English
Scroll top

Lushtakët përfitojnë prej mjerimit në Drenas

Komuna e Drenasit e kishte shpërblyer kompaninë “Kalaja” të Skenderajt me një tender rreth 100 mijë euro për fasadimin e objektit banesor “Blloku 8”, ku janë të vendosura rreth 30 familje. Objekti vazhdon të jetë në gjendje shumë të keqe edhe sot pasi që kompania “Kalaja”, pronë e Lushtakëve nuk i kishin kryer punët të cilat janë paraparë në kontratë, e për të cilat i kanë marrë paratë . Kompania i kishte marrë...

17 Shtator 2012

Mu përballë ndërtesës së Komunës në Drenas, 30 familje jetojnë në gjendje të mjerueshme, në një banese kolektive, e cila nuk ka as kushtet elementare për banim. Shkallët janë të lëvizshme, por edhe mund të shemben çdo moment, kabllot e pambuluara që janë të shpërndara gjithandej, ujërat e zeza që kanë mbushur bodrumet e që rrezikojnë banorët me sëmundje, e deri tek uji që pikon nga kulmi janë rreziqet me të cilat këto familje jetojnë çdo ditë. Kompania “Kalaja” e familjes së Lushtakëve kishte marrë 100 mijë euro nga komuna për të rregulluar këto probleme, por është mjaftuar vetëm me fasadim të jashtëm.

Kur këto familje  u vendosën, objekti banesor ishte i papërfunduar. Shumëçka ishte në fillimin e ndërtimit të tij, kulmi nuk i kishte të vendosura ullukët, kanalizimi krejt i parregulluar, shkallët e vendosura pa mbrojtje, pa ndriçim, pa dritare në korridoret e kateve, me kabllot elektrike nëpër tokë  dhe e pa fasaduar brenda as jashtë. Ndërtesa ka pothuajse të njëjtën gjendje edhe tash megjithëse nga komuna kishte dhënë 100 mijë euro” për rregullimin e ndërtesës.

Në gusht të vitit 2010, komuna e Drenasit e kishte shpërblyer kompaninë “Kalaja”, në pronësi të Fejzullah e Berat Lushtakut me tender për fasadimin e këtij blloku. Gjithashtu, kontrata e parë dhe kontrata e dytë janë publike në KRPP.

“Kalaja” nuk i ka kryer punët vetë, por ka angazhuar një nënkontraktor,(Vëllezërit Asllani) për t’i kryer punët, përkatësisht vetëm fasadimin e jashtëm të objektit. Për për pjesët tjera që janë paraparë në kontratë nuk i ka kryer punët vetë, e as nuk ka angazhuar ndonjë nënkontraktor. Ato nuk i kanë kryer fare.  

Pas “përfundimit” të fazës së parë të punëve, fasadimin e jashtëm të ndërtesës, komuna e Drenasit ia pranon punën kësaj kompanie dhe e shpërblen atë edhe me punë shtesë, duke ia dhënë edhe dy aneks kontrata për pastrimin e podrumit, në të cilin derdhen ujërat e zeza, vendosjen e ullukëve, rregullimin e shkallëve që përbëjnë rrezik permanent për këta banorë, dhe vendosjen e kulmit. Por asnjëra nga këto punë nuk është kryer.

Kontrata me kompaninë e Lushtakëve shpërfaq qartësisht se puna e vetme që është kryer në këtë objekt është fasadimi i jashtëm, si pjesa më e dukshme e punës. Por brenda, punëtorët e kompanisë thuajse nuk kanë hyrë fare.

Preportr ka siguruar dokumentet që tregojnë se një komision i mbikëqyrjes i përbërë nga Flora Krasniqi dhe Shqipe Kuliqi nga drejtoria e urbanizmit kishte vlerësuar në të dy kontratat se janë kryer 90 për qind të punëve, duke i hapur rrugë edhe ekzekutimit të pagesës për kompaninë “Kalaja”.

I njëjti komision vlerësoi se kësaj kompanie i duhet dhënë edhe disa punë shtesë dhe për këtë mori një vendim. Këto punë shtesë  u vlerësuan  me rreth mbi 6 mijë euro dhe një pjesë tjetër rreth 20 mijë euro, duke i bërë edhe një aneks kontratë .  Por komuna nuk u ndalë më kaq, pasi që i bëri edhe një aneks kontratë të re me vlerë rreth 2 mijë euro.

Kësisoj, kompanisë “Kalaja” të Lushtakëve të Skenderajt iu paguan rreth 100 mijë euro për punët të cilat nuk i përfundoi kurrë, duke lënë banorët e këtij blloku në gjendje të mjerueshme dhe në rrezik të vazhdueshëm.

Objekti rrezikon shëndetin dhe jetën e banorëve

E banorët që janë edhe ashtu keq ekonomikisht, rrëfejnë për jetën e tyre të rëndë aty dhe vështirësitë e përditshme e rreziqet që iu kanosen.  
“Vajza ime derisa ishte shtatzënë është rrëzuar dhe e ka thyer dorën”, thotë Sabrie Berisha e cila tregon se edhe vetë është rrëzuar disa herë në shkallet e betonit të cilat nuk janë stabile dhe kanë hapësira ndërmjet njëra-tjetrës. Ajo ka frikë edhe nga kabllot në korridor që janë të shpërndara gjithandej nëpër beton.

Bashkëshorti i saj, Hamdi Berisha mendon se nuk janë shpenzuar më shumë se 10 mijë euro në punën që është bërë, kurse kompania e Lushtakëve të Skenderajt i ka fituar 90 mijë euro për punët e pakryera. “Marrëveshja ka qenë me u fasadu krejt objekti brenda, jashtë  me u vendosë ullukët dhe kulmi. Krejt çka është bërë është fasadimi jashtë i cili nuk ka kushtuar më shumë se 10 mijë euro. Po e shihni krejt gjendjen … janë mbi 100 kabllo jashtë”,. thotë Berisha.

Gjendje edhe më e keqe është në bodrumin e kësaj ndërtese. Në të derdhen të gjitha ujërat e kanalizimit të ndërtesës. Ai tashmë është i izoluar nga vetë banorët për shkak të kundërmimit të madh që shkakton në këtë bllok të banimit.

“Bodrumet janë krejt ujë, erërat të mbysin”shton Berisha. Ai tregon se menjëherë pas luftës kur ishin vendosur, në ndërtesë kanë qenë vetëm muret të cilat i kanë lyer brenda secili për vete kur kanë pasur mundësi. “Disa kanë mundur tek tash t’i lyejnë banesat e tyre prej brenda. Kemi qëndruar ashtu në skelete të kësaj ndërtese”

“Punët nuk janë kryer as për së afërmi se çfarë është thënë”, thotë Hajriz Morina.

E Agim Kurtaj tregon për gjendjen e rëndë të qytetarëve të Drenasit.

“Kurrgjë nuk kanë bërë. Ne duhet t’i bëjmë krejt dhe shumica janë të papunë këtu. Punojnë me ndërtimtari por mund të punojnë vetëm disa ditë, e ditët e tjera mbesim shkret”.

Kati më i lartë i objektit është i mbushur me kova, të cilat përdorën për të pritur pikat që bien në dyshemetë e banesave. Madje këto pika bien edhe në katet më poshtë.


“Mua në kat të pestë më pik uji nga tavani, tash paramendojeni në kat të gjashtë se si pikon”, thotë Fatmir Ibriqi. Dhe problemi me ujin nuk vjen vetëm prej lartë. Problemi kryesor me ujin aty është se mungon. Kjo ndërtesë furnizohet vetëm disa orë më ujë edhe pse faturohet në mënyrë paushalle “Më shumë nuk kemi ujë saqë kemi. Duhet të mbushim ujë rezervë, e kur ka nuk ka shtypje të bollshme, e pavarësisht këtyre e paguajmë në mënyrë paushalle”

“Është e tmerrshme të jepen krejt paret e të kryhet vetëm një fasadë nga jashtë”

Për këtë çështje banorët kanë bërë edhe një ankesë ku iu janë drejtuar EULEX-it, por deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

E ata që ishin paguar të kryejnë punët, duket se kanë përgjegjësi të tjera në vend se t’u përgjigjen gazetarëve në lidhje me dështimin e këtij projekti. Pronari i “Kalasë”, Fejzullah Lushtaku thotë se ka shumë punë në veriun e Kosovës dhe se i urren telefonat.

“Nuk jam këtu (në veri). Nuk do të jem edhe dy javë. Do të jem në veriun e Mitrovicës se kam punë në dorëzimin e një objekti që e kam pas me e ndërtu atje” thotë Lushtaku. Ndërkaq, nuk pranon të  përgjigjet në telefon. “Jo,unë i urrej, i urrej shumë telefonat” e përmbyll komunikimin e vet Lushtaku me Preportr.

A do të japin përgjegjësi pranuesit e punëve?

Kurse, drejtori i urbanizmit në komunën e Drenasit ku bëhet edhe pranimi ose jo i projektit, Ajet Demiri nuk ka mundur të përgjigjet për arsye private.

1/13
  • Përfitojnë prej mjerimit

    Pasi që kopanisë që e ka fituar kontratën i janë pranuar punët pa i kryer fare, me një aneks kontratë është paraparë që të vendoset edhe kulmi, por as kjo nuk është bërë.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Objekti është fasaduar vetëm jashtë, ndërsa brenda nuk është bërë asgjë edhe pse kompania është paguar dhe ka pasur kontratë për t'i kryer të gjitha punët.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Kompania “Kalaja” ka marrë paratë edhe për vendosjen e ullukëve, por nuk ia ka vendosur as ullukët dhe si pasojë e kësaj ka filluar të dëmtohet edhe fasada nga depërtimi i ujit.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Kompania që e ka fituar tenderin është paguar edhe për rregullimin e shkallëve, por ato nuk janë rregulluar fare. Shkallët edhe lëvizin nga vendi i tyre dhe shumë banorë janë rrezuar dhe kanë pësuar lëndime të rënda.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Kjo gjendje është në gjashtë katet e këtij blloku, ndërsa banorët mundohen që të evitojnë lëvizjen nëpër këto shkallë sidomos gjatë natës.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Kompania që është dashur ta lyejë edhe brenda objektin përpos që nuk e ka lyer si duhet nga jashtë, ajo nuk e ka fasaduar dhe instalimet elektrike kanë mbetur nëpër mure. Ato i rrezikojnë banorët dhe sidomos fëmijët.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Përveç mosrregullimit të kabllove të rrymës dhe ujit. Korridori është i pa ndriçuar dhe paraqet rrezik për banorët.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Ky grumbull i kabllove është i mbledhur tek dera e hyrjes së Hamdi Berishës.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Fëmijët tregojnë se janë rrezuar disa herë në këto shkallë që nuk janë të ngjitura dhe është dashur që të marrin trajtim mjekësor.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Moskryerja e punëve nga kompania fituese dhe pranimi i punëve të pa kryera, rrezikon më së shumti fëmijët. Ata duhet të zbersin gjithmonë nën përcjelljen e të rriturve.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Kompania "Kalaja" nuk e ka vënë edhe kulmin të cilin e ka pasur obligim me kontratë. Problemi i shiut e borës nuk është i zgjidhur për këtë ndërtesë. Një nga partitë politike për të përfituar vota e ka vendosur një kulm të improvizuar, i cili nuk e ndalë depërtimin e shiut si duhet.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Kur bie shi, banorët e katit të 5-të dhe të 6-të përballën me depërtimin e ujit në dhomat e tyre.

  • Përfitojnë prej mjerimit

    Edhe bodrumi ka qenë i paraparë që të pastrohet dhe të dezinfektohet, pasi që në të derdhen ujërat e zeza. Por as këtë nuk e ka bërë kompania fituese, ndërsa banorët vetë e kanë mbyllur, pasi që ka pasur kundërmim të madh nga ky bodrum.

Por, kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku, ka dhënë një përgjigje lidhur me këtë.  Edhe pse objektin në fjalë dhe komunën i ndanë vetëm një rrugë, ai  thotë se nuk ka qenë i informuar se ky projekt është pranuar pa u kryer punët.

“Duhet shikuar arsyet pse projekti është pranuar në këtë gjendje. Nëse vërtetohen parregullsi, ne si komunë do t’i marrim të gjitha masat konform përgjegjësive që kemi. Unë si kryetar ju garantoj se nëse zyrtarët komunal e kanë pranuar punën pa u kryer, do të japin përgjegjësi dhe do të largohen nga puna”, thotë Demaku.

E mbetur pa kulm, uji depërton nëpër dhomat e banorëve kur ka reshe shiu e bore, ndërsa korridoret e brendshme bëhen si lumë.