij tenderi, për parregullësit e të cilit ka raportuar “Preportr”, konstaton se të gjitha kompanitë që ofertuan, duke përfshirë edhe konzorciumin fitues, janë të papërgjegjshme. Hulumtim i “Preportr” nxjerr se kompanitë e...

Prishtinë, 23 Dhjetor 2011

Qeveria ka dështuar për ta shpërblyer edhe me 3 milion euro të tjera financuesin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Tenderi për asfaltimin e  rrugës Kuqishtë-Bogë, i tenderuar nga Ministria e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Fehmi Mujota, që ishte paraparë të asfaltohet nga “Beni Com” në konzorcium me kompaninë “Ekskavatori” nga Ferizaj, edhe përkundër ofertës prej afro 900 mijë euro më të lartë se dhjetë kompani tjera që ishin në garë, del që të jetë proceduar duke mos pasur asnjë kompani të përgjegjshme në garë. Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) të mërkurën e ka anuluar këtë tender. Një panel i ekspertëve të këtij institucioni ka vërtetuar se MI-ja ka shkelur tre nene të Ligjit të Prokurimit (LPP) duke proceduar tenderin pa asnjë kompani të përgjegjshme në garë, si dhe duke bërë ekzaminim e vlerësim të tenderëve në mënyrë të jashtë-ligjshme.

Ky panel ka konstatuar se Komisioni për vlerësimin e tenderëve, që ishte caktuar për këtë tender, ka shkelur edhe neni 60 të LPP-së kur e shpërbleu konzorciumin “Beni Com & Ekskavatori”, nen ky që rregullon kriteret për dhënien e tenderit.

Kurse lideri i këtij konzorciumi kishte edhe një arsye për të qenë i shpërblyer në tenderët e ministrive të PDK-së. Pronari i kompanisë “Beni Com”, Ismet Kunushefci, është financues “kronik” i partisë së Kryeministrit Hashim Thaçi, PDK-së. Në fushatën elektorale të viti 2009, emri i tij figuron si financues i degës së PDK-së në Podujevë, për të cilën kishte dhënë afro 2 mijë euro, kurse në fushatën e viti 2010, e përgjysmoi donacionin ndaj kësaj partie. Sipas raportit të auditimit mbi financimin e partive politike për fushatën e viti 2010, Ismet Konushefci për PDK-në ka dhënë veç 1 mijë euro.

Të gjitha kompanitë të papërgjegjshme

Megjithëse tenderi iu dha financuesit të partisë në pushtet, eksperti Zeqir Fetoshi i caktuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) që të bëjë analizë mbi këtë tender, për pa rregulluesit e të cilit ka raportuar “Preportr” në shkrimin : “Biznesi i partisë në pushtet”, ka gjetur se tri kompanitë që mbetën në fund në garë për këtë tender, por edhe kompanitë që u ankuan kundër rekomandimit për shpërblim me tender, janë të papërgjegjshme.

“Autoriteti kontraktues (Ministria e Infrastrukturës) ka rekomanduar për dhënie të kontratës Operatorin Ekonomik të pa përgjegjshëm (konzorciumin “Beni Com&Ekskavatori”), konstaton eksperti Fetoshi në ekspertizën që është dorëzuar në OSHP të martën dhe një kopje të së cilës e ka siguruar “Preportr”.

Autoriteti kontraktues (Ministria e Infrastrukturës) ka rekomanduar për dhënie të kontratës Operatorin Ekonomik të pa përgjegjshëm (konzorciumin “Beni Com&Ekskavatori”), konstaton eksperti Fetoshi në ekspertizën që është dorëzuar në OSHP të martën dhe një kopje të së cilës e ka siguruar “Preportr”.

Sipas Fetishit, këtij konzorciumi i mungonin pasqyrat financiar për tri vitet e fundit të nënshkruara dhe vulosura nga ndonjë auditor i licencuar, siç kërkohej në dosjen e tenderit, konzorciumi nuk ka pasur vendim për caktimin e menaxherit të projekti, nëse e fiton tenderin, dhe se inxhinierin dhe teknikun e gjeodezisë që e caktuan kompanitë “Beni Com” dhe “Ekskavatori” nuk i kishin në listën e punëtorëve për të cilët kanë paguar kontribute në arkën e shtetit. Ky konzorcium i rekomanduar me kontratë nga Ministria e Infrastrukturës, sipas ekspertit Fetoshi, nuk ka ofruar në ofertën e saj as fakte që dëshmojnë fuqinë punëtore që ka dhe as numrin e personelit menaxherial.

Eksperti Zeqir Fetoshi gjeti që edhe të dy kompanitë tjera që u lanë në garë, nga 27-të sa kishin ofertuar, ishin të papërgjegjshme po ashtu. MI-ja nga 27 ofertues, 24 i kishte shpallur të papërgjegjshëm , duke i vlerësuar të përgjegjshëm vetëm konzorciumin fitues, “Beni Com&Ekskavatori”, kompaninë ”Famis Co” dhe kompaninë “Viktoria Invest Group”, të cilat eksperti Fetoshi ia shpall të papërgjegjshme.

Por, ky ekspert i angazhuar nga OSHP-ja nuk është ndalur vetëm me këto kompani, që për Ministrinë e Infrastrukturës ishin të përgjegjshme, por si të papërgjegjshme i ka shpallur edhe të gjitha kompanitë që u ankuan në tenderin në fjalë.

Për ekspertin në fjalë, edhe kompanitë që bënë ankesë: “Joos&Krasniqi” nga Deçani, “NPNT Çlirimi”nga Prizren, “N.N’ R&Rukolli” nga Skenderaj, si dhe “Toni-Com” nga Prishtina, janë të papërgjegjshme. Për këto kompani, disa prej të cilave nga vet Ministria e Infrastrukturës, por edhe nga institucionet tjera kanë përfituar tenderë milionësh, eksperti Fetoshi konstaton se kanë mungesa të dokumenteve bazike të kërkuara në dosjen e tenderit.

Pas një ekspertize prej 16 faqesh, në të cilën janë përfshirë krejt ankesat, shqyrtimet dhe konstatimet e kompanive ankuese, por edhe gjetjet në dosjen e tenderit, eksperti Fetishi ka nxjerr përfundim që ky tender që peshon mbi 3 milion  euro, e i cili iu dha konzorciumit “Beni Com & Ekskavatori” për afro 900 mijë euro më  shtrenjtë se sa kompania më e lirë në garë, duhet të anulohet, konstatim që e ka mbështetur të mërkurën edhe një panel i OSHP-së.

“Rukolli” dyshon për falsifikim dokumentesh

Kompania “N.N’R&Rukolli” nga Skenderaj, që nga Ministria e Infrastrukturës në tenderin për asfaltimin e rrugës Kuqishë-Bogë u shpall e papërgjegjshme, po nga kjo ministri ditë më parë është shpërblyer me një tender prej afro 100 mijë eurosh. Më 20 dhjetor të këtij viti, është bërë publik njoftimi që tenderi për ndërtimin e urës mbi lumin “Drenica” në Kamaran, i është besuar kësaj kompanie në një garë me shtatë kompani të tjera.

Kriteret e këtij tenderi, me përjashtim të kërkesës mbi kapacitet ekonomike që ishte më e vogël, pasi që edhe projekti është më i vogël, ishin të ngjashme me kriteret e tenderit për asfaltimin e rrugës Kuqishë-Bogë, ku “N.N’R&Rukolli”  është shpallur i papërgjegjshëm.

Për Rrustem Rrukollin, fakti që në tenderë me kritere të ngjashme, diku bëhet i papërgjegjshëm dhe diku shpërblehet, është shkak i mjaftueshëm për të ngritur dyshimet se në tenderin tashmë të anuluar për rrugën Kuqishtë-Bogë ka pasur falsifikim dokumentesh.

“Kriteret në këta dy tenderë kanë qenë  të ngjashme. Ato kanë mundur të ndryshojnë vetëm te referencat, pasi që njëri tender është më i madh, kurse tjetri është më i vogël, por dokumentet tjera janë të ngjashme, Ne si kompani, kudo që ofertojmë, përgatisim oferta të përgjegjshme dhe vetë fakti që në të njëjtën ministri një herë jam shpallur i papërgjegjshëm e më vonë jam shpërblyer, me bënë të dyshoj që dikush nga komisioni ka hequr dokumente nga oferta e kompanisë tonë”, thotë Rrukolli për “Preportr”.

Nëse vërtetojmë që na janë hequr dokumentet do ta ndjekim rrugën ligjore deri në fund. Do t’i drejtohemi Prokurorisë me një Kallëzim Penal”, ka thënë Rrukolli për “Preportr”.

Rrustem Rukolli

AI thotë se punëtorët e kompanisë së tij të angazhuar për këtë tender kanë kërkuar që të hapen edhe dy kopjet e ofertës së tij për tenderin mbi 3 milionësh për asfaltimin e rrugës Kuqish-Bogë, të mbetura në arkivin e Ministrisë së Infrastrukturës, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ai beson se do të faktohet dyshimi i tij se komisioni i këtij tenderi ka bërë falsifikim të dokumenteve, duke i hequr dokumente nga oferta a tij. “Nëse vërtetojmë që na janë hequr dokumentet do ta ndjekim rrugën ligjore deri në fund. Do t’i drejtohemi Prokurorisë me një Kallëzim Penal”, ka thënë Rrukolli për “Preportr”.

Por, kërkesa e kompanisë “N.N’R&Rukolli”  për hapjen e kopjeve rezervë të ofertave duket se nuk do të realizohet. Në ditën kur në OSHP u përballën të gjitha palët e interesuar për tenderin e asfaltimit të rrugës Kuqishë-Bogë, që tashmë është anuluar, përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës në seancën organizuar nga OSHP-ja, Sami Haziri ka thënë se gjithçka do të shkoi pa u prekur kopjet. “Si komision vlerësues kemi të drejtë të vlerësojmë ofertat në bazë të origjinalit dhe kemi bërë vlerësimin për dy (2) kompanitë ankuese në bazë të origjinalit”, ka thënë Haziri në këtë seancë.

Ai madje ka konstatuar edhe se akuzat e Rrustem Rrukollit për heqje të dokumenteve janë të pa qëndrueshme. “N.P.N.T ÇLIRIMI” dhe OE “N.N. R&RUKOLLI-SH.P.K”, kanë ofertuar me të njëjtin inxhinier të gjeodezisë dhe ky inxhinier është z. Rrustem Bekaj, po ashtu pretendimi se ka tërheqje të dokumentacionin është i pa qëndrueshëm”, ka thënë Haziri ndër të tjera në seancën e organizuar nga OSHP për tenderin e asfaltimit të rrugës Kuqish-Bogë.

Kompanitë e papërgjegjshme marrin miliona euro nga tenderët publik

Në tenderin mbi tre milion euro, tashmë të anuluar, për asfaltimin e rrugës Kuqishë-Bogë që i ishte besuar konzorciumit “Beni Com & Ekskavatori”, doli që të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në  tender, 27 sa ishin gjithsej, u shpallën të papërgjegjshme nga eksperti i angazhuar nga OSHP-ja.

Një hulumtimi i detajuar i “Preportr”, "Blerja e territorit politik me paranë publike", nxjerr në shesh që shumica e këtyre kompanive që janë shpallur të papërgjegjshme, kanë përfituar nga Ministria e Infrastrukturës, por edhe nga autoritet të tjera publike, miliona euro nga tenderët publik.

“Preportr” ka hulumtuar mbi tenderët e fituar nga tri kompanitë që MI-ja i la në garë, si dhe për tenderët e katër kompanive që u ankuan në OSHP, ku ekspertiza e eksperti Zeqri Fetoshi i nxjerri të si të  papërgjegjshme të shtatë kompanitë.

Sipas këtij hulumtimi del që vlera e kontratave që i kanë dy kompanitë e konzorciumit “Beni Com & Ekavatori”, i rekomanduar për kontratë në asfaltimin e rrugës Kuqishë Bogë, vetëm nga ish-Ministria e  Transportit dhe Post-telekomunikacionit (MTPT), tash Ministria e Infrastrukturës, kalojnë shumë mbi 20 milionë euro.

Kështu kompania “Beni Com”, vetëm në periudhën 2008-2010, dhe atë vetëm nga ish-MTPT-ja, ka marrë tenderë publikë në vlerë mbi 9 milionë euro, kurse kompania “Ekskavatori” nga Ferizaj, për të njëjtën periudhë dhe po ashtu nga e njëjta ministri,  ka përfituar tenderë publik në vlerë mbi 11.7 milionë euro.

Kompania tjetër,  “Viktori Invest Group” nga Suhareka, që u la në garë në këtë tender nga MI-ja si e përgjegjshme por që nga OSHP-ja doli të jetë e papërgjegjshme, vetëm nga ish-MTPT-ja ka marrë për periudhën 2008-2010, gjashtë tenderë publik që së bashku kapin vlerën mbi 4.7 milionë euro.

Edhe pse në numër të njëjtë, gjashtë tenderë, por në vlerë prej afro 10 milionë eurosh nga MTPT-ja në po të njëjtën periudhë ka fituar edhe kompania “Famis Co”. Edhe kjo kompani, në tenderin për asfaltimin e rrugës Kuqishtë –Bogë, pati “fatin” e kompanisë paraprake, pasi që nga MI-ja u shpallë e përgjegjshme, kurse nga OSHP-ja si e papërgjegjshme.

Por, edhe katër kompanitë që bënë ankesa në OSHP, e që edhe nga Ministra e Infrastrukturës në këtë tender u konsideruan si të papërgjegjshme dhe si të tilla u shpallën edhe nga OSHP-ja, janë kontraktorë të rregullt me tenderë milionësh nga po kjo ministri dhe atë për punë të ngjashme që lidhen me asfaltimin, por edhe për punë të tjera ndërtimore të marruar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) si dhe nga komunat.

Kështu, kompania e ankuar në OSHP, “N.P.N.T ÇLIRIMI” nga Prizreni me MTPT-në ka pasur 4 kontrata në vlerë mbi 2.2 milion euro, kurse me MASHT-in një kontratë që peshon afro 700 mijë euro.

Kompania “N.N’R&Rukolli”  nga Skenderaj, pos tenderit prej afro 100 mijë eurosh për ndërtimin e urës mbi lumin “Drenica” në  Kamaran, që e morri nga Ministria e Infrastrukturës më 20 dhjetor të këtij viti, ka një kontratë me ish-MTPT-në që peshon afro 300 mijë eurosh. Kjo kompani, pronari i së cilës është financues i fushatës së PDK-së, është shpallur fitues vitin e kaluar në tenderin tetë milionësh të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave për ndërtimin e Fabrikës së ujit në Vushtrri. Kompania “Rukolli” është gjetur mirë edhe në tenderët e Ministrisë së Arsimit, ku ka dalë fitues në një tender për ndërtimin e objektit të shkollës në Prekaz të Skenderajt si dhe ka përfituar një sërë tenderësh nga komuna e  Skenderajt.

Dy kompanitë e tjera që janë ankuar kundër MI-së në OSHP, nuk kanë kontrata me këtë ministri, por ato janë kontraktorë të komunave. N. P. T   “TONI COM ” nga  Prishtina, ka një kontratë prej 2,378,888 eurosh të fituar në Komunën Skenderajt, që udhëhiqet nga Sami Lushtaku nga radhët e PDK-së. Këtë kontratë e kishte përfituar nga kjo komunë në fund të viti 2009 për asfaltimin e rrugës Gofile-Krasaliq-Krasmirovc-Qirez  në  Skenderaj.

Kompania tjetër e ankuar në OSHP për këtë tender, ”Joos&Krasniqi-Bazë”  këtë vit është shpërblyer nga komune Pejës, që udhëhiqet nga Ali Berisha nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kontrata e kësaj kompanie me Komunën e  Pejës peshon mbi 80 mijë euro si dhe kompania është angazhuar për asfaltimin e disa rrugëve të tjera në këtë qytet.

Edhe pse “Preportr” ka pritur për më shumë se një javë, në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë pasur përgjigje në lidhje me faktin që kompanitë e eliminuar nga vetë ministria si të papërgjegjshme, janë kontraktorë të tyre në projekte milionëshe të së njëjtës natyrë dhe me tenderë me kritere të ngjashme.

KRPP-ja: Tenderi ishte i jashtë-ligjshëm

Por, për “rregullatorin ligjor” të prokurimit në Kosovë - KRPP-në, ky tender nuk është dashur të shkoi kaq larg, pasi që në start ka qenë tender i jashtëligjshëm. Duke u bazuar në gjetjet e ekspertit Zeqir Fetoshi se Ministria e Infrastrukturës u ka kërkuar në dosje të tenderit kompanive licencë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), licencë që tashmë nuk ka bazë ligjore, Safte Hoxha, kryetarë i Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) ka thënë për “Preportr” se tenderi ka qenë i jashtë-ligjshëm.

“Nëse në një tender, vetëm një kriter është jo i bazuar në ligj, apo kërkohet diçka e cila është ndryshuar tashmë, siç është çështja e licencave për kompanitë, që tashmë ka kaluar vetëm në licencim të personave fizik, tenderi duhet të anulohet menjëherë pasi që si i tillë është i jashtë-ligjshëm”, ka thënë Hoxha.

Në lidhje me kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës, që kompanitë të kenë licenca, kriter që ka rrëzuar pjesën më të madhe të kompanive, eksperti që u morr me tenderin e asfaltimit Kuqishtë-Bogë, ka konstatuar se Ministria e  Infrastrukturës  është përplasur me vendimet e MTI-së.

“Autoriteti Kontraktues ( në këtë rast Ministria e Infrastrukturës) ka kërkuar licencë nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë (obligative) në kundërshtim me vendimin e MTI-së të datës 16.09.2011, i cili shfuqizon vendimin Nr 211 të datës 27.09.2005 për procedurat e licencimit”, konstaton ndër të tjera eksperti Fetoshi në ekspertizën  tij.